/Antonio Gramshi/
Gramshi: Duhet të hapim sytë. Për të ushtruar sundimin e saj, borgjezia nuk ka gjithmonë nevojë për shtrëngimin, për dhunën ligjore, për terrorizmin shtetëror, si në Italinë e viteve ’20-’30. Për të “burgosur” miliona mendje, ajo përdor armë më të kamufluara. Prej shekujsh borgjezia na ka shtyrë të mendojmë e na shtyn përditë të mendojmë se vlerat e saj janë vlera absolute. “Familja”, “edukimi”, “marrëdhëniet e punës”, “metodat e luftës politike” – ideologjia borgjeze ka një përgjigje të shpejtë për gjithçka, një përgjigje në gjendje për të të mbushur mendjen, për të siguruar konsensusin, pse jo edhe spontan, pikërisht të atyre që janë të shfrytëzuar, që janë gjithashtu të mashtruar në ndjenjat dhe idetë e tyre deri në pikën sa mbrojnë edhe vetë sundimin e armiqve të tyre.
Me hegjemoninë e klasës borgjeze ne ushqehemi në mënyrë mekanike përditë, ashtu si me bukën, është bërë e afërmendshmja e ndërgjegjes së miliona personave. Ja përse përpara se të marrë pushtetin, përpara dhe jo pas, klasa revolucionare duhet të shndërrohet në klasë udhëheqëse, duhet të ushtrojë hegjemoninë e saj për t’ia marrë klasës borgjeze tërësinë e forcave shoqërore. Si? Duke ua hequr dalëngadalë të gjitha grupeve shoqërore, edhe atyre më të prapambetura, idetë e vjetra, paragjykimet, frikërat shekullore, besimin dhe përuljen ndaj grupeve sunduese, shtetin parlamentar mbi klasat, parimin e shenjtë të pronës private. Këto janë bindjet e çimentuara nga borgjezia për të burgosur miliona mendje.
I burgosuri 1: Po këtë proces hegjemonie, që thua ti, kush e bën? Praktikisht dua të them.
Gramshi: Sot? E bëjnë të gjithë ata që janë në drejtim të fabrikave, të bankave, të mediave, shkencëtarët, priftërinjtë për t’i imponuar shoqërisë ide dhe parime që i leverdisin klasës drejtuese.
I burgosuri 2: Me një fjalë, intelektualët?
I burgosuri 3: Intelektualët, ky grusht njerëzish të shitur! Intelektualët e kanë gjithmonë një “shenjtore” pas shpine!
I burgosuri 4: Po ku t’i gjejmë ne intelektualët? Janë gjithmonë rreth çizmes së Musolinit (pushtetit)!
I burgosuri 5: Ne, për të bërë revolucionin, duhet të presim që intelektualët të pushojnë së lëpiri çizmen e pushtetit?!
Gramshi: Pa një shtresë të re intelektualësh, gjendja aktuale historike nuk ndryshon, nuk e gjen rrugën e revolucionit. Thënë ndryshe, shoqëria e vjetër do të vazhdojë të ekzistojë.
I burgosuri 6: Epo mirë, intelektualët janë të domosdoshëm, por vetëm rrjedha e revolucionit mund t’i kthejë në anën tonë. Revolucioni janë klasa punëtore dhe partia!
I burgosuri 7: Po kush mund të jenë vallë këta intelektualë?
Gramshi: Ku mendoni se mund t’i gjeni? Intelektualët e klasës punëtore janë militantët, pararoja: Partia si një intelektual i të përbashkëtës. Intelektualët jeni ju!
E përktheu Alfred Bushi
Pjesë e shkëputur nga filmi “Ditët e burgut”