Pse teta? Po pastaj?
/Liri Kuçi/
Sot togfjalëshi mars, lule, muzikë, urime shënjon tetën, një ditë feste ku gratë vendosin. Vendosin të pranojnë lule, t’u kujtojnë se janë gra e për këtë meritojnë të festojnë. Është tetë, mirëpo nuk ndodh që gruaja të jetë vetëm femër, por edhe punëtore e shfrytëzuar brutalisht nën sundën e shefit-burrë dhe burrit-shef fytyrëngrysur që nuk ngurron të çirret edhe nëse e vrasin çorapet. Ndodh që gruaja të jetë edhe nëna shtëpiake që keqtrajtohet nga i shoqi i saj pijanec apo nevrik në rastin më të mirë. Është tetë edhe për studenten e keqpaguar të call-center’it që i duhet të përballojë klientët dhe presion e tutorit gjithashtu. Teta ama, festohet nga të suksesshmet dhe takat e larta të biznesit dhe të ashtuquajturat aktiviste të shoqërisë civile dhe promovuese të të drejtave të grave, ndërkohë që qëndrojnë të fjetura çdo ditë tjetër të vitit që nuk është tetë dhe mars. Koketat e shoqërisë civile kujtohen për pjesën tjetër të grave vetëm pak ditë përpara tetës, që të mund të merren me organizimin e ndonjë dreke që menjëherë pasqyrohet me pompozitet nga mediat me demek të lira e të pavarura.
Po ç’kuptim kanë koncepte si barazia dhe emancipimi, kur si të këtilla përkthehen vetëm figurat e grave të suksesshme në biznes dhe përfaqësia e po kësaj sëre mbi 30% në parlament?! Ndërkohë që gratë e dhunuara, të papuna apo të shfrytëzuara në punë përbëjnë shumicën dërrmuese të përvuajtur e të pazëshme në mënyrë konstante! Situata me shifrat frikshëm të larta për gratë e abuzuara seksualisht, të vrara nga bashkëshortët për motive banale apo të vetëvrara nga presioni i po këtyre të fundit nuk ngjall asnjëherë reagim nga pseudogrupet e ashtuvetëquajtura feministe, madje edhe perceptimi popullor për to duket të jetë aq normal sa nuk bën përshtypje e nuk meriton vëmendje mjaftueshëm sa të mund të artikulohet seriozisht ndokund përveç kronikave të zeza që ka shpërqendruar fokusin edhe të atyre rozë. Artikulimi publik i rasteve të tilla dhe qëndrimi politik duhet të reflektohej fuqishëm të paktën ditëve që mbartin një kuptimësi simbolike të rëndësishme siç është 8-Marsi social-feminist i Klara Cetkinit, Roza Luksemburgut e me radhë që propozuan tetën për ditën ndërkombëtare të gruas, për ta përmbushur simbolikisht me luftë të vërtetë për emancipim, barazi dhe forcimin e rolit të gruas në shoqëri.
Shumica sot nuk ka nevojë për festa të stisura më kot, në tentativë për të kamufluar nevojat e vërteta të grave. Ashtu posi! Nuk kemi nevojë për shfaqje sallonesh të mveshura me luks që vel me pamjet e ngrira të fytyrave-kukulla të borgjezkave të përkëdhelura me pozita e poste të majme pushtetore. Ky nuk është emancipim shoqëror i gruas, por shkarje sistemore që ushqen vetëm klikën që ndodhet sa më pranë hallkës hierarkike më të afërt me interesat e sojit të më të fuqishmëve. Sot, edhe pas tetës, termat barazimtarë dhe emancipues janë krejt të zhveshur politikisht. Ato thjesht pudrosen tetave, duke përmendur shtimin e posteve dhe ngritjet në detyrë të grave, por jo shtrirjen në nivel baze mbi njohjen, rëndësinë dhe lirinë e të vendosurit për vete dhe jo vetëm. Në tetë nuk ka vlerë buqeta e luleve nëse arsyeja pse u dhuruan venitet më shpejt seç vyshken lulet e dhuruara!
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.