Private dhe publike

/Mirela Ruko/ Sot i trembemi publikes jo se problemin e kemi në vetvete me konceptin e publikes apo se nuk e dëshirojmë publiken, por dëshira për publiken shtypet nga vetë publikja në fuqi. Kjo publike shpërfaqet në idetë që mendojmë se i kanë vendosur rregullin shoqërisë e se pa to shoqëria nuk do të ekzistonte. Të tilla janë normat, traditat, tabutë – po e anashkaloj në këtë pikë ligjin (për të cilin Fukoja ka thënë se komplikohet duke u ngritur mbi bazë normash). Publikja ka përcaktuar se çfarë duhet të jetë private. Po a është kështu? Dëgjohet shpesh ankesa “mos më bëj moral!”. Mirëpo qartësia për këtë shprehi apo përkufizimi i asaj çfarë thuhet nuk gjendet gjëkundi, por nënkuptohet si “mos më trego se si duhet të sillem!”. Në fakt morali është publikja që na tregon si të veprojmë, pra pritshmëria që ka publikja për privaten. Ndaj kur kërkohet që të mos ketë moral, kërkohet që të mos ketë më publike që më kushtëzon dhe se privatja ime nuk do varet nga ajo që pritet. Kësisoj nëse privatja është e ndryshme ose ka tendencën për të qenë e ndryshme, pse të mos jetë privatja ajo që e kushtëzon publiken?! Marrëdhënia midis të dyjave gjendet në këto forma. Në rastin e parë, morali është shumë i fortë dhe e ka modifikuar tërësisht privaten duke imponuar publiken dhe barazimi i të dyjave nuk le hapësira për devijim. Në rastin e dytë, privatja është e ndryshme nga publikja, ajo vepron në habitatin e vet pa i interesuar morali. Në të tretin, privatja shpërthen e përplaset me publiken. Pa anashkaluar të parën e cila është konstatimi i një gjendjeje të shtypur që qëndron në presionin e kësaj shtypje, dua të trajtoj dy të fundit të cilat bartin potencial emancipues. Këtu ka nevojë për një parantezë. Ndryshe nga botëkuptimi moralist, privatja nuk ka pse të merret medoemos si mbretëri e egos së pakufizuar dhe asgjësuese për tjetrin. Në historinë e të menduarit shoqëror nuk janë të pakta qasjet sipas të cilave shtysa natyrore (privatja) njerëzore çon kah dashamirësia apo empatia me tjetrin dhe janë nevojat e prodhuara nga keqorganizimi shoqëror – duke futur edhe moralizmin këtu – ato që e tjetërsojnë njeriun dhe e shtyjnë ta rindërtojnë privaten sipas modelit të forcës së publikes në fuqi. Kësisoj, kur këtë private nuk e nxjerr në sipërfaqe duke thyer publiken moralizuese e, mbi të gjitha, i trembesh publikes së saj as nuk je i emancipuar, as nuk mund të jesh forcë emancipuese. Pyetja se pse duhet ta bëj publike privaten time kur nuk më intereson ajo do të merrte këtë përgjigje: Privatja duhet nxjerrë në sipërfaqen e publikes që të jetë emancipuese sepse në momentin që privatja e cila e ka thyer moralin e nuk bëhet publike, personat që do ta bëjnë këtë do e quajnë sjelljen e tyre problem individual e do fillojnë ta shtypin veten. Duke u bërë publike (ose më saktë duke e bërë publiken), kjo private e lartësuar do i shtynte individët ta kapërcenin përfytyrimin e problemit si individual duke e universalizuar atë. Kur kjo private kolektivizohet i kundërvihet moralizmit cinik, përbën aktin e mirëfilltë emancipues.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.