/Ghassan Kanafani/
Ghassan Kanafani ishte veprimtar politik i çështjes së Palestinës, gazetar dhe novelist, i njohur për përmbledhjen me titullin “Njeriu në diell dhe histori të tjera të Palestinës”. Vepra e tij është përkthyer në më shumë se 17 gjuhë, ndërkohë që në botën arabe cilësohet si një nga figurat më influencuese të letërsisë moderne. Novela “Njeriu në diell” tregon historinë e tre brezave të ndryshëm të refugjatëve palestinezë, në përpjekje për të kaluar kufirin. Tragjedia mbyllet me vdekjen e refugjatëve të cilët, pasi arrijnë të kalojnë kufirin, vdesin të mbytur në cisternën me ujë ku ishin fshehur. Pyetja që mbyll veprën “Përse nuk i ranë mureve?!” është analizuar si kritikë simbolike e disfatizmit politik në shoqërinë arabe, dhe njëkohësisht thirrje për të mos pranuar vdekjen në heshtje, por për të rezistuar qoftë edhe “duke i rënë murit”. Pas përfshirjes në disa lëvizje nacionaliste në rininë e tij, Kanafani lëviz majtas duke besuar se vetëm një revolucion social do mund të sillte ndryshime dhe përparim në çështjen palestineze. Pas krijimit të Frontit Popullor Palestinez për Çlirim dhe caktimit të tij si zëdhënës, Kanafani shndërrohet në armikun publik numër një, duke u ekzekutuar së bashku me mbesën e tij në makinë në vitin 1972 në një atentat me bombë nga shërbimi sekret i Izraelit. Materiali i mëposhtëm është shkëputur dhe përkthyer nga e njëjta përmbledhje.
***
Kur u nisëm nga Xhafa për në Akre, nuk kishte asgjë tragjike mbi largimin tonë. Ishim si shumë të tjerë që zgjedhin të kalojnë pushimet çdo vit në një qytet tjetër. Qëndrimi shkoi si zakonisht, pa asnjë ndodhi të pafat. Asokohe isha i ri dhe i shijoja ato ditë sepse më mbanin larg shkollës. Por pavarësisht gjithçkaje, përjetimi u bë më i qartë natën esulmit mbi Akren.
Nata kaloi, mizore dhe e hidhur, shoqëruar nga dëshpërimi i burrave dhe të qarat e grave. Ne të dy ishim tepër të vegjël për të kuptuar tregimin e plotë të ngjarjes, por atë natë copëzat filluan të mblidhen. Në mëngjes kur izraelitët u tërhoqën, një kamion ishte parkuar para derës së shtëpisë tonë, duke u ngarkuar rrëmujshëm me plaçka të vjetra. Unë rrija mbështetur në murin e lashtë të shtëpisë, kur pashë mamanë tënde të ngjitej mbi kamion, e ndjekur nga tezja dhe fëmijët. Babai yt më ngriti mbi kokën e tij, sipër kabinës së shoferit, ku gjeta të ulur në heshtje vëllanë tim Rijad. Kamioni u nis ende pa zënë gjithçka vend.
Akreja e dashur po zhdukej pas kthesave të rrugës që të çonte në Ras Nakuora. Koha ishte e vrenjtur dhe e njëjta ndjesi më përshkonte trupin. Rijadi ishte ulur në heshtje, teksa vështronte qiellin mbështetur në valixhe me këmbët e varura sipër kabinës së shoferit. Unë rrija ulur me fytyrën mbështetur mbi gjunjë dhe krahët rreth tyre. Korijet e portokajve ndiqnin veten përgjatë rrugës. Të gjithëve na kishte mbytur frika. Kamioni gulçonte mbi tokën e lagësht, ndërkohë tingulli i largët i të shtënave na shoqëronte si britmë lamtumire.
Kur Ras Nakoura u shfaq para syve tanë, kamioni ndaloi së ecuri. Gratë zbritën dhe ju qasën një fshatari të ulur këmbëkryq me një shportë portokajsh para tij. Ato morën disa kokrra në duar dhe tingulli i vajtimit të tyre arriti lartësinë tonë. Aty mendova që ky fryt duhet të ishte i dashur për sytë tanë. Pasi gratë blenë disa dhe u shpërndanë të tjerëve, babai yt zgjati dorën për të marrë një, e vështroi në heshtje për disa sekonda e më pas filloi të qante si një fëmijë i dëshpëruar. Në qytet kamioni ynë u bashkua me shumë të tjerë. Burrat filluan të dorëzonin armët në stacionin e policisë. Kur erdhi radha jonë, pashë nga afër pushkët e shtrira mbi tavolinë dhe linjën e gjatë të veturave që kalonin kufirin duke lënë pas tokën e portokajve. Edhe unë shpërtheva në stuhi lotësh. Nëna jote ende vështronte portokallin në heshtje. Të gjitha pemët që yt atë kishte braktisur në duart e armikut shndritën në sytë e tij dhe u reflektuan në lotët që nuk mundi të kontrollonte para oficerit të pikës kufitare. Në mesditë, kur mbërritëm në Sidon, ishim zyrtarisht refugjatë.
Ne ishim nga të përpirët e rrugës. Babai yt dukej sikur kishte javë pa gjumë. Ai qëndronte pranë plaçkave të hedhura grumbull në rrugë, dhe më dukej sikur nëse i flisja do të shpërthente në të shara dhe mallkime për mua dhe babanë tim. Këto të fundit ishin të gdhendura në fytyrën e tij. Unë, një fëmijë i edukuar në një shkollë të rreptë religjioze, në ato momente dyshoja nëse ky zot donte vërtet ta bënte njeriun të lumtur. Njëlloj dyshoja nëse zoti mund të shihte dhe të dëgjonte gjithçka. Pikturat me ngjyra që shihnim në shkollë tregonin një zot të dashur, të qeshur dhe të përzemërt me fëmijët, por tani edhe këto dukeshin si gënjeshtra të njerëzve që zotëronin shkolla të rrepta për të fituar sa më shumë para. Isha i bindur se edhe zoti që kishim njohur në Palestinë e kishte braktisur tokën tonë. Ndoshta ishte refugjat në ndonjë tokë të panjohur, në pamundësi për të zgjidhur problemet e veta. Ndërsa ne, refugjatët prej mishi e gjaku, të ulur në rrugë në pritje të Fatit për ndonjë zgjidhje, kishim detyrën të gjenim strehim për të kaluar natën.
Dhimbja po fillonte të zaptonte mendjen e thjeshtë të fëmijës.
Nata është krijesë e frikës. Errësira që afrohej ngadalë mbi ne mbolli terror në zemrën time. Vetëm mendimi se do ta kalonim natën në rrugë ngjalli frikëra të pamenduara më parë. Frikëra të ashpra dhe mizore. Askush nuk ngushëllonte dikë tjetër. Shikimi i heshtur i babait tënd ngjalli terror të ri në gjoksin tim. Portokalli që nëna jote mbante në duar bënte që koka të më shpërthente në dhimbje. Të gjithë ishin të heshtur, me sytë ngulur në errësirën e rrugës, në pritje të fatit të vinte të na shpëtonte. Papritmas Fati erdhi; xhaxhai yt kishte arritur në qytet para nesh dhe ai ishte fati ynë. Xhaxhai yt gjithnjë kishte qenë dyshues ndaj etikës, dhe kur e gjeti veten në rrugë si ne e humbi tërësisht. U nis drejt një shtëpie të banuar nga një familje hebrenjsh, hapi derën, hodhi rrobat në dysheme dhe u tha me inat “shkoni në Palestinë”. Qartazi diçka e tillë nuk ndodhi, por të frikësuar nga dëshpërimi i tij, e lanë të flinte në dysheme. Xhaxhai yt na çoi në strehën e tij. Atë natë fjetëm në dyshemenë e mbuluar tërësisht nga trupat tanë të vegjël. Për t’u mbuluar përdorëm palltot e burrave, dhe në zgjim zbuluam se burrat e kishin kaluar natën në këmbë. Tragjedia kishte filluar të ushqehej me shpirtrat tanë.
Nuk qëndruam gjatë në Sidon. Dyshemeja nuk ishte e madhe mjaftueshëm as sa për gjysmën prej nesh, megjithëse u strehuam për tri net. Nëna jote i kërkoi babait të kërkonte ndonjë punë, ose të na lejonte të ktheheshim te pemët e portokajve. Ai bërtiti me zërin që i dridhej nga inati, dhe të gjithë heshtëm. Ky ishte fillimi i problemeve tona familjare. Familjen e lumtur dhe të bashkuar e kishim lënë pas, pas me tokën, shtëpinë dhe dëshmorët që u vranë duke i mbrojtur.
Nuk di të them si i siguronte paratë babai juaj. Di që ai e shiti arin që kishte blerë për ta bërë nënën tënde krenare dhe të lumtur që ishte gruaja e tij. Por shitja e arit nuk ishte mjaftueshëm për të zgjidhur problemet tona. Ndoshta do të ketë marrë hua? Mos kishte shitur diçka të shtrenjtë pa na treguar gjë neve? Nuk di ta them. Por më kujtohet që pasi u shpërngulëm në një fshat në periferi të Sidonit, babai yt u ul në ballkonin e lartë prej guri, duke buzëqeshur për herë të parë pas shumë kohësh, në pritje të pesëmbëdhjetë majit për t’u kthyer pas ushtrive fitimtare.
Pesëmbëdhjetë maji erdhi pas një periudhe të hidhur pritjeje. Në mesnatë, babai yt më goditi me këmbë ndërsa unë isha shtrirë në gjumë dhe tha me një zë të gjallë nga shpresa: “Çohu dhe shiko vetë se si ushtritë arabe hyjnë në Palestinë!” Unë u ngrita si një e shtënë dhe zbritëm zbathur mbi kodrat në rrugën kryesore, e cila shtrihej një kilometër nga fshati. Të gjithë ne, të rinj e të vjetër, gulçonim ndërsa vraponim si të çmendur. Dritat e kamionëve që ngjiteshin në Ras Nakoura shkëlqenin nga larg. Kur dolëm në rrugë u mbërthyem nga i ftohti, por britmat e babait tënd na larguan gjithçka tjetër nga mendja. Ai kishte filluar të vraponte pas kamionëve si një djalë i vogël. U thërriste dhe u fliste. Lëshonte britma të ngjirura dhe merrte frymë me vështirësi, por përsëri vraponte pas vargut të kamionëve si një djalë i vogël. Ne e ndiqnim nga pas, duke bërtitur në unison me të. Ushtarët miqësorë na shikonin nën helmetat e tyre, të heshtur dhe të palëvizshëm. Babai yt duke vrapuar si një djalosh pavarësisht pesëdhjetë viteve të jetës, nxori cigaret nga xhepi për t’ua hedhur ushtarëve. Ne ende e ndiqnim nga pas, si një tufë e vogël dhish.
Papritmas vargut të kamionëve i erdhi fundi. Nisëm të rraskapitur rrugën e kthimit për në shtëpi. Babai yt ishte përsëri i heshtur, ndërsa ne ishim të paaftë për të folur. Kur dritat e një makine që kalonte i ndriçuan fytyrën, kalimthi vura re disa pika loti që i lagnin fytyrën.
Të nesërmen, gjërat u rikthyen në ritmin e zakonshëm. Komunikatat na gënjenin dhe pastaj e vërteta me gjithë hidhërimin e saj na mashtroi. Dëshpërimi gjeti rrugën e kthimit në fytyrat e njerëzve. Babai yt e kishte gjithnjë dhe më të vështirë të përmendte Palestinën dhe të fliste për të kaluarën e lumtur në plantacionet dhe shtëpinë e tij. Ndërkohë, ne ishim ata që formonin muret masive të tragjedisë që tanimë dominonte jetën e tij, si dhe të mjerët që zbuluam, pa asnjë vështirësi, se urdhri sipas të cilit duhej ngjitur kodra herët në mëngjes për arsye shëndetësore, ishte mënyrë dashamire për të na shpërqendruar nga kërkesa për të ngrënë mëngjes.
Situata u vështirësua më shumë. Gjëja më e vogël ishte mjaftueshëm për të nxehur babanë tënd. Më kujtohet në mënyrë të përsosur çasti kur dikush i kërkoi diçka të parëndësishme. Ai u prish në fytyrë dhe më pas filloi të dridhej sikur të kishte marrë një goditje elektrike. Sytë i shkëlqenin nga inati ndërsa bridhnin mbi fytyrat tona. Dukej sikur një mendim djallëzor i kishte gjetur strehë në tru, dhe papritmas kërceu në ajër sikur të ishte i entuziazmuar nga gjetja e sapo bërë. I pushtuar nga vetëdija se ekzistonte një mënyrë si mund t’u jepte fund vështirësive të tij, dhe nga adrenalina që përshkon dikë në vigjilje të një akti madhështor, filloi të murmuriste me vete ndërsa vërtitej rrotull e rrotull, duke kërkuar diçka që ne nuk mundej ta shihnim apo kuptonim. Më pas u sul mbi një sënduk që na kishte shoqëruar që nga Akra dhe filloi të nxirrte jashtë tij gjithçka gjente me lëvizje të tmerrshme. Nëna juaj kishte kuptuar gjithçka dhe e kapur nga vendosmëria që ndiejnë nënat kur fëmijët e tyre janë të ekspozuar ndaj rrezikut, filloi të na nxirrte nga dhoma dhe të na urdhëronte të vraponim për në mal. Por ne qëndruam pranë dritares. Ngjeshëm veshët tanë të vegjël në grilat e hapura dhe dëgjuam zërin e babait tuaj: “Dua t’i vras ata, dua të vras veten. Dua t’i jap fund gjithçkaje”.
Babai juaj ra në heshtje. Kur vështruam përsëri në dhomë nga të çarat e derës, e pamë atë të shtrirë përtokë, duke marrë frymë me dhëmbët që i kërcisnin ndërsa qante, ndërsa nëna juaj ishte ulur në anë të tij dhe e shikonte me ankth.
Ishte e vështirë të kuptohej. Por më kujtohet çasti kur pashë revolen e zezë të shtrirë në dysheme pranë tij, dhe aty kuptova gjithçka. I kapluar nga tmerri vrastar i një fëmije të cilit i zë rrugën një katallan, vrapova sa munda drejt malit duke ikur nga shtëpia. Teksa lija shtëpinë pas, lashë edhe fëmijërinë. E kuptova se jeta jonë kishte ndaluar përgjithnjë së qeni e këndshme, dhe do të ishte tepër e vështirë për ne të jetonim në paqe. Gjërat kishin arritur deri aty sa e vetmja zgjidhje ishte një plumb në kokën e secilit prej nesh. Pra, duhet të ishim të kujdesshëm në gjithçka që bëjmë dhe themi, të mos kërkonim për të ngrënë edhe kur ishim të uritur, të heshtnim kur babai yt duke treguar për brengat e tij thoshte duke buzëqeshur: “Shkoni ngjituni në mal dhe mos u ktheni deri në mesditë!”
U ktheva në shtëpi në mbrëmje, pasi kishte rënë muzgu. Babai yt ishte ende i sëmurë dhe nëna juaj ishte ulur pranë tij. Sytë e tu kishin një shkëlqim si të maces, ndërsa buzët e tua i kishe të vulosura sikur të mos kishe folur kurrë, thuajse si të ishin vraga të lëna nga një plagë e vjetër e pa shëruar siç duhet. Ti ishe diku aty i strukur, po aq larg fëmijërisë sa vendi i portokajve që, sipas fshatarit që kujdesej, do të rrëgjoheshin nëse ndjenin një dorë të panjohur t’i ujiste. Mbi kokën e babait në shtrat, nëna jote po mbyste lotët e një tragjedie që nuk i ka lënë sytë e saj ende sot e kësaj dite. U përvodha në dhomë si hajdut. Kur shikimi ndeshi në fytyrën e babait tënd, e cila dridhej nga tërbimi i pafuqisë, pashë në të njëjtin çast edhe revolen e zezë mbi tavolinën e vogël. Ngjitur me të ishte edhe një portokall.
Portokalli ishte tharë dhe regjur.
Hyrja dhe përkthimi: Frenklin Elini
Marrë nga libri i autorit “Men in The Sun and Other Palestinian Stories”
Imazhi: Reuters/Mohammed Salem