Dhuna dhe zotërinjtë paqedashës
/Klodi Leka/
Këto ditë gazetaria shqiptare u zgjua me plot rreshta dhe rubrika që jo vetëm pasqyronin ngjarjet e ndodhura në Kosovë, ku populli u ballafaqua dhunshëm me pushtetin, por edhe merrnin në analizë qëllimet dhe prijësit e demonstratës. Po ndalem në dy artikuj. Në artikullin e Ben Blushit për blogun lapsi.al (Albin çka ke?) dhe Aleksandër Çipës për gazetën Shqip (Në Kosovë instalohet konflikti alla tranzicion). Ideja e përgjithshme e tyre nuk shkon larg: kjo përplasje e dhunshme qe vullnet i paarsyeshëm për pushtet. Për Blushin, kryeaktivisti i Vetëvendosjes u rrëzua politikisht në bulevardin e së martës për shkak të nxitimit për të hipur në timonin e pushtetit. Për Çipën, demonstrata u politizua(?!) nga ambiciet e Kurtit dhe se tashmë Kosova i ka hyrë rrugës së modelit famëkeq tranzicional të këtushëm. Të dy e reduktonin ngjarjen në pasion për pushtet të Kurtit dhe se ky i fundit duhet t’i rikthehet dialogut institucional.
Se sa kompakte janë këto analiza mbetet për t’u parë. Sepse për të arsyetuar një problematikë a ngjarje të caktuar, për t’u vënë në pozitat e analistit apo publicistit në raport me ndodhitë, kërkohen baza të qëndrueshme analitike si njohuritë konceptuale, vlerësimi i gjendjes së përgjithshme dhe komponentëve të posaçëm të saj, raporti i forcave politike dhe shoqërore etj. Pra një analizë konkrete në situatë konkrete brenda një realiteti konkret. Dhe të themi të drejtën, pa dashur ta ekzagjeroj konstatimin tim, sidomos kur nën analizë merren dy figura të njohura publike, dy shkruesit manifestojnë mungesa të theksuara njohurish politike në qëndrimet e tyre. Ideja e Çipës se demonstrata u politizua dhe se në Kosovë po instalohen raportet berishiste të pushtetit është çmeritëse, athua se ekziston demonstrata apolitike dhe se sfondi, subjekti dhe motivi politik është i ngjashëm. Mbase kjo metaforë vlen pjesërisht në pavetëdijen e saj, por kurrsesi përkufizuese absolute e realitetit politik Kosovar. Njëjtë edhe Blushi. Ja pse!
Në të dy artikujt e ngopur me paragjykime nuk merret fare në konsideratë as gjendja ekonomike e popullit të Kosoves dhe as raportet politike dhe institucionale brenda shoqërisë kosovare. Po të bëheshin këto llogari, Blushi nuk do ta reduktonte ballafaqimin në thjesht dëshirë epshore të Kurtit dhe Çipa nuk do të bënte abstraksione kaq të rëndomta politikisht. Vetëm muajve të fundit zotërinj të dashur, rreth tridhjetë mijë qytetarë kanë emigruar drejt perëndimit prej varfërisë, duke mbetur kështu kampeve hungareze të emigracionit, apo më keq duke u mbytur lumenjve dhe ngrirë stepave lindore. Gjysma e popullsisë është ose e varfër, ose skajshmërisht e varfër. Qytetarë që vdesin nga rriqnat dhe veteranë që vetëvriten. Remitanca që bien dramatikisht, çmime që rriten dhe pensione sociale mediokre që mbeten pezull. Rritja e çmimit të energjisë dhe shërbimeve të domosdoshme ezkistenciale e ka thelluar më tej distopinë kosovare. Prodhim vendas nuk ka dhe mallrat serbë zhvatin atë pakëz kapital nga xhepat e cekët të qytetarëve. Në rankimet ndërkombëtare Kosova rezulton vendi më i skamur në Evropë me kriminalitet dhe prostitucion në masë. Ndërsa procesi i privatizimeve ka hedhur në mes të katër rrugëve me mijëra punëtorë. A nuk ka mjaft arsye jo vetëm për ta legjitimuar dhunën e popullit, por edhe për ta rrëzuar radikalisht dhunshëm qeverinë zotërinj paqedashës?!
Jo – do të thoni ju – rruga e vetme është dialogu institucional, parlamentarizmi. Por edhe në këtë pikë konstatimet tuaja janë o naive, o dashakeqe. Në të dyja rastet jokonkrete. Blushi thotë se vota dhe vetëm vota është rruga me të cilën Kurti duhet të synojë pushtetin. Por sa demokratike është vota në Kosovë nuk e thotë. Sepse nuk ka interes dhe zotëria është i vetëdijshëm mbi format e akumulimit të saj. Nga përvoja e tij natyrisht. Sot në Kosovë vota është shprehje e një vullneti të tregtarizuar, të shtypur e të manipuluar. Periferia është kapur e gjitha nga krahu i luftës. Veriu nga direktivat e Beogradit. Qendra prej tentakulave të pushtetit. Pushteti prej oligarkëve të brendshëm dhe kushtëzimeve neokoloniale të strukturave euroatlantike. E Jabllanoviçi është rezultat i gjithë kësaj katrahure. Ndaj vota më e drejtë mor Ben është vetoja, kontenstimi, rrëzimi i rendit me re të zeza gurësh.
Gjë që për Çipën është berishizim dhe ramëzim i Kosovës. Berishizim mbase. Ramëzim kurrë. Është e vërtetë që koalicioni qeverisës Thaçi-Mustafa ngjan kryekëput me atë të dyshes famoze Meta-Berisha. Pas krimit vjen konservimi i tij, normalizimi në rend. E në këtë pikë çdo tentativë për dialog institucional është jo vetëm e pamundur, por edhe kompromentuese. Ky rend duhet rrëzuar dhe pikë. Mirëpo ajo çka nuk kupton Çipa është se kundërshtarë të këtij rendi nuk kemi Ramën, por Kurtin. Nuk kemi një kryetar të ndezur nga pushteti për hir të pushtetit, por një subjekt me ide të mëdha rimëkëmbëse që pushteti i lind si domosdoshmëri nga brenga e së tashmes, nga urgjenca për t’i dhënë fund asaj. Ta reduktosh dallimin midis Ramës dhe Kurtit në raport me janarët e tyre në pasion për pushtet është miopi klithëse. Nuk po i futem dallimeve formale dhe përmbajtësore midis dy figurave politike pasi të gjithë i dinë tashmë, mjafton të shfletosh gazetat apo të ndezësh televizorin. Ajo çka më trazon te zotërinjtë paqedashës është bjerrja e fjalës së tyre.
Pak javë më parë, zv-kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi takoi me radhë e skup mediatik çdo zyrtar të lartë të shtetit shqiptar, nga më i vogli te më i madhi, duke rrëfyer kështu se dy klasat tona politike kanë ndenjur aq gjatë në pushtet dhe e kanë konsoliduar kaq shtypjen e brendshme dhe kapitullimin e jashtëm saqë fati i tyre tashmë është i përbashkët. Çdo tentativë vetëvendosëse rrezikon njësoj si Tiranën dhe Prishtinën. Por Çipa, ky soditës i vëmendshëm i teatrit politik, nuk i vëren këto gjëra. Puna e tij është të bëjë përgjithësime abstrakte në pozita asnjanëse me gjykime skeptike. Si pjesa më e madhe e gazetarisë: të shpërndajë faj dhe pafuqi barazitarisht. Se ndryshe, po të gërmonte më thellë, do të zbulonte përrenjtë e nëndheshëm të dhunës: dhunën mediatike, ekonomike dhe në fund policore. Atëherë mbase do ta kuptonte domethënien e paqes dhe stabilitetit.
Ama Blushi e ka kuptuar rrëzimin e tyre. Një nga tezat më të proklamuara të mendimit të tij është polarizimi i thikët shoqëror dhe monstrat religjoze që mund të dalin prej aty në mungesë të një klase të përgjegjshme politike. Kjo dikotomi deri diku është e vërtetë, por gjithsesi e mangët. Blushi e determinon shqiptarin e sotëm të zgjedhë midis partisë dhe xhamisë. Nëse zgjedh partinë je liberal, nëse zgjedh xhaminë një psikopat i dhunshëm. Por nëse zgjedh përtej partisë dhe xhamisë, pra të rrëzosh qeverinë, je një i dhunshëm që duhet rikthyer te vota, te partia, tek institucioni. Mirëpo problematika e kësaj dikotomie qëndron tek pamundësia për të bërë përfaqësuese strukturat aktuale vendimmarrëse dhe kthimi drejt fetarisë së dhunshme si pasojë e falimentimit të këtyre strukturave. Blushi si përfitues i strukturave në fjalë nuk është aq budalla sa të mos e kuptojë kaq gjë, por është mjaftueshëm i tillë sa të mos e pohojë atë. Për të, ndryshimi dhe civilizimi kanë sens për sa kohë çojnë ujë te mulliri i tij. Përtej ka vetëm dhunë. E mbase kjo është zgjidhja. Dhuna. Dhuna revolucionare. Vetëvendosja si lëvizje politike në kontekstin kosovar dhe si parim politik universal në rrafsh më të gjerë.
Dhuna nuk është medoemos gur gjakosës. Dhuna është mendim që del përtej koordinatave të arsyes zyrtare. Është gjuhë, gjest. Është fjalë dhe akt. Dhuna mund të jetë dhe buzëqeshje në kushtet e mërzisë kolektive. Ama dhuna është relative dhe lineare. Nuk mund të jetë kurrsesi absolute dhe fragmentare. Këtë e rrëfen më së miri mendimtarja revolucionare Ulrike Meinhof kur shkruan se: “Nëse gjuan një gur, bën krim. Nëse gjuan një mijë gurë, aksion politik”. Diferenca midis dhunës si krim dhe si akt politik është kolektiviteti. Përballë kujt? Përballë rendit që ngrihet jo vetëm mbi mungesën e çdo kolektiviteti, por është dhunë dhe ka monopolin e dhunës permanente. Gjer më sot, kur individi i shtypur ka përdorur dhunën si mjet për të zgjidhur problemet e tij rendi e ka shtypur në emër të vetes. Kur individët përdorin dhunën për të zgjidhur problemet e tyre kolektive rendi është tërhequr në pozitat “paqedashëse” duke i akuzuar si të dhunshëm. Në këtë çast nis rënia e tij.
Ndaj s’është çudi që qeveritarët e dy vendeve tona bashkë me aparatet e tyre manipuluese etiketuan dhe denoncuan si të dhunshme demonstratën e të martës në Prishtinë. Në rastin më të mirë ata janë vetë shkaktarët e dhunës. Në rastin më të keq idiotë që nuk i kuptojnë këto shkaqe, por i riprodhojnë ato. Kjo është lidhja dialektike e dhunës. Ndaj pyetjes së qeveritarëve/gazetarëve se a është e domosdoshme kjo dhunë, ne duhet t’i përgjigjemi: po, por jo e mjaftueshme ama. A nuk është dhunë qind herë më mizore privatizimi shpronësues dhe shpunësues zotërinj paqedashës?! A nuk është dhunë pamundësia për të shkuar në shkollë, për të gjetur punë, për të pasur pension dhe sigurime sociale?! Fjalët e bukura nuk e mbulojnë dot të vërtetën lakuriqe. A nuk jemi ne, klasa e të privuarve dhe të përjashtuarve modernë, viktima të sistemit dhe vendimeve tuaja? Ne kriminelët, barbonët, kurvat, katundarët, të keqpunësuarit, të papunët dhe të papunësueshmit? Na atëherë, merreni goditjen tonë dhe ankohuni për sa kohë ju ka mbetur ende kjo liri! Fundja, ne jemi të përcaktuar historikisht për të sjellë fundin tuaj. Çdo goditje ndaj nesh është së pari goditje ndaj vetes tuaj. Çdo goditje ndaj jush goditje për veten tonë.
Së fundi, zotërinjtë paqedashës konstatojnë me entuziazëm zbulimin e tyre shkencor se demonstrata e të martës nuk ka të bëjë vetëm më Trepçën dhe Jabllanoviçin, por me vetë rrëzimin e qeverisë. E ky qenka oportunizëm politik, pandershmëri. Sa për zbulimin tuaj zotërinj të dashur, kjo gjë dihet tashmë. Është sekret publik. Po, me mijëra demonstrues të atyshëm dhe me qindra mijëra të tjerë që nuk ishin sot arsye të vetme për të protestuar kanë rrëzimin e qeverisë. Jo se Trepça nuk është arsye, përkundrazi. Vetëm ajo mjafton të rrëzojë dhjetë qeveri. Por si Jabllanoviçi dhe si Trepça janë pasoja të të njëjtit problem. Çdo qytetar aktiv politikisht, çdo protestues për çështjen e rrymës, punës apo shkollës s’ka rrugë tjetër veçse të synojë rrëzimin e qeverisë. Qeveria e Kosovës nuk e ka më luksin e protestave të përveçme, civile dhe kërkonjëse. Siç dhe populli i Kosovës. Ajo nuk posedon më sadopak legjitimitet. Ata kanë detyrën e pashmangshme të antiqeveritarizmit.
Prandaj Blushi dhe Çipa dhe çdo gazetar a gazetë tjetër nuk duhet të çuditen me ngjarjet e djeshme, të sotme dhe të nesërme në Kosovë. Ato janë pjesë e një procesi të pandashëm dhe të pandalshëm dhe si të tillë duhet ta lexojnë. Gjykimet morale dhe të çastit nuk çojnë asgjëkund. Por para se të gjykoni, kuptoni dhe të lexoni zotërinj paqedashës,s fillimisht duhet të sqaroni disa gjëra me veten tuaj. Ndryshe nuk do ta ndjeni përvëlimin as kur zjarri të bitisë në shtëpinë tuaj.
Botuar në gazetën Zëri.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.