/Antonio Negri/
Me Antonio Negrin jam ndeshur për herë të parë në dokumentarin “Revolta e përjetshme”. Që në fjalitë e para, ku i referohej të gjyshit që përshkruante vuajtjet e fshatarëve dhe synimin për t’i shpëtuar punës fizike shkatërrimtare, ngrihej përpara shikuesit një figurë e fuqishme teorike, militante dhe pasionale. Njohja teorike me të shkoi për së prapthi, duke nisur nga bestselleri “Empire” e të tjera vepra të bashkëshkruara me Michael Hardt-in, që sillen rreth konceptit kyç të shumësisë e vazhduar, pastaj hap pas hapi drejt viteve ’80-’70, aty ku shumësisë i paraprinin konceptet e punëtorit social dhe punëtorit të masës.
Toni, siç i thërrasin ende shokët, është një figurë paradoksale. Bir i një komunisti të vrarë nga fashistët, nip i një fshatari komunist të kthyer në punëtor e të bitisur në roje banke, aktivist kristian në rini të hershme – duke mos hequr dorë asnjëherë nga shembulli i Shën Françeskut – socialist më vonë dhe gjithnjë kritik i Partisë Komuniste Italiane. Në vitet ’60-’70, veprimtar dhe teoricien politik i një komunizmi antiburokratik, të cilit nuk i mjaftonte Marksi i “Kapitalit”, por synonte “Grundrisse-n”, i rrinte ngushtë dogmatizmi e shpluhuroste shkrimet e Leninit dhe hiqte vija drejt Spinozës, Makiavelit e të tjera figurave të republikanizmit modern. Një rimishërim edhe fizionomik i Antonio Gramsci-t, por refuzues deri vonë i shkrimeve të këtij të fundit të cilat qelbeshin era myk nga trajtimi hagiografik i burokracisë së Partisë Komuniste Italiane.
Bëhet fjalë për një profesor të shkencës politike që e niste ditën e punës në orën 5 të mëngjesit, kur bashkë me të tjerë shokë e kolegë i hipnin makinës për të bërë agjitacion mes punëtorëve e kushtetuar bashkë me ta një subjektitivet të ri shoqëror. Paskëtaj kthehej në katedrën e Universitetit të Padovës për të bërë punën e profesorit.
Për një intelektual të burgosur e të anatemuar si pakkush në Evropën e vetëquajtur demokratike. Më 1979, fill pas vrasjes së kryetarit të asokohshëm të Partisë Demokristiane Italiane Aldo Moro, e arrestojnë me akuzën e organizimit të vrasjes dhe veprimtari të tjera terroriste e kryengritëse. Marrëzia e këtyre akuzave ra shpejt, por mbi intelektualin dhe veprimtarin e Potere Operaio-s e më pas Autonomia Operaia-s do të mbeste deri në fund akuza e nxitjes së dhunës politike, ku persekutorët nuk do të përtonin as të qëmtonin shkel e shko midis paragrafëve të librave të tij. I cilësuar si cattivo maestro[1] – rimishërim pervers i akuzës ndaj Sokratit se korruptonte rininë – edhe pas shlyerjes së dënimeve me burg, Antonio Negrit nuk i është lejuar të japë mësim në universitetet italiane.
Letra e mëposhtme është imagjinare. Në kuptimin se nuk është dërguar asnjëherë. Edhe personazhi të cilit i drejtohet është sintezë imagjinare e çdo shoku e bashkëmendimtari të cilit i hap veten për të shtyrë tej kufijtë e të përbashkëtës. Ajo është njëra prej shumë të tillave që Negri pati shkruar midis 1981-1982 gjatë burgimit të parë, periudhë mjaft produktive për të intelektualisht, në të cilën shkroi edhe “Anomalinë e egër” kushtuar interpretimit të filozofisë së Spinozës.
Burgu i Rebibias, 26 dhjetor 1981
I dashur David!
Dua të të tregoj për vitin kur vdiq Togliatti[2]. Po flas për vitin 1964, mirëpo në njëfarë kuptimi mund të flisja për çdo vit midis 1962 dhe 1967 meqenëse ato vite janë jetuar si vazhdimësi në zhvillimin e një praktike të re teorike. Vdekja e Togliatti-t nuk mund të kalohet sikur të mos kishte ndodhur gjë. Togliatti la një trashëgimi të dykuptimtë në lidhje me metodën – gjithashtu la një parti të madhe që luante në mbrojtje përpara reformizmit kapitalist dhe zhvillimeve në frontin ndërkombëtar. Togliatti përfaqësonte njëfarë “rruge të tretë” universale – ku nuk i dihet nëse ishte një rrugë që i shmangej zgjidhjes së problemeve apo një problem që mbeste i pazgjidhur. Nga ky këndvështrim funerali i Togliatti-t përbënte një foto çasti të një gjenerate intelektualësh skizoidë dhe të frustruar. Renato Guttuso (piktori) ia arriti në mënyrë të pandërgjegjshme ta tregonte diçka të tillë, duke portretizuar ideologjinë e tij dhe jo të vërtetën e artit. Mirëpo funerali ishte mbi të gjitha shprehja e një proletariati të papërkulshëm – dhe tregoi masën në të cilën komunizmi – ajo shpresë shekullore – ishte i gjallë në ndërgjegjet e njerëzve. Miliona proletarë përshëndesnin me grusht dhe zija ishte e pandashme nga krenaria. Asokohe ishte e pamundur të mos ndjeje aksionin e tashëm dhe afatgjatë të këtij simboli. Në kujtesën tonë ai nuk përfaqësonte akoma tradhtinë. Kësisoj emocioni i momentit u përkthye në padurim, dhe ky festival proletar i trishtë dhe dinjitoz u kthye në nxitje për rinovimin e fuqisë dhe densitetit historik të kësaj mase. Detyrat e gjeneratës së re ishin të qarta: ata duhej të krijonin një thyerje në praktikën teorike të proletariatit me qëllim rinovimin e potencialit të tij revolucionar. Taktikë e re për një strategji të vjetër: dhe personel i ri politik – mirëpo ne nuk mund ta harronim, madje as deshëm ta harronim, se ishim aty – në atë masë dhe brenda asaj tradite.
Në funeralin e Togliatti-t vajta me punëtorë militantë nga uzina Vetrocoke në Portin e Margerës – punëtorë të vjetër me të cilët, vitin e shkuar, kishim nisur një prej grevave autonome më luftarake dhe të kushtueshme që ka parë ndonjëherë industria italiane. Qelqi shkrirë i derdhur në ingranazhe, dhe iu deshën javë ta bënin këtë gjë. Menaxheri i uzinës erdhi të shihte ç’kish ndodhur. E kapën dhe e kaluan dorë për dore deri në grykën e furrnaltës: e braktisi arroganca prej menaxheri dhe dhjeu në brekë. Vetëm paskëtaj u mbyll dera e furrnaltës – menaxheri qelbej si mos më keq – në mes të të qeshurës së burrave gjysmëlakuriq dhe të dehur nga nxehtësia, ato qenie hyjnore që e ushqenin atë vullkan me kristalet më të çmuara. (Më vonë menaxherin e bënë Kalorës të Punës.) Krahas nesh ishin ca punëtorë prej uzinës Petrolchimico – bërthama fillestare e Potere Operaio[3]-s së ardhshme në Portin e Margerës – të cilët një vit më parë kishin organizuar të parën grevë masive të rrufeshme në atë fabrikë që asokohe ishte shumë e re. Kur ndalonte makineria e rrjedhës së vazhdueshme të procesit të prodhimit, shokët kuptonin fuqinë e tyre. (David, a ia ke idenë se ç’do të thotë të bllokosh ciklin e prodhimit të vazhdueshëm të një uzine petrokimike? Është si puna e një trupi vigan që po vdes. Qëndrueshmëria mekanike e marrëdhënieve që po rridhnin më parë, paracaktimi fatal, qindra milionë dollarët e kapitalit të qëndrueshëm të futura në përdorim – të gjitha këto hynin në një qark të shkurtër. Zemrës i vjen radha e fundit – në fillim arteriet, venat, mëlçia dhe veshkat… Tani e kemi në dorë këtë anatomi të bërë nga njeriu, fiziologjinë e së cilës mundet ose ta ushqejmë, ose ta bllokojmë – mirëpo kurdoherë mund të ushtrojmë pushtet mbi të. Njohja e kësaj përbën një fitore të jashtëzakonshme ndërgjegjeje klasore. Vetëm injoranca jonë na bën t’u bindemi komandave dhe të shfrytëzohemi – bosi është trupëzim i mungesës së dinjitetit nga ana jonë. Alternativa – thjesht njohuria se një alternativë është e mundshme – është gur i çmuar.) Kësisoj ata, shokët e Petrolchimico-s, kapën mundësinë e një fillimi të ri. Në të vërtetë, ndoshta ne ia kishim nisur që përpara. Sa shumë gjëra të shenjta dhe të fuqishme kish atë ditë në Romë! Kështu e përjetuan situatën ata, si punëtorët e vjetër nga Vetrocoke-ja, ashtu edhe të rinjtë nga Petrolchimico-ja.
Fill pas kthimit nga funerali i Togliatti-t nisëm të shpërndanim bashkërisht trakte politike në të gjitha fabrikat e Margerës, duke e kapërcyer fragmentimin e grupeve të ndërhyrjes së fabrikave të vogla. Këto trakte politike merreshin me të dyja anët e planit të zhvillimit kapitalist – faqen reformiste dhe faqen e klasës punëtore, atë të komandës dhe atë të pagave – duke i vënë përballë njëra-tjetrës dhe ngulmuar në kërkesa për paga të larta si një mënyrë për të destabilizuar ekuilibrin politik të komandës. Ligjërimi ishte eksplicit. Sipas nesh, Togliatti i ri do të ishte gëzuar me dinakërinë tonë strategjike; mund të vije bast për këtë gjë. Dhe qasja toliatiane gjeti vazhdimësi në praktikën e “punëtoristëve”. Nuk kishte asnjë aspekt të pagës ose organizimit të punës që nuk ishim të aftë ta zgjidhnim, me dredhi dhe finokëri klase punëtore – brenda leximit tonë paradoksal të toposit të “caqeve të zhvillimit” – caqeve të zhvillimit “të tyre”, të bosëve. Parulla ishte: “Autonomi punëtore kundër planit!” Më 1964 bumit ekonomik po i mbaronte karburanti në terma psikologjikë; në terma materialë, ne shihnim fillesat e një rënieje historike të nivelit të investimeve të cilat nuk kanë ngritur më krye që atëherë. Jo se e patëm parë qartë, sigurisht. Mirëpo kuptuam qartësisht se, në specifikën e zhvillimit alla-italian, do të kishte patjetër një marrëdhënie kontradiktore midis krizës ekonomike dhe krizës politike – se e tërë struktura mund të mbahej në këmbë vetëm nëse do të kishte zhvillim ekonomik dhe se nuk kishte asnjë forcë me kapacitetin për të menaxhuar krizën ekonomike. Ajo që kuptonim ishte kjo: asimetria potenciale ishte një pikë e dobët ku mund të godisnim. Brenda këtij aksioni të vazhdueshëm mund të ndërtonim organizatë. Nga njëra anë, përdorimi i njëfarë kejnsianizmi page, një reformizmi të pagës reale, që kalonte përmes drejtpërdrejtshmërisë së nevojave të klasës punëtore dhe interpretohej si vegël destabilizimi; në anën tjetër, një këndvështrim realist i paaftësisë së shtetit italian për të ndërmjetësuar krizën ekonomike dhe ndryshimet madhore në marrëdhëniet klasore që e parashihnin atë krizë. Atyre viteve besonim fort se, me t’u arritur piku i krizës dhe me t’u ndërtuar ato momente organizimi, lëvizja punëtore zyrtare do t’i bashkëngjitej procesit revolucionar. Nuk do të kishte rrugë tjetër. Çfarë gabimi i tmerrshëm! Çfarë naiviteti dhe dritëshkurtësie nga ana jonë – që nuk kuptuam se faktori K nuk përbënte një fuqi të mundshme, por një dobësi të bashkëlindur të lëvizjes punëtore!
As sot nuk arrin të më qeshë buza kur mendoj atë periudhë – ”të mprehtë si pëllumba” ishte fjalëkalimi ynë. E vërteta ishte shpalosur më fort, në mënyrë më rigoroze dhe më të drejtpërdrejtë se asnjëherë tjetër në historinë e lëvizjes punëtore: mesazh bosëve – ne duam para dhe do t’ju shtyjmë drejt greminës. Sa për sindikatat, funksionarët e rinj të kapitalit shoqëror, ne ishim pararendësit e parullës punëtore që do të lindte më vonë me Solidarnostin: ne do të fitojmë sepse gënjeshtra nuk e ka të gjatë. I shkurtër shtegu i fjalëve në lëvizjen punëtore, por të thella efektet e tyre. Në këtë lojë, sërish, kishte vetëm dy lojtarë – shërbëtorët dhe bosët, proletarët dhe kapitalistët – duke eliminuar termin e tretë – ndërmjetësimin dhe politiken. Ne flisnim troç – da cristiani – siç themi ne në Veneto – ndërsa po ringjallnim gjeometrinë hobsiane të “shoqërisë së tregut”. Shpesh grindeshim mes veti, siç ndodh në të gjitha episodet pararoje të lëvizjes punëtore dhe të ripërtëritjes së saj. Mirëpo kishim nxjerrë mësime nga refuzimi i ideologjisë dhe nga disiplina punëtore e të folurit qartë, kësisoj grindjet tona nuk çuan asnjëherë në ndarje të pakthyeshme apo shkatërrim të kauzës sonë të përbashkët. Logjika e shoqërizimit tonë për agjitacion komunist riafirmohej në çdo rast. Kur bllokohej një agregacion, do t’ia niste një tjetër. Më vonë, në kohë më të afërta, kjo metamorfozë dhe ky proces rritjeje nëpërmjet ndarjes, ky “ecim përpara dhe shumëfishohemi” që qëndronte në zanafillë të praktikës sonë – ngaqë mendoj se jona ishte një praktikë e karakterizuar fort dhe radikalisht nga teoria – u mbivlerësuan aq shumë, saqë nisën të shiheshin si vendime të qëllimshme për të kryer krime: ndahemi që të thurim komplote, intriga sekrete, infiltrime etj… Sa të shpifura ishin këto dyshime! Kurrë nuk qemë infektuar nga sjelljet e humbjes dhe mërisë, bërthama e vdekur e atomit trockist. Ajo që ndodhi më vonë – dhe që po vazhdon të ndodhë gjithë kohës – ishte e kundërta e asaj që armiqtë tanë linin të kuptohej: ne u ndamë që të mizëronim kudo, kësisoj e aplikonim praktikën tonë teorike mbi kompleksitetin e situatave në të cilat ishim përfshirë. Të mprehtë si pëllumba. Ajo që po zhvillohej prej asaj kohe e tëhu ishte njëfarë françeskanizmi – një mënyrë e të jetuarit të luftës klasore në kushtet e saj të drejtpërdrejta, në pasurinë e varfërisë së saj, duke e sjellë atë në nivelin e politikës. Në marrëdhënie me luftën klasore, politika nënkuptonte të njëjtën gjë si poetika me poezinë: një reflektim mbi aksionin konkret dhe rezultatet e tij të frytshme.
I dashur David! Nëse mendoj tani rreth vetes së asaj periudhe, vërej një ndryshim të madh në atë karakter të vjetër të cilin e kam përshkruar deri më tash. E mbaja gjithnjë me vete vokacionin tim politik: mirëpo puna është se kam përjetuar gjithmonë njëfarë dualizmi midis përvojës teorike dhe praktike, kësisoj më duhej ngaherë ta rilexoja këtë të fundit midis poleve binjake intelektualiste të sociologjisë dhe utopisë. Tanimë ky dualizëm ka marrë fund. Pikërisht kur po përmbyllja një trajektore teorike që më kishte çuar tërthorazi të pranoja konkluzionet produktive të filozofisë evropiane – boll me përshkrime, duam rekonstruktime!; boll me Aufhebung[4], duam destrukturime!; assez d’idéologie, duam konkreten! – këto konkluzione mu dukën se mbështeteshin në një subjekt kolektiv. Një subjekt kolektiv që nuk ishte vetëm ai që propozonte analiza politike si pikë referimi empirike, por gjithashtu produkti i lëvizshëm i brendshëm i çdo mendimi rreth destrukturimit të horizontit të armikut, rishfaqja e një aktiviteti të shumëfishtë rezistence dhe shkatërrimi kudo ku komanda jepte sinjalin e shfaqjes së saj logjike. Ai subjekt kolektiv nuk ishte parim, por forca në gjendje për të thyer të gjitha komandat, çdo sundim dhe logos kapitali. Një subjekt kolektiv si horizont që ishte epistemologjik më parë se të ishte historik. A bëhej fjalë për ribërjen e proletariatit të trashëguar nga filozofia klasike gjermane? Aspak, sepse ky subjekt që po ndërtohej i bindej të njëjtit ligj destrukturimi të cilin po e zbatonim edhe ndaj armikut. Strategjitë që përshkonin realen përshkonin gjithashtu edhe subjektin. Ja pra: dredhi dhe stratagjema. Ishte një bast historik – vetëm rezultati do të mund ta përligjte; komunizmi nuk është i pashmangshëm. Në ndërtimin e politikes së klasës punëtore nuk po përdornim një metafizikë, por një teknikë, plot me ironi dhe shpresë. Ai horizont destrukturimi mund të mbyllej, sigurisht, veçse në raport me një subjekt përshenjues – mirëpo ky subjekt, të cilin mund ta cilësonim si kolektiv dhe komunist, nuk ishte i dhënë. Nuk mund të jepej as si relike e të shkuarës, as si paraparje e të ardhmes – por vetëm si një punë e vazhdueshme e shkatërrimit të armikut dhe ndërtimit të vetes në të njëjtën kohë. Si tension që kalonte nëpërmjet kësaj kohe të destrukturuar. Çdo shkak final duhej të shpërbëhej; për ne ai ishte tërësisht i diskretituar. Ja Bacon-i: “Kërkimi i shkaqeve finale, mu si virgjëreshat që i përkushtohen zotit, është shterp dhe nuk prodhon asgjë.” Më vonë, kur nisa të lexoj e rilexoj Derrida-në, Bataille-in dhe Foucault-në e hershëm, e gjeta veten si midis vëllezërve të mëdhenj të cilët, në rajonet e errëta të mendimit – si sensorë meteorologjikë të ndritshëm – kishin kapur pjesë nga realiteti që po jetonim ne. Ja si ndodhi pra, cher David, që në emër të një praktike destrukturuese, mundëm të analizonim në revistat kryesore të atyre viteve, si “Quaderni rossi”, “Classe operaia” dhe “Contropiano”, krizën e arsyes instrumentale. Mundëm po ashtu që në librat tanë – prej atij të Tronti[5]-t “Punëtorët dhe kapitali” tek esetë e mia “Forma shtet” – të bënim një sintezë kritike të motiveve të strukturalizmit të klasës punëtore dhe të racionalizmit absolut të subjektit kolektiv. Të mprehtë si pëllumba në praktikë, engjëj shkatërrimi dhe shprese në teori. Asokohe nuk kishim kohë të teorizonim rreth vetes – kështu që pse të mos e bëjmë tani, kur kemi përpara vite të pafundme burgu?! Nuk kish asgjë rinore në përvojë tonë, asgjë eksperimentale – pavarësisht se gjithçka ishte e re dhe eksperimentale. Ne ishim pasojë e revolucionit të klasës punëtore në industri, një pikë vetëndërgjegjeje e klasës së të ardhmes. Ishim – dhe sot jemi akoma edhe më shumë – e vetmja gjeneratë intelektualësh revolucionarë që kishte prodhuar klasa punëtore në periudhën pas luftës së dytë të madhe imperialiste. (Ta pret mendja që do ketë syresh që do të qeshin me këtë: intelektualë të prodhuar nga klasa punëtore! Nuk dua të shtyj këtë mëtim të rrezikshëm deri në pikën ku do të më duhet ta mbroj. Mirëpo ta besosh këtë nuk është më pak e rrezikshme sesa të mos e kesh pyetur veten kurrë për marrëdhënien midis intelektualëve dhe klasës punëtore – dhe afërmendsh që është më pak komike sesa ta kesh mohuar diçka të tillë. Le të mbesë kjo si shenjë e dinjitetit tonë! Sidoqoftë, periudha e përkujtimeve nuk ishte nisur akoma dhe Xhordano Brunoja nuk ishte çuar sërish në turrën e druve.
T’i kthehemi pra, cher David, historisë sonë të atyre ditëve! Sa shumë histori mund të të tregoj! Mirëpo dua të të tregoj për Virgjilin tim. Ai më udhëhoqi nëpër vështirësitë e udhëtimit tim në gjirin e makinës së madhe – jo më kot ishte inxhinier kontrolli në uzinën kimike – dhe ma tregoi rrugën në një mënyrë të denjë për vetë Virgjilin, poetin e “Eneidës” dhe mësuesin e Dantes. Rreth e përqark asaj makine – domethënë uzinës Petrolchimico në portin e Margerës – asaj pike të madhe nyjore, herë xixëlluese e herë drithëruese, herë monstruoze e herë helmuese – shtrihej territori i klasës punëtore – lagjet, qytetet, baret, famullitë, zyrat e partisë. Në krahasim me fabrikën, këtu ndryshonte panorama sepse në fabrikë ne dekonstruktonim organizimin e punës brenda vazhdimësisë së komandës së bosëve të cilën nuk mendonim se mund ta thyenim përveçse në një të ardhme imagjinare. Në territorin rreth e përqark fabrikës, nga ana tjetër, bosët po destrukturonin përdhunshëm komunitetin e organizuar punëtor; mirëpo këtu komuniteti po bënte rezistencë e organizohej, dhe bosët mund ta mendonin fitoren vetëm në një të ardhme imagjinare. Ndryshe nga Torinoja – metropoli i madh – në Margerë dhe në të gjithë rajonin industrial ku kishim filluar të operonim, prej Shios në Pordenone e në Trieste, prej Tienës në Padovë, prej Konelianos në Monfalkone, marrëdhënia midis fabrikës dhe shoqërisë së klasës punëtore, midis strukturës kapitaliste dhe subjektit antagonist, i bënte rezistencë prirjes së brendshme drejt një shpërbërjeje mekanike ekstreme. Virgjili im më udhëhoqi drejt kuptimit të rrjeteve territoriale që kushtetonin përbërjen e fuqisë punëtore në fabrikë. Kësisoj, gradualisht, marrëdhënia midis fabrikës dhe shoqërisë shkoi përtej mjegullnajës së përkufizimeve thjesht teorike dhe po ashtu përtej dëshirimit të madh historik për një sulm ndaj qiejve, siç kishte ndodhur në Torino: kjo u bë e mundshme në terma precizë të luftës. “Sabotoni fabrikën në të gjitha frontet!” Në autobusë, të cilët ishin trupëzimet e mobilitetit territorial, subjekti masiv mund të ndiqej dhe të rikompozohej, duke kthyer pas trajektoret dhe drejtimet e procesit hapësinor të shfrytëzimit. Ndërhyrjen e parë e bëmë në zonën e Brentës, ku tridhjetëmijë punëtorë ishin ngjeshur në fabrika – bënin këpucë, thithnin benzol derisa krijonin varësi prej tij (më vonë, pas këtij stazhi të poshtër, promovoheshin dhe fitonin të drejtën të thithnin ajrin e helmuar të uzinës Petrolchimico: paga më të larta për të njëjtën sasi helmi – çfarë përparimi!) Pastaj nisëm të operonim më shumë rreth Venecias. Më vonë në zonën e Piavës, e cila ishte si punë ujëndarëseje midis Margerës dhe moçalishtes së industrive që shtriheshin nga Trevizoja në Friuli. Më pas u nisëm në jug të Padovës drejt uzinës Montedison të Ferrarës, në Emilie, ku shfrytëzimi bashkëdrejtohej nga lëvizja punëtore zyrtare.
Në secilën prej këtyre nyjeve të agjitacionit dhe organizimit u ndeshëm me strukturën mbytëse të burokracive sindikale dhe partiake. Beteja, të vogla e të mëdha, pasonin njëra-tjetrën atyre viteve. Çdo grevë ishte përplasje si me bosët, ashtu edhe me sindikatat. Zoti Blum: “Nuk durohen derrat në tavolinë.”[6] Virgjili, i cili kishte ca përvojë me demonët, kamuflohej mirë – në stilin karakteristik të një punëtori të industrisë kimike: kishte tek ai diçka prej dredhisë zemërake të atyre qenieve. (Mirëpo Virgjili im nuk ishte si Virgjili i gravurës së famshme të Doré-së – një figurë e hollë dhe e thatë, i pakapshëm në hijet e gravurës, vështirësisht i dallueshëm prej djajve. Punëtori Virgjil vinte pak si tullac e topolak, ishte i dhembshur, grindavec, gazmor e nganjëherë sarkastik – një demon i kolmë. Po të mos ishte nga Çirinjanogoja, do ta merrnin për irlandez… jo, s’e merrte dot kush për Mefistofel.) Kjo ishte vendlindja e një pjese të mirë të arsenalit tonë gjuhësor: kishte lindur nga përmbysja semantike dhe specifikimi empirik i emrave abstraktë çorientues që po u vinte sindikata gjërave. Zhargon majtist? Ndoshta. Mirëpo ky ishte përdorimi që i bënte klasa punëtore gjuhës sindikaliste – çka kishte karakter përmbysës. Gjenealogji çomskiane dhe gramatika çmistifikuese. Autonomi: a nuk po bënin thirrje për këtë sindikatat?! Flitej shumë për autonominë sindikale. E donin apo jo? Mirëpo është e qartë se ka autonomi të vërtetë dhe autonomi të rreme, siç ma shpjegonte Virgjili im, i cili ishte pajisur me logjikë të mprehtë iluministe. Der Doppelcharakter der Geëerkschaften, Fetischismus der Gewerkschaft [Natyra e dyfishtë e sindikatave, fetishizëm sindikatash]. Në avantazhin tonë ishte vetëm autonomia reale. Na hyn gjë në xhep prej autonomisë për të cilën flasin sindikatat? Jo. Atëherë, ç’autonomi qenka kjo?! Këta të sindikatave qenkan kot. “Trekëndëshi i planit ekonomik: punëdhënës, qeveri, sindikata.” “Një luftë e vetme – kundër reformistëve në parti dhe kundër bosëve në fabrikë.” Kështu që të përveshim mëngët dhe ta prodhojmë vetë autonominë reale! Çfarë kuptimi kanë më fjalët kur zbulojmë se totaliteti në të cilin jemi futur nuk ka themele?! Çdo gjë që nuk çon përpara interesin tonë klasor është thjesht ideologji. T’ua kthejmë kuptimin fjalëve! – shtonte Virgjili. T’i vendosim në një fushë konjitive të dhënë – procesi i dhënies së një jete të re botës është operacion praktik. Virgjili po na shtynte drejt një dramatizimi konkret të fjalës, të shkatërrimit materialist të çdo dykuptimësie të saj – me fjalë të tjera, po na nxiste të shpërbënim gjithë univokalitetin idealist. Kjo gjenealogji ishte një operacion radikal: nuk mund ta kufizonte veten në kryerjen e ndofarë striptize të retorikës sindikaliste; i duhej ta riformulonte teorikisht dhe ta riformonte fizikisht subjektin, jashtë çdo dialektike.
Virgjini nuk e shprehte projektin e vet as në latinishten auguste, as në italishte fiorentine, por në dialektin e Venetos. Rëndësia e jashtëzakonshme e asaj që po përjetonim ndoshta buronte prej këtij fakti. Dialekti na kujtonte karakteristikat e zhvillimit industrial të Venetos së asaj periudhe: Venetoja nuk ishte metropolis, kësisoj – ndryshe nga ç’ndodhte në qytetet e mëdha, me efektet tallazitëse të imigrimit – ajo ruan një nënshtresë proletare të identifikueshme që është ende e strukturuar, e qëndrueshme dhe i përkthyeshme drejtpërsëdrejti në një subjektivitet të ri. Për më tepër, asokohe Venetoja ishte kthyer në një prej zonave industriale kryesore të Evropës dhe konfrontimi po zhvillohej në nivelet më të larta të organizimit të kapitalit. Mesatarizmi mund të aplikohej në të gjitha aspektet e eksperimentit – një situatë e mirë, një mundësi e favorshme. Kështu që në këtë pikë Virgjili u bë alkimist dhe shtyu përpara drejt experientia crucis-it [eksperimentit vendimtar], atij tranzicioni eksperimental që krijon reaksion në çdo element të përzgjedhur dhe të grumbulluar. Vite të tëra pune politike të përditshme, mijëra e mijëra trakte, shtrirja e përvojës organizative – gjithçka avulloi dhe u ripërqendrua. Paracelsus redivivus.
Gjenealogjia ka nevojë të prodhojë diferencë. Më pushtoi densiteti i materialit referues të kësaj filozofie tonë të re – cher David – dhe kurrë më parë nuk e nderova njerëzimin sesa kur zbulova veten midis këtyre burrave të fuqishëm, të cilët po përqendroheshin në vullnetin e një dhune të madhe, akumulimin e varfërisë, vuajtjet dhe rrenat që kishin duruar. Virgjili këmbëngulte në nevojën për ta intensifikuar, shtyrë përpara dhe provokuar përleshjen. Nuk kishte nevojë – pasoja po e ndërtohej vetë. Kishim një masë të madhe që po bëhej gati të fliste. “Ndërhyrje masive!” “Kundër kontratave batakçie!” “Hajdeni tani kundër kontratave!” “Puna me copë = Shfrytëzim.” “Boll më!” “Kundër skicë-marrëveshjes!” “Shkojmë përtej kontratës!” “Hidhemi në grevë njëherë!” “Goditini bosët përpara se të na godasin ata!” Këto ishin ca prej parullave që qarkullonin asokohe në gazetat majtiste me qindra mijëra kopje. Mirëpo kish rëndësi të mos izoloheshim, të diktonim përvojat e tjera të lëvizjes që kishin nisur dhe po lëviznin në këtë drejtim dhe të ribashkonim elementët e shpërhapur të praktikës teorike. Kësisoj lëviznim pareshtur nga mbledhja në mbledhje dhe nga greva në grevë. Vështirësitë nuk na trembnin.
Ia kishim frikën sektarizmit: mbeturinave të një ideologjie italiote që asokohe kishte filluar të zhytej në marksizëm-leninizëm. Grunf-grunf. Çfarë dhimbjeje! Pastaj botë-tretizmi[7] në modë asokohe – Virgjili ishte i vetmi që pretendonte se interesohej për të, duke harruar se ai mund ta luante rolin e vet si udhërrëfyes në ferr dhe purgator; por jo në parajsë – në parajsat ideologjike dhe artificiale – jo vallaj! Më dërgonte në mbledhje komitetesh nga më të ndryshmet dhe të padobishmet. “Fitore Vietnamit!” Ç’mërzi! Grunf-grunf.
Zakonisht takoheshim kur turni i pasdites dilte nga fabrika, sidomos të premteve, dhe shkonim në ndonjë bar të madh ku diskutoheshin teori revolucionare… Vera rridhte lumë. Sepse komunizmi nuk mund të ishte mjerim i ndyrë – vetëm nëse rifitonim për vete potencialin produktiv të klasës punëtore, do të mund të mendonim për ata njerëz me fytyra të zeza apo të verdha dhe me barqet bosh. Ajo që na bashkonte në vëllazëri ishte fuqia, jo keqardhja. Ushtarët vietkongë po fitonin sepse po bënin një luftë të fuqishme. Internacionalizmi nuk është relike e shenjtë, por detyrë. Gjuha botë-tretiste ishte pjesë e atij totaliteti të kuptimeve të shtrembëruara që ne kishim për synim ta shpërbënim. Hipokrizi që duhej luftuar për t’u kthyer te vlerat e vërteta. Luftërat fitohen vetëm nëse kushtetojnë materialitetin e subjektit. Çfarë mund të vinte prej solidaritetit abstrakt në mos konfirmimi dhe ekzaltimi i virtyteve llafazane që kanë proklamuar gjithmonë batakçinjtë?! Kështu që le të synojmë o shokë – me gjithë forcën që kemi, me gjithë kujdesin e domosdoshëm dhe me gjithë shpresën që mund të grumbullojmë – arritjen e qëllimit tonë – dhe ciklin e luftërave që do të duhet të hapen. Këtë na kërkon analiza që bëjmë. Një përgjigje, tani, veç një përgjigje kësaj stepe të thatë. Ose revolucioni komunist lëviz aty ku klasa punëtore është më e fortë, ose nuk ndodh fare. Nata e Venetos, e ëmbël si pasioni i popullit të saj, është aq e butë, saqë bën të duken reale edhe ëndrrat e këtyre pijanecëve të hatashëm. A ishte vërtet iluzion? Të përqafoj i dashur mik!
Hyrja, shënimet dhe përkthimi: Arlind Qori
Marrë nga: Negri, Antonio. (2014). Pipeline: Letters from Prison. Cambridge: Polity Press
[1] Mësues i keq.
[2] Palmiro Togliatti, kryetari historik i Partisë Komuniste Italiane prej 1927.
[3] Grupim radikal majtist italian i viteve ’60-’70, i cili i njihte klasës punëtore përparësinë e iniciativës, kurse kapitalit reaksionin për ta përmbajtur atë. Ideologjia e tyre quhej zakonisht punëtorizëm (operaismo) për t’iu kundërvënë traditës bolshevike dhe socialdemokrate të pasivitetit punëtor dhe domosdoshmërisë së ndërmjetësimit të partisë dhe sindikatave në ndërgjegjësimin dhe mobilizimin punëtor.
[4] Koncept hegelian që gjendet edhe në shkrimet e Marksit. Ka kuptimin e tejkalimit, domethënë të kapërcimit mohor të së vjetrës duke ruajtur elementet progresiste të saj. Në përkthimet shqip të veprave të Marksit, koncepti është përkthyer me termin “zhdukje”. – shih: Marks, K. Engels, F. (1983). Ideologjia gjermane. Tiranë: 8 Nëntori, f. 55.
[5] Një prej teoricienëve të parë të punëtorizmit.
[6] Përkthyesi i botimit anglisht vëren se bëhet fjalë për një keqcitim nga “Under Milk Wood: A Play for Voices” e Dylan Thomas-it.
[7] Rrymë politike maoiste që i jepte përparësi luftës çlirimtare antiimperialiste të vendeve të Botës së Tretë.