Alfabete mizore

/Antonio Negri/

Burgu i Rebibias, 26 mars 1982

I dashur David!

Nëse do të më duhej ta peshoja jetën time – mu si ata zotërinjtë indianë që mateshin me shufra hekuri – do të arrija në përfundimin, si Groucho Marx-i, se ai kam dalë mbanë të ngjitem nga asgjëja në një gjendje varfërie ekstreme. E habitshmja qëndron në faktin se jam i paaftë të merrem seriozisht me peshat dhe masat. Prokurori i Përgjithshëm më tha gjatë marrjes në pyetje pas 7 prillit: “A nuk e kupton se po të vjen vërdallë burgimi i përjetshëm?!” – Jo, nuk e kuptoj. Pastaj shtoi: “Duket që nuk i ke këmbët në tokë.” Ah jo, sigurisht që “i kam në tokë këmbët”. Më ka shkuar gjithë jeta duke ndjekur shenjat hapësinore të atij Marksit tjetër, komunistit, materialistit. Puna është se peshat dhe masat, drejtimet dhe orientimet janë relative dhe të shumëfishta dhe tani, siç po duken bathët, sistemet nuk janë as të besueshme e as unifikuese. Paradoksi i zhvillimit kapitalist qëndron këtu: puna më e pamat unifikuese e botës e ka ndarë atë në dy, ku zotëria e shërbëtori nuk janë më pjesë e të njëjtës familje, por të ndarë në dy raca, secila me qytetërimin e saj. Jehovai nuk është më shkopi metrik në Sevër[1], sido që të mendojë Bernard-Henri Lévy[2]-ja. Bosët e ndjejnë këtë të vërtetë herë pas here. Aq tronditëse iu duket, saqë u duhet ta largojnë veten nga perceptimi i vazhdueshëm i saj. Sidoqoftë jo më pak efektive është kjo ndërgjegje e herëpashershme që kanë zgjedhur, dhe i etiketojnë sjelljet subversive dhe deviante si kriminale – thjesht ngaqë këto janë materiale prej një tjetër kulture. Paskëtaj të detyrojnë të nderosh panteonin e tyre: Richelieu, Robespierre e Rothschild – tre R-të e terrorizmit – unifikues të ndryshëm të një diference që ne e ruajmë të paprekur, të një bote që nuk është e jona.

I dashur David! Mesnatën e 7 prillit 1979 i thamë lamtumirë njëri-tjetrit – në stacionin e Lionit. Në mesnatën e 7 prillit gjendesha në burgun e Rovigos. Ndërsa po dremitja në trenin që më kthente në Itali, i pavetëdijshëm për udhëtimin në zemër të natës që po ndërmerrja, ata e kishin ndezur tanimë sinjalin e represionit ndaj meje dhe shokëve të mi. Nuk më habiti veçanërisht arrestimi, i cili erdhi pas sa e sa kontrolleve që më kishin bërë atyre viteve. Ajo që më shtangu ishte titulli në aktakuzë: “kryengritje e armatosur kundër shtetit… grupim i armatosur i njohur si Brigadat e Kuqe… vrasja e Aldo Moros.” Për të tjerat, i ke lexuar në gazeta. Trilli gjyqësor nuk mund të ishte më skandaloz. As provokimi më i verbër. Paskëtaj, sarabanda e vetëjustifimimeve të dizenjuara për të mbuluar përgjegjësitë politike ishte e turpshme. Për ta ndrequr situatën, e komplikuan atë – pasi nisën të zbatonin planin represiv, drejtësia e shiti veten te një grusht terroristësh të penduar krejtësisht të pabesueshëm, vrasësish të ndyrë. Operatorë ligjorë intrigantë hiqnin një akuzë për të shtuar një tjetër, kështu që shuma totale groteske e vrasjeve shkonte nga njëzetë në një – sepse të paktën një duhet të mbeste, si një lloj garancie haluçinante e dënimit me burgim të përjetshëm. Po, burgim i përjetshëm ose ajo që Prokurori i Përgjithshëm zgjodhi ta quante “ardhje me këmbë në tokë” – ose udhëtimi i largët përgjatë Sentier des chamois[3] drejt reve më të larta, që në rastin tim do të thoshte lëvizje nga një burg special në tjetrin (Rebibia G8, asfalt klinik, vetëm asfalt – tingujt dhe zhurmat mezi arrijnë – në mos qoftë klithma e nevojës deri në torturë për drogë e ndonjë të burgosuri. Fosombone, i drunjtë… gjithçka gërvin – burg arkaik, i shkatërruar dhe rindërtuar sipas modernitetit të funksioneve represive të reja, për pasojë edhe më mizor. Palmi, çelik – klith në erë, metalik, dhe e klithura abstrakte të hyn në tru dhe gjithçka tingëllon si violinë e çakorduar. Trani, i tëri beton – burg i mallkuar – ka shina që i kalojnë përbri – natën fërshëllima e trenit të merr shpresën. Rebibia, e verdhë. Fosombrone: bluja e umbrianes[4] venitet në një kafe të pisët. Palmi, gjelbërosh. Terni, gri. Një rreth i çmendur burgjesh dhe lodhjeje të padurueshme. Në burgjet speciale jam ndeshur me një të shkuar që ishte ngurosur. Zemëratë dhe dëshpërim që nuk dinin si të bëheshin politike. Luftëtarë që pareshtur rishtronin vokacionin e tyre të vdekjes – ushtarë japonezë që vijonin të luftonin për dekada pas Hiroshimës, për nder të Mikados, në ndonjë xhungël Paqësori. Ky peizazh më shtypte.

Në mënyrën e saj të vogël, në natyrshmërinë e improvizuar, operacioni politiko-policor i 7 prillit ishte një aksion i planifikuar madhërisht dhe me një efikasitet mistifikues imponues, një Entscheidung (vendimtarizëm) shmitian[5] i bosëve dhe aleatëve e hakmarrësve të tyre të poshtër. Ah ti, e shkreta Parti Komuniste, si u bëre bartësja e këtij Nemesi të errët me kompromiset[6] e tua nënpatriotike?! Ata e kishin njohur armikun e vërtetë, armikun shoqëror, armikun klasor, subjektin e ri në ndashmërinë e vet dhe me 7 prillin kishin synuar ta shtypnin atë. Mirëpo ky operacion u zhvillua në dykuptimësinë e fuqishme të vullnetit normativ të shtetit: në këtë hapësirë të dykuptimtë, shtypja është gjithaq rikuperim i armikut, përshkrim i armikut si pjesë e vetes, emërtim i tij si terrorist përballë pushtetit. Restaurim i kuptimit juridik, riorganizim i gjërave në kategoritë e krimit, homologim i sojit tjetër, gjithçka me synim rilegjitimimin e unitetit të një pushteti të ndarë: këtë përfaqësonte simboli i 7 prillit. E kuptova logjikën operacionale të akuzës; poshtërsia e saj nuk konsistonte në faktin që më konsideronte si armik, por si homolog, në shkatërrimin e diferencës sime së bashku me identitetin tim. Operacion rrufe – një jetz-Zeit[7]  reaksionar – një reduktim i realitetit dhe i kohës në palëvizshmërinë e normave ligjore shkatërrimtare – një blasfemi e mallkuar kundër krijueshmërisë së jetës kolektive. Nga ana tjetër, iniciativa synonte të ishte, dhe qe në fakt, një nënvizim i gjerë, me furçë të madhe, i fundit të “çështjes italiane” – e asaj vazhdimësie përpjekjeje dhe kryengritjesh proletare që kishin ndodhur njëzet vitet e fundit. Fundi i çështjes italiane: kjo do të ishte një risi fatlume dhe “katastrofike” – thosha me vete – fillimi i një historie të re të një subjekti të ri: represioni mund të shërbejë për të nxjerrë në pah çsimetrinë e tranzicionit dhe zhvendosjen e subjektit…

Consolatio philosophiae![8] Në fakt një ndërgjegje teorike e vagullt nuk mund t’i durojë gjithnjë punët e mundimshme të praktikës. Në burg, ditët e para, mbizotëronte tundimi për të ngritur spirancën dhe nisur udhëtimin, për ta lënë të lundronte tutje barkën time të vjetër, por të sigurt, të pavarësisë dhe autonomisë proletare. Ishte më pak e mundimshme të pranoje diktatin e dyfishtë të shtetit dhe terroristëve. Të mbijetosh në burg është e vështirë, kur të kap ky ves. Në burg bëhesh murg, mirëpo mund të bëhesh edhe murg i keq – nec cella ei cella, sed reclusio et carcer est, aut sicut viventi sepoltura (për të, qela nuk është qelë, por hapësirë mbylljeje dhe burg, ose diçka e përafërt me një varr për të gjallët.)[9]: kështu e përshkruan situatën apologjisti çistresian mesjetar. Shkreptima të vazhdueshme vdekjeje të sulen nga brenda e nga jashtë: askush që nuk e pati jetuar – atë stinë vrasjesh ordinere – nuk mund ta imagjinojë mizorinë e saj të neveritshme – “alfabete mizore” – një luftë palët e të cilës, sipas Prokurorit të Përgjithshëm – i kishin “këmbët në tokë”… et tant pis pour l’angélisme (aq më keq për angjelizmin)! Të duhet të jesh ose nga kjo anë, ose nga tjetra – kështu të thonë në mënyrë të vazhdueshme dhe obsesive. Marsi, si Janusi, ka dy faqe. Ose i penduar, ose luftëtar “japonez”, si të gjithë ata që i kishin “këmbët në tokë”. Mirëpo bota rrotullohet  – i thosha vetes. Për sa më përkiste, e vetmja gjë që sillej rrotull ishte koka ime, të paktën për aq sa ishte akoma e ngjitur pas trupit tim në këtë betejë të marrësh – po edhe për sa kohë do të qëndronte e ngjitur pas tij? Herë pas here, diku në ndonjë burg special, ata ua hiqnin kokat njerëzve – grunf, grunf, me shufra hekuri. Burgje që ishin thertore të rangut të parë. Po jashtë? Ishte koha e masakrës së rrugës Frakia[10]. Na duhej ta shpërthenim atë kafaz, ta shqyenim atë mbulesë, ta frakturonim atë logjikë. Ti duhet ta bësh – i thashë vetes ditën e parë në burgun special. Mirëpo nuk mund ta bësh. Çdo lëvizje çmobilizohet mekanikisht; është mu si një makinë e madhe kokoshkash ku të nxjerrin jashtë nga mesi drejt mureve dhe gruri, meli e sheqeri kthehen në gjëra të ëmbla.

Eh çfarë përpjekjeje, i dashur David, për të gjetur një pikë mbështetjeje! E çfarë iluzionesh pa! Lëvizja – i thoshe vetes, ose u pëshpëritje atyre pak shokëve që kishe – do ta rifitojë identitetin e saj dhe do të dalë në pah sërish pareduktueshmëria e saj në këtë armatë të çmendur të dy palëve. Një lëvizje çlirimi që bën përpara dhe të sheh? Iluzion transcendence. Idiot. I pakuptimtë. Ja tek ishim dhe aty na duhej t’i qëronim hesapet dhe të rifitonim dinjitetin tonë, mu aty në burg. Lëvizja, po qe se do të rilindte – dhe kishte gjasë të rilindte – do ta gjente veten përtej fundit të çështjes italiane dhe, për pasojë, do të mbështetej në realitetin e shpalosur të subjektit të ri. Për këtë kishim punuar, këtë zhvendosje globale kishim dashur – kështu që lëvizja e re nuk do të na njihte si baballarët e saj sepse kjo lëvizje, në zanafillë të saj, nuk donte baballarë. Nuk ishte atëvrasëse, por e virgjër. Sprachlosigkeit (pagojësi): mos mërmërit, mos fol, mos përsërit, mos kujto: këtë kuptim kishte. Mirëpo ne, po, ne do të ishim në gjendje ta njihnim atë – sërish – si shenjë krijuese dhe kjo njohje do ta na rinovonte. Mënyra e rindërtimit të vetes brenda lëvizjes nuk mund të bazohej, kësisoj, në fuqinë e trurit, por do të duhej ta formonte veten në gjurmët që sinjalizonte lëvizja ose ato shenja paralajmëruese që i kapnim me intuitë. Po mbrohej një rrugëdalje, e varfër por potencialisht e fuqishme, një skaj jete, i vetmi që na kish lënë burgu: trupi ynë, bashkësia jonë trupore. Për murgun e mirë, qela është domicilium pacis, secretum templum, officina pietatis (shtëpia e paqes, tempull sekret, punishte devocioni. Ishte e nevojshme të punonim mbi trupin, sipas të njëjtës mënyrë që punonte lëvizja mbi trupin. Aufstand der Körper (ringjallja e trupit)! Kundërshtia nuk ishte midis jetës dhe vdekjes, por midis vdekjes dhe trupit – sepse na kishin marrë gjithçka tjetër që i përkiste jetës sonë.

E megjithatë, ajo që nevojitej ishte të mendohej pak dhe kuptohej se nuk e kishim humbur sensin e drejtimit. Të gjitha kërkimet teorike komuniste, rreth dhe pas 1968, patën shkuar në këtë drejtim: nga fantazma e partisë si trup drejt zbulimit të trupit kolektiv. Një eksplorim klasik madhështor “De corpore politico”[11]. Pak rëndësi ka nëse eksploruesit dështojnë në një territor të parrahur – kërkimi teorik lë gjurmë dhe hipoteza. Kështu që, t’i rrokim! Ta zhveshim e rrjepim ideologjinë për të rigjetur bashkësinë, ta artikulojmë bashkësinë për të shpikur trupin! Prej trupit si shenja e fundit e ekzistencës dhe individualitetit tënd – siç ia ka ënda burgut – drejt trupit si substancë kolektive komunikimi dhe organizimi. Ta ripërvetësojmë trupin nëpërmjet një praktike që e zbraz kuptimin e burgut, privimit dhe izolimit! I dashur David! Vetëm atëherë kur përpjekjet e burgut morën këtë dimension, u thye kapja e tmerrshme prej dare e shtetit dhe terrorizmit. Rindërtoje jetën sipas dizajnit të trupësisë. Mbaji vesh Spinozës: “Askush nuk e ka përcaktuar akoma se çfarë mund të bëjë trupi”; “ai që ka një trup të aftë për shumë gjëra, ka një mendje pjesa më e madhe e të cilës është e përjetshme.” Rizbulova, i dashur David, çfarë kisha dëshiruar –në një shpresë kolektive që i shqyente vargonjtë dhe e kthente burgun në laborator lirie. Ndërsa terroristët vrisnin njerëz dhe shteti ishte fatlum që e rrezikonte legjitimitetin e tij në pirgje kufomash, ndërsa paqytetërimi ligjor avanconte me arrogancë naziste dhe tradhtia bëhej burimi eksluziv i të vërtetës në gjyqet tona, ne, në burg, e lidhëm rezistencën tonë ndaj terrorit me pretendimin e një trupi revolucionar kolektiv të ri. In dubio pro libido – apo vullnet për të jetuar, dëshirë për të sjellë risi – kolektivisht. Komunizmi është një soj, një mënyrë jetese. Lëvizjet e reja të burgjeve, prej San Vitores në Rebibia, mbi të drejtën e afektivitetit dhe mbi solidaritet të brendshëm e të jashtëm, u zhvendosën prej këtyre intuitave politike të hershme. Transformimi i subjektit, cikli i ri i vetëdhëniesvlerë proletare, Vergleichung (krahasimi), uniteti dhe barazimi i shtresës së punëtorëve të shoqërizuar – të gjitha këto i rikryem, in vitro, në një sistem burgjesh që nuk mund të na përmbante sepse ne ishim tepër shumë, tepër të gjerë dhe të bukur. Barku i balenës nuk mund ta mbante Jonahun[12].

Kështu që duhet ta villte. Më 28 dhjetor 1980 në burgun special të Tranit shpërtheu një revoltë kundër kushteve në burgun special të Asinarës. Mu si ushtarë japonezë shumë kohë pas përfundimit të luftës. Me një coup de main, Brigadat e Kuqe rrëmbyen disa gardianë nga pjesa e burgut të të dënuarve politikë. Ata e lidhën aksionin e tyre me rrëmbimin e D’Ursos[13], që po ndodhte asokohe, dhe ia nisën së dërguari mesazhe haluçinante. Shteti vendosi ta shuante zjarrin me zjarr. Më 30 dhjetor, ndërsa revoltës po i mbaronte karburanti, shteti dëftoi pushtetin e tij të pacak si apokalips – forca speciale zbritën prej helikopterëve në tarracën e burgut, përdorën eksplozivë për të hyrë brenda gardheve dhe mureve dhe nisën të shtien shtazërisht. Na zunë të gjithëve rob dhe na linçuan si mos më keq. Duhet shtypur trupi – varfëria ekstreme dhe pasuria ekstreme e trupit tonë. Vijoi masakra. Shkatërruan e shkretuan gjithçka. Ato pak sende të riprodhimit të trupit, libra e fletore, letra nga njerëzit e dashur dhe kartolina nga fëmijët: i shqyen, i shkatërruan dhe u pshurrën përmbi. Të hidhnin prej shkallëve; të çanin kokën në dysh; të rrihnin me shkopinj, në noçkë e gjunjë; të godisnin në brinjë. Shteti lëshoi lumpenin. Pasi kaloje provën e fundit të goditjeve nga kriminelët vrastarë, përfundoje në një hapësirë ku mund të pushoje. Koka të rrjedh gjak. I ngjesh duart e përgjakura mureve të betonta, duke bërë arabeska të pakuptimta. Po s’ka mbaruar gjë akoma. Natën lumpenët i ktheheshin sulmit: “Në gjunjë mor bir kurve!”; “Kërko falje!”; “Gruaja jote thith kara.”; “Komunist muti!”… Netët e dimrit janë të lagështa, zoti ka pështyrë vesën e tij të trashë. Një grumbull njerëzish të përqafuar, që e mbajnë fort njëri-tjetrin për t’u rezistuar plagëve, të ftohtit dhe lodhjes. Në net si kjo nuk mund të ketë yje. Dritat e elektrikëve të dorës së këtyre vrasësve të kërkojnë si rrahje kamxhikësh në errësirë, si rraxha të ngrira. Paskëtaj, ditën tjetër e kështu me radhë, turma njerëzish sërish, duzina-duzina, në një fjetore si hangar, si vagonë plot me çifutë rrugës për Poloni – më në fund gjumë, gjumë më në fund.  

Po ja që të duhet të mbijetosh – dhe vetëm lufta të lejon ta bësh; riafirmimi i trupit tënd dhe i bashkësisë së këtyre trupave. 31 dhjetor 1980: një vigjilje Viti i Ri që është edhe dëshpëruese, edhe fort e ëmbël. Bota është tutje tej. Nuk ka ç’të duhet të dish se ku je. Ka një blackout lajmesh për çka po të ndodh. Të duhet të rifitosh një marrëdhënie komunikimi me të jashtmen, me çdo kusht. Zhurma goditjesh gjithandej. Njerëzit u bien hekurave, dyerve, kangjellave dhe grilës pranë teje. Një zhurmë e madhe goditjesh, si buçima e një tuneli metroje, një zhurmë që të përfshin derisa të të dridhet gjithë trupi. Lind e zhvillohet një unitet i pabesueshëm; valët e tingullit mbartin polenin e solidaritetit. Uniteti proletar është unitet i lartë i fuqisë punëtore intelektuale dhe shoqërore të re. Jemi përpara një uniteti të nivelit të ulët, abisor, por krejtësisht njerëzor – uniteti i varfërisë, i trupit, i të nëmurve të tokës. Këtu kupton nënshtratin metafizik të skllavërisë: cakun mohor të thelbit produktiv njerëzor që konfigurohet në të. Trupi i ri bën rezistencë. I rrethuar në qeli, për një, dy, tri, katër javë… Hyjnë individë të maskuar, bisha të frikshme e mizore. Të rrahin, ushtrojnë kontroll, të terrorizojnë, të rrëmbejnë shokët. “Ti do shkosh në izolim.” Transferime të papritura. Jetzt-Zeiten, blice vdekjeje dhe sërish ia beh mohimi i ngurtë kapitalist i kohës së jetës. I barrikaduar, harxhon net pa gjumë. E mbron veten duke mbledhur plehra dhe i hedhur ato korridorit për të parandaluar inkursionet e rojeve. Mblidhen pirg metra e kilogramë pisllëqesh, të përziera e të përbaltura. Tanimë je mi, i zënë në një çark vdekjeprurës. Po duhet të rezistosh. Kurrë më parë nuk kam ndjerë nevojë më të madhe për të qarë dhe kurrë më parë trupi im nuk e ka refuzuar atë në mënyrë kaq energjike.

I dashur David! Vdekja është armiku dhe trupi miku. Ne përjetuam një histori të tërë dhe s’ishte as më shumë e as më pak sesa parabola e burgosjes së proletariatit. Plotëria e kohës përbën tragjedinë historike të mënyrës kapitaliste të prodhimit. Fundi i kohës, kriza, është një rilindje e madhe. Një trup i ri madhështor. Po të mos ishte për këtë mendim, të cilin e kisha të ngulur në tru në mënyrë permanente, do t’i isha dorëzuar tundimit të vetëvrasjes, që ma kaplonte shpesh mendjen. Rozenweig: “Kapaciteti i tmerrshëm për të kryer vetëvrasje e dallon njeriun nga të gjitha qeniet e tjera që njohim dhe nuk njohim.” Turp për shpirtin. Më mbështeste trupi, shpresa e tij. Nëse ka shpirt, atëherë të vrasësh veten është budallallëk – njeriu nuk vdes. Jeton sërish, i ngurtësuar dhe i palëvizshëm, në kujtesën e shpirtrave të tjera. Trupi, nga ana tjetër, nuk do të vdesë sepse është jetë – jo diçka që na rehaton, por diçka që prodhon. Trupi është pohim i jetës. Në qelitë e Tranit, ku ky spektakël i jashtëzakonshëm rezistence po egërsohej, shihje trupin të vdiste në mjerimin e individualitetit dhe ta ristrukturonte veten në bashkësi. “Kundër shkatërrimit dhe kolonizimit të trupit!” butësi, lojë me letra, edhe tarot, afrime homoseksuale delikate, paskëtaj diskutime, polemika politike, rindërtime projekti, përplasje, mendime, ndjenja, arsye dhe një Aufklärung (Iluminizëm) i ndërsjellë dhe vëllazëror. Një transformim që po ngjante në ferr. Freaklich in die Katastrophe (Trill në katastrofë). A nuk është ky vallë fati i subjektit të ri?! A nuk ndodh që në këtë mjerim absolut ta njohësh veten si pjesë të lëvizjes?! E ku bashkë me ty ajo rritet e piqet?! A nuk ndodh që në këtë ndërmjetësim të brendshëm e shumëfishta të bëhet përgjegjësi dhe bashkësia të bëhet tendencë?! Shpirtrat tona kafshërore kishin nevojë për të gjitha këto dhe në këtë përvojë nuk ka më shumë sesa një grimë utopie.  

Në fakt, puna e bashkësisë trupore përbën një ligjërim produktiv. – është ens realissimum (qenia më reale), mbi të cilën zë vend përplasja midis klasave, ajo që vendos se kush do të përvetësojë efektet e produktivitetit dhe kush do ta organizojë këtë produktivitet kolektiv. Në qelitë e Tranit ne përjetuam në vetë të parë një histori të mënyrave të prodhimit. Nga njëra anë, gardianë, rojet – armiku lumpen – në bashkëpunim me bosët. Në anën tjetër, transformimi dhe barazimi për lart i fuqisë punëtore intelektuale, i përvojave klasore të ndryshme. Një ndarje që ishte seksion diakronik. Kësisoj përjetuam, dhe jo vetëm herë pas here, një histori teorike të klasës punëtore dhe të transformimit të saj politik: nga ndërtimi i partisë, universale dhe abstrakte, drejt këtij trupi të ngrohtë bashkësie komuniste.

Hajde tani ju policë të kulturës së epërme, ti Abrasin[14] i padenjë, ju diplomatë të veshur në të purpurt, ju minj gjirizesh engjëllorë dhe ju që përqeshni bashkësinë tonë të ngrohtë herë duke vënë maska, herë mballoma, por gjithmonë, në fabrika e shoqëri, duke ndërtuar dhe prodhuar një kusht që i mohohet pozicionit tuaj të privilegjit joproduktiv, të kurvave, gjykatësve dhe vuajeristëve! Po t’i lemë të vdekurit të varrosin të vdekurit!

Rrugëtimi i gjatë drejt botës së nëntokës së burgimit vazhdon akoma. “Çështja 7 prilli” është ende këtu, i dashur David, duke refuzuar edhe shantazhin terrorist, edhe shantazhin e shtetit, të cilët së bashku kanë për synim homologizimin e rregulluar të trupit me shpirtin. Kurse projekti ynë është ta shkatërrojmë shpirtin në të gjitha mënyrat që e paraqet veten. Dhe të njohim vendin e trupit në kushtetimin kolektiv të proletariatit. Kësisoj unë në burg po jetoja dimensionin e parë konkret të një projekti afatgjatë, realizimin e një dislokimi të ri të ndërtimit proletar. Një përpjekje e madhe që prapëseprapë na mundësoi, përbrenda luftës së vazhdueshme, të ishim sërish pjesëmarrës, mirëpo tanimë të transformuar në ringritjen e lëvizjes. Balena fundoset dhe Jonahu e gjen veten sërish në breg. Jonahu, Uliksi – dhe pastaj ne; një fundosje që përsërit këtë mit të përjetshëm rinovimi. Jo rikthim i përjetshëm, por rinovim i përjetshëm: vetëm burgosësit e mendimit mund të mendojnë ta reduktojnë të dytën tek e para. Një rinovim që më përcjell vazhdimisht përtej 7 prillit, përtej gjyqit, përtej përleshjeve të panumërta që përmban kjo çështje. Jashtë çdo mundësie për t’i bërë kujtimet e mia homologe me procedurën dhe substancën e gjyqit dhe të rrethit vicioz logjik e njëjtësisë së pandryshueshme të tij. Larg prej këtyre “alfabeteve mizore” të kësaj ere represioni. Procesi i thyerjes së rezistencës së trupit dështon, trupi i dëshmon vetëm natyrës së tij trupore, asaj që është dhe asaj që bëhet – ai nuk njeh asnjë formë transcendence, as juridike. Është i pareduktueshëm te shpirti, fryma, te një ekuivalencë me drejtësinë. Principium individuationis. Quantitate signatum. Parimi I individuimit. I nënshkruar nga sasia.) Mirëpo pastaj është trup i cilësisë më të lartë të shprehjes dhe komunikimit.

Tani nuk di çfarë të shtoj më i dashur David, përveçse në këtë ndihem i justifikuar, si përgjegjshmërisht edhe moralisht, përballë një historie që është trup – si i imi, edhe i kolektivit. Në fund, nëse mendon për pak, pikërisht duke këmbëngulur kështu te vetet tona shmangim frustrimin e vazhdueshëm të reduktimit filozofik të problemeve: po luftojmë betejën e jetës, duke zgjidhur universalin e paarritshëm në pohimin e kolektivit – dhe, të ballafaquar me asgjënë dhe mohimin, i pakësojmë ata në pohueshmërinë e trupit. Sigurisht që trupi është i brishtë. Mirëpo ka aftësi për shumëçka. Ai riprodhon jetën dhe prodhon botën. Trupi është delikat, mirëpo varfëria ekstreme është një forcë e jashtëzakonshme. Unë për vete e imagjinoj komunizmin si një trup kolektiv të madh që imbarkon, transformon dhe zmadhon produktivitetin e individëve të përveçëm. As mos ia nis muhabetit të Menenius Agripën[15] dhe organicizmit! Trupi është sipërfaqja e lirisë. Ky trup përbëhet së brendshmi nga singularitete, të cilat e ndërtojnë dhe rindërtojnë atë pafundësisht. Prandaj i vetmi kujtim është ai i këtij subjekti kolektiv – unë nuk e di se për sa kohë do të duhet që të piqet, por është e sigurt që kjo është mënyra se si e kam përjetuar dhe këtu kapet kujtesa ime. Nuk i kuptoj arsyet që nuk janë strategji që ky trup i ka hedhur si farë dhe sjellë në jetë. Kështu e shoh të shkuarën dhe po i hyj fazës tjetër të jetës sime si i burgosur – me krenarinë që kam marrë pjesë në të. Me mall të madh për ju! Lamtumirë!

Përkthimi dhe shënimet: Arlind Qori

Marrë nga: Antonio Negri – Pipeline: Letters from Prison


[1] Qytet në Francë ku ndodhet Zyra Ndërkombëtare e Peshave dhe Masave.

[2] Një nga figurat kryesore të “filozofëve të rinj”, të cilët në vitet ’70 braktisën teorinë marksiste (të llojit maoist) dhe, të ndikuar sidomos shkrimet e Solzhenitsyn-it, risollën në modë kritikën totalitariste të mendimit marksist dhe regjimeve sovjetike.

[3] Shteg i famshëm malor në kantonin Vale të Zvicrës.

[4] Rajon në Italinë qendrore.

[5] Carl Schmitt, teoricien gjerman i së drejtës, i trajtuar herë si konservator, herë si protonazist. Aksin e tij teoriko-politik të mik-armikut e kanë shpluhurosur dhe ripërdorur edhe mendimtarë të së majtës, sidomos Ernesto Laclau dhe Chantal Mouffe-i.

[6] Negri i referohet Kompromisit Historik, tentativës së afrimit me synim të mbramë bashkëqeverisjen midis Partisë Komuniste Italiane dhe asaj Demokristiane.

[7] Konceptin e jetz-zeit-it e ka farkëtuar Walter Benjamin-i për të dalluar kohën e beftë revolucionaro-mesianike, që prodhon thyerje, nga përfytyrimi i zakonshëm i saj si rrjedhë.

[8] Negri aludon për “Ngushëllimin e filozofisë”, vepër e Boecit, e shkruar nga ky i fundit në burg prej nga do ta priste ekzekutimi për tradhti ndaj mbretit ostrogot Teodorikut të Madh më 524 e.s.

[9] Përkthyesi në anglisht vëren se pasazhi mund të jetë perifrazim i një letre të murgut Guigo nga manastiri i Shartrëzit në Francë.

[10] Operacion i forcave të rendit italiane në vitin 1980, gjatë të cilit u vranë shtatë militantë të Brigadave të Kuqe. Ekzekutimi i të gjithëve ngriti dyshime në opinionin publik.

[11] Vepër e Thomas Hobbes-it, më pak e njohur se “Leviatani”, por në të cilën Hobbes-i i lë vend një trajtimi më demokratik të trupit politik.

[12]Alegori e Dhiatës së Vjetër.

[13]Gjykatës italian i rrëmbyer nga Brigadat e Kuqe.

[14] Alberto Abrasini, shkrimtar dhe figurë politike italiane e atyre viteve.

[15] Konsull romak i shekulli V p.e.s. i cili mundësoi pajtimin e patricëve me plebenjtë pas shkëputjes së këtyre të fundit në kodrën e Aventinit. Livi dëshmon se argumenti bindës për përdori Agripa ishte ai i një trupi ku secili organ, i diferencuar në hierarki, duhet të kontribuojë në të mirën e përbashkët. Prandaj Negri flet për organicizëm. Pas marrëveshjes, plebenjtë romakë fituan të drejtën e përfaqësimit të interesave të tyre nga tribunët popullorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.