21-shi i atëditshëm, 21-shi i përditshëm
/Jonis Metaj/
Ajo çka ndodh gjatë historisë, për vite, ndodhi brenda një dite. Shpresa lindi, u tradhtua, vdiq dhe pret të rilindë nga hiri i saj.
Atë ditë ishim shumë, aq shumë sa me gjithë mend u habita; pse jo edhe u mallëngjeva. Një fije shprese shkreptiu dhe më ngrohu. Thashë: “Jemi shumë, do t’ia dalim!” Shumë, për besë. Kishte të kollarisur e xhepgrisur, të palarë, të parfumosur, fshatarë, qytetarë, të rinj, të moshuar, punëtorë, të papunë, veteranë. 21-shi ishte dita kur na thirri varfëria, na zgjoi papunësia, na karikoi mllefi e na mbushi me vetëbesim padrejtësia, shfrytëzimi, korrupsioni sheshit, tallja e menderes e çiflikarit qeveritar të asokohshëm, vjedhja e makutëria e paskrupullt!
Mendova se në shesh duhej të ishte 7% e popullit, si një grusht i fortë – edhe ironikisht i fortë kundër 7%-shit të pazareve me pasurinë tonë. Korrupsion i dalë lakuriq si jarani i kapur gafil në shtëpi të huaj. Ashtu u nisëm për të vënë në vend atë që gjykatat nuk e bëjnë dot, me shpresën (utopike më thonë cinikët) se do kishte drejtësi popullore.
Ajo që më ra në sy ishte zhdukja nga sytë e të kollarisurve partiakë opozitarë të asokohshëm. Nuk di nga ia mbajtën. U nisëm bashkë, por të kollarisurit ose nuk patën këllqe, ose kishin përgatitur tjetër gjë. Ne, populli i thjeshtë, barktharë e punëtorë qëndruam aty, duke iu avitur një garde policeske që me propagandën e mbrojtjes së institucioneve mbronte veçse kalbësirat që fshiheshin aty e jepnin urdhra. Ndryshe nga urdhrat e ditëve të zakonshme, që rëndom ndanin interesa në turlilloj hajnish, atë ditë urdhëroheshin vrasje.
Ata që na thirren na dhanë shpresë. Po menjëherë e tradhtuan mbarë popullin që iu përgjigj, ata që po luftonin sheshit me një aparat të tërë, që u kishte ardhur aty ku nuk mban më, si rrallëherë në historinë e këtij vendi. Të ulur në kafene apo dreqi e di ku, ata shihnin se si bëheshin mish për top më të thjeshtit, më kokëpalarët, vegjëlia – thoshin një herë e një kohë. Ngelëm vetëm: ca të vrarë, ca të dhunuar, të arrestuar, të rrahur. Çiflikarin e lanë në punën e tij dhe 7%-shi nuk u lag. Aty kuptuam që partitë nuk përfaqësojnë më popullin. Njëra i vrau e i dhunoi, tjetra i tradhtoi. Dhe të kuptosh, qoftë edhe me kaq dhimbje, nuk është pak.
Ç’ndodhi ishte tragjedi. Ç’po ndodh është farsë. I gjati mbushi me shpresë një popull të tërë se do rrëzonte çilfikarin e bashkë me të do zhdukte edhe të trashin e 7%shit, madje jo vetëm kaq por krejt sistemin që i prodhonte. Por ja që i gjati pasi e pështyu të trashin, në fund e lëpiu. Në ju duktë banale metafora, realiteti është ca më keq.
Atë ditë nuk ranë vetëm katër prej nesh. Me ta ra edhe lufta ndaj hajnisë dhe dënimi i vrasësve. Sot janë e hanë bashkë, mbi të njëjtën pre të preferuar e të dobësuar sa s’ka. Bashkëqeverisin si të mos i ishin turrur historikisht njëri-tjetrit për vite dhe i turren njëri-tjetrit sikur të mos dihej se nesër do ta gjejnë gjuhën për të shqyer edhe atë çka mbetur prej mishit popullor. E pas midesë iu vjen skota e (më falni për fjalën e ndyrësuar) analistëve, që si orkestër lehësish çirren se kush është më besniku i më të pabesëve.
Kush mban sot përgjegjësi për të vrarët? Si të europianizuar dhe amerikanosur që jemi, presim ende nga gjykatat. Athua se nuk e dimë se funksionojnë veç me urdhër nga lartmadhëritë. Vrasësit nuk janë debitorë energjie që të dënohen!
21 janari është ditë proteste, që qeveria të mos vrasë më! Dje vrau me plumba, sot të vë lakun në fyt (për dreq nuk është më as metaforë), të vret në bashkëpunim me biznesmenët e suksesshëm mu në vend të punës, aty ku Mançesteri i shekullit XIX nuk është histori, por kronikë.
Tanimë i kemi ndarë punët. Për ta jemi kokëpalarë, për ne janë hiena e sahanlëpirës. 21 është datë papajtueshmërie…permanente.
Më 21 janar nuk ka lot, as vaj, as kurora, as përkulje, as broçkulla reformash të pritshme në drejtësi, as zotime se gjithçka e bëjmë për të ardhmen. Ato u përkasin atyre që tradhtuan dje e vrasin me lakun fytit sot. Më 21 janar ka protestë, ngadhënjim mbi krimin, shfrytëzimin, nëpërkëmbjen e varfërimin. 21 janarë ka përditë. Ky 21 janar na ndihmon ta kuptojmë e përkujtojmë. Unë do të jem sërish në të njëjtin shesh, tash i vetorganizuar me një grusht në forcim shoqesh e shokësh, i patradhëtueshëm se nuk mjaftohem me përfaqësimin, por bashkëvendos.
Shoqe, shok, mik i të shkuarës e të ardhmes, ty që të është bërë lëkura shollë nga pësimet! A do mjaftohesh me vendosjen e katër fishekëve në xhepin e kostumit të kryeministrit? Apo do të dalim si atë ditë krah për krah, derisa të ngopemi me më të shijshmen bukë – drejtësinë shoqërore?
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.