Stasis

/Giorgio Agamben/

Pranohet nga të gjithë që sot mungon një doktrinë e luftës civile, megjithëse kjo mangësi duket sikur nuk i shqetëson shumë juristët dhe politologët. Roman Schnur-i, i cili e kishte formuluar këtë diagnozë që në vitet tetëdhjetë, shtonte se kjo mungesë vëmendjeje ndaj luftës civile shkonte krahas me përparimin e luftës civile botërore. Pas tridhjetë vitesh ky vëzhgim vazhdon ende të jetë aktual: ndërsa sot duket  sikur mungon vetë mundësia për të bërë dallimin ndërmjet luftës mes shteteve dhe luftës së brendshme, studiuesit kompetentë vazhdojnë të shmangin çdo cekje të teorisë së luftës civile.

Është e vërtetë që në vitet e fundit, me ashpërsimin e luftërave që nuk mund të përkufizohen si ndërkombëtare, janë shtuar, kryesisht në Shtetet e Bashkuara, botimet në lidhje me të ashtuquajturat internal wars; mirëpo edhe në këto raste analiza nuk orientohet drejt interpretimit të fenomenit, por, sipas një praktike të përhapur gjithnjë e më shumë, drejt kushteve që mundësojnë një ndërhyrje ndërkombëtare. Paradigma e konsensusit, e cila dominon sot si praktikën ashtu edhe teorinë, nuk duket e përshtatshme me hulumtimin serioz të një fenomeni që është po aq i vjetër sa demokracia perëndimore.

Analiza e çështjes së luftës civile – ose stasis-it – në Greqinë e lashtë nuk mund të mos nisë me studimet e Nicole Loraux-së, i cili i ka dedikuar stasis-it një sërë artikujsh dhe librash, të përmbledhur më 1997 në vëllimin “La Cité divisée”. Risia e qasjes së Laraux-së qëndron në faktin se ai e shtron problemin sakaq  në locus-in e tij specifik, domethënë në marrëdhënien mes oikos-it, pra “familjes” ose “shtëpisë”, dhe polis-it, “qytetit”. Në fillim të veprës “Politika”, Aristoteli dallon oikonomos-in – pra “drejtuesin e një sipërmarrjeje” dhe despotes-in “kryefamiljarin”, të cilët merren me riprodhimin dhe konservimin e jetës – nga politikani, dhe kritikon ashpër ata që mendojnë se dallimi ndërmjet tyre është sasior dhe jo cilësor.

Ku “qëndron” stasis-i, cili është vendi i tij? Pikësëpari, në një pasazh të veprës “Ligjet” të Platonit, shkruhet: “Vëllai [adelphos, vëllai njëgjakës] që, në një luftë civile, vret në luftim vëllain e tij, do të konsiderohet i pastër [catharos], sikur të kishte vrarë një armik [polemios]; e njëjta gjë do të ndodhë për qytetarin që, në të njëjtat kushte, vret një qytetar tjetër dhe për të huajin që vret një të huaj.”

Por ajo që del nga teksti i ligjit të propozuar nga athinasi në dialogun platonik nuk është edhe aq lidhja mes stasis-it dhe oikos-it, sesa fakti që lufta civile përngjason dhe bën të papërcaktueshëm vëllain dhe armikun, atë që është brenda dhe atë që është jashtë, shtëpinë dhe qytetin. Në stasis vrasja e asaj që është më intime nuk dallon nga ajo që është më e huaj. Kjo do të thotë që vendi i stasis-it nuk është brenda shtëpisë, por në pragun e padallueshmërisë mes oikos-it dhe polis-it, mes farefisnisë dhe qytetarisë.

Statis-i – kjo është hipoteza jonë – nuk ndodh as në oikos e as në polis, as në familje e as në qytet: ai përbën një zonë padallueshmërie mes hapësirës jopolitike të familjes dhe asaj politike të qytetit. Duke shkelur këtë prag, oikos-i politizohet dhe, nga ana tjetër, polis-i “ekonomizohet”, domethënë reduktohet në oikos. Kjo do të thotë se në sistemin politik grek lufta civile kryen funksionin e pragut të politizimit ose shpolitizimit, nëpërmjet të cilit shtëpia kalon në qytet dhe qyteti shpolitizohet në familje.

Në traditën e së drejtës greke ekziston një dokument i veçantë që e rithekson përtej çdo dyshimi  gjendjen e luftës civile si prag politizimi/shpolitizimi të cilën sapo e propozuam. Është fjala për ligjin e Solonit, sipas të cilit qytetari që në një luftë civile nuk lufton për asnjërën prej palëve, ndëshkohet me atimi (domethënë me humbjen e të drejtave civile). Mosmarrja pjesë në luftën civile është e barazvlefshme me dëbimin nga polis-i dhe internimin në oikos, me daljen nga qytetaria për t’u kthyer në gjendjen jopolitike të privates. Kjo lidhje thelbësore ndërmjet stasis-it dhe politikës përforcohet nga një tjetër institucion grek: amnistia.

Më 403, pas luftës civile në Athinë e cila përfundoi me mposhtjen e oligarkisë së të Tridhjetëve, demokratët fitimtarë të udhëhequr nga Arkinoja, u angazhuan solemnisht që “të mos i kujtonin në asnjë rast ngjarjet e shkuara”, domethënë të mos ndëshkonin me gjyq krimet e bëra gjatë luftës civile. Duke komentuar këtë vendim – që përkon me shpikjen e amnistisë – Aristoteli shkruan që në këtë mënyrë demokratët “vepruan më politikisht në krahasim me fatkeqësitë e mëdha që kishin ndodhur”. Me fjalë të tjera, amnistia në lidhje me luftën civile është sjella më e përshtatshme me politikën.

Nga pikëpamja e së drejtës, stasis-i duket sikur përkufizohet nga dy ndalime, përsosmërisht në koherencë me njëri-tjetrin: nga njëra anë është politikisht e dënueshme të mos marrësh pjesë në të; nga ana tjetër është detyrë politike mos ta kujtosh pas mbarimit të saj. Për sa kohë stasis-i përbën një paradigmë politike që ka të njëjtin thelb me qytetin, që shënjon shndërrimin e jopolitikes (oikos-it) në politike dhe politikes (së polisi-it) në jopolitike, ai nuk është diçka që mund të harrohet ndonjëherë apo të shtypet: ai është e paharrueshmja që duhet të qëndrojë gjithnjë e mundshme në qytet dhe që, megjithatë, nuk duhet kujtuar nëpërmjet proceseve dhe mllefeve. Pikërisht e kundërta e asaj që është lufta civile për modernët: diçka që duhet ndaluar me çdo kusht dhe e cila duhet kujtuar nëpërmjet proceseve dhe persekutimeve ligjore.

Kur mbizotëron tensioni ndaj oikos-it dhe qyteti duket sikur do të shndërrohet në familje (qoftë ajo e një lloji të veçantë), lufta civile funksionon si pragu në të cilin raportet familjare ripolitizohen; kur mbizotëron, nga ana tjetër, tensioni ndaj polis-it dhe lidhja familjare duket sikur dobësohet, atëherë stasis-i ndërhyn duke rikodifikuar në terma politike raportet familjare.

Greqia e lashtë është mbase vendi ku ky tension ka gjetur për një moment një ekuilibër të përkohshëm e të paqartë. Gjatë historisë politike të mëvonshme të Perëndimit, prirja për ta shpolitizuar qytetin duke e shndërruar atë në shtëpi ose familje, që mbahet në këmbë nëpërmjet lidhjeve të gjakut dhe operacioneve thjesht ekonomike, do të alternohet me periudha simetrikisht të kundërta, në të cilat jopolitikja duhet të mobilizohet dhe politizohet.

Sipas momenteve të mbizotërimit të njërës prirje ose tjetrës, do të ndryshojë edhe funksioni, dislokimi dhe forma e luftës civile; por me gjasë për sa kohë fjalë si “familje” dhe “qytet”, “private” dhe “publike”, “ekonomi” dhe “politikë” do të kenë një kuptim sado të dobët, ajo nuk do të zhduket nga skena politike e Perëndimit.

Forma që ka marrë sot lufta civile në historinë botërore është terrorizmi. Nëse diagnoza e Foucault-së mbi politikën moderne si biopolitikë është e saktë dhe nëse është e saktë edhe gjeneaologjia që e kthen në një paradigmë teologjiko-ekonomike, atëherë terrorizmi botëror është forma që lufta civile merr kur në politikë luhet jeta si e tillë. Pikërisht kur polis-i merr pamjen qetësuese të një oikos-i – “shtëpia Evropë” apo bota si hapësirë absolute e administrimit ekonomik botëror – stasis-i, i cili nuk mund të vendoset në pragun mes oikos-it dhe polis-it, shndërrohet në paradigmën e çdo konflikti dhe bëhet pjesë e figurës së terrorit.

Terrorizmi është “lufta civile botërore” që përfshin herë pas herë një zonë apo një tjetër të hapësirës planetare. Nuk është rastësi që “terrori” ka përkuar me momentin në të cilin jeta si e tillë – kombi, pra lindja – shndërrohet në parimin e sovranitetit. E vetmja formë në të cilën jeta si e tillë mund të politizohet është shfaqja e pakushtëzuar ndaj vdekjes, domethënë jeta e zhveshur.

E përktheu Alfred Bushi

Marrë nga kapitulli i parë i librit me të njëjtin titull të Giorgio Agamben-it.

Imazhi: Édouard Manet – Guerre civile/Wikimedia Commons

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.