/Perry Anderson/
Vazhdimi i pjesës së parë
- MUTACIONE
Tridhjetë vjet larg njëri-tjetrit në origjinë, dy revolucionet i projektuan reformat thuajse në të njëjtën kohë. Në sfond të secilit gjendej dështimi i përpjekjes së mëhershme për rindërtim. Me vdekjen e Stalinit, në BRSS reagimi ndaj tiranisë së tij ishte i shpejtë. Gjatë sundimit të Hrushovit u çmontua makineria e terrorit; u lehtësua censura; fermat kolektive fituan më shumë autonomi; u rrit investimi në konsum; dhe u shpall bashkekzistenca me kapitalizmin. Destalinizimi vazhdoi për pesë vjet, nga kongresi i 20-të në të 21-tin e PKBS, duke fituar momentum të konsiderueshëm. Paskëtaj zig-zaget çorientuese të Hrushovit në politikën e jashtme dhe të brendshme – duke luajtur bixhoz e më pas u tërhequr nga Karaibet, ristrukturuar më kot Patinë, improvizuar rigjallërimin e bujqësisë – i armiqësuan kolegët e tij, çka solli largimin e tij nga pushteti. Ai nuk kishte përfytyruar ndonjë ndryshim bazik në sistemin ekonomik të trashëguar nga Stalini – me një planifikim të centralizuar ku përparësi i jepej industrisë së rëndë, çka kishte siguruar triumfin sovjetik më 1945 dhe mbi të cilën ishte bazuar edhe karriera e Hrushovit. Duke legjitimuar krejt arritjet e Gosplanit, prestigji i fitores ndaj fuqisë më të industrializuar të Evropës e kishte gjymtuar fleksibilitetin e sistemit ekonomiko-shoqëror që e kishte shndërruar BRSS në një fuqi të madhe kur i nevojitej më së shumti, në fillim të një epoke të re.[1]
Kur u dëbua Hrushovi, rritja ekonomike ishte ende e qenësishme dhe fuqia ushtarake e BRSS në ekspansion. Pasojë e dështimit të tij ishte “periudha e stanjacionit”, e shtrirë nga mesi i viteve 1960 në mesin e 1980. E çliruar nga iniciativat e pandalshme dhe tanimë e sigurt nga arrestimet arbitrare, burokracia sovjetike u rehatua në një inerci të vetëkënaqur, duke u mjaftuar me magazinimin e mëtejshëm të armëve dhe injoruar të ardhurat në rënie të vazhdueshme nga investimet industriale rutinë. BRSS arriti barazi bërthamore me SHBA dhe kishte fituar statusin e superfuqisë. Po njëzet vite brezhnjevizëm e bënë Partinë një grumbull të kalcifikuar zyrtarësh, të cilët sundonin mbi një shoqëri jetëgjatësia e të cilës po zvogëlohej, rritja ekonomike ishte ndalur dhe cinizmi ishte i kudogjendshëm. Kjo ishte skena ku hipi Gorbaçovi më 1985.
Rrëmuja që mbizotëronte në Kinë kur mori pushtetin Ten Hsiao Pini ishte më dramatike. Shoqëria ishte e traumatizuar nga trazirat e Revolucionit Kulturor. Arsimi i lartë pothuajse ishte ndalur për një dekadë. Vandalizmi kishte shkatërruar monumentet, kurse dogmatizmi kishte kapluar jetën intelektuale. Një numër i madh të rinjsh mbetën në ekzil rural. Pakënaqësia urbane po mahisej, ku kryeqyteti i vendit kishte përjetuar skena trazirash masive popullore në të cilat ndërtesa e Byrosë së Sigurimit Publik në buzë të sheshit Tienanmen ishte plaçkitur dhe i ishte vënë zjarri nga turma të zemëruara; trazira të papërfytyrueshme në Moskë. Maoja kishte dashur ta shmangte llojin e komunizmit ku kishin çuar, sipas tij, politikat e Hrushovit. Ia kishte arritur këtij qëllimi. Nuk mund të ndodhte krijimi i ngadaltë i një burokracie konservatore, që e kishte paralizuar ekonominë dhe shoqërinë në trajtë degjenerative, siç kishte ndodhur në BRSS e Brezhnjevit. Po alternativa ndaj saj kishte dështuar po aq tërësisht. Kur vdiq, politikave të tij u kishte ardhur fundi në një tjetër rrugë historike pa krye.
2
Në kalimin e pragut të reformave, në dukje BRSS gëzonte kushte më të mira materiale dhe kulturore për të pasur sukses. PBB e saj ishte 4-5 herë më e madhe se e Kinës dhe kishte bazë industriale shumë më të gjerë, duke punësuar mbi dyfishin e forcës punëtore relative. Ajo ishte më e pasur në thuajse çdo burim natyror – lëndë djegëse, minerale të vlefshme, tokë bujqësore të bollshme. Ishte gjithashtu më e urbanizuar, me popullsi më të mirushqyer, marrje mesatare kalorish mbi 50% të nivelit të Kinës. Infrastruktura e saj ishte mjaft më e zhvilluar dhe, së fundmi, kishte një popullsi shumë më të arsimuar: jo vetëm që ishte alfabetizuar tërësisht, por kishte mbi 20 herë më shumë studentë, në terma relativë, në arsimin e lartë, duke pasur një numër të lartë shkencëtarësh.
Prapëseprapë “periudha e stanjacionit” i kishte neutralizuar gjithnjë e më shumë këto përparësi, madje në disa aspekte ato kishin degraduar. Për njëzet vjet në sipërfaqen e vdekur të jetës sovjetike nuk kishte ndodhur asnjë ndryshim politik. Planifikimi qendror kishte marrë trajta karikature – duke specifikuar çmimet e rreth 60,000 mallrave – duke penguar novacionin dhe mbledhur lloj-lloj iracionalitetesh. Produktiviteti i punës mbeti në vendnumëro; raporti midis kapitalit dhe produktit u përkeqësua; fabrikat e vjetruara mbetën në këmbë; u humb mundësia për t’u marrë me teknologjinë e re të informacionit. Po me rënien e rezultateve ekonomike u rrit trysnia e garës së armatimeve. E zënë në rivalitetin strategjik me SHBA, një shoqëri mjaft më e pasur dhe e përparuar, udhëheqja sovjetike devijoi një pjesë serioze të PBB drejt shpenzimeve ushtarake, pa ndonjë efekt pozitiv në pjesën tjetër të ekonomisë dhe mbramësisht pa ia dalë të ruante të njëjtin nivel armatimi me amerikanët. Protektoratet e saj në Evropën Lindore dhe Afganistan përbënin një shtesë barre me kërkesat e tyre për subvencione dhe shpenzime ushtarake. Për BRSS Lufta e Ftohtë nuk ishte thjesht një përballje diplomatike, por edhe ngirëse e rritjes ekonomike.
Po kur erdhi dita e mezipritur e reformimit, deficiti më i madh i këtij sistemi të ngulfatur nuk ishte ekonomik, por politik. Partia sunduese ishte tanimë katër breza larg Revolucionit. Fryma kryengritëse e bolshevizmit kishte marrë fund prej kohësh. Dinamizmi i sturmovshchina-s staliniste në industri dhe luftë i përkiste të shkuarës. Ishte tretur edhe kujtimi i spektaklit të zhurmshëm të Hrushovit që për pak kohë i kombinonte të dy elementët e mësipërm. Korpusi i topitur i PKBS – nomenklatura e mirëfilltë sovjetike – konsistonte në pjesën më të madhe nga funksionarë administrativë mediokër, pa imagjinatë dhe iniciativë. Po fakti që nuk ishte tërësisht në një gjendje katatonike duket në ardhjen e Gorbaçovit në krye të saj. Me të marrë pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, fillimisht ai lëvizi shpejt për të spastruar radhët e larta të pushtetarëve nga periudha e Brezhnjevit, duke e konsoliduar pushtetin e vet në Parti me një shumicë anëtarësh të përzgjedhur në Byronë Politike. Paskëtaj shpalli fjalët kyçe: glasnost dhe perestroika – nevojën për hapje më të madhe në jetën publike dhe ristrukturimin e institucioneve.
E para, e cila solli një lehtësim të rëndësishëm të censurës, u përshëndet me entuziazëm të madh nga shoqëria, pasi mundësoi çlirimin e energjive të shtypura prej kohësh, për të trajtuar çdolloj argumenti, ekspozeje dhe debati ikonoklast. E dyta ishte më pështjelluese. Ç’donte të thoshte praktikisht perestroika – term që ishte përdorur një herë kalimthi nga Lenini? Shpejt u bë e qartë se Gorbaçovi, sado i guximshëm të ishte në qëllime, ishte i vagullt në idetë e tij: ndonëse ishte larg moralisht nga PKBS brezhnjeviste, ai zotëronte pak burime intelektuale të pavarura prej saj dhe kishte një nocion të mjegullt për reformat që kishte ndër mend. Të emëruarit e tij kryesorë në kupolën e Partisë kishin edhe më pak ide dhe shumë syresh do t’i bënin rezistencë së shpejti. Kësisoj për të shmangur kundërshtinë e tyre, ai iu kthye një baze mbështetëse alternative për legjitimitet dhe drejtim.
Inteligjencia ruse ishte tëhuajtur prej kohësh nga regjimi. Kultura avangarde brilante e kujt nuk u arratis pas Revolucionit u varros nga Stalini. Pas vdekjes së tij shpresa e lindur u venit shpejt, që përpara rënies së Hrushovit, nga vrazhdësia dhe filistinizmi i regjimit pasues. Në mes të viteve 1980 çdo trajtë komunizmi ishte shndërruar në anatemë për thuajse të gjitha rrymat e kësaj shtrese historikisht ndikimplote të shoqërisë ruse. Sllavofilët dhe perëndimoristët, dy polet e saj tradicionale, ishin të bashkuar në refuzimin e rendit sovjetik. Sidoqoftë të parët, pavarësisht famës së Solzhenicinit, ishin më pak të rëndësishëm dhe hegjemoninë e kishin të dytët. Të bindur për epërsinë e Perëndimit dhe aspirantë për t’u bërë pjesë e tij, liberalët nisën të diktonin hapin e rrethit të Gorbaçovit, duke e furnizuar me më shumë ide dhe objektiva të vendosur nga ç’kishte pasur ai paraprakisht. Për ta, reformim real donte të thoshte vetëm dy gjëra të ndërlidhura: demokraci me zgjedhje të lira konkurruese dhe ekonomi tregu e bazuar në pronësinë private të mjeteve të prodhimit.
Si Sekretar i Përgjithshëm i PKBS, Gorbaçovi nuk mund ta përqafonte qëllimin e dytë, edhe po të donte, ndonëse nuk donte. Por të parin e përqafoi me kushtin që rregullat t’i mundësonin të fitonte mbështetjen e popullit për pushtetin e tij, duke e ndihmuar të çlirohej nga varësia prej Partisë të cilës gjithnjë e më shumë nuk po i zinte besë, ashtu siç ajo nuk i zinte besë atij. Prioritet u bë reforma politike, krijimi i një demokracie përfaqësuese për të parën herë në historinë e Rusisë. Reforma ekonomike, që kishte qenë domethënia e parë e perestroika-s, u shty në kohë. Ky ishte rendi i betejës për inteligjencien liberale, të cilës i duhej thyerja e monopolit komunist mbi pushtetin përpara se të sulmonte themelet e ekonomisë së planifikuar. Sidoqoftë për Gorbaçovin ajo bartte një tjetër interes. Çmontimi i censurës dhe lejimi i zgjedhjeve të lira ishin relativisht të thjeshta – mjaftonte të hiqje kufizimet. Riorganizimi i ekonomisë do të ishte shumë më i vështirë – një detyrë gjigande krahasuar me të parën. Ai zgjodhi rrugën më pak të vështirë.
Nëse vendosej demokracia perëndimore brenda vendit, ç’kuptim do të kishte përballja në arenën ndërkombëtare?! Përfundimi gradual i Luftës së Ftohtë do të sillte jo vetëm duartrokitjet e një inteligjencie e cila, tanimë me pozita të forta në media, ishte bërë formuesja kryesore e opinionit shoqëror, por edhe përfitime ekonomike reale, duke lehtësuar barrën e shpenzimeve ushtarake. Madje prestigji ndërkombëtar i një sundimtari që ndërtonte marrëdhënie miqësore me homologët perëndimorë, sidomos me presidentin e SHBA, dhe që i sillte botës paqe dhe vullnet të mirë nuk mund të mos e përmirësonte imazhin e tij të brendshëm. Prej vitit 1987 Gorbaçovi iu kushtua gjithnjë e më shumë udhëtimeve dhe bisedimeve jashtë shtetit, duke u shndërruar në beniaminin e opinionit perëndimor, ndërkohë që po dehej nga imazhi që po krijohej në skenën botërore. Ai po i kushtohej gjithnjë e më pak punës jomotivuese të kontrollimit të ekonomisë së brendshme.
Këtu, pas dështimit të skemave gjysmake fillestare të promovimit të kooperativave, u provuan më kot disa lloje masash jokoherente për t’u dhënë më shumë autonomi ndërmarrjeve, ndërkohë që BRSS po hynte në një krizë shoqërore të jashtëzakonshme, që rridhte drejtpërdrejt nga prioriteti i rigjallërimit politik ndaj atij ekonomik. Kur Gorbaçovi mori pushtetin, rritja ekonomike ishte thuajse zero dhe çmimi i naftës – nga varej sigurimi i valutës së fortë të huaj – kishte filluar të binte, duke ushtruar trysni gjithnjë e më të madhe ndaj buxhetit. Këto do të ishin vështirësi në çfarëdo rrethane. Çka i shndërroi në rënie të lirë katastrofike ishte mënjanimi që Gorbaçovi i bëri PKBS, duke kërkuar simpati popullore personale. Ekonomia e planifikuar varej nga aftësia e Partisë për të siguruar nga ndërmarrjet furnizimet që kërkonte qendra. Me zhveshjen e Partisë nga pushteti, pa ndonjë plan koherent për zëvendësimin e saj, menaxherët thjesht reshtën së furnizuari shtetin sipas çmimeve të paracaktuara, duke preferuar t’i shisnin produktet e tyre kudo që të mundnim. Rezultat i kësaj ishte kolapsi i mekanizmit shpërndarës qendror që e mbante në këmbë sistemin dhe ndërprerjet në rritje të këmbimit ekonomik, sidomos në tregtinë midis republikave.
Me futjen e ekonomisë në kaos, shteti e pati gjithnjë e më të pamundur për të mbledhur taksat nga ndërmarrjet apo republikat dhe si rrugëdalje zgjodhi printimin e parasë për të mbuluar subvencionet ushqimore dhe shpenzimet sociale. Inflacioni galopant u kombinua me deficitin në rritje të bilancit të pagesave për shkak se qeveria u orvat t’i përgjigjej humbjes së popullaritetit duke importuar sende konsumi dhe rritur shumë borxhin e jashtëm, i cili thuajse u dyfishua në pesë vjet. Në vitin 1989 shteti sovjetik nuk ishte larg falimentimit. Më keq akoma, ai ishte në prag të shpërbërjes për të njëjtën arsye. Sapo Gorbaçovi e largoi Partinë nga sistemi, duke e vendosur veten si sundimtar personal i ndarë dhe përtej saj, republikat nuk i bashkonte më asgjë.[2] Pa strukturën lidhëse të PKBS, BRSS i mungonin ligamentet që i bashkonin të gjitha republikat. I përpirë deri në fund nga roli i përmbyllësit të Luftës së Ftohtë dhe çlirimtarit të Evropës Lindore, Gorbaçovi u tregua edhe më i verbër ndaj çështjes kombëtare në vendin e tij krahasuar me krizën ekonomike. Kur ajo që kishte mbetur nga rendi i vjetër ngriti më në fund krye kundër tij më 1991 dhe e rrëzoi së bashku me veten e saj, BRSS u shpërbë brenda natës.
3
Kur PKK i hyri rrugës së reformimit shtatë vjet përpara PKBS, Kina ishte mjaft më e varfër dhe e prapambetur se Rusia.[3] Rreth vitit 1980 PBB për frymë e Kinës ishte katërmbëdhjetë herë më e ulët se ajo e BRSS. Në bujqësi punonin 70% e forcës së saj punëtore, ndërkohë që në Bashkimin Sovjetik vetëm 14%. Rreth një e treta e kinezëve ende nuk dinin të shkruanin e lexonin. Universitetet e saj ishin mjaft më të pakta se në Indi. Mund të thuhet me plot gojë se asnjë vëzhgues, i brendshëm ose i jashtëm, nuk mund ta parashikonte përmbysjen në fatin e këtyre dy shoqërive tri dekada më vonë. Prapëseprapë që prej fillimit Bashkimi Sovjetik kishte disa defekte krahasuar me Kinën: kjo e fundit kishte një sërë avantazhesh mohore që përgatitën kushtet fillestare – ekonomike, shoqërore dhe politike – të suksesit të saj.
I pari syresh ishte pesha më e lehtë e planifikimit të vjetruar ekonomik – jo se kapitali fiks ishte më i përparuar se në BRSS, por thjesht për shkak të shkallës më të ulët të industrializimit. Çka do të bëhej zonë industriale e vjetruar nuk ishte e pakët, siç nuk mund ta harrojë askush që ka parë trilogjinë West of the Tracks – me gjasë dokumentari më i mirë në histori. Po, në terma relativë, ajo ishte më e vogël se në BRSS. Kishte më pak fabrika për skrap. Në mënyrë edhe më domethënëse, planifikimi kinez kishte qenë gjithnjë më pak intensiv se në BRSS. Qysh herët Maoja kishte kuptuar pamundësinë e imponimit të direktivave të gjithanshme të Gosplanit në një ekonomi mjaft më pak të ndërlidhur si ajo kineze, me tradita lokale mjaft më të forta dhe infrastrukturë më të dobët. Që prej fillimit autoritetet lokale kishin gëzuar një autonomi më të gjerë se në çdo fazë të sistemit sovjetik. Revolucioni Kulturor e kishte dobësuar më tej e qëllimisht pushtetin e qendrës, duke u lënë institucioneve lokale më shumë hapësirë për iniciativë. Kësisoj objektivat për industrinë ishin më modeste dhe presioni për t’i përmbushur ato nuk ishte shumë i madh. Për pasojë ishte një sistem më i decentralizuar, në të cilin numri i mallrave çmimet e të cilave vendoseshin në Pekin nuk shkonte më shumë se 600, sa një e njëqinda e nivelit sovjetik.[4] Kjo kornizë institucionale më pak frenuese lejoi një fleksibilitet më të madh dhe ndryshim më pak çrregullues.
Edhe nga pikëpamja sociale Kina kishte një avantazh të madh vendimtar në raport me BRSS. Fshatarësia nuk ishte një klasë e topitur dhe e dëshpëruar si në Rusi. Ajo nuk ishte as e lodhur, as e pakënaqur, por plot me energji potenciale në pritje të shpërthimit, siç do ta tregonin ngjarjet e mëvonshme. Historikisht ajo nuk kishte pasur institucione kolektive si puna e mir-it. E atomizuar prej kohësh në veri dhe e tronditur nga kryengritja e Taipingut në jug, shoqëria rurale mundi të mëkëmbej shpejt pas Hopit të Madh Përpara, duke pasur si pikëmbështetje shekuj të tërë impulsesh tregtare. Për më tepër mungesa e tëhuajësimit të thellë bujqësor nuk ishte i vetmi dallim midis dy fshatrave. Si shumicë dërrmuese e popullsisë, fshatarësia kineze ishte shtylla kurrizore e vendit. Ndonëse pa të njëjtat përmasa në raport me shoqërinë, në Rusi ekuivalenti i saj më i përafërt do të ishte klasa punëtore industriale. Po edhe ajo, pavarësisht se jo aq e demoralizuar sa fshatarësia kooperativiste, në vitet 1980 ishte kthyer në një forcë shoqërore cinike në raport me regjimin, e mësuar tanimë me punë sa për të kaluar radhën dhe produktivitetin e ulët si kompensim për hendekun e madh midis rolit të saj nominal si klasë udhëheqëse e shtetit dhe pozicionit real në hierarkinë e privilegjeve. Në Kinë, ku pas Hopit të Madh Përpara fshatarëve u ishte ndaluar hyrja në qytete dhe u kishin munguar gjithnjë të mirat shoqërore që përfitonin punëtorët e qyteteve, pabarazitë formale midis qytetit dhe fshatit ishin më të mëdha se në Bashkimin Sovjetik. Po ideologjia sunduese nuk u kishte thënë kurrë fshatarëve se ata ishin klasa pararojë e ndërtimit të socializmit. Kishte hendek më të vogël moral midis teorisë dhe realitetit, si dhe shtrirje më të vogël kohore midis shpresës fillestare dhe përvojës së mëpasshme. Pavarësisht gjithçkaje që kishte hequr e pësuar, fshati mbeti rezervuar mbështetjeje për Partinë në pushtet.
Situata ndërkombëtare i mundësoi RPK më shumë liri veprimi. Ajo nuk kishte barrën e një zone satelite të kushtueshme, që kërkonte ushtarë dhe subvencione për t’u mbajtur urtë. Nuk ishte as në pozitë, as u orvat, për të konkurruar me superfuqitë në garën raketore. Sidoqoftë, përtej lirisë prej këtyre pengesave shtrihej marrëdhënia rrënjësisht e ndryshme e Kinës me SHBA. Pas një dekade tensionesh të skajshme me BRSS, në prag të luftës ndërkufitare, Maoja lëvizi drejt një antante me SHBA gjatë Revolucionit Kulturor. Vizita e Nixon-it dhe pasojat e saj, sado spektakolare, mbetën në nivelin e një hapjeje diplomatike, pa fituar dimensione domethënëse më të gjera deri në vdekjen e Maos. Po ajo tregoi se kur u bë kthesa drejt reformimit të brendshëm, konteksti i jashtëm ishte i volitshëm. Miqësia e matur, jo antagonizmi i përllogaritur, kishte krijuar kushtet në të cilat shtabet e kapitalit botëror, bashkë me homologët e tyre lokalë, ishin të përgatitura paraprakisht për të dhënë mbështetje financiare për çdo shenjë lëvizjeje të Kinës drejt tregut. Për herë të parë në historinë e Kinës mungesa e një tëhuajësimi të thellë mes fshatarëve brenda vendit shkonte bashkë me mungesën e kërcënimit të drejtpërdrejtë imperialist nga jashtë.
Për më tepër, ndryshe nga BRSS, RPK nuk rrezikohej së brendshmi nga shpërbërja. Ajo nuk përbëhej nga pesëmbëdhjetë republika dhe nga pikëpamja etnike ishte më homogjene se pjesa më e madhe e vendeve, ndonëse brenda vendit ishte përballur me kombësi rebele – tibetasit dhe ujgurët, çka nuk kishte ndodhur në Rusi prej gjysmë shekulli. Po pesha e tyre brenda popullsisë totale ishte minimale krahasuar me popujt që u ndanë nga BRSS një dekadë më vonë. Në agjendën e PKK kishte më shumë përparësi detyra e rifitimit të Tajvanit, ku Goumindani kishte ndërtuar një fortesë ishullore nën mbrojtjen amerikane dhe që, përveç lulëzimit ekonomik, ende pretendonte se përfaqësonte Republikën e vërtetë të Kinës. Shqetësimi kryesor i Partisë nuk ishte rreziku i shpërbërjes, por problemet e rimarrjes në zotërim.
4
Megjithatë në shtegun e reformave dallimi me gjasë më i madh midis Rusisë dhe Kinës qëndronte në karakterin e udhëheqjes së tyre. Në krye të PKK nuk ishte një funksionar i izoluar dhe pa përvojë, i rrethuar nga ndihmës dhe publicistë të mbushur me një Schwärmerei naiv për çdo gjë perëndimore, por veteranë të stërvitur nga betejat e revolucionit të hershëm, udhëheqës që kishin qenë kolegët e Maos dhe kishin vuajtur gjatë sundimit të tij, por nuk kishin humbur asnjë aftësi strategjike apo vetëbesimin. Ten Hsiao Pini kishte qenë aq fort i nevojshëm për regjimin, saqë Maoja e riktheu në detyrë që sa ishte gjallë. Pas vdekjes së Maos, autoriteti i tij ishte aq i madh, saqë u bë shpejt arbitri i padiskutueshëm i Partisë, pa pasur nevojë ta kërkonte personalisht këtë rol apo të zinte pozitën më të lartë në të. Po ai nuk ishte vetëm. Bashkë me të u kthyen Çen Juni, Bo Ji Boja, Pen Zheni, Jan Shan Kuni e të tjerë, duke formuar një grup kompakt dhe të fortë të barabartësh – “Tetë të Pavdekshmit” – të cilët, pavarësisht mosmarrëveshjeve të shpeshta me njëri-tjetrin, drejtuan bashkë me Ten Hsiao Pinin kursin reformator. Ata ishin kolektivisht në pozitë të fortë duke gëzuar jo vetëm prestigjin që u vinte nga roli që kishin luajtur gjatë Luftës Civile dhe ndërtimit të vendit, por edhe popullaritetin si pasojë e dhënies fund të Revolucionit Kulturor, i cili ishte pritur si lehtësim nga qytetet.
Në përballimin e situatës ku e kishte lënë vendin Maoja, kjo udhëheqje, me në krye Tenin, kishte mbetur revolucionare siç kishte qenë gjithmonë. Temperamenti i tyre ishte leninist: radikal, i disiplinuar dhe me imagjinatë – i aftë edhe për durim taktik e eksperimentim të matur, edhe për iniciativat më të guximshme dhe ndryshimet më dramatike të kursit. Kjo ishte fryma që kishte karakterizuar Marshimin e Madh dhe Luftën Civile. Tani po e përdornin për të dalë nga qorrsokaku ku e kishte futur Kinën Revolucioni Kulturor. Në këtë detyrë ata ishin krejt të vetëdijshëm për transformimin e mjedisit, ndryshe nga funksionarët e PKBS, të cilët ishin në krye të një shoqërie më të përparuar. Evropa Perëndimore ishte sigurisht më e pasur dhe e zhvilluar se Rusia, por e tillë kishte qenë gjithmonë, dhe dallimi midis normave të rritjes së tyre – vitet 1970 dhe fillimi i viteve 1980 u karakterizuan nga kurba rënëse në Komunitetin Evropian – nuk ishte aq i madh sa t’i shkundte sundimtarët sovjetikë, madje as në fillim të qeverisjes së Gorbaçovit, për të rimenduar supozimet bazë mbi të cilat ishte ndërtuar suksesi i shtetit.
Nga ana tjetër në Azinë Lindore Japonia kishte thyer të gjitha rekordet historike me rritjen e saj të shpejtë ekonomike nga vitet 1950 e tëhu – duke ia kaluar me distancë të madhe jo vetëm Evropës, por edhe SHBA. Kjo rimëkëmbje spektakolare e një ekonomie të bërë pluhur e hi në fund të Luftës së Dytë Botërore – krijimi i industrive eksportuese hiperkonkurruese dhe një shoqërie konsumi tërësisht të modernizuar – e nxirrte në dritë të keqe varfërinë relative dhe autarkinë e Kinës, pavarësisht zhvillimit substancial gjatë sundimit të Maos. Madje Japonia nuk ishte e vetme mes fqinjëve të suksesshëm. Në fund të viteve 1970 Koreja e Jugut ishte industrializuar me një hap tejet të shpejtë nën sundimin e Park Çung Hisë dhe, ç’ishtë më poshtëruesja, regjimi i Guomindanit në Tajvan nuk mbetej shumë mbrapa. RPK nuk mund t’i shmangej kësaj trysnie. Një dekadë më vonë, në kulmin e krizës ekonomike të 1989, Teni e artikuloi fort atë. Pasi vuri në dukje se Kina kishte qenë e izoluar prej shumë kohësh dhe për pasojë “nuk kishte se si të zhvillohej ekonomia, të rritej niveli i jetesës dhe të fuqizohej vendi”, ai vazhdoi: “Këto kohë bota po rend me galop përpara, një milje në minutë, sidomos në shkencë dhe teknologji. Ne mezi mund ta mbajmë ritmin.”[5]
Detyra e mbylljes së hendekut midis komunizmit në Kinë dhe kapitalizmit në Azinë lindore përbënte një agjendë të frikshme për çdo program reformash. Po të Pavdekshmit nuk u stepën. Ata e përballuan atë me një energji që vinte jo vetëm nga momentumi, ende aktiv, i revolucionit që kishin kryer, por edhe nga vetëbesimi mijëvjeçarist, i goditur për një shekull por i pathyer, i qytetërimit të vazhdueshëm më të vjetër në botë. Për mirë a keq, dinamizmi i Maos kishte qenë një prej shprehjeve të rikuperimit të këtij vetëbesimi, ashtu si Epoka e Reformave të Tenit. Dallimi midis Rusisë dhe Kinës qëndron në këtë vetëbesim historik.
5
Që prej fillimit carizmi kishte pasur ideologjikisht një damar të hollë mesianizmi, që iu tejçua elitës ruse dhe me kohën përfshiu edhe inteligjencien – nocione se Rusia ishte Roma e Tretë, shpëtimtarja e sllavëve, shëlbyesja e njerëzimit nga materializmi perëndimor. Në shekullin përpara Revolucionit versione të këtij damari mund të gjendeshin te Aksakovsi, Dostojevski, Rozanovi dhe Bloku. Po ky ishte një mekanizëm kompensimi. Siç e dinin të gjithë rusët, Rusia mbetej një cep i prapambetur i Evropës, e frikshme vetëm për shkak të përmasave të saj. Perëndimorizimi, i zhveshur nga dobësitë fetare dhe etnike, kishte qenë vizioni udhëheqës i sundimtarëve të saj më të mëdhenj, Pjetri dhe Katerina, dhe në njërin prej varianteve të tij – liberale ose radikale – i pushtoi elitat dhe inteligjencien në fillim të shekullit XX. Megjithatë mbeti dëshira e zjarrtë për një mision të veçantë të Rusisë, që shkonte deri në skizofreni, çka është e dukshme deri sot. Leninizmi i dha zgjidhje kësaj ndarjeje në mentalitet duke i shpallur luftë prapambetjes ruse jo duke imituar në mënyrë të dëshpëruar Perëndimin, por duke u revoltuar kundër tij, i shtyrë nga kritikat më të thella që Perëndimi i bënte vetes.
Në kohën e Stalinit, Lufta e Dytë Botërore dhe pasojat e saj sollën në rikthimin e nacionalizmit rusomadh, me mekanizmat e tij mbrojtës, ndonëse kjo kishte bashkekzistuar gjithmonë me temat marksiste. Ky shovinizëm ra pas Stalinit, pa ndonjë alterntaivë zëvendësuese reale. Prushi i internacionalizmit, ende ekzistues në kohën e Hrushovit, u shua shpejt, duke lënë pas vakumin ideologjik të brezhnjevizmit. Në kohën e perestroika-s jo vetëm thuajse gjithë inteligjencia, por edhe elementë brenda elitës sunduese, të brengosur nga stanjacioni i vendit, ishin konvertuar në çka mund të konsiderohet historikisht si pozicioni ideologjik i perëndimorizimit – ndonëse kësaj here më shumë në një frymë poshtërimi sesa ambicieje.
Traditat gjeo-kulturore të Kinës ishin të ndryshme. Mbretëria e Mesit e kishte mbisunduar botën e njohur që prej unifikimit të saj nga perandori i parë, në kohën e Luftërave Punike në Perëndim; e pushtuar nganjëherë, por e parivalizuar kurrë nga ndonjë shtet tjetër në rajon, ajo kishte qenë gjithmonë fuqia më e madhe, e pasur dhe e përparuar, të cilës të tjerat duhej t’i paguanin haraç, pa pasur shpresë për marrëdhënie të barabarta. Gjatë sundimit të Çinëve perandoria ishte shtrirë më shumë se kurrë duke arritur thellë në Azinë Qendrore. Ideologjia e dinastive pasuese kishte ndryshuar – kultet e Mançuve ishin më heteroklite se të tjerat – por nuk kishte ndryshuar mëtimi perandorak për mbisundim absolut ndaj sundimtarëve më të vegjël, pranë ose larg. Kina ishte qendra dhe maja natyrore e qytetërimit.
Në shekullin XIX ndërhyrja perëndimore i hodhi tutje këto mëtime të vjetra. Me t’u kuptuar se monarkia po binte prej goditjeve nga brenda e jashtë, intelektualët e kohës – boshti i administratës perandorake – u alarmuan gjithnjë e më shumë; me dështimet e para të republikës së re, ata nisën të reagonin radikalisht. Rryma të ndryshme u kryqëzuan në kulturën e 4 Majit, që u kristalizua rreth protestave studentore të vitit 1919 kundër kërkesave të Japonisë ndaj Kinës dhe mbështetjes që iu jepte Traktati i Versajës. Po vrulli i saj qendror u drejtua kah shkatërrimi i plotë i konfucianizmit të skribëve, që kishte qenë doktrina sunduese në rendin politiko-shoqëror dhe kuadrin moral të jetës arsimore të Kinës që prej epokës së Hanëve. Në pak prej tij nuk kishte mbetur thuajse asgjë: një fitore të tillë nuk e kishin arritur kundërshtarët e asnjë besimi apo feje tjetër botërore – krishterim, islam, hinduizëm, budizëm – që kishte pasur një pozitë të ngjashme në kuadrin ideologjik të qytetërimeve të vet.[6] Sulmi ndaj të shkuarës kineze, që herë pas here ishte kryer me pasion nga Liang Çi Çaoja, u krye në mënyrë të pakompromistë dhe të gjithanshme nga Çen Du Ciu, ylli polar intelektual i revistës “Rinia”.[7]
Furia e këtij refuzimi të traditave vendase, krejt e pangjashme me ndjeshmëritë e kohës në Japoni, nuk pasqyronte – edhe në këtë rast ndryshe nga Japonia – ndonjë tundim të thellë për Perëndimin. Në Kinë praktika grabitqare e fuqive perëndimore ishte tejet e dukshme për të mundësuar një zapadnichestvo (perëndimorizim, sipas termit rus. – shën. përkth.). Masakrimi reciprok në Evropë gjatë Luftës së Parë Botërore u mësoi aziatikëve grykësinë imperialiste, kurse martesa e tyre në Versajë ndezi lëvizjen e 4 Majit. Pas kolapsit të sistemit të provimeve, tipar karakteristik i kësaj inteligjencie ishte neveria ndaj të shkuarës tradicionale dhe urrejtja ndaj të tashmes kapitaliste, të cilat ndërthureshin në Kinën e sunduar nga zotërinjtë e luftës. Mendja më e madhe mes tyre, Lu Cuni, i shprehu në mënyrë të paharrueshme këta dy komponentë. Pa mohuar se kishte diçka me vlerë në secilin sistem – në frymën e hidhët të Montaigne-it, ai i nxiste bashkëkombasit e tij të merrnin ç’kishin të mirë këto dy sisteme, sipas një piraterie “haptiste” – ai mbeti një armik i papajtueshëm i të dyjave. Po ekstremizmi i pozicioneve të tij buronte nga fuqia e kulturës që kritikonte.
Maoja, që e admironte Lu Cunin, mësoi prej këshillave të tij, duke i shndërruar mohimet e tij në një sintezë pozitive të një marksizmi të kinezuar, njëkohësisht përthithës më sistematik i subversioneve intelektuale nga Perëndimi dhe i lidhur më thellësisht me traditat politike të së shkuarës perandorake – Maoja e shkroi librin “Mbi kontradiktat” në shpellat e Jananit; linte pas dore detyrat shtetërore në kulmin e pushtetit të tij për të rilexuar kronikat e Sima Guangut. Lu Cuni nuk e njihte materializmin dialektik dhe nuk i pëlqenin analet e autokracisë. Po liberalët e sotëm, të cilët i urrejnë të dy këta burra, nuk e kanë gabim që gjejnë lidhjen midis “totalizmit” të kritikut dhe “totalitarizmit” të sundimtarit. Secili, sipas mënyrës së vet, mishëronte një përgjigje kineze ndaj krizave të vendit, përgjigje të cilat karakterizoheshin nga një energji krijuese që nuk kishte shoqe në Rusi pas mesit të viteve 1920 dhe që ushqeheshin nga burimet e thella të një kulture që ishte edhe shumë më e vjetër, edhe më e kërcënuar nga sundimi i huaj. Energji të ngjashme vepronin në mënyrë produktive ose të pervertuar prej lëvizjes së 4 Majit në Revolucionin Kulturor. Prej 1919 në 1949 – besim te mohimi; pastaj te revolta. Prej 1958 në 1976 – mbibesim te ndërtimi; pastaj te shkatërrimi; Në fund, pas 1978 – besim te reforma dhe rindërtimi.
6
Shkalla e sigurisë së brendshme me të cilën senatorët e vjetër të revolucionit u përballën me problemet gjeti shprehje të hershme në mënyrën se si ata trajtuan të shkuarën dhe të ardhmen e Partisë. Në Rusi destalinizimi ishte akti sensacional por i fshehtë i një udhëheqësi të vetëm, Hrushovit, i cili e kishte shtangur kongresin XX të Partisë me një fjalim që denonconte krimet e Stalinit, por që më parë nuk ishte konsultuar me askënd. Me emocione dhe anekdota, pa shpjeguar më tej se si u bënë të mundura shtypjet që ai raportoi në mënyrë të përzgjedhur, por duke mbetur në eufemizmin burokratik të “kultit të personalitetit”, ky fjalim i përçartur nuk u botua kurrë zyrtarisht; as u pasua nga ndonjë dokumentim apo analizë më substanciale nga udhëheqja e kohës ose e mëvonshme, deri përpara perestroika-s.
Teni dhe kolegët e tij morën një rrugë krejt të ndryshme. Rreth 4000 zyrtarë partie dhe historianë shqyrtuan Revolucionin Kulturor dhe pas diskutimeve një grup prej 20-40 vetësh hartoi një draft të distiluar prej 35,000 fjalësh nën mbikëqyrjen e Tenit, çka u miratua si rezolutë e Komitetit Qendror të PKK në qershor 1981. Ndonëse nuk përbënte një shpjegim të plotë të Revolucionit Kulturor – për të cilin u njoh përgjegjësia e Maos, “në masë të madhe dhe për një kohë të gjatë”, por u kufizua në shtypjen brenda partisë dhe jo në popullsi – kjo rezolutë dha një shpjegim të arsyetuar të tij, përtej keqbërjeve të një personi: traditat e veçanta të një partie rruga e të cilës drejt pushtetit e kishte mësuar me luftën e ashpër klasore, si ta kishte këtë të fundit detyrë permanente; efekti shtrembërues i konfliktit me BRSS, që e intensifikoi frikën nga revizionizmi brenda; dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, “ndikimi i keq ideologjik e politik i shekujve të autokracisë feudale”. Ndryshe nga denoncimi i Hrushovit, rezoluta e pranonte bashkëpërgjegjësinë e Komitetit Qendror për sundimin e autokratit modern dhe nuk u orvat ta mpakte kontributin e tij në tërësinë e Revolucionit Kinez.
Qasja e të Vjetërve ishte e ndryshme edhe në raport me të ardhmen. Në BRSS Hrushovit nuk i shkonte ndër mend se si do ta transferonte pushtetin. Ata që e përjashtuan, me Brezhnjevin në krye, iu qepën karriges deri në senilitet. Në gerontokracinë e paralizuar të PKBS brezat e rinj shiheshin më shumë si kërcënim sesa me shpresë dhe vetëm vdekja mund të sillte rinovim të udhëheqjes. Duhej të vdisnin tre Sekretarë të Përgjithshëm brenda tre viteve, të tre në të shtatëdhjetat, përpara se punët t’i merrte në dorë një politikan më i ri. Nga ana tjetër në PKK të Vjetrit nuk vuanin nga kjo pasiguri. Ata nuk humbën kohë në kalimin e stafetës. Dy vjet pasi kishin rimarrë pushtetin, ua deleguan ushtrimin e detyrave të përditshme zyrtarëve poshtë tyre, ku Hu Jao Bani e emërua në krye të Partisë dhe Zhao Zi Jangu në krye të qeverisë.
7
Epoka e Reformës nisi – ndonëse jo si pikë kohore, por si efekt substancial – me shndërrimin e marrëdhënieve me tokën. Fillimisht u rritën çmimet e blerjes së drithërave. Më pas, përgjatë një procesi që u shtri anembanë vendit pas suksesit që pati në provincat e Anhuit dhe Siçuanit, u likuiduan komunat popullore dhe përdorimi i tokave të tyre u nda me kujdes midis familjeve fshatare në përbërje të tyre, duke u dhënë fshatarëve kontrollin e tokës për të prodhuar ç’të donin pasi kishin shlyer detyrimet ndaj shtetit. “Sistemi i përgjegjësisë së ekonomisë shtëpiake” që u vendos më pas ishte një reformë e dytë agrare, po aq barazimtare sa e para, por mjaft më e favorshme për prodhimin fshatar. Stimujt e rinj sollën rritje të produktivitetit; inputet e punës ranë dhe u rritën të korrat, kurse prodhimi bujqësor kërceu me një të tretën. Reduktimi i kohës së punës për lërimin e tokës solli përhapjen e shpejtë të industrisë rurale – tekstile, tulla e të tjera si këto. Për pasojë kishim një rritje të të ardhurave fshatare nga 30 në 49% të të ardhurave kombëtare brenda pak viteve, nga 1978 në 1984.
Ndryshe nga ç’ndodhi në Rusi, në sektorin industrial nuk pati një ndryshim të beftë të sistemit qendror të shpërndarjes. Ndërmarrjeve shtetërore iu lejua dalëngadalë të vendosnin çmime tregu për produktet e tyre përmbi kuotat që u caktonte plani dhe të cilat shiteshin me çmime fikse – duke u dhënë menaxherëve, ngjashëm me fermerët, stimuj për të prodhuar me fitim jashtë sistemit zyrtar të dorëzimeve, pa e çmontuar këtë të fundit. Me mirëtestimin e këtij modeli të dyfishtë çmimesh, përmasat e planit mbetën në vend, duke lejuar rritje industriale të mëtejshme jashtë kornizave të tij. Në praktikë shteti po ua jepte ndërmarrjet me qira menaxherëve sipas një kontrate, ashtu sikundër fshatarët kishin marrë tokën me qira tridhjetë vjeçare nga shteti, i cili mbeste pronari i mbarmë i saj.
Me këto rregullime, për më se pesëmbëdhjetë vjet sektori më dinamik i ekonomisë ishte një formë hibride e veçantë e “ndërmarrjeve të qytezave dhe fshatrave (TVE)” – firma që ndodheshin midis formës shtetërore, kolektive dhe private të pronësisë, të cilat përfitonin nga taksat e ulëta dhe huaja e lirë nga organet e qeverisjes vendore, brenda të cilave kishin shpesh zë – që shpërthyen në degët më të thjeshta të industrisë me një shpejtësi marramendëse dhe sukses mbresëlënës. Prej fillimit të reformave deri në mes të viteve 1990 prodhimi i industrisë rurale u rrit me një normë vjetore prej 20%, punësimi në TVE u rrit më shumë se katërfish nga 28 në 135 milionë dhe pjesa e tyre në PBB nga 6 në 26%.[8] Fenomeni tejet fitimprurës i TVE-ve u injorua nga të gjithë reformatorët rusë gjatë perestroika-s. Mes gjithë kontrasteve ndërmjet ndryshimeve të dy ekonomive, performanca e tyre përbën antitezën më dramatike me rënien e shpejtë sovjetike në çindustrializim.
Rritja spektakolare e TVE u bazua, sigurisht, në furnizimin e pakufishëm me fuqi punëtore të lirë, që i mungonte BRSS. Përmes saj RPK për herë të parë përfitoi plotësisht nga përparësia e saj kryesore, të cilën modeli i mëhershëm i industrializimit, i frymëzuar nga sovjetikët – që fokusohej në investimet kapital-intensive në industrinë e rëndë – e kishte lënë pas dore, pavarësisht domosdoshmërisë së asokohshme. Përmbysja e këtij modeli duke u dhënë përparësi investimeve punë-intensive në industrinë e lehtë, u mundësoi TVE një avantazh krahasimor të jashtëzakonshëm: në fund të viteve 1980 raporti i punës me kapitalin fiks në to ishte nëntë herë më i madh se në ndërmarrjet shtetërore. Edhe këto të fundit përfituan nga rritja e TVE-ve, fitimet e të cilave shtuan kursimet e fshatarëve, të cilat paskëtaj rrodhën përmes bankave shtetërore në rritjen e investimeve në ndërmarrjet e mëdha shtetërore, duke i ripajisur dhe modernizuar ato.
Një tjetër tipar i zhvillimit kinez i bazuar në trashëgiminë paradoksale të Revolucionit ishte niveli shumë i lartë i kursimeve rurale. Faktor përcaktues i tyre ishte kombinimi i kufizimit tradicional të paketës së kujdesit të plotë shëndetësor në qytete, shpërbërjes në fshatra të komunave që kishin siguruar shërbimet sociale, më të pakta por reale, dhe efekteve të politikës së lindjes së vetëm një fëmije për të frenuar rritjen demografike. Pa sigurinë që ofronte shteti ndaj fatkeqësive apo perspektivën e sigurt të mbështetjes familjare nga brezi i ardhshëm, familjet fshatare nuk kishin alternativë tjetër përveçse të kursenin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave, pavarësisht rritjes së konsumit. Shteti përfitoi dyfish. Ndryshe nga homologu sovjetik, ai kursente shpenzimet e kujdesit social për pjesën më të madhe të popullsisë dhe e kishte të lehtë të siguronte fondet e nevojshme për të financuar programin e modernizimit.
Kapitali mund të gjendej edhe në një burim tjetër. Që prej viteve 1979-1980 u hapën Zona Ekonomike Speciale përgjatë bregut perëndimor për të thithur investime nga diaspora kineze, ku synohej pasuria e Hong Kongut, Tajvanit dhe Azisë juglindore. Pas një nisjeje të ngadaltë, politika e dyerve të hapura ndaj sipërmarrësve të huaj solli frytet e saj. Të mikluara nga privilegjet, mungesa e tarifave doganore dhe fuqia e lirë punëtore, firmat e diasporës u turrën në Kinë duke sjellë me vete teknologji përtej kapacitetit përthithës të TVE-ve, sidomos në përpunimin për eksport. Kësisoj Kina mundi të përfitonte nga përvoja dhe asetet e akumuluara të kapitalizmit të diasporës për të hyrë në tregun botëror si një qendër manifakturuese me kosto të ulët për punën montuese; me kalimin e kohës, sidomos në mallrat elektronike dhe ato elektrike, si lavatriçe dhe frigoriferë. Ky përbënte një avantazh rajonal që ekonomia sovjetike, pavarësisht mundësive të saj të tjera, nuk mund ta kishte.
Së fundi, reformat kineze përfituan thelbësisht nga decentralizimi i kontrollit shtetëror të ekonomisë, që ishte një nga tiparet më të frytshme të trashëgimisë maoiste. Kjo nënkuptonte jo vetëm rikonfigurimin e një perandorie planifikuese më të vogël, me më pak takëme sfilitëse kuotash dhe direktivash, edhe faktin që vendi kishte në provincat e veta një rrjetë qendrash autonome të aktivitetit ekonomik. Me të shpëtuar më tej nga ndërhyrja e Pekinit, organet vendore i dhanë gaz duke vendosur stimuj për rritje investimesh dhe përshpejtim të rritjes ekonomike brenda juridiksioneve të tyre. Me kohën kjo solli edhe mjaft iracionalitete: dublime industrish, gjigandomani veprash publike, shpërthim të proteksionizmit lokal; për të mos folur për dobësimin fiskal të qendrës pasi autoritetet lokale konkurronin me njëra-tjetrën për rezultatet më të mira. Po pavarësisht egjrave, konkurrenca midis provincave në Kinë, ngjashëm me rivalitetin e dikurshëm midis qyteteve në Itali, ishte dhe mbetet burim vitaliteti ekonomik. Nominalisht Rusia edhe sot është federatë; por fushat e saj të gjera e të njëtrajtshme nuk kanë prodhuar kurrë identitete të forta rajonale dhe qeveria mbetet e centralizuar si gjithmonë. Kontrasti me Kinën është themelor. Jo në kushtetutë, por në realitetin tregtar Republika Popullore e sotme ka një federalizëm po aq dinamik sa SHBA.
Vijon
E përktheu Arlind Qori
Marrë nga revista New Left Review, nr. 61, janar-shkurt 2010
Imazhi: Sutori
[1] Në mënyrë mohore, kolektivizimi dhe spastrimet patën një efekt të ngjashëm në sistemin politik: katastrofa që sollën rinovime, aty ku do ta lejonin dështimet e Hopit të Madh Përpara dhe Revolucionit Kulturor.
[2] Për çmontimin e partisë, shih Stephen Kotkin, Armageddon Averted: The Soviet Collapse 1970-2000, Oxford 2001, ff. 76-81; për kaosin monetar, përhapjen e këmbimit mall me mall dhe grabitjen e përshkallëzuar të aseteve publike gjatë ecurisë së perestroika-s, shih David Woodruff, Money Unmade: Barter and the Fate of Russian Capitalism, Ithaca 1999, ff. 56-78, dhe Andrew Barnes, Oëning Russia: The Struggle over Factories, Farms and Power, Ithaca 2006, ff. 43-67.
[3] Vepra themelore e Peter Nolan-it China’s Rise, Russia’s Fall: Politics, Economics and Planning in the Transition from Stalinism, Basingtoke 1995, ff. 110-59, bën krahasime të rëndësishme dhe njëkohësisht është një prej kritikave më të mira dhe të forta të perestroika-s. Një reflektim me keqardhje për dështimin e “ndezjes së një revolucioni kapitalist” është ai i Minxin Pei-t, From Reform to Revolution: The Demise of Communism in China and the Soviet Union, Cambridge, MA 1994, ff. 118-42.
[4] Barry Naughton, Growing out of the Plan: Chinese Economic Reform, 1978-1993, New York 1995, ff. 41-42.
[5] The Tiananmen Papers, New York 2001, f. 327.
[6] Për një analizë kritike, shih artikullin e Mark Elvin-it, “The Collapse of Scriptural Confucianism”, në librin Another History: Essays on China from a European Perspective, Honolulu 1996, ff. 352-89.
[7] “Ku janë babilonasit sot? Ç’u hyn në punë kultura e tyre sot?” – pyeste ai: Jack Gray, Rebellions and Revolutions: China from the 1800s to 2000, Oxford, f. 195.
[8] Naughton, The Chinese Economy: Transitions and Growth, Cambridge, MA 2007, ff. 83, 274-6.
One comment