/Klodi Leka/
Pikërisht të dielën Zoti nisi me krijimin e tokës e të gjithçkasë. Ai tha: le të bëhet dritë dhe drita u bë, duke nxënë formë dhe materie në eterin e territ. Për patriarkët e Kishës, e diela nuk është veç dita e parë, por edhe dita e fundit, ngaqë përveç të dielës së parë të Krijimit, në të dielën e dytë Krishti u ngjall prej vdekjes. Të dielën e dytë, bota e mykët e mëkatit dha shpirt, duke zënë fill Koha e Re ku ne vazhdojmë të jetojmë. Mirëpo ishte një kushëriri ynë, Kostandini i Madh që, përmes dekretit të 3 marsit 321, bekoi të dielën si ditë të lirë në krejt Perandorinë Romake.
Deri në fundshekullin e XIX e diela respektohej si e tillë në botën perëndimore për shkak të dominimit të religjionit katolik në gjeografinë e saj, si një lëshim ndaj besimit. Por lëvizjet masive sindikale, përmes angazhimit të fuqishëm për të drejta sociale, e laicizuan atë. E diela u zyrtarizua si njëzet e katër-orëshi i ndalimit të rrotës së mundimit, i gjumit deri në drekë, i të kaluarit kohë me familjen, i birrës në pijetore. Kisha, sigurisht, nuk qe fort e lumtur për këtë. Ajo argumentonte se e diela duhej të kuptohej jo si kohë e lirë për argalisje, por si shngarkesë prej punëve njerëzore për t’u përkushtuar pas jetës shpirtërore. Pra për të shkuar në kishë, jo për të lozur bilardo.
Sidoqoftë, pakkush më bukur se dy poetët italianë e ka kënduar te dielën jo si Ditë të Zotit, por si Ditë të Punëtorit të liruar prej rripave të transmisionit. I pari, Fabrizio De Andre, e poetizon të dielën si “ditë të kufomave, ku një gaz qesharak mbulon rrugët dhe merr me vete të gjitha mendimet”. Po kështu edhe Pier Paolo Pasolini kur thotë se “sot është e diel, ndërsa nesër vdiset, me mëndafsh e dashuri unë sot vishem”. Për njerëzit që i japin gjysmën e jetës, kohës e fuqisë fabrikave, e diela është një përjetim i shkurtër i shoqërisë pa klasa, ndërkohë që prej të hënës e deri në të shtunë njeriu vazhdon të vdesë në ingranazhet e punës së pashpërblyer.
Megjithatë, këtë të diel të shekullit XXI ka njerëz që nuk e kanë pasur kurrë luksin të jenë bij të Zotit a të Sindikalizmit, bij të së Dielës. Këta janë fqinjët e mi, të cilët lëvizin me potere si një arsye absolute në errësirë, akoma pa u bëzajt: “le të bëhet dritë!” L., bukëpjekës, çel grilat e furrës që pa gdhirë. G., argat në kantier, kollitet fort, duhani është sheldije e egër, buka e mbështjellë në gazetë. J., tregtare, u jep këmbëve të kapë furgonët e mallrave. Z., dyqanxheshë. R., i zoti i kafehanes së vogël, ndez ekspresin, i zbehtë e i pagjumë si një apostull. M., ime më, me tridhjetë e tre vjet punë të shënuara në librezë, aq sa mosha e birit të hyjit, për lavdinë e të cilit e diela u bë e diel, këqyr motin në penxhere.
Për këta njerëz bota nuk ka reshtur kurrë së krijuari, dekreti i Kostandinit nuk është shpallur kurrë dhe kurrë nuk ekzistoi diçka si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Janë ata, jeta dhe vdekja, si dhe ngulja e përditshme në hu. Këta njerëz janë bash kuptimi më radikal i së dielës si ditë e Krijimit dhe Ringjalljes: ata nxitojnë të ri-krijojnë jetën të pagjumë e përplot shqetësim, a thua se janë profetë të porositur nga lart për ta mundur të keqen ditë për ditë. Dhe vërtet, nëse ata nuk do të çoheshin në këmbë, terri do ta zvetënonte dritën dhe jeta do të qe më e mjerë. Ata vënë në kryq jetën e tyre për jetën e të gjithëve, pa marrë në këmbim as edhe një falënderim, e lëre më një ungjill.
Ironikisht, këta njerëz janë edhe pensionistë, pra subjekte të së dielës – që supozohet të jetojnë me hir e paqe muzgun e tyre – por të diel nuk kanë. Sepse skizo-kapitalizmi dhe varfëria nuk njohin as Zot, as Kostandin dhe as Deklaratë Universale të të Drejtave të Njeriut. Për ta, e diela është thjesht një ditë si gjithë të tjerat.
Imazhi: Edvard Munch “Punëtorët kthehen në shtëpi”, Wikimedia Commons
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.