FC St. Pauli: Ultrasit antifashistë

/Chris Haseen/

St. Pauli është një ekip profesional futbolli i kategorisë së dytë nga distrikti i portit të qytetit të Hamburgut në Gjermani. Distrikti historik i qytetit njihet ndryshe si zona e “dritave të kuqe” (prostitucionit), që nga koha kur detarët kishin mundësi të shijonin disa momente pasioni gjatë periudhës së lejes. 

Skuadra lokale, St. Pauli, e themeluar në vitin 1910, në zanafillat e saj ishte thjesht një skuadër e zakonshme me prirjen për të ndjekur politikat zyrtare të Gjermanisë fashiste. Stadiumi i tyre mbante emrin e Wlhelm Koch-it, një prej presidentëve të klubit, i cili ishte njëkohësisht anëtar i Partisë Naziste.
Në vitet 1980 përbërja dhe orientimi politik i tifozëve ndryshoi për shkak të përfshirjes së portierit të skuadrës  në zaptimin e njërës prej shtëpive pranë bazës së ekipit. Ai tërhoqi pas të tjerë zaptues si dhe mbështetës të majtë. Në stadiume binin në sy sepse në vend të birrës tymosnin, ndërsa në vend të flamujve të skuadrës valëvisnin flamuj me yll të kuq ose të kuq.

Shumë shpejt tifozët filluan të kërkonin ndryshime: emri i stadiumit u ndryshua nga Wilhelm-Koch-Stadium në historikun Millerntor Stadium. Ç’është më e rëndësishmja, St. Pauli u bë ekipi i parë evropian më një kod disiplinor për paraqitjen në stadium. Kodi ndalonte thirrjet raciste, fashiste, seksiste ose homofobe. Kush nuk i përmbahej kodit, ndalohej të vinte përsëri në stadium. Kodi i krijuar nga St. Pauli sot është përqafuar nga shumë ekipe të tjera në Gjermani. 

Në stadiumet evropiane po zhvillohet një betejë serioze – e shpjegueshme nëpërmjet diskutimit gramshian mbi betejën për hegjemoninë kulturore – midis huliganëve të djathtë dhe ultrasve të krahut të majtë. Ndërkohë që në të shkuarën në ndeshjet e futbollit sharjet raciste dhe seksiste, imitimi i majmunëve dhe hedhja e bananeve në drejtim të lojtarëve me prejardhje afrikane ishin krejtësisht normale dhe të pranueshme, sot të tilla po hasin gjithnjë e më shumë sjellje në kundërshtinë e ultrasve.

Që nga mbërritja e më shumë se 1 milion refugjatëve në vitin 2015 – kryesisht nga Siria dhe Afganistani – politika në Gjermani është dominuar nga një valë e grupimeve nacionaliste dhe raciste, nëpërmjet të cilave, për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, partia neofashiste Alternative für Deutschland arriti të futet në parlament. 

Grupimet e majta e kanë fokusuar aktivitetin e tyre në dy boshte kryesore: solidariteti me refugjatët dhe konfrontimi (edhe fizik) me grupimet e ekstremit të djathtë kudo që ata shfaqen. FC St. Pauli ka qenë një prej organizatave më të vendosura dhe aktive në mbështetjen e refugjatëve në Hamburg.

Brenda strukturës së përgjithshme klubi ka disa nënndarje. Njëra prej tyre është klubi i refugjatëve Fc Lampedusa (i emëruar pas ishullit italian ku zbarkuan mijëra refugjatë). Klubi ishte tepër aktiv në organizimin e sigurimit të veshmbathjeve dhe ushqimit ditët e para pas arritjes së refugjatëve. Përveç mbështetjes ligjore, mjekësore dhe sociale, klubi vendos në dispozicion edhe hapësirat e stadiumit për mundësimin e të gjitha këtyre aktiviteteve. Kur gazetat “e verdha” tentuan të organizonin të gjitha skuadrat për të veshur një fjongo të verdhë, në shenjë “solidariteti” me refugjatët, klubi jo vetëm që nuk iu bashkua nismës, por e akuzoi shtypin  “e verdhë” për hipokrizi. 

Klubi gjithashtu nisi të mblidhte para për të financuar një nga barkat e shpëtimit në Mesdhe.
Aktiviteti antifashist vështirë se mund të matet nga ana sasiore, megjithatë kur ka demonstrata dhe marshime kundër grupeve të ekstremit të djathtë, ultrasit e St. Pauli-it marrin pjesë gjithmonë. 

Maratona kundër fashizmit

Aktiviteti i përvitshëm më i njohur, që organizohet nga një tjetër degë e mbështetësve të klubit, është Vrapimi Kundër të Djathtës, një maratonë bamirësie rreth 7.4 km që mbahet përqark liqenit të Hamburgut në një të diel maji.

Të gjitha kontributet shkojnë për një aleancë të organizatave antifashiste, të cilat i përdorin paratë për të organizuar demonstrata, evente të tjera dhe publikime. Më shumë se 2000 njerëz mblidhen së bashku për të kontribuar në lëvizjen antifashiste dhe për të shfaqur solidaritetin ndaj viktimave të racizmit.

Të jesh anëtar i ultrasve të St. Paul-it do të thotë të jesh antiracist, antifashist, antiseksist, antihomofob – stadiumi Millerntor është i vetmi në Evropë në të cilin valëvitet një flamur me ngjyrat e ylberit – dhe, më kryesorja, të jesh kundër komercializmit të futbollit. 

Mbështetësit e klubit organizojnë një sërë veprimtarish të tjera përparimtare. Disa prej tyre ndihmojnë të pastrehët; të tjerë financojnë puset e ujit në vendet afrikane; dega e hendbollit ka partneritet me një akademi hendbolli në Ruandë; një tjetër grupim financon një librari në një fshat në Ganë.

Që me krijimin e brendit të ekipit, St. Pauli u shndërrua në një prej klubeve më të mëdha në Gjermani. Veshja e një bluze me logon e klubit (kafkë dhe kocka) është akt politik, njëlloj si veshja e një bluze me siluetën e Çe Gevarës. Në mediat sociale, St. Pauli shquhet për administrimin e faqeve si “Mbështetësit e St. Paulit kundër të djathtës”, faqe e cila është shumë më e suksesshme krahasuar me faqe të ngjashme. Hegjemonia kulturore në futboll ka anuar majtas dhe faktor madhor janë pikërisht përpjekjet e FC. St. Paul-it.

“Mirë se vini refugjatë – Luftojmë fashizmin!”

E përktheu Frenklin Elini

Marrë nga revista Against the Current

Imazhi: Thomas Bielefeld

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.