Edi Rama, ky Sali e shkuar Saliut, në kërkim të mandatit të t(r)etë

/Xhuliano Bregasi/

Ndërkohë që kisha nisur të shkruaja këta rreshta, përmes të cilëve do të përpiqem të tregoj se sa identike dhe në përkeqësim të mëtejshëm janë politikat e ndjekura nga të gjitha partitë/qeveritë në këta 30 vjet, Edi Rama shpalli pretendimin për mandatin e tij të tretë qeverisës. Po pse të tretë dhe jo të gjashtë, për shembull? I lartpërmenduri ka drejtuar për tre mandate Bashkinë e Tiranës, bashkinë më të rëndësishme në vend dhe paradhomën për t’u bërë kryeministër, si dhe për dy mandate qeverinë. Nëse kërkon mandat të radhës, i bie të jetë i gjashti dhe jo i treti.

Të shumtë janë ata që janë zhgënjyer prej qeverisjes së Edi Ramës. Iluzionet e krijuara prej premtimeve të para 2013-s u kthyen shumë shpejt në makthe. Kjo ka ndodhur jo veç për faj të Ramës, por sidomos prej atyre që besuan çdo pallavër elektorale të tij; edhe më keq prej atyre që vazhdojnë ta ruajnë besnikërinë e verbër veç për inat të Saliut: prej shtatë vjetësh Rama e ka hedhur tutje këmishën e bardhë elektorale dhe ka veshur kostumin më të zi të Berishës.

Për të kuptuar qëllimet e qeverisjes së Edi Ramës dhe atë që do ta priste këtë vend, nuk nevojitej të kalonin shtatë vjet. Mjaftonte të dëgjoje një intervistë të Mimi Kodhelit, Ministres së Mbrojtjes së “Ramës I-rë”, pak muaj pas ardhjes në pushtet. I perifrazuar, ky është një pasazh nga biseda e saj me gazetaren:

“Gazetarja: – Si e trashëguat situatën e pronave të Ministrisë së Mbrojtjes nga paraardhësi juaj, z. Imami?

M. Kodheli: – Gjatë qeverisjes së PD-së dhe drejtimit të MB-së nga Arben Imami, pothuajse 60% e pronave të ushtrisë janë privatizuar ose janë dhënë me koncesion në mënyrë abuzive. Ne do të nisim hetim dhe do të kërkojmë anulimin e tyre.

Gazetarja: – Çfarë do të bëjë qeveria juaj me 40% të pronave që kanë mbetur, por edhe me pronat e tjera nëse do të arrini që t’i anuloni privatizimet/koncesionet e qeverisë së shkuar?

M. Kodheli: – Sigurisht që do të vazhdojmë t’i privatizojmë, në mënyrë që të bëhen funksionale nga privati. Ama do i privatizojmë siç duhet.”

Kjo përgjigje, njëlloj si deklarata aq e sinqertë e Eduard Shalsit (“Nuk do vjedhim në mënyrë kaq flagrante siç kanë bërë këta të PD-së…”), do të mjaftonte për të kuptuar qasjen e qeverisë së Edi Ramës ndaj pushtetit. Opozita e bërë deri më 2013 kundër privatizimeve të Berishës, kundër korrupsionit, kundër vjedhjes së zgjedhjeve, kundër fuqizimit të oligarkëve, kundër autoritarizmit etj., nuk ishte për çështje parimore, por për faktin e thjeshtë se nuk ishin Partia Socialiste dhe Edi Rama autorët e tyre. Prandaj me marrjen e pushtetit nxituan që të mos zëvendësonin “fenomenin Sali”, por “autorin Sali”. Në këtë mënyrë nisi dhe vazhdoi vrullshëm kalvari i vjedhjeve, skandaleve dhe maskarallëqeve edhe më flagrante se “ata”.

Për të renditur disa prej “bëmave”:

Kur ngritën dhjetëra mijëra socialistë në revoltë më 21 Janar 2011 kundër bllokut të Ilir Metës, nuk e bënë se ishin kundër bllokut, por ngaqë nuk futej edhe në xhepin e tyre ndonjëra prej “fletëve të bllokut”. Prandaj e morën në koalicion në 2013-n, erdhën në pushtet së bashku e më pas e bënë edhe president.

Kur logorisnin për 26 njerëz të pafajshëm të vrarë në Gërdec, nuk e bënë prej keqardhjes, por prej faktit se nuk ishin vetë përfituesit e kontrabandës së armëve. Pasi erdhën në pushtet, pavarësisht stërbetimeve deri më 2013-n, nuk i bënë asnjë lloj gjëje as Saliut e as Mediut.

Kur kundërshtonin nismën korruptive të Berishës “Shqipëria 1 euro”, nuk e bënë se kishin merak të madh për sovranitetin e vendit dhe shpërdorimin e pronës së përbashkët, por sepse nuk ishin vetë dhunuesit e sovranitetit dhe përfituesit prej faljes së tij. Sapo erdhën në pushtet, nismës “Shqipëria 1 euro” për tokat shtetërore i shtuan edhe prona të tjera (reparte ushtarake, kazerma etj.), të cilat ua falën klientëve të tyre.

Kur denonconin grabitjen nga Lulzim Basha të 230 milionë eurove në “Rrugën e Kombit”, nuk e bënë prej merakut për paratë e popullit, por se nuk ishin vetë hajdutët e tyre. Pasi erdhën në pushtet jo vetëm që Lulzim Bashës nuk i hyri gjemb në këmbë, por rrugën “e lënë rrugëve”, duke ia dhanë me koncesion oligarkut Shefqet Kastrati për të vënë traun e haraçit.

Kur flisnin për shfrytëzimin dhe vdekjet e punëtorëve, nuk e bënin për çështje parimore, por për faktin se nuk ishin ata që hidhnin valle mbi gjakun e tyre. Sapo erdhën në pushtet, e zhbënë Ministrinë e Punës, u mburrën për mungesën e sindikatave, lejuan trajtimin e punëtorëve si skllevër dhe janë përgjegjës për rritjen e vrasjeve në vendin e punës. Sindikatave të reja dhe përfaqësuese të vullnetit të punëtorëve, të krijuara nga vetë këta të fundit, iu kanë shpallur luftë, paligjshmërisht dhe padrejtësisht, duke mbajtur krahun e pronarit (rasti i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës karshi oligarkut Samir Mane). 

Kur denonconin kostot e jashtëzakonshme për ndërtimin e rrugëve dhe borxhin e jashtëzakonshëm në të cilin Berisha zhyti buxhetin e shtetit, nuk u plaste për faktin që ky ishte një borxh që do të rëndonte mbi shpinën e shqiptarëve, por vetëm që nuk ishin miliarda që hynin në xhepat e lukunisë së Edi Ramës. Pas ardhjes së tyre në pushtet, shifrat e borxheve kanë thyer çdo rekord; gjithashtu kostot e asfaltit të koncesionuar dhe me tra në mes: për një tunel 5-kilometërsh, për interesa vetëm të oligarkut Samir Mane në Palasë, po i plaçkitin popullit hiç më pak se 600 milionë euro!

Kur denonconin privatizimin abuziv e skandaloz të OSSH-së nga Berisha, i cili iu kushtoi vendit qindra milionë euro, nuk kishin merakun e parave të qytetarëve, por që nuk ishin vetë grabitësit e tyre. Me të ardhur në pushtet nxituan të bënin pazar me CEZ-in duke i falur 95 milionë euro. Falën edhe qindra milionë euro fatura të papaguara institucioneve të korruptuara publike. Kurse njerëzve të thjeshtë e të pamundur iu morën shpirtin: rreth 7 mijë qytetarë të arrestuar, disa prej të cilëve edhe vranë veten për një faturë korrenti. Privatizuesve Berisha-Ruli, apo pronarëve të mëdhenj që e kishin vjedhur energjinë elektrike me 3-fazorësha, nuk iu prek as një qime floku.

Kur ulërinin për privatizimin korruptiv të ARMO-s, rafinerisë së naftës në Ballsh, nuk e kishin për punëtorët e Ballshit, as për familjet e tyre, as për krahinën e Mallakastrës, por vetëm për faktin që nuk ishin vetë përfituesit e qindra miliona eurove prej dallavereve. Pasi erdhën në pushtet, lejuan fundosjen edhe më të madhe të ARMO-s në borxhe, sollën ‘‘investitorë seriozë’’ edhe më keq se Rezart Taçi, lejuan degradimin e rafinerisë në gjendjen e saj më të keqe dhe i kanë katandisur naftëtarët në ditë të hallit: me paga të prapambetura të pamarra, pa punë dhe pa asnjë shpresë për të ardhmen.

Kur denonconin Lulzim Bashën e Sali Berishën për shitjen e detit shqiptar Greqisë, nuk kishin aspak merakun e detit, por vetëm që nuk ishin vetë pazarxhinj me ndonjë nga qirjakot e radhës të shtetit fqinj. Me sa duket nga të rejat e javëve të fundit, pazarin e kanë arritur dhe pritet ta vënë në zbatim.

Kur akuzonin Berishën për kanabizimin e Lazaratit, nuk e kishin problemin me mënyrën kriminale të “zhvillimit ekonomik”, por që nuk ishin vetë kanabizuesit. Prandaj me ardhjen në pushtet lazaratizuan e kanabizuan gjithë vendin.

Kur denonconin Saliun për “reformë pinoçetiane” në arsimin e lartë, nuk kishin merakun e tregtarizimit të universitetit, por që nuk ishin vetë sekserët e pronarëve të diplomoreve private. Me të ardhur në pushtet, nisën nga puna dhe miratuan ligjin klientelist që kishte nisur Berisha.

Kur akuzonin Lulzim Bashën për lejet e ndërtimit te diga e Liqenit Artificial, nuk kishin hallin e digës apo hapësirës së përbashkët, por që nuk kishin qenë ata vetë nënshkruesit e lejeve dhe përfituesit e milionave të betonit dhe pastrimit të parave. Sapo erdhën në pushtet, çifti Veliaj-Rama nuk la pëllëmbë lulishteje e hapësire të përbashkët pa betonizuar, duke e shndërruar qytetin gradualisht në lavatriçe të parave të pista dhe të pabanueshëm për njerëzit e thjeshtë.

Kur denonconin fuqizimin e oligarkëve nga Berisha dhe ndarjen e shoqërisë në 5% të pasur e 95% të varfër, nuk e bënin për arsye parimoro-ideologjike apo për çështje të luftës kundër pabarazisë, por veç për faktin se oligarkët nuk ishin në duart e tyre. Me të ardhur në pushtet, “gllabëruan” të gjithë oligarkët (Samir Manen, Shefqet Kastratin & Co., për të cilët sot hyn në hasmëri me qeverinë nëse iu përmend emrat), i fuqizuan si kurrë më parë dhe ndarjen shoqërore ka gjasë ta kenë çuar në raportin 1% me 99%.

Kur përbetoheshin për lirinë e medias, e kritikonin dhe bojkotonin TvKlanin e Aleksandër Frangajt, shërbëtorin më të devotshëm të Berishës asokohe, nuk e bënin se ishin dashnorë të fjalës së lirë, por vetëm se nuk ishin ata kontrolluesit e fjalës. Me ardhjen në pushtet blenë dhe kontrollojnë pothuajse të gjitha mediat, duke kthyer në shërbëtorin më besnik edhe vetë “Klanin (Sandrin) e Berishës”; çdo veprimtari e “pasqyrojnë” përmes kasetave të gatshme propagandistike; krijuan televizion personal për Edi Ramën; pranojnë të shkojnë nëpër emisione ose me “opinionistë” që i zgjedhin vetë, ose pa praninë e tyre fare; përmes Acromax-it censurojnë në çdo moment fjalën e lirë dhe kritikat ndaj qeverisë.

Kur denonconin lidhjet e Berishës me grupe kriminale, nuk e bënin ngaqë vetë ishin qelibar, por ngaqë nuk ishin sa ç’donin në tryezat kriminale. Me ardhjen në pushtet grupet kriminale lulëzojnë: kanë lidhje me drejtuesit e qeverisë, ndihmojnë Ramën për blerjen e zgjedhjeve, ndërtojnë komplekse me ndihmën e pushtetit, riciklojnë para që vijnë prej aktiviteteve kriminale etj.

Kur denonconin vjedhjen e votave dhe kërkonin hapjen e kutive, nuk e bënin se ishin kundër vjedhjes, por se nuk ishin vetë hajdutët e zgjedhjeve. Në zgjedhjet e 2019-s, në të cilat “garuan” të vetëm në zgjedhje, në kutitë e votimit hodhën më shumë vota sesa votues.

Kur kritikonin Berishën për privatizime e koncesione, nuk e bënin prej bindjeve të tyre “të majta”, kundër politikave ekstreme neoliberale dhe për mbrojtjen e pasurive të përbashkëta, por ngaqë nuk ishin vetë autorët e privatizimit të pothuajse gjithçkaje. Pas ardhjes së tyre në pushtet dhe superxhiros së ritmit të privatizimeve, është e vështirë të të kujtohet ndonjë gjë që kanë lënë pa privatizuar në këtë vend.

Kur denonconin shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe nxirrnin dy Artanët (Lamen dhe Shkrelin) për çdo hekurishte të ndryshkur vërdallë, nuk e bënin ngaqë i hante meraku për ruajtjen e tyre. Me ardhjen në pushtet kanë shkatërruar pothuajse gjithçka nga zona historike e Tiranës, Teatrin Kombëtar etj., veç për të pastruar paratë kriminale, duke mbjellë kulla e betonizuar çdo pëllëmbë të fundit të mbetur në qytet. Së fundmi privatizuan edhe Butrintin e ndërtuar mijëra vjet më parë, për zbulimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e të cilit nuk kanë dhënë asnjë kontribut veç rritjes së biletës hyrëse.

Jam i sigurt që kam harruar shumë “bëma” të tjera, të cilat tregojnë sa identike janë politikat e ndjekura nga Edi Rama (Partia Socialiste) me ato të Sali Berishës (Partisë Demokratike). Pa harruar këtu aleaten dhe bashkëpunëtoren e tyre të ngushtë në qeverisjet kriminale, të cilën e këmbejnë sipas rastit: Lëvizjen Socialiste për Integrim. Shembuj të tillë mund të merrja pafund, nga viti 1991 e deri më sot, por besoj se mjaftojnë për të treguar se të trija bandat partiake janë njësoj, janë bashkë dhe kundër popullit.

Në këtë aspekt, Edi Rama, si vazhdues i qeverisjeve antipopullore të këtyre 30 vjetëve, nuk po kërkon as mandatin e tretë e as të gjashtin, por të tetin! Të tetin kërkojnë edhe Lulzim Basha me Monika Kryemadhin. Kushdo që ta marrë prej këtyre shërbëtorëve të oligarkëve, ne do të vazhdojmë të jetojmë në diktaturën e oligarkisë.

Prandaj duhet të organizohemi e të bashkohemi dhe t’i shporrim të gjithë bashkë, me gjithë oligarkë, e njëherë e mirë.

Imazhi: RTSH

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.