Koha kalon si nën rrotullën e mundimit… e për ne studentët zi e me zi po bëhet
/Mirela Ruko/
Ka mjaftuar një Vendim i Këshillit të Ministrave i datës 15 tetor 2014, ku në një pikë të tij vendoset si kusht për t’u regjistruar në master pagesa e 30% e shumës totale të tarifës, që studenti të përjashtohet prej Universitetit. VKM e kësaj date përmbante dhe pika të tjera përjashtuese për studentin. Pas kësaj VKM pyetjet që më lindën ishin: Kush është Këshilli i Ministrave që po vendos për studentin?? Pse nuk ka një qëndrim të Ministrisë së Arsimit pas kësaj VKM?! Ku është qëndrimi i rektoratit?! Ku është qëndrimi i dekanit ?! Ku është studenti?!
Të vetmit që reaguan ishin studentët. Reaguan përmes një shumësie formash rezistence. Zaptuan fakultete, dërguan peticione te Këshilli i Ministrave dhe te drejtuesit e universiteteve, bënë komunikata publike dhe dorëzuan kërkesa publike tek rektoratet e universiteteve publike. Në kërkesat e tyre studentët u shprehën qartë se kërkojnë anulimin e menjëhershëm të VKM-së së datës 15 tetor 2014. Institucionet sërish heshtën dhe kjo shpreh qartë se përfaqësimi i studentit brenda institucioneve publike aktuale gjendet në krizë.
Me anë të disa politikave të tilla arsimore studentin sot po e privojnë nga e drejta për t’u arsimuar. Politika të tilla nuk reflektojnë as gjendjen reale të studentit dhe as nuk i japin zgjidhje situatës. Në vend që të ishin politika lehtësuese për studentët, ato janë diskriminuese dhe përjashtuese. I tillë është edhe kushti i 30% si tarifë jo vetëm studimi, por edhe regjistrimi. Tashmë universiteti nuk pranon dot studentë të varfër pavarësisht cilësisë së tyre studimore. Kryeministri i Shqipërisë flet vazhdimisht për autonominë e universitetit, ndërkohë firmos vendime që e shkelin hapur këtë autonomi. Qeveria sot nuk ka të ardhura për të financuar arsimin. Buxheti për arsimin është i vogël, por mund ta them haptazi dhe pa hamendësime se qeveria ka keqmenaxhuar buxhetin e shtetit dhe tarifat studentore. Faturimi për këtë keqmenaxhim të universiteteve publike u kalohet studentëve. Ne nuk duhet të paguajmë për krizat e qeverisë, qeveria është në punë për të gjetur zgjidhje për situatën e jo për të zhvatur xhepat studentorë. Shumica e prindërve tanë, në rastin më të mirë, janë punëtorë me rroga minimale. Dhe paga minimale mujore në vendin tonë është 18.000 lekë. 30% e tarifës së studimit është në disa raste sa tre paga mujore të një prindi fatlum.
Unë jam studente e sociologjisë dhe po përballem me diskriminimin në fakultetin që u mëson studentëve të mos diskriminojnë. Sot ky fakultet po më përjashton duke më diskriminuar ekonomikisht. Pas tre vitesh sakrifica e mundime për të vazhduar studimet, sot fakulteti mi ka mbyllur dyert i urdhëruar nga qeveria sepse unë nuk kam mundësi ekonomike të paguaj për krizën e qeverisë. Nuk e kam pasur të lehtë vazhdimin e studimeve në asnjë prej tre viteve të studimit, por tani e kam të pamundur. Një vajzë periferike që gjendet mes fakultetit, punës dhe Tiranës kaotike. Qyteti nuk ishte e nuk është i studentit, puna ishte e është shfrytëzuese dhe mjerane në pagë pavarësisht mundimit dhe fakulteti nuk ishte dhe nuk është Universitet.
Kryeministri thotë se nëse do të isha studente ekselente do të kisha lehtësira. Por si mund të isha e tillë duke punuar 8 ore në ditë, duke lexuar teksa kalonte mesnata dhe duke humbur orën e parë të mëngjesit?! Gjatë kohës së provimeve kam punuar gjithë ditën edhe pse ditën tjetër kam pasur provim. Pra si të bëhesha një studente ekselente kur mendimi i parë në mëngjes ishte: a do më dilnin lekët që kisha në xhep deri në fund të ditës?! Pavarësisht të gjithave sot flakem në rrugë. Jam fituese e një masteri shkencor në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe vendi im ka dalë në shitje. Atë do ta marrë një student i cili ka “aftësinë ekonomike” që mua më mungon. Si mund të shitej një vend masteri nëse universiteti nuk do të ishte shndërruar tanimë në treg?!
Pas daljes së VKM së datës 15 tetor nisi kronometrimi i kohës. Në dilemën mes kërkimit të mëshirës dhe kërkimit të drejtësisë shumë studentë iu dorëzuan zgjedhjes së parë. Disa përfunduan në borxhe, disa të përjashtuar nga universiteti dhe shumë pak kërkuan drejtësi. Nëse të gjithë, të organizuar, do të kërkonim drejtësi, ndoshta ta fitonim për të gjithë. Por për momentin jemi pak që besojmë te drejtësia dhe akoma më pak që besojmë tek organizimi.
Këto kohë jam duke e kërkuar të drejtën time dhe do vazhdoj ta kërkoj atë. Studente nuk më bën një numër matrikullimi, por banimi i universitetit dhe organizimi studentor. Për të ndjekur studimet duhet të mjaftojë dëshira dhe puna për të marrë dije dhe këto të dyja i kam të pamasa, prandaj nuk heq dorë prej Universitetit!
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.