/Bertolt Brecht/
Ai që është i vendosur sot t’i përvishet luftës kundër gënjeshtrës dhe padijes, për të shkruar të vërtetën, duhet të dijë të kapërcejë të paktën pesë vështirësi. Duhet të ketë kurajën për të shkruar të vërtetën, atëherë kur atë e kanë mbytur kudo; zgjuarsinë për ta njohur, sepse ajo është fshehur kudo; mjeshtërinë për ta shndërruar atë në një armë të përshtatshme; mprehtësinë për të zgjedhur pikërisht ata njerëz në duart e të cilëve ajo bëhet e efektshme; dhe dinakërinë për ta përhapur atë mes njerëzve të tillë. Këto vështirësi janë veçanërisht të mëdha për ata që shkruajnë nën zgjedhën fashiste, por ato ekzistojnë gjithashtu edhe për ata të cilët kanë ikur ose i kanë dëbuar nga vendi i vet, bile edhe për ata që shkruajnë në vendet me liri borgjeze.
1. Kuraja për të shkruar të vërtetën
Kuptohet se ai që shkruan të vërtetën nuk duhet as ta heshtë e as ta mbytë zërin e saj. Ai nuk duhet të shkruajë asgjë të rreme. Ai as nuk duhet të përkulet përpara të fuqishmëve dhe as t’i mashtrojë të dobëtit. Por, natyrisht, është shumë e vështirë të mos përkulesh përpara të fuqishmëve, kurse, nga ana tjetër, është shumë e leverdishme t’i mashtrosh të dobëtit. Të mos u pëlqesh padronëve, do të thotë të hysh në radhën e të shpronësuarve. Të heqësh dorë nga paga për një punë që ke bërë është gati njëlloj si të kesh hequr dorë nga vetë puna: kurse të refuzosh lavdinë që të ofrojnë të fuqishmit e kësaj bote shpeshherë është njëlloj si të heqësh dorë nga çdo lavdi për sa kohë që je gjallë. Për këtë duhet të kesh kurajë. Epokat e shtypjes më të madhe janë përgjithësisht epokat në të cilat bëhet edhe më shumë fjalë për madhështinë dhe idealen. Në epoka të tilla duhet të kesh kurajë që të flasësh për gjëra aq të ulëta e të vogla, siç janë ushqimi dhe banesa e punonjësve, kur nga të katërt anët trumbetohet me aq bujë shpirti i sakrificës si virtyti i parë e më i lartë. Në kohën kur fshatarët i ngopin me fjalë të bukura dhe i mbulojnë me dekorata, duhet kurajë që të flasësh për makina e për ushqim për kafshët me çmim sa më të lirë, që do ta lehtësonin punën e tyre aq të nderuar. Kur kudo në të gjitha stacionet e radios çirren se një njeri pa dije e pa kulturë vlen më shumë se një njeri i ditur, duhet kurajë për të pyetur: për cilin vallë vlen më shumë? Kur s’flasin veçse për raca të përkryera dhe për raca të degjeneruara, duhet kurajë për të pyetur se mos vallë janë uria, padija dhe lufta që kanë shkaktuar këto gjymtime të tmerrshme. Dhe s’duhet më pak kurajë për të thënë të vërtetën mbi vetveten, atëherë kur je mundur. Ka shumë njerëz të cilët nga frika e persekutimeve humbin aftësinë për të njohur gabimet e tyre. Të jesh i persekutuar, u duket atyre si e keqja më e madhe. Të këqijtë janë persekutuesit, meqë ata persekutojnë; kurse ata që persekutohen del atëherë se qenkan domosdo të mirët. Por kjo mirësi është thyer, është mposhtur, është mundur, prandaj del se ajo na paska qenë një mirësi e dobët, një mirësi e paqëndrueshme, tek e cila s’mund të mbështetesh e të kesh besim, një mirësi e keqe: por s’ka asnjë arsye përse të pranosh që mirësia të jetë e dobët, siç pranon që shiu është i lagësht. Duhet të kesh kurajë të thuash se të mirët u thyen jo se ishin të mirë, por se ishin të dobët. Sigurisht që kur lufton kundër gënjeshtrës, duhet të shkruash të vërtetën, por ama në një mënyrë të tillë që ajo të mos kthehet në një përgjithësi të vagët, të fryrë dhe me shumë kuptime; sepse kjo do ishte pikërisht veçoria e gënjeshtrës. Kur themi për ndonjë se ai ka thënë të vërtetën, nënkuptohet se disa të tjerë, qofshin ata shumë ose edhe një i vetëm, kanë thënë diçka tjetër, që është e gënjeshtërt ose një përgjithësim i vagët, ndërsa ai që ka thënë të vërtetën, domethënë një diçka konkrete, të pakundërshtueshme, ka thënë pikërisht atë që duhej thënë.
Nuk duhet ndonjë kurajë e madhe të ankohesh me fjalë të përgjithshme, aty ku akoma të lejohet që të ankohesh, mbi ligësinë e botës dhe triumfin e poshtërsisë dhe t’i kërcënosh të tjerët se do të vijë dita e ngadhënjimit të arsyes, të së drejtës. Shumë njerëz hiqen si trima, sikur mbi ta të jenë drejtuar grykat e topave, kurse në fakt nuk u janë drejtuar veçse dylbi teatri. Ata i lëshojnë proklamatat e tyre të përgjithshme në një botë, së cilës i pëlqejnë njerëzit e padëmshëm e të parrezikshëm. Ata kërkojnë një drejtësi universale, për të cilën s’kanë bërë asgjë prej gjëje; ata kërkojnë lirinë universale për të marrë pjesën e tyre nga një ëmbëlsirë, nga e cila i kanë lënë të shijojnë për një kohë të gjatë. E vërteta për ta janë vetëm frazat e bukura. Ndërsa e vërteta e statistikave, e vërteta e fakteve, ajo e vërtetë që gjendet me vështirësi e që kërkon studime të thella – kjo e vërtetë është e huaj për ta, ajo nuk i frymëzon ata. Në pamje njerëz të tillë duken se e duan të vërtetën, por e keqja e tyre është se të vërtetën nuk e njohin.
2. Zgjuarsia për ta njohur të vërtetën
Meqë është e vështirë të shkruash të vërtetën, sepse zërin e saj e kanë mbytur kudo, të shkruash a të mos shkruash të vërtetën u duket më të shumtëve si një çështje karakteri. Ata besojnë se për këtë punë mjafton të kesh kurajë. Ata e harrojnë vështirësinë e dytë, që është të dish ta gjesh të vërtetën. S’ka asnjë dyshim se s’është e lehtë ta gjesh të vërtetën. Bile nuk është aq e lehtë, pikësëpari, të përcaktosh çfarë është e vërtetë, cila e vërtetë e vlen mundimin të thuhet. Kështu, për shembull, në këtë moment, gjithë shtetet e mëdha të qytetëruara po kridhen njëri pas tjetrit në barbarizëm. Përveç kësaj, gjithkush e di se lufta e brendshme, që zhvillohet me mjetet më të tmerrshme, mund të shndërrohet çdo ditë në luftë të jashtme, që nuk ka për të lënë nga kontinenti ynë, veçse një grumbull gërmadhash. Ja, kjo është pa dyshim një e vërtetë, po ekzistojnë, natyrisht, edhe shumë të vërteta të tjera. Kështu për shembull, po ashtu e vërtetë është po të thuash se karriget kanë një pjesë të bërë për t’u ulur mbi të, dhe se shiu bie nga lart poshtë. Ka shumë shkrimtarë që thonë ca të vërteta të këtij lloji. Ata janë si ai piktori që zbukuron me natyra të qeta faqet e një anijeje që po fundoset. Për ata, vështirësia e parë që vumë në dukje nuk ekziston fare, dhe për këtë e kanë ndërgjegjen e qetë. Ata shkarravitin figurat e tyre pa u shqetësuar aspak nga ata që kanë fuqinë në dorë, por ama pa u shqetësuar aspak edhe nga britmat e viktimave të tyre. Absurditeti i veprimit të tyre krijon edhe tek ata vetë një pesimizëm «të thellë», që e shesin jo pa leverdi. Por akoma më tepër arsye do të kishin të mbusheshin me një pesimizëm të tillë ata që shohin këta mjeshtra dhe mënyrën se si i shesin ndjenjat e tyre. S’është edhe aq e lehtë të kuptosh se të vërtetat e tyre janë të një natyre me ato të karrigeve ose të shiut, që përmendëm më lart, sepse zakonisht ato tingëllojnë jo aq banale, por si të vërteta që kanë të bëjnë me gjëra të rëndësishme. Karakteristikë e krijimit artistik është pikërisht kjo: që i jep rëndësi të veçantë çfarëdo gjëje për të cilën flet.
Vetëm po t’i shohësh më nga afër e më me kujdes, mund të kuptosh se ata nuk thonë asgjë tjetër veçse: «Një karrige është një karrige dhe asgjë më tepër» ose: «Askush s’e pengon dot shiun që të bjerë nga lart poshtë».
Këta njerëz nuk e gjejnë dot të vërtetën që ia vlen të thuhet. Nga ana tjetër, ka të tjerë që merren vetëm me detyrat më të ngutshme, ata nuk u tremben as të fuqishmëve dhe as varfërisë, por megjithatë nuk arrijnë ta gjejnë të vërtetën. Kjo ndodh për arsyen se atyre u mungojnë njohuritë. Ata janë të mbushur plot me besëtytni të vjetra, me paragjykime që kohët e lashta i kanë veshur shpeshherë me një dukje të bukur. Për ata bota është shumë e ngatërruar; ata nuk i njohin faktet dhe nuk i shohin lidhjet midis këtyre fakteve. Nuk mjafton të jesh i drejtë, por duhet të kesh edhe njohuri, të cilat mund t’i fitosh, duhet të kesh edhe një metodë të caktuar, të cilën mund ta mësosh. Në këtë kohë transformimesh dhe përmbysjesh të mëdha, shkrimtarët kanë nevojë të njohin dialektikën materialiste, ekonominë dhe historinë. Po të këmbëngulësh, këto njohuri mund të fitohen me anën e librave dhe nëpërmjet jetës praktike. Ka shumë të vërteta që mund t’i zbulojmë me një mënyrë më të thjeshtë ose, së paku, mund të zbulosh fragmente të së vërtetës ose të dhëna që çojnë në zbulimin e saj. Gjithnjë është mirë të kesh një metodë, por sidoqoftë të vërtetën mund ta gjesh gjithashtu edhe pa metodë, bile edhe pa kërkuar. Por duke vepruar kështu, në tym, nuk mund të arrish në një paraqitje të tillë të së vërtetës, që mbi bazën e saj njerëzit të dinë se si të veprojnë. Njerëz që nuk regjistrojnë veçse fakte të vogla, nuk janë në gjendje ta njohin dhe ta shfrytëzojnë për qëllimet e tyre atë që ndodh në jetë. Kurse qëllimi i gjetjes së një të vërtete është vetëm ky dhe asnjë tjetër. Këta njerëz nuk janë në lartësinë e duhur, që të mund t’u përgjigjen kërkesave të së vërtetës. Në qoftë se ndokush është gati të shkruajë të vërtetën, dhe i aftë për ta njohur atë, atëherë e presin ende tri vështirësi të tjera.
3. Mjeshtëria për ta bërë të vërtetën një armë luftarake
Në qoftë se duhet thënë e vërteta, kjo duhet bërë me qëllim që pasojat e saj të kenë dobi praktike. Si shembull të asaj lloj të vërtete, nga i cili nuk mund të nxjerrësh asnjë rezultat, ose mund të nxjerrësh vetëm rezultate të rreme, ne mund të marrim idenë shumë të përhapur, sipas së cilës regjimi barbar që sundon në disa vende rrjedh nga barbarizmi. Sipas këtij koncepti, fashizmi është një shpërthim i barbarizmit që ka pllakosur mbi këto vende me furinë e një elementi të natyrës.
Sipas këtij koncepti, fashizmi qenkësh një rrugë e tretë, një rrugë e re, që ekziston krahas kapitalizmit dhe socializmit, ose që qëndron mbi ta; sipas këtij koncepti, jo vetëm lëvizja socialiste por edhe kapitalizmi gjoja mund të vazhdonte të ekzistonte pa fashizmin, e kështu me radhë. Pikërisht këtu duket qartë se kjo tezë fashiste është kapitullim përpara fashizmit. Fashizmi është një fazë historike, në të cilën ka hyrë kapitalizmi; kjo do të thotë se fashizmi është njëkohësisht edhe diçka e re edhe diçka e vjetër. Në vendet fashiste, kapitalizmi nuk ekziston më veçse si fashizëm dhe fashizmi nuk mund të luftohet veçse si forma më e paturpshme, më cipëplasur, më shtypëse, më mashtruese e kapitalizmit.
Ç’del sikur një kundërshtar i fashizmit, që mundohet të thotë të vërtetën për fashizmin, të mos e kritikojë kapitalizmin që e lind?
E si do të mund të merrte një e vërtetë e tillë një vlerë praktike? Ata që janë kundër fashizmit pa qenë kundër kapitalizmit dhe që ankohen për barbarizmin e dalë nga barbarizmi, u ngjajnë atyre njerëzve që duan ta hanë pjesën e tyre të mishit të pjekur të viçit, por që nuk duan që të theret viçi. Ata me gjithë qejf duan të hanë mish viçi, por pa parë gjak. Për t’u qetësuar, do t’u mjaftonte që kasapi të lante duart përpara se t’u shërbente mishin. Ata nuk janë kundër marrëdhënieve të pronësisë që krijojnë barbarizmin, ata janë vetëm kundër barbarizmit. Si të tillë, ata e ngrenë zërin kundër barbarizmit në vendet ku sundojnë po ato marrëdhënie pronësie, po ku kasapët i lajnë duart përpara se të shërbejnë mishin.
Të qortosh e të shfrysh me zë të lartë kundër masave barbare, kjo ndoshta mund të sillte një farë dobie për sa kohë që ata që iu dëgjojnë, mendojnë se në vendin e tyre nuk ka pse të bëhet fjalë për masa të tilla. Disa vende janë ende në gjendje t’i mbajnë marrëdhëniet e tyre të pronësisë me metoda që duken më pak të dhunshme. Demokracia u bën ende ato shërbime, për të cilat vende të tjera janë të detyruara të përdorin dhunën, domethënë të sigurojnë pronën private mbi mjetet e prodhimit. Monopoli privat i uzinave, i minierave, i tokave krijon kudo një regjim barbarizmi, po në këto vende ky regjim nuk bie fort në sy. Barbarizmi bëhet i dukshëm vetëm atëherë kur monopoli nuk mund të mbrohet më veçse me anën e diktaturës së hapur.
Disa vende që për të mbrojtur monopolet e tyre barbare s’kanë nevojë akoma të heqin dorë nga garancitë formale të shtetit liberal, si dhe nga argëtime të tilla si: arti, letërsia, filozofia, i dëgjojnë me kënaqësi refugjatët që akuzojnë vendin e tyre të origjinës se ka hequr dorë nga këto argëtime, sepse shpresojnë se do të nxjerrin përfitime nga luftërat e parashikuara. A mund të themi se ata që kërkojnë me zhurmë e bujë të luftohet pa mëshirë kundër Gjermanisë, sepse ajo është «djepi i vërtetë i së keqes në epokën tonë, filialja e Ferrit, vendqëndrimi i Antikrishtit», e paskan gjetur të vërtetën? Le të themi më mirë se këtu kemi të bëjmë me njerëz budallenj, të pafuqishëm dhe të dëmshëm. Sepse nga kjo frazeologji del si përfundim se meqë gazrat helmuese dhe bombat kur vrasin nuk zgjedhin vetëm ata që janë fajtorë, atëherë na u dashka zhdukur nga faqja e dheut e gjithë Gjermania, me të fajshëm e me të pafajshëm.
Njeriu i cekët që nuk e njeh të vërtetën shprehet me fjalë të mëdha, të përgjithshme dhe të pasakta. Ai mban fjalime mbi «gjermanët», ankohet për «të keqen» dhe kushdo që e dëgjon nuk merr vesh se ç’duhet bërë. A mos vallë duhet të vendosë të mos jetë më gjerman? A mos vallë ka për t’u zhdukur ferri vetvetiu, mjafton që ai të bëhet njeri i mirë? Fjalimet mbi barbarizmin që vjen nga barbarizmi janë diçka e po këtij lloji. Në qoftë se barbarizmi vjen nga barbarizmi, atëherë ai na marrka fund me anë të përkryerjes morale që vjen nga kultura dhe nga edukimi. Të gjitha këto thuhen me fjalë shumë të përgjithshme dhe s’shërbejnë as si thirrje për veprim, bile në të vërtetë ato s’i drejtohen askujt.
Thënie të tilla tregojnë disa hallka në zinxhirin e shkaqeve dhe paraqesin vetëm disa forca lëvizëse, si forca të cilat nuk mund të kontrollohen apo të zotërohen. Këto thënie janë shumë të errëta dhe në fakt i fshehin ato forca që çojnë në katastrofa. Po të hedhim pak dritë mbi këtë çështje, kemi për të parë se s’janë veçse disa njerëz që i shkaktojnë katastrofat. Sepse ne jetojmë në një kohë kur fati i njeriut përcaktohet nga ai vetë. Fashizmi nuk është një fatkeqësi natyrore, shkaqet e së cilës qëndrojnë gjoja në vetë «natyrën njerëzore». Por nga ana tjetër, edhe vetë fatkeqësitë natyrore mund të paraqiten në një mënyrë më të denjë për njeriun, duke e nxitur atë për luftë kundër tyre.
Pas tërmetit që shkatërroi Jokohamën, në shumë revista amerikane mund të shihje fotografi që paraqisnin gërmadha. Diçitura poshtë thoshte: «Steel stood» (çeliku rezistoi); dhe në fakt, në qoftë se me vështrimin e parë nuk shihje veçse rrënime, i nxitur nga ky poshtëshkrim, vije re se disa ndërtesa të mëdha kishin mbetur më këmbë. Midis gjithë atyre përshkrimeve që mund të jepen për një tërmet, ato të inxhinierëve të ndërtimit kanë një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse ata, duke llogaritur shkarjen e tokës, forcën e lëkundjeve, nxehtësinë që çlirohet etj., janë në gjendje të përcaktojnë si duhet të jenë ndërtimet që t’u qëndrojnë tërmeteve. Kur duam të përshkruajmë fashizmin dhe luftën, këto katastrofa të mëdha, që nuk janë katastrofa natyrore, duhet të nxjerrim një të vërtetë, e cila mund të hyjë në punë për një qëllim praktik. Duhet të tregojmë se këto janë katastrofa që i përgatisin pronarët e mjeteve të prodhimit dhe janë të drejtuara kundër masave të gjera punonjëse, të privuara nga mjetet e prodhimit.
Në qoftë se duam të shkruajmë të vërtetën për situatën e keqe që ekziston, duhet të zbulojmë shkaqet, në mënyrë që të përmirësojmë gjendjen. Kur shkaqet njihen, atëherë mund të luftohen me sukses e të përmirësohet situata që ekziston.
4. Mprehtësia për të zgjedhur pikërisht ata njerëz, në duart e të cilëve e vërteta bëhet e efektshme
Zakoni shekullor i tregtimit të krijimtarisë në tregun e ideve si dhe reklama që i bëhet kësaj krijimtarie, duke e çliruar shkrimtarin nga çdo andrallë lidhur me shpërndarjen e shkrimeve të tij, ngjallin te shkrimtari një përshtypje të rremë. Ai beson se ndërmjetësi, klienti apo qoftë dhe porositësi i tij, ua shpërndajnë shkrimet e tij që të gjithëve. Ai mendon: unë tani e thashë fjalën time, dhe të gjithë ata që duan të më dëgjojnë, më dëgjojnë. Në të vërtetë, ai vërtet e ka thënë fjalën e tij, por për ta dëgjuar e dëgjojnë vetëm ata që mund të paguajnë. Ato që thotë ai nuk i dëgjojnë të gjithë, por dhe ata që e dëgjojnë nuk duan të dëgjojnë gjithçka. Kjo është një çështje mbi të cilën janë thënë tashmë shumë gjëra por ende nuk janë thënë mjaft. Unë dua të theksoj se kuptimi i thënies «të shkruash për dikë» sot është shndërruar në «të shkruash në përgjithësi». Mirëpo për të vërtetën nuk mund të shkruash në përgjithësi pa iu drejtuar dikujt, dhe pikërisht atij që do të mund ta përdorë atë në praktikë. Procesi i njohjes së të vërtetës është i njëjtë si për shkrimtarin, ashtu dhe për lexuesin. Për të thënë gjëra të mira, duhet të dëgjosh mirë, dhe të dëgjosh gjëra të mira. E vërteta duhet peshuar e llogaritur mirë nga ai që e thotë, por duhet peshuar edhe nga ai që e dëgjon. E vërteta duhet thënë dhe duhet dëgjuar me qëllim të caktuar. Për ne, shkrimtarët, ka rëndësi të madhe të dimë se kujt ia themi të vërtetën dhe kush na e thotë neve.
Të vërtetën mbi gjendjen e keqe që ekziston duhet t’ua themi atyre, për të cilët kjo gjendje është krejt e padurueshme dhe pikërisht prej tyre duhet ta mësojmë të vërtetën. Nuk duhet t’u drejtohemi vetëm njerëzve me një farë opinioni, por edhe njerëzve të cilëve do t’u leverdiste të kishin këtë opinion, për shkak të gjendjes së tyre. Pastaj, dëgjuesit transformohen pareshtur. Fshatarët bavarezë ishin kundër çdo përmbysjeje shoqërore, por kur lufta zgjati shumë kohë dhe të rinjtë u kthyen në vatrat e tyre dhe s’gjetën më vend në fermat, atëherë ata, fshatarët, u hodhën me revolucionin.
Për shkrimtarët ka shumë rëndësi që të gjejnë tonin me të cilin duhet thënë e vërteta. Zakonisht, tonet që dëgjojmë janë ëmbëlcake, vajtuese, thua se ke të bësh me njerëzit që nuk duan t’i bëjnë keq as edhe një mize. Të dëgjosh tone të tilla, kur je në mjerim, është njëlloj sikur të bëhesh edhe më i mjerë nga ç’je. Ky është toni i njerëzve që, pa dyshim, nuk janë armiq, por që, me siguri, nuk janë as shokë lufte. E vërteta është militante, luftarake ajo nuk lufton vetëm gënjeshtrat, po edhe disa njerëz që i përhapin ato.
5. Dinakëria për të përhapur të vërtetën në një numër sa më të madh njerëzish
Shumë njerëz, krenarë që kanë kurajën të thonë të vërtetën, të lumtur që e kanë gjetur, të lodhur ndoshta nga mundimi që kanë hequr për ta bërë të vërtetën armë lufte e duke pritur me padurim që atë ta kuptojë ata, interesat e të cilëve mbrojnë, nuk e shohin të nevojshme të përdorin edhe marifete të posaçme për përhapjen e saj. Kështu ata e humbasin shpeshherë tërë frytin e punës së tyre. Në çdo kohë njerëzit kanë përdorur dinakërinë për të përhapur të vërtetën, kur atë e mbysnin ose e fshihnin. Në kohën tonë, të vësh fjalën «popullatë» në vend të «popull» ose racë dhe në vend të fjalës «tokë» të vësh «pronë tokësore», do të thotë t’iu heqësh mbështetjen kushedi sa gënjeshtrave. Kjo do të thotë t’ua heqësh fjalëve aureolën e tyre mistike dhe të rreme. Fjala «popull» nënkupton një farë uniteti dhe interesa të përbashkëta; pra, duhet përdorur vetëm kur është fjala për disa popuj të marrë së bashku, sepse shumë-shumë vetëm në këtë rast mund të ketë kuptim një farë bashkësie interesash. Popullata e një territori të caktuar ka interesa të ndryshme, bile antagoniste, dhe kjo është një e vërtetë, që pothuajse gjithnjë e mbytin apo e fshehin. Po kështu, të flasësh për tokë dhe t’u bësh arave një përshkrim që u flet syve me anën e ngjyrës, kurse nuhatjes me anën e aromave të tokës, do të thotë të mbështetësh gënjeshtrat e të fuqishmëve. Sepse këtu nuk është fjala për pjellorinë e tokës, as për dashurinë që ushqen njeriu për tokën, as për hovin e punës, por kryesisht për çmimin e grurit dhe shpërblimin e punës. Ata që nxjerrin përfitim nga toka nuk janë ata që mbjellin e korrin grurin, kurse sa për aromën e plisit ajo është e panjohur për bursën; ajo preferon të tjera aroma. Kurse prona tokësore është fjala e saktë, që nuk krijon iluzione. Atje ku sundon shtypja, në vend të fjalës «disiplinë», duhej vënë fjala «bindje», sepse mund të ketë disiplinë edhe pa shtypje dhe pikërisht për këtë arsye fjala disiplinë ka më tepër dinjitet se fjala «bindje». Dhe, në vend të fjalës «nder», do të ishte e mirë të vihej fjala «dinjitet njerëzor»; kësisoj individi nuk del aq lehtë nga fusha e vështrimit. Dihet fort mirë se edhe ai më maskarai hiqet sikur dëshiron të mbrojë nderin e popullit. Veç kësaj, të gjithë e dinë se të ngopurit nuk i kursejnë nderet, mjafton që të uriturit të vazhdojnë t’i ushqejnë ata. Dredhia hyn edhe sot në punë. Anglezi Tomas Mor përshkroi në librin e tij Utopia një vend ku mbretëronte rregulli e drejtësia dhe ky ishte një vend krejt ndryshe nga Anglia e asaj kohe dhe që njëkohësisht përngjante me të si dy pika uji, me përjashtim vetëm të rendit të ngritur mbi drejtësinë. Lenini donte të përshkruante shfrytëzimin dhe shtypjen e ishullit Sahalin nga borgjezia ruse. I kërcënuar nga policia cariste ai vuri Korenë në vend të Sahalinit dhe Japoninë në vend të Rusisë. Metodat e borgjezisë japoneze u sollën ndër mend gjithë lexuesve ato të borgjezisë ruse në Sahalin, por pamfleti nuk u ndalua sepse Japonia ishte armike e Rusisë. Kështu, shumë gjëra që nuk mund të thuhen në Gjermani për Gjermaninë, mund të thuhen për Austrinë. Ka plot dredhi për t’i hedhur hi syve shtetit që dyshon. Volteri luftoi doktrinën e Kishës mbi mrekullitë, duke shkruar një poemë galante mbi Vajzën e Orleanit. Ai përshkroi mrekullitë që pa dyshim duhej të kishin ndodhur, gjersa Zhana arriti të mbetej virgjëreshë mes nje ushtrie burrash, një oborri aristokratësh e një morie murgjish. Me elegancën e stilit të tij, duke përshkruar aventurat erotike që karakterizonin jetën luksoze të klasave sunduese, ai demaskonte një fe që u jepte mundësitë këtyre njerëzve të bënin një jetë të shthurur. Ai bile krijoi kështu mundësinë që veprat e tij të arrinin, nëpër rrugë të tërthorta, tek ata për të cilët në të vërtetë ishin shkruar. Midis lexuesve të tij ata që ishin të fuqishëm e lehtësuan ose të paktën e toleruan përhapjen e tyre. Kësisoj, ata i jepnin një goditje mbas shpine policisë, që kishte për detyrë të mbronte dëfrimet dhe qejfet e tyre. I madhi Lukrec nënvizon shprehimisht se ai kishte shumë besim se me bukurinë e vargjeve të tij do të mund të përhapte ateizmin epikurian. Në fakt, një nivel i lartë letrar mund të shërbejë si mbulesë për të mbrojtur veprën nga ndjekjet. Por është fakt gjithashtu se shpeshherë mund të zgjojë edhe dyshime. Atëherë mund ta dojë puna që ky nivel të ulet qëllimisht. Një rast të tillë kemi, për shembull, te romani policor (që shihej me përbuzje si formë të shkruari), me të cilin futim kontrabandë në disa copa, pa tërhequr vëmendjen, përshkrime të disa plagëve shoqërore. Përshkrime të tilla do të mjaftonin për të përligjur ekzistencën e një romani policor. Për arsye më të vogla i madhi Shekspir e ka ulur këtë nivel kur me dashje bën që nëna e Koriolanit të flasë pa ndonjë shkëlqim të veçantë, në çastin kur ajo i del përpara të birit, që marshon me ushtrinë e vet kundër qytetit të tij të lindjes: Shekspiri nuk donte që Koriolani të hiqte dorë nga plani i tij i shtyrë nga arsye të shëndosha apo ngaqë u prek thellë, po vetëm nga një farë përtese që e bën të kthehet në zakonet dhe shprehitë e tij të rinisë. Po prapë te Shekspiri gjejmë një model të së vërtetës të përhapur me anën e dinakërisë: fjalimin e përmortshëm të Mark Antonit përpara trupit të Çezarit. Ai nuk lodhet së përsërituri se vrasësi i Çezarit, Bruti, ishte një njeri i ndershëm dhe i nderuar, por njëkohësisht ai përshkruan vrasjen dhe rikujtimi i këtij akti bën një përshtypje më të madhe nga ç’bën përshkrimi i autorit të vrasjes; oratori ua lë kështu fakteve kujdesin që të fitojnë për të, ai u jep atyre një gojëtari më të madhe nga ç’i jep vetvetes. Një poet egjiptian, që jetonte këtu e katër mijë vjet më parë, ka përdorur të njëjtën metodë. Ajo ishte një epokë luftërash të mëdha klasore. Klasa që deri atëherë sundonte mezi mbrohej nga antagonistja e saj e madhe, nga ajo pjesë e popullsisë që gjer atëherë i kishte shërbyer. Në poemë, shohim një të urtë që del në oborrin e faraonit dhe bën thirrje për luftë kundër armiqve të brendshëm. Ai përshkruan gjerë e gjatë rrëmujën që u shkaktua nga kryengritja e shtresave të ulëta. Ja se ç’del nga kjo metodë:
« Kështu pra: të mëdhenjtë janë plot kuje e vajtime dhe të vegjlit plot gëzim e hare. Çdo qytet thotë: t’i dëbojmë të fuqishmit prej nesh.
« Kështu pra: dhomat e kopistëve janë hapur, dhe listat janë rrëmbyer; shërbëtorët bëhen zotër.
« Kështu pra: nuk e njohin më birin e zotërisë së respektuar; biri i zonjës është bërë biri i shërbëtores.
« Kështu pra: kanë mbrehur të pasurit në mokrat; ata që s’kishin parë kurrë diell, dolën në dritë.
« Kështu pra: abanozi i arkave të kurbanit është thyer, po e çajnë me sëpatë santalin e mrekullueshëm për të bërë shtretër.
« Shihni pra: kryeqyteti u shemb brenda një ore.
«Shihni pra: të varfrit janë bërë të pasur. Shihni, ai që nuk kishte bukë, ka tani një hambar që e ka mbushur me grurë të rrëmbyer nga një tjetër.
« Shihni pra: njeriu e ndien veten mirë tek ha ushqimin e vet.
« Shihni pra: ai që nuk kishte grurë, tani ka grunare: ai që rronte me grurin që i jepnin falas, tani shpërndan vetë grurë falas.
« Shihni pra, ai që nuk kishte një pendë qe në zgjedhë, ka tani kope të tëra, ai që s’gjente dot kafshë pune, ka tani një numër të madh kafshësh të tilla.
« Shihni pra, ai që nuk mund të ndërtonte asnjë kasolle, tani ka katër mure të forta.
« Shihni pra: ministrat kërkojnë strehim në hambarët e grurit, dhe ai që mezi kishte të drejtë të pushonte e të çlodhej mbi muret, ka tani një shtrat.
« Shihni pra: ai që s’ndërtonte dot një barkë, ka tani anije; pronari u hedh një vështrim anijeve, por ato nuk janë më të tijat.
« Shihni pra: ata që kishin gjithnjë petka të reja, tani vishen me zhele; ai që endte vetëm për të tjerët, tani vishet me rroba liri nga më të mirat. I pasuri ka etje në gjumë dhe ai që i lypte llumin e calikëve të tij, zotëron tani qilarë me birrë.
« Shihni pra: ai që nuk dinte se ç’ishte harpa, ka tani një harpë, ai përpara të cilit nuk këndonin kurrë, tani ngre lart muzikën.
« Shihni pra: ata që e shihnin fytyrën e tyre në ujë, tani kanë pasqyra.
« Shihni pra: të fuqishmit e vendit enden pa gjetur dot punë; të mëdhenjve nuk u japin më lajme mbi asgjë. Ai që ishte kasnec, tani nis vetë kasnecë.
« Shihni pra: ja pesë skllevër që padroni i tyre i ka nisur për udhë, por ata thonë; bëjeni vetë udhën: ne, për veten tonë, arritëm ».
Bie menjëherë në sy se këtu është fjala për një rrëmujë të të shtypurve duhet t’u jetë dukur shumë e dëshirueshme. Mirëpo poeti nuk e lë veten që ta kapin kollaj. Me fjalë, ai e dënon atë që ka ndodhur, po e dënon keq qëllimisht, sa për sy e faqe… Xhonatan Suifti në pamfletin e tij të famshëm si një mënyrë për ta futur prapë Anglinë në rrugën e begatisë, propozon që të merrnin fëmijët e të varfërve, t’i thernin e t’i kriposnin, t’i konservonin, që pastaj t’i shisnin si mish. Ai rendiste llogari të sakta që vërtetonin se ç’për fitim të madh do të kishin, po qe se qeveria nuk do të zmbrapsej përpara asnjë mjeti. Suifti jo më kot hiqej si budalla. Ai vihej e mbronte me zjarr e me seriozitet një mënyrë të menduari, të cilën në të vërtetë ai e urrente thellësisht, duke e trajtuar çështjen në një mënyrë të tillë që kushdo të shihte qartë gjithë mizorinë dhe poshtërsinë që mbante në vetvete kjo mënyrë të menduari. Mundësinë për të shfaqur në këtë çështje më shumë zgjuarsi ose, të paktën, më shumë humanizëm, Suifti ia jepte çdo lexuesi dhe sidomos atyre që deri atëherë nuk e kishin vrarë ndonjëherë mendjen për pasojat praktike që rridhnin nga kjo ose ajo mënyrë të menduari. Propaganda që nxit mendimin, në çfarëdo fushë që të bëhet, është e dobishme për të shtypurit. Një propagandë e tillë është shumë e nevojshme. Se në regjimet shfrytëzuese të menduarit quhet si një punë e ulët. Gjithçka që u shërben atyre që ndodhen në fund të shkallës shoqërore mbahet si e ulët. Mbahen si të ulëta: ta kesh mendjen vazhdimisht te të ngrënët kur je i uritur; të përçmosh nderimet që u bëjnë atyre, të cilët mbroj në vendin ku të lënë të vdesësh urie; të mos kesh besim te prijësi, kur ai të çon në greminë; të mos kesh zell për punë, kur kjo punë nuk të ushqen; të revoltohesh kundër detyrimit që të sillesh në mënyrë absurde; të bëhesh indiferent ndaj familjes kur e kupton se sado të përpiqesh atë s’e ndihmon dot. Të uriturit akuzohen për mëkatin e grykësisë: ata që s’kanë asgjë për të mbrojtur, akuzohen si burracakë, ata që dyshojnë për shtypësit e tyre, akuzohen se dyshojnë në forcat e veta; ata që kërkojnë të paguhen për punën e tyre, akuzohen për përtaci e kështu me radhë. Nën regjime të tilla, mendimi mbahet në përgjithësi si diçka e ulët, e poshtër dhe ka nam të keq. Asgjëkundi s’të mësojnë më të mendosh dhe, sapo shfaqet një tendencë e tillë, e persekutojnë. Por sidoqoftë mbeten gjithmonë fusha, ku mund të përmenden, pa frikë ndëshkimi, fitoret e mendimit. Këto janë ato fusha ku vetë diktatura ka nevojë për mendimin. Kështu, për shembull mund të flasësh për fitoret e mendimit në teknikë dhe në shkencën ushtarake. Një organizim që lejon t’ua zgjatë jetën stoqeve të leshit dhe të shpikë tekstile sintetike kërkon të vrasësh mendjen. Për zierja e prodhimeve ushqimore, me lloj-lloj surrogatosh, përgatitja e rinisë për luftë të gjitha këto kërkojnë mendim dhe, duke bërë fjalë për çështje të tilla mund të përshkruash edhe proceset e mendimit. Që në një kohë si jona të mund të vazhdojë shtypja e njërës pjesë të popullsisë (shumicës) nga pjesa tjetër (pakica), duhet të ekzistojë një qëndrim i caktuar nga ana e popullsisë, që shtrihet në të gjitha fushat e ekzistencës. Një zbulim në biologji si ai i Darvinit, mund të bëhej përnjëherësh një rrezik për shfrytëzimin; megjithatë, për një kohë mjaft të gjatë vetëm Kisha u alarmua për të, kurse policia s’po merrte vesh gjë akoma. Këto vitet e fundit, kërkimet e fizikantëve kanë arritur në përfundime të tilla në fushën e logjikës që kanë mundur të bëhen të rrezikshme për një sërë dogmash që e justifikojnë shfrytëzimin. Filozofi i shtetit prusian Hegeli, që merrej me kërkime të vështira logjike, u dha Marksit dhe Leninit, klasikëve të revolucionit, metoda të menduari me një vlerë të paçmuar. Zhvillimi i shkencave kryhet me koherencë, por sipas një ritmi të pabarabartë, dhe shteti nuk është në gjendje të ndjekë e të mbikëqyrë gjithçka. Kampionët e së vërtetës mund të zgjedhin vende luftimi relativisht të mbrojtura nga vështrimet. Ajo që ka rëndësi para së gjithash, është t’u mësojmë të tjerëve të mendojnë drejt, domethënë të kenë një mendim që e analizon aspektin kalimtar dhe të ndryshueshëm të çdo gjëje e të çdo procesi. Sunduesit kanë një urrejtje të thellë për çdo lloj ndryshimi me rëndësi. Ata do të dëshironin me gjithë zemër që gjithçka të mbetej ashtu siç është edhe për një mijë vjet, po të ishte e mundur. Sikur të ishte e mundur që hëna të mbetej në vend, të ishte e mundur që dielli ta ndalte vrapin ! Asnjeri s’do të kishte më uri dhe s’do të donte të shtrohej në sofër. Ata duan që, pasi të kenë shtënë pushkë, kundërshtari i tyre të mos shtinte dot më nga ana e vet, kështu që plumbi i tyre të ishte i fundit.
Ajo mënyrë të menduari që nxjerr në pah karakterin e mirë për t’u dhënë zemër të shtypurve. Këta të fundit terin kalimtar të fenomeneve të botës, është një mjet i duhet ta dinë fare mirë se edhe pas fitoreve rriten të tilla kontradikta, që pastaj bëhen kërcënim për fitimtarin. Një shikim i tillë i botës (ai dialektik, i doktrinës mbi ndryshimin e lëvizjen e përgjithshme të gjithçkaje) mund të përdoret në ato fusha që tani për tani i kanë shpëtuar akoma vëmendjes së atyre që kanë pushtetin. Ai mund të zbatohet për shembull në biologji ose në kimi. Mund të dalë në pah gjithashtu në përshkrimin e fatit të një familjeje, pa rënë aq shumë në sy. Ideja që çdo gjë varet nga shumë faktorë njëherësh, të cilët edhe ata vetë janë në ndryshim të vazhdueshëm, është një ide e rrezikshme për diktatorët dhe kjo ide mund të paraqitet në shumë forma pa dhënë shkak për ndërhyrjen e policisë. Një përshkrim i plotë i të gjitha rrethanave e i proceseve në të cilat kalon një njeri që hap një dyqan cigaresh, mund të jetë një grusht i rëndë që i jepet diktaturës. Qeveritë që i çojnë masat në mjerim duhet medoemos të evitojnë që në mjerim ato të mendojnë për qeverinë. Këto lloj qeverish flasin shumë për fatin. Përgjegjës për varfërinë, sipas tyre, është fati dhe jo ata. Kush rreh të kërkojë shkakun e varfërisë, arrestohet përpara se të ketë arritur në përfundimin se fajin e ka qeveria. Por në përgjithësi ka mundësi t’i shmangesh frazeologjisë boshe të fatit; mund të tregosh se fatin e njeriut e bëjnë vetë njerëzit. Po edhe kjo mund të bëhet në mënyra të ndryshme. Mund të tregojnë, për shembull, historinë e një ferme, ta zëmë të një ferme islandeze. Në tërë fshatin flitet se mbi të rëndon një mallkim. Një fshatare është hedhur në pus, një fshatar ka varur veten. Një ditë bëhet një dasmë: biri i fshatarit martohet me një vajzë që sjell si prikë disa dynymë tokë. Magjia prishet dhe fati i keq largohet nga fshati. Fshati nuk është në një mendje për sa u përket shkaqeve të kësaj zgjidhjeje të lumtur. Një palë ia veshin natyrës gazmore të fshatarit të ri, të tjerët dynymëve të tokës së fshatares së re, që e lejojnë me në fund fermën të jetojë. Madje edhe në një poezi që vetëm sa përshkruan natyrën mund të arrijmë diçka në të njëjtin drejtim, mjafton që të shohim në sfondin e natyrës atë që ka krijuar dora e njeriut. Që e vërteta të përhapet, duhet dinakëri.
Përmbledhje konkluzionesh
E vërteta e madhe e kohës sonë (njohja e thjeshtë e së cilës nuk shërben akoma për ndonjë gjë të madhe, por pa njohjen e saj nuk mund të gjendet asnjë e vërtetë me rëndësi), është se kontinenti ynë po kridhet në barbarizëm, sepse prona private mbi mjetet e prodhimit ruhet me forcë. E përse të shkruash diçka të guximshme, nga e cila del se gjendja në të cilën kridhemi është një gjendje barbare (çka është fare e vërtetë), në qoftë se nuk e sqarojmë se për ç’arsye po biem në këtë gjendje? Duhet thënë se torturohen (njerëzit), që të ruhen me çdo kusht marrëdhëniet e tanishme të pronësisë. Sigurisht, në qoftë se ne do ta themi këtë, do të humbasim shumë miq, të cilët janë kundër torturës, sepse besojnë se marrëdhëniet ekzistuese të pronësisë mund të ruhen pa torturë (gjë që nuk është e vërtetë). Ne duhet të themi të vërtetën mbi regjimin barbar të vendit tonë, në mënyrë që ajo të bëhet diçka që t’i japë fund këtij regjimi, gjë që mund të bëhet vetëm duke ndryshuar marrëdhëniet e vjetra të pronësisë. Nga ana tjetër, duhet t’ua themi këtë atyre që vuajnë më shumë nga marrëdhëniet aktuale të pronësisë, që janë më të interesuarit për zhdukjen e tyre – punëtorëve, si dhe atyre të cilët ne mund t’ua çojmë si aleatë, sepse edhe sikur këta të kenë pjesë në përfitimet, janë njerëz që nuk zotërojnë mjete prodhimi. Dhe, së fundi, ne duhet të veprojmë me dinakëri. Këto pesë vështirësi duhet t’i zgjidhim në të njëjtën kohe. Sepse s’kemi si te kuptojmë të vërtetën mbi një regjim barbar, po të harrojmë ata që vuajnë më tepër nga një regjim i tillë dhe pasi të kemi mposhtur të vërtetën tonë çdo shenjë frike dhe të kemi vendosur t’ua themi të vërtetën atyre që janë të gatshëm të përfitojnë prej saj, duhet t’ua themi atë në një mënyrë të tillë që t’u japë në dorë këtyre njerëzve një armë të sigurt lufte. Dhe në të njëjtën kohë ajo duhet thënë me dinakëri, në mënyrë që armiku të mos e zbulojë e të mos ketë mundësi ta pengojë përhapjen e saj. Të kërkosh që shkrimtari të shkruajë të vërtetën, do të thotë t’i kërkosh të gjitha këto.
Marrë nga libri: B. Breht, R. Foks, S. Finkelshtajn. (1982). Shënime kritike. Përkth: Sotir Caci, Bujar Doko. Tiranë: Naim Frashëri
Imazhi: Louise Fletcher