Kapitalizmi dhe të drejtat shoqërore

/Ellen Meiksins Wood/

Po flasim për të drejtat dhe si t’i garantojmë ato në një shoqëri të globalizuar të pabarabartë. Po e marr të mirëqenë se të gjithë ne këtu besojmë te të drejtat e njeriut në një farë kuptimi. Ta nisim prej premisës se çdo qenie njerëzore, thjesht prej të qenit njeri, ka të drejtë të gëzojë kushte bazike lirie dhe dinjiteti, të cilat duhet të respektohen nga të tjerët – jo thjesht prej individëve, por sidomos prej të pushtetshmëve dhe shteteve. Besoj se diçka të tillë do ta përkrahnin të gjithë të pranishmit.

Jam e sigurt se ka konsensus të gjerë – padyshim universal në një audiencë si kjo – se këto kushte bazike lirie dhe dinjiteti duhet të përfshijnë disa liri civile dhe të drejta politike të patjetërsueshme, si për shembull liria e fjalës, liria e mendimit dhe tubimit, e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, e drejta e votës etj.

Po në shekullin e njëzetenjë ky është veç fillimi i debatit mbi të drejtat. Pyetja që shtron shumëkush është nëse të drejtat e njeriut vetëm fillojnë apo edhe mbarojnë me të drejtat civile dhe politike. Për shembull Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e shpallur 60 vite më parë, flet për të drejta ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Prej kohësh vazhdon një debat i fortë mbi to.

Disa, sidomos në vendet e zhvilluara kapitaliste dhe veçanërisht në SHBA, pretendojnë se të drejtat ekonomike dhe shoqërore nuk ekzistojnë. Nuk është mister pse qeveritë e përkushtuara ndaj globalizimit neoliberal janë veçanërisht armiqësore ndaj ideve të të drejtave ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Edhe ndoca prej atyre që besojnë në garantimin e disa kushteve materiale dhe shoqërore bazike për gjithkënd, nuk duan t’i quajnë të drejta ato. Thonë se bëhet fjalë veç për aspirata – që janë tejet të varura nga burimet e disponueshme dhe nuk mund të sigurohen duke iu drejtuar gjyqit, siç ndodh me të drejtat civile dhe politike.

Mund ta harxhoj gjithë kohën që kam në dispozicion për të dhënë argumente kundër atyre që nuk e pranojnë konceptimin e zgjeruar të të drejtave, që mendojnë se të drejtat, për përkufizim, janë civile dhe politike, jo ekonomike, shoqërore e kulturore. Mund të thosha se të drejtat shoqërore nuk janë më pak aspiruese sesa të drejtat civile dhe politike, edhe kur kërkojnë më shumë burime. Mjafton të hedhim sytë drejt vendeve ku njerëzit ende luftojnë për të drejtat politike dhe civile, ku këto të drejta janë ende aspirata mjaft të largëta. Ose mund të argumentoj se realizimi i plotë i të drejtave civile dhe politike varet mbramësisht nga disa kushte materiale e shoqërore bazike.  

Po dua të rrah të tjera ide. Dua të shtroj disa çështje mbi mënyrën se si i dallojmë llojet e ndryshme të të drejtave dhe do të sugjeroj se dallimet e përpikta midis tyre mund të fshehin realitete domethënëse.

Edhe njerëzit që besojnë në zgjerimin e familjes së të drejtave priren t’i trajtojnë të drejtat ekonomike dhe shoqërore si kategori të dallueshme, të cilat duhet t’i shtohen listës së të drejtave, krahas të drejtave civile dhe politike ekzistuese. Shpesh herë flasin për përparim në arritjen e të drejtave: disa liri civile u njohën fillimisht në Evropën e modernitetit të hershëm; paskëtaj u përparua kah e drejta e votës, që solli në fund votimin universal për të rriturit; dhe që prej njohjes së të drejtave të gjera politike, sidomos pas fitimit të së drejtës së votës nga klasat punonjëse, po luftohet për një lloj të ri të drejtash, që nuk njiheshin më parë, të drejta që ne i quajmë ekonomike, shoqërore e kulturore.

Ka plot aspekte të së vërtetës në këtë këndvështrim. Ka kuptim ta mendosh historinë e të drejtave si zgjerim nga të drejtat politike tek ato ekonomike e shoqërore, që ka ardhur si rezultat i luftërave të dhimbshme, të cilat ende vazhdojnë. Po ky këndvështrim na fsheh disa gjëra të rëndësishme.

Në fakt, mund të thoshim fare lehtë se historia e të drejtave është karakterizuar jo nga zgjerimi, por nga tkurrja e të drejtave politike – jo nga zgjerimi prej një grupi të drejtash drejt një tjetri, por nga tkurrja e të drejtave politike në mënyrë që këto të fundit të përjashtojnë shoqëroren dhe ekonomiken. Sigurisht që të drejtat politike janë zgjeruar në kuptimin se janë bërë më universale. Gjithnjë e më shumë njerëz kanë fituar të drejtën e votën. Po njëkohësisht të drejtat politike janë tkurrur në kuptimin se tanimë ato përjashtojnë shumë aspekte të jetës.

Një herë e një kohë të drejtat politike i gëzonin më pak njerëz, por këto të drejta mbartnin pushtet ekonomik dhe shoqëror. Kjo nuk qëndron më në të tashmen. Zotëruesit e të drejtave politike mund të mos kenë kurrfarë pushteti shoqëror ose ekonomik; kjo është njëra prej arsyeve pse na është dashur të shpikim lloje të reja të drejtash ekonomike e shoqërore.

Po shpjegohem. Fillimisht po parashtroj një ide të shkurtër: sot jetojmë në një botë kapitaliste dhe kapitalizmi e ka transformuar tërësisht domethënien e të drejtave politike dhe marrëdhënien e tyre me të drejtat ekonomike e shoqërore. Marrëdhënia e veçantë midis pushtetit politik dhe ekonomik në kapitalizëm është rrënjësisht e ndryshme nga çka ekzistuar përpara tij. Kapitalizmi ka krijuar një sferë ekonomike të ndarë, me rregullat dhe format e veta të pushtetit; dhe të drejtat politike janë zbrazur prej përmbajtjes ekonomike e shoqërore.

Njëkohësisht sistemi ka prodhuar një sërë problemesh shoqërore. Mendoj që mund të thuhet se vetë ideja e një sfere të dallueshme problemesh shoqërore i përket specifikisht kapitalizmit. Ideja e “çështjes shoqërore”, siç nisi të quhej në shekullin e nëntëmbëdhjetë, është e lidhur posaçërisht me zhvillimin e kapitalizmit, me klasën e saj punonjëse të papronë. Veçanërisht në kushtet e kapitalizmit ndodh që të na duhet të nisin të mendojmë për të drejtat shoqërore, drejtësinë shoqërore, qytetarinë shoqërore, ekonominë shoqërore  dhe, sigurisht, punën sociale.

Me fjalë të tjera, pikërisht kur të drejtat politike janë zbrazur nga përmbajtja e tyre shoqërore, lindin një sërë problemesh të reja shoqërore dhe një prej debateve më të mëdha të epokës sonë është nëse pushteti politik i shtetit duhet të ndërhyjë ose jo në zgjidhjen e tyre.  

A është kapitalizmi rendi i natyrshëm?

I gjithë debati i sotëm mbi të drejtat i merr për të mirëqena kushtet kapitaliste, si të ishin të pashmangshme, një rend i natyrshëm gjërash, na pëlqen ose jo. Po me ta njohur karakterin specifik të kapitalizmit, veçantinë e tij si një moment i caktuar në histori me zanafillën dhe hamendësisht fundin e vet, me të menduar pasojat e tij të veçanta, krejt çështja e të drejtave nis të na duket mjaft e ndryshme.

Në sistemin kapitalist të mirat dhe shërbimet bazike prodhohen për tregun dhe merren prej tregut. Po, mbi të gjitha, bëhet fjalë për një sistem në të cilin aktorët ekonomikë – punëtorët dhe punëdhënësit – janë të varur nga tregu. Varësia nga tregu është thelbi i sistemit. Kjo mënyrë unike e organizimit të jetës materiale ka histori relativisht të shkurtër. Të tjera shoqëri kanë pasur tregje, por vetëm në kapitalizëm ndodh që varësia nga tregu të jetë kusht themelor i jetës. Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e veprimtarisë njerëzore i nënshtrohet tregut dhe përcaktohet nga kërkesat e tij siç nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Në kapitalizmin e pjekur, punëtorët që prodhojnë mallra e shërbime kanë varësi nga tregu sepse përgjithësisht jetojnë nga shitja e fuqisë së tyre punëtore. Me fjalë të tjera, fuqia punëtore është shndërruar në mall. Kapitalistët varen nga tregu për të blerë fuqinë punëtore dhe të mirat kapitale, si dhe për të shitur çka prodhojnë punëtorët.

Këtu nis hileja. Punëtorët paguhen për punën e tyre. Kjo duket si e kundërta e shfrytëzimit të fshatarëve nga çifligarët, ku fshatarët paguanin një lloj rente për çifligarët. A paguhen vërtet punëtorët në kapitalizëm për krejt punën e tyre? Për çfarë paguhen konkretisht? Paguhen për fuqinë e tyre punëtore të ushtruar gjatë një periudhe të caktuar kohe, jo për ç’prodhojnë realisht gjatë asaj kohe. Çdo gjë e prodhuar nga punëtorët i përket kapitalistit dhe është ky i fundit që përvetëson diferencën midis pagës së punëtorëve dhe asaj që produktet ose shërbimet e tyre do të kapin në treg.

Pra kapitalisti përvetëson tepricat, në trajtë fitimi, e prodhuara nga punëtorët, ashtu siç përvetësonte çifligari në formë rente tepricat e prodhuara nga fshatarët. Këtë nuk e ka quajtur vetëm Karl Marksi shfrytëzim. Edhe “babai” i liberalizmit, John Stuart Mill-i, e konsideronte kështu. Sidoqoftë, kapitalizmi ka një mënyrë tejet specifike të thithjes së tepricave nga punëtorët – kjo nuk realizohet nëpërmjet mjeteve të forcës shtrënguese të drejtpërdrejtë, por përmes tregut.

Do t’i kthehem më poshtë domethënies së saj për temën tonë dhe marrëdhënies midis të drejtave politike dhe ekonomike. Po së pari duhet të parashtroj disa ide të tjera rreth kapitalizmit. Fakti që kapitalistët mund të nxjerrin fitim vetëm nëse ia dalin t’i shesin mallrat dhe shërbimet e tyre në treg, si dhe t’i shesin ato me çmim më të lartë se kostoja, do të thotë se fitimi është i pasigurt.

Kapitalistët duhet të konkurrojnë me të tjerë kapitalistë në të njëjtin treg. Në fakt, konkurrenca është forca lëvizëse e kapitalizmit – pavarësisht se shpesh herë kapitalistët bëjnë ç’është e mundur për ta shmangur atë nëpërmjet, bie fjala, monopoleve. Po kushti shoqëror që, në një treg të caktuar, përcakton suksesin në garën e çmimit është përtej kontrollit të kapitalistëve individualë.

Përderisa fitimet e tyre varen nga raporti i favorshëm kosto/çmim, strategjia e afërmendshme e kapitalistëve është ulja e kostove. Kjo do të thotë, mbi të gjitha, ushtrim konstant i trysnisë për të ulur kostot e punës. Diçka e tillë kërkon që mbi pagat të ushtrohet trysni konstante, të cilës punëtorët duhet t’i rezistojnë. Kërkon gjithashtu përmirësimin e vazhdueshëm të produktivitetit të punës. Çka do të thotë të kërkosh mjete organizative dhe teknike për të thithur sa më shumë teprica të mundshme nga punëtorët brenda një periudhe të caktuar kohe, me koston më të ulët të mundshme.

Vazhdimësia e këtij procesi kërkon investim dhe riinvestim të vazhdueshëm tepricash. Investimi kërkon akumulim të kapitalit konstant. Pra ekziston një nevojë e vazhdueshme për të maksimizuar fitimin. Ideja është se kjo kërkesë u imponohet kapitalistëve, pavarësisht nevojave dhe dëshirave të tyre personale. Edhe kapitalisti më modest dhe i përgjegjshëm shoqërisht u nënshtrohet këtyre trysnive dhe është i detyruar të akumulojë për të maksimizuar fitimin, thjesht për të mos falimentuar.

Mund të flasim sa të duam për përgjegjësinë shoqërore të korporatave. Po kapitalizmi i vendos kufij të fortë asaj. Nevoja për të përdorur strategji maksimizuese është karakteristikë bazike e sistemit, jo thjesht funksion i papërgjegjshmërisë ose grykësisë – ndonëse është e vërtetë se një sistem i bazuar te parimet e tregut medoemos do të vlerësojë pasurinë dhe nxisë një kulturë grykësie.

Nevoja e vazhdueshme për të përmirësuar produktivitetin e punës e ka bërë tejet dinamik kapitalizmin. Ajo sjell përmirësime të vazhdueshme në teknologji dhe atë që rëndom quhet rritje ekonomike. Po të njëjtat trysni tregu që e bëjnë atë kaq dinamik, sjellin edhe efekte kontradiktore. Kapitalizmi karakterizohet nga ulje-ngritje të vazhdueshme; jo vetëm “cikle biznesi” afatshkurtra, por edhe kriza konstante të mbikapacitetit dhe mbiprodhimit, si dhe një prirje rënieje dhe stanjacioni afatgjatë.

Nuk është ky vendi për të zhbiruar problemin kompleks të krizave kapitaliste. Çka dua të theksoj këtu janë disa probleme të rrënjosura të kapitalizmit të cilat kanë rëndësi për diskutimin tonë. Pavarësisht dinamizmit, kapitalizmi nuk është një mënyrë eficiente e plotësimit të nevojave thelbësore njerëzore. Kapitalizmi mund të jetë efecient në prodhimin e kapitalit dhe është e vërtetë që kapitalizmi ka sjellë përparim të madh material dhe teknologjik. Po ka një hendek të thellë midis kapaciteteve prodhuese që krijohen nga kapitalizmi dhe të mirave që shpërndahen.

Prodhimi nuk përcaktohet nga nevojat, por nga çka sjell më shumë fitim. Për shembull, kushdo ka nevojë për strehim dinjitoz, por strehimi i mirë dhe i përballueshëm për të gjithë nuk është fitimprurës për kapitalin privat. Mund të ketë një kërkesë tejet të lartë për strehim të këtillë, por kjo nuk përbën atë që ekonomistët e quajnë “kërkesë efektive”, domethënë kërkesë që shoqërohet me mundësinë për të paguar. Nëse kapitali investohet në strehim, me fort gjasë ndërtohen shtëpi me kosto të lartë për parellinjtë. Ky është thelbi i kapitalizmit.

Kur prodhimi anon nga maksimizimi i fitimit, shoqëria mund të ketë kapacitete prodhuese masive. Mund të ketë bollshëm për të ushqyer, veshmbathur dhe strehuar denjësisht të gjithë popullsinë. E prapëseprapë të ketë varfëri, numër të madh të pastrehësh dhe mungesa në kujdesin shëndetësor. Mjafton të shikoni SHBA, ku gjejmë një prej niveleve më të larta të varfërisë në botën e zhvilluar dhe dhjetëra milionë vetë nuk mund të përballojnë kujdesin shëndetësor. Si mund të justifikohen këto në një shoqëri me pasuri dhe kapacitet prodhuese kaq të mëdha?!

Kapitalizmi është joeficient edhe në një tjetër kuptim. Duke theksuar maksimizimin e fitimit dhe akumulimin e kapitalit, ai është medoemos një sistem prodhimi shpërdorues dhe shkatërrimtar. Konsumon sasi të jashtëzakonshme burimesh dhe vepron në bazë të kërkesave afatshkurtra të fitimit, jo nevojave afatgjata të një mjedisi të qëndrueshëm.

Të gjitha aspektet e jetës që shndërrohen në mall tregu janë përtej llogaridhënies demokratike. Ato nuk i përgjigjen vullnetit të popullit, por kërkesave të tregut dhe fitimit. Siç mund ta imagjinoni, diçka e tillë sjell pasoja të rëndësishme në domethënien e të drejtave politike.

Domethënia e globalizmit

Po kapitalizmi global? Me rëndësi është të kujtohet se bëhet fjalë për kapitalizmin, jo për ndonjë sistem tjetër që operon sipas të tjera rregullave. Kur flasim për globalizmin, së paku në formën e tij aktuale, e kemi fjalën për një botë që gjithnjë e më shumë po u nënshtrohet mekanizmave të tregut kapitalist.

Kjo nuk do të thotë se të gjitha ekonomitë kanë karakteristikat e kapitalizmit të zhvilluar apo janë të barabarta në procesin e zhvillimit kapitalist, por thjesht se imperativët e tregut, me origjinë në ekonomitë e zhvilluara, janë imponuar në një mënyrë ose një tjetër ngado. Tekembramja, objektivi parësor i globalizmit kapitalist nuk është të inkurajojë zhvillimin, por të maksimizojë fitimin e kapitalit në ekonomitë e përparuara.

Nëse flasim për globalizimin e imperativëve të tregut, nuk është për t’u habitur që të gjitha problemet e kapitalizmit, të gjitha problemet e shkaktuara nga këta imperativë, janë përkeqësuar nga “globalizmi”. Mund të jetë e vërtetë se ka një rënie të përqindjes së njerëzve që jetojnë në varfëri, por kjo nuk është panorama e plotë. Edhe në vendet e përparuara kapitaliste përfituesi kryesor i globalizmit ka qenë 20-përqindëshi më i pasur; disa pjesë të botës, si për shembull Afrika nënsahariane, janë margjinalizuar dhe varfëruar.

Hendeku midis të pasurve dhe të varfërve është rritur ngado, jo thjesht midis Veriut dhe Jugut, por edhe brendapërbrenda ekonomive të zhvilluara. Krahas kësaj, po përshpejtohet me ritme alarmuese degradimi ekologjik. Kjo nuk ndodh thjesht për shkak se jetojmë në një ekonomi globale. Thelbi është se kapitalizmi global sjell pasoja të tilla jo thjesht për shkak se është global, por mbi të gjitha sepse është kapitalist dhe se, lokal a global qoftë, kapitalizmi shtyhet nga imperativët e tregut.

Dua të theksoj dy gjëra, të cilat kanë pasoja themelore për të drejtat politike dhe marrëdhënien e tyre me fuqinë ekonomike dhe të drejtat shoqërore. E para ka të bëjë më marrëdhënien midis klasave – atyre që punojnë dhe atyre që përvetësojnë punën e të tjerëve. Kapitalizmi është unik sepse, ndryshe nga çdo sistem pararendës, kapitalisti nuk ka nevojë të ushtrojë forcë shtrënguese të drejtpërdrejtë për të përfituar nga puna e punëtorit.

Punëtorët nuk janë të varur ligjërisht nga kapitalistët. Ata nuk janë as skllevër, as bujkrobër. Nuk janë në kushtet e robërisë nga borxhi apo të peonazhit[1]. Ata detyrohen të punojnë për kapitalin jo pse shtyhen nga forca sipërore e kapitalistit, por ngaqë kanë nevojë të shesin fuqinë e tyre punëtore në këmbim të një page, e cila do t’u mundësonte mjetet e jetesës. Kjo do të thotë se pushteti ekonomik dhe politika janë ndarë nga njëri-tjetri në një mënyrë krejt të re.

Nuk dua të them se tregu kapitalist mund të ekzistojë pa mbështetjen e shtetit. Kapitalizmi ka nevojë për ndërhyrjen e shtetit, në disa raste edhe më shumë se çdo sistem tjetër, për të ruajtur rendin shoqëror dhe kushtet e akumulimit. Po pushteti ekonomik i kapitalit është i ndarë nga pushteti politik në dy kuptime: pushteti kapitalit mbi punëtorët nuk varet nga qasja e privilegjuar në të drejtat politike ose ligjore dhe zotërimi i të drejtave politike e ligjore nga punëtorët nuk i çliron ata nga shfrytëzimi ekonomik.

Ideja e dytë është se sistemi kapitalist lëviz në përputhje me disa imperativë të pashmangshëm, shtysa të caktuara: imperativët ekonomikë të konkurrencës, maksimizimit të fitimit, akumulimit të vazhdueshëm dhe nevojës së pafundme për të përmirësuar produktivitetin e punës. Bëhet fjalë vërtet për imperativë, jo thjesht zgjedhje të lira të kapitalistëve grykës. Janë kushtet e mbijetesës së kapitalit.

Kjo është pikë kyçe. Dëgjojmë shpesh për tregun e lirë, zgjedhjen në treg dhe mundësitë që ofron tregu. Po kur mendojmë tregun kapitalist e kemi fjalën për shtrëngesa dhe domosdoshmëri, jo për mundësi dhe liri. Mjaft aspekte të jetës njerëzore kushtëzohen nga këta imperativë, të cilët nuk janë shtysë vetëm për prodhimin dhe shpërndarjen e punës dhe burimeve, por edhe për aspekte të shumta të jetës jashtë vendit të punës, duke shkuar deri në organizimin më bazik i kohës.

Ka vlerë gjithashtu të nxjerrim në pah se kapitalizmi ka prodhuar një lloj të ri imperializmi, që nuk varet medoemos nga sundimi i drejtpërdrejtë kolonial. E dimë se si kapitalizmi mund ta mbisundojë punën pa ushtruar shtrëngim politik të drejtpërdrejtë. E njëjta gjë vlen për kapitalin imperial, i cili mund t’i mbisundojë ekonomitë e nënrenditura thjesht duke i nënshtruar ndaj imperativëve të tregut – për shembull nëpërmjet politikave të ashtuquajtura të “rregullimit strukturor”, instrumenteve të borxhit, ndihmës me kushte etj.

Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e jetës njerëzore dhe një varg në rritje praktikash shoqërore qeverisen nga imperativët e tregut dhe jo nga veprimtaria politike. Kjo sjell pasoja të jashtëzakonshme në kuptimin e të drejtave politike. Sot në të gjitha vendet e përparuara kapitaliste dhe në shumë vende në zhvillim ka të drejta politike universale. Me fjalë të tjera, ekziston ajo që quajmë demokraci. Po një pjesë e madhe e asaj që mbisundon jetën tonë të përditshme është vendosur jashtë kufijve të llogaridhënies demokratike, duke iu përgjigjur imperativëve ekonomikë kapitalistë.

Për ironi, ditë pas dite qeveritë anembanë globit po vendos qëllimisht gjithnjë e më shumë aspekte të jetës sonë jashtë ndikimit demokratik, duke i lënë nën sundimin e imperativëve të tregut. Prandaj jemi duke folur për një lloj tejet të veçantë demokracie. Kjo e fundit është shumë e ndryshme nga kuptimi origjinal i fjalës: pushtet popullor. Kur u shpik fjala demokraci, pushteti politik dhe ekonomik ishin aq të lidhur mes tyre, saqë kur njerëzit e zakonshëm fitonin të drejtat politike, siç ndodhi në demokracinë antike greke, ata do të çliroheshin nga trajtat më të zakonshme të shfrytëzimit, si për shembull skllavëria, bujkrobëria apo lidhja pas borxhit.

Vetëm në kapitalizëm mund të flitet për një sferë ekonomike të dallueshme, me format e saj të pushtetit, mbisundimit dhe imperativët e vet specifikë, ku asnjëra syresh nuk kërkon varësinë ligjore ose politike të punëtorëve. Pushteti i kapitalit dhe imperativët e tregut diktojnë gjithnjë e më shumë aspekte të jetës sonë, edhe kur kemi të drejta politike universale dhe barazi ligjore. Kapitalizmi ka mundësuar një demokraci të kufizuar, një demokraci që mbyllet brenda një sfere politike të ndarë veçmas, ndërsa lë të paprekur shpërndarjen e pushtetit në sferën ekonomike. Kjo lloj demokracie “formale” nuk ka qenë kurrë më parë e mundshme.

 Të drejtat dhe liritë civile të garantuara nga demokracia formale ose liberale në vetvete janë të mira, si dhe produkt i betejave të gjata e të forta. Ne duhet të bëjmë çmos t’i ruajmë aty ku ekzistojnë dhe t’i fitojmë aty ku nuk ekzistojnë. Sigurisht, e drejta e votës për klasat punonjëse dhe të drejta të tjera si ajo e sindikalizmit autonom janë jetike. S’do mend që ka një larmi demokracish kapitaliste – prej variantit neoliberal tek ai socialdemokrat, dhe këto dallime kanë rëndësi. Po duhet t’i kemi të qarta të përbashkëtat e tyre dhe ç’i mungon çdo forme demokracie kapitaliste.

Nuk ka kapitalizëm që qeveriset nga pushteti popullor, në të cilin vullneti i popullit ka përparësi ndaj imperativëve të fitimit dhe akumulimit dhe ku kërkesat e maksimizimit të fitimit nuk diktojnë kushtet më bazike të jetës. Kushti thelbësor i ekzistencës së kapitalizmit është se kushtet më bazike të jetës janë komodifikuar, shndërruar në mallra që u binden diktateve të fitimit dhe “ligjit” të tregut. Çdo praktikë njerëzore e komodifikuar është përtej cakut të llogaridhënies demokratike.

Lufta për të drejta shoqërore

Në kapitalizëm të drejtat politike, ndonëse janë mjaft më të përhapura se kurdoherë më parë, lënë mënjanë aspekte shumë të rëndësishme të jetës sonë. Ku e kam fjalën kur them se kapitalizmi ka krijuar edhe një sërë problemesh të reja shoqërore?

Afërmendsh nuk dua të them se kapitalizmi është e para formë shoqërie që sjell varfëri dhe mjerim njerëzor apo se varfëria dhe mjerimi janë më keq se më parë. Sigurisht që kapitalizmi ka margjinalizuar dhe varfëruar shumë njerëz dhe vazhdon të mbjellë varfëri edhe në ekonomitë e zhvilluara. Po nuk ka dyshim se ai i ka përmirësuar në mënyrë të jashtëzakonshme kushtet materiale në përgjithësi dhe ka rritur nivelin e jetesës për shumë njerëz anembanë botës. Sidoqoftë ai ka prodhuar edhe probleme specifike që nuk kanë ekzistuar më parë, edhe në ekonomitë më të begata.

Mendoni për një çast mbi kushtet e varësisë nga tregu! Cilat janë kushtet bazike që i bëjnë njerëzit të varur nga tregu? Në thelb, në kapitalizëm varësi nga tregu do të thotë se njerëzit e kanë humbur qasjen e pavarur nga tregu në mjetet e prodhimit dhe ato të mbijetesës.

Për shembull, kur njerëzit e zotërojnë drejtpërdrejt tokën dhe ky zotërim nuk varet nga suksesi në treg, nuk ekziston varësia nga tregu apo imperativët e tregut. Çka shohim në historinë e zhvillimit kapitalist është humbja e këtij lloj zotërimi. Vëmë re ose shpronësimin e plotë të shumicës, ose imponimin e kushteve që e bëjnë zotërimin të varur nga suksesi në treg, çka për shumëkënd do të sjellë shpronësimin.

Kemi parë gjithashtu shkatërrimin e rrjeteve komunitare – bashkësi fshatare etj. – të cilat u kanë dhënë njerëzve një farë mbështetjeje në ditë të hallit. Në ditët e hershme të kapitalizmit, për shembull në Angli, kjo donte të thoshte ndër të tjera humbjen e të drejtave zakonore të përdorimit të tokës së përbashkët, gjatë procesit të famshëm të gardhimit. Nënkuptonte gjithashtu një ndryshim në vlerat e përbashkëta dhe në mënyrën e zbatimit të ligjit, si dhe përkufizime të reja të pronësisë në të cilat çdo zotim tradicional ndaj të drejtës bazike të mbijetesës u zëvendësua nga imperativët e fitimit. Ndërsa kapitalizmi mori trajtën e vet industriale, u morën gjithashtu masa si ndryshimi i sistemit të ndihmës ndaj të varfërve, që synonin t’i çrrënjosnin njerëzit nga bashkësitë e tyre lokale dhe të rrisnin mobilitetin e punës.

Sot shtrirja e imperativëve kapitalistë nënkupton rregullimin strukturor, domethënë privatizimin e gati gjithçkaje, atë që ca vetë e kanë quajtur një proces tërësisht të ri gardhimi. Për shembull, në ekonomitë bujqësore kjo sjell shpronësimin e plotë të zotëruesve të vegjël të tokës apo imponimin e politikave ekomomike që i detyrojnë prodhuesit të braktisin strategjitë e vetëmjaftueshmërisë për të shkuar kah strategjitë eksportuese, prodhimin e një kulture të vetme bujqësore etj. Sjell gjithashtu, si në ditët e hershme të kapitalizmit, shpërbërjen e rrjeteve të ndryshme shoqërore që kanë shërbyer si mbështetje për njerëzit.

Parimi bazik i sistemit kapitalist është izolimi i individëve dhe ekspozimi i tyre i plotë ndaj imperativëve të tregut. Kjo do të thotë eliminim të gjithçkaje që qëndron midis njerëzve dhe varësisë nga tregu, që i bën ata autonomë nga tregu. Dhe kur jeta shoqërore lëviz në përputhje me imperativët e tregut, ajo u nënshtrohet cikleve dhe krizave të tregut. Për shembull, punëtorët e shpronësuar, të cilët varen nga shitja e fuqisë së tyre punëtore, nuk kanë ku të mbështeten kur tregu nuk ka më nevojë për ta.

Nuk është e vështirë të kuptohet se si diçka e tillë ka krijuar probleme të reja shoqërore, dhe qysh herët shtetit i është dashur të merret me to. Prej ditëve të para të kapitalizmit, shtetit i është dashur të merret me një numër në rritje të shpronësuarish, njerëzish pa pronë, pa qasje në mjetet e mbijetesës, pa të drejta zakonore dhe pa mbështetje shoqërore e komunitare. Shteti i është dashur të merret me to jo thjesht prej brengosjes humanitare, por nga frika e trazirave shoqërore, madje edhe e çintegrimit shoqëror.

Prej fillesave të kapitalizmit, shtetit i është dashur të ndërhyjë për të ruajtur rendin shoqëror apo parandaluar revolucionet. Në ditët e hershme të kapitalizmit, qeveritë e nervozuara dhe pronarët flisnin për kërcënimin e “njerëzve pa padronë” që endeshin lart e poshtë nëpër fshatra, njerëz të papronë dhe pa disiplinën që vjen nga të shërbyerit një padroni. Qeveritë ishin të shtrënguara t’i kundërviheshin këtij rreziku jo vetëm nëpërmjet mjeteve të dhunës dhe ligjit, pro edhe përmes sigurimit të një minimumi social, si në rastin e ligjeve të hershme angleze për mbështetjen e të varfërve.

Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, po sidomos në gjysmën e parë të të njëzetit, kërcënimet ndaj rendit shoqëror ishin edhe më dramatike – kërcënimi i revolucionit, kërcënimi i çintegrimit shoqëror në vitet e gjata të depresionit etj. Natyrisht që këto kërcënime sollën shtetin social modern, zhvillimin e partive socialdemokrate dhe zbatimin, madje shpikjen, e mjaft të drejtave shoqërore.

Sot edhe disa socialdemokratë janë tërhequr nga shteti social dhe i janë dorëzuar neoliberalizmit. Edhe vendet skandinave, krenaria dhe gëzimi i socialdemokracisë, kanë bërë hapa pas; dhe këtu në Brazil ju e dini mirë se si qeveria e të majtës është dorëzuar përpara presioneve neoliberale. Po edhe regjimet më neoliberale kanë nevojë për të paktën një minimum rrjete sigurie shoqërore. Kanë nevojë të paktën për të mbajtur ushtrinë rezervë të punëtorëve, për t’i mbajtur gjallë gjatë momenteve të ciklit ekonomik kur nuk nevojiten më, për t’u vënë në dispozicion të kapitalit ku ai të ketë nevojë.

Sigurisht që ka ende shoqëri ku edhe këto masa minimale përbëjnë ende një aspiratë dhe jo realitet. Po kam dyshimin se shumëkush këtu kërkon diç më tepër sesa rrjeta minimale e sigurisë shoqërore, nivelin më të lartë të shtetit social. Me siguri që doni masa sociale që nuk janë thjesht mjet i mbajtjes gjallë të një ushtrie rezervë punëtorësh. Kjo ka më shumë natyrën e masave për të plotësuar nevoja të ndryshme shoqërore, si kujdesi shëndetësor dhe strehimi, të cilat nuk ofrohen nga tregu kapitalist, ose së paku nuk ofrohen për të qenë të përballueshme nga të gjithë.

Dihet se kemi të bëjmë me një luftë të vazhdueshme për të fituar këto masa sociale dhe, me t’i arritur, t’i ruajmë ato. Neoliberalizmi na ka mësuar se sa të brishta kanë qenë këto arritje. Kemi mësuar shumë se sa të cenueshme janë ato nga ciklet ekonomike dhe ndryshimet politike. Edhe arritjet më të sigurta, si arsimimi universal, pensionet e pleqërisë apo sistemi shëndetësor publik i llojit të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) në Britani, u janë nënshtruar trysnive për privatizim dhe të ashtuquajturës zgjedhje në treg.

Imperativët kapitalistë vs të drejtat tona

Masat sociale janë të brishta dhe të goditshme jo thjesht për shkak të ndryshimit të modës politike, por për arsye më themelore; kjo ndodh për shkak se janë në tension të vazhdueshëm me imperativët e kapitalizmit. Këto të drejta bëhen të nevojshme për shkak të imperativëve të kapitalizmit, por nga ana tjetër po të njëjtët imperativë i kërcënojnë vazhdimisht ato.

Nuk mjafton të mbështetemi te shtetit. Sigurisht që ka rëndësi jetike të zgjedhim qeveri që e njohin rëndësinë e masave sociale dhe bëjnë çmos për t’i realizuar ato. Po nuk mjafton të mbështetemi te shteti për të shpërndarë burimet ekzistuese për të kompensuar dëmin që vjen nga tregu kapitalist apo edhe për të na ofruar ç’nuk na siguron tregu. Nëse të drejtat shoqërore trajtohen vërtet si të drejta, na duhet të parandalojmë dëmin. Ne duhet të sfidojmë imperativët që i bënë të nevojshme të drejtat shoqërore dhe pastaj i vënë në rrezik ato.

Si sfidohen këta imperativë? Zor se mund t’i tejkalojmë tërësisht pa shkuar përtej kapitalizmit dhe shndërrimit në mall të fuqisë punëtore. Po të flas për vete, duhet ta nis nga premisa se kapitalizmi nuk do të marrë fund gjatë jetës sime – dhe dyshoj fort se nuk do të marrë fund as gjatë jetës suaj, pavarësisht se sa më të rinj se unë jeni. Kështu që ç’duhet të bëjmë?

Mund t’ia nisim duke i trajtuar të drejtat shoqërore dhe ekonomike njëlloj si të drejtat civile dhe politike. Të drejtat politike dhe civile kanë për synim, mbi të gjitha, të kufizojnë pushtetin e shtetit dhe të pohojnë autonominë e individëve dhe bashkësive. Neve na pëlqen ideja e të drejtave si kufizuese të pushtetit dhe garantuese të autonomisë. Po ideja ime është se kapitalizmi ka krijuar strukturën e vet të pushtetit që ndodhet jashtë shtetit. Duhet t’i vendosim kufij edhe këtij pushteti dhe të mbrojmë autonominë tonë kundër tij.

Ç’do të thotë të pohosh autonominë jo thjesht në raport me shtetin, por edhe kundër pushtetit të kapitalit? Ta çosh demokracinë jo thjesht në vendin e punës, por edhe në të gjitha sferat e jetës nga ku imperativët e tregut e kanë dëbuar; të sfidosh pushtetin e tregut; ta shkëputësh jetën njerëzore sa më shumë të jetë e mundur nga shtrëngesat e tregut; të luftosh vazhdimisht për shkomodifikimin, shtregtarizimin e sa më shumë sferave të jetës që të jetë e mundur; t’i shndërrosh nevojat bazike si kujdesi shëndetësor, strehimi dhe ushqimi nga mallra të prodhuara për fitim në të drejta shoqërore të mirëfillta.  

Afërmendsh që nuk është punë e lehtë. Fakti që shumica e qeverive përparimtare në botën tonë të globalizuar janë tërhequr nga zotimi për të drejta shoqërore dhe drejtësi shoqërore nuk shpjegohet vetëm me dobësinë e tyre apo mungesën e vullnetit politik. Që prej fundit të bumit të gjatë ekonomik të pasluftës trysnitë ekonomike kanë qenë më të mëdha dhe kapitalizmi ka vendosur pengesa strukturore më të fuqishme. Po kjo nuk do të thotë se qeveritë duhet të tërhiqen edhe më shumë. Përkundrazi, ato duhet të hedhin hapa të vërtetë përpara.

Mos u besoni atyre që thonë se globalizimi e ka bërë shtetin të parëndësishëm apo të pafuqishëm! Kapitali global mund të lëvizë lirisht nëpër botë, mund të kalojë të gjitha llojet e kufijve territorialë, por ka nevojë për mbështetje dhe forcë lokale po aq sa më parë, në mos më shumë. Në vend se pushteti shtetëror të përdoret për të na futur gjithnjë e më shumë brenda imperativëve të tregut, siç po bëjnë shumë qeveri, ky pushtet mund dhe duhet të përdoret për t’i sfiduar këta imperativë edhe brenda vendit, edhe jashtë tij.

Pushteti shtetëror mund dhe duhet të përdoret për t’i konvertuar nevojat njerëzore dhe të mirat publike nga mallra në të drejta shoqërore. Kjo nënkupton se forcat vërtet demokratike, në nivel lokal dhe kombëtar, brenda dhe jashtë shtetit, mund të kenë vërtet ndikim. Ato mund ta shtyjnë shtetin të zbatojë një program që përfshin jo vetëm përkujdesjen sociale, por edhe shkomodifikimin dhe demokratizimin. Kjo ju vendos, si punonjës socialë, në vijën e parë të luftës demokratike.

E përktheu Arlind Qori

Botuar në revistën Against the Current, nr. 140, maj-qershor 2009.

Imazhi: Adolph von Menzel


[1] Peonë quheshin punëtorët jo të lirë, në varësi të shkaktuar kryesisht prej borxheve, në Amerikën Latine. – Shën. përkth.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.