Si mundën/m?(!)
/Arlind Qori/
Ky artikull iu është dërguar për shtyp disa gazetave kryesore që një javë më parë. Disa syresh e kanë justifikuar mosbotimin me eufemizma, të tjera s’kanë lodhur gishtat as të kthejnë përgjigje për mosbotueshmërinë e tij. Arsyet që më vijnë ndër mend janë tre: mospërfillja e temës së artikullit, ndikimet okulte censuruese dhe cilësia e shkrimit. Uroj të jetë kjo e fundit. Në fund më duhet të falënderoj gazetën Telegraf që e botoi në numrin e sotëm.
***
Me propozim të dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale Theodhori Karaj, rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule ka pushuar nga puna pedagogun e shkencave politike Hysamedin Feraj. Ndonjërit mund t’i shkojë mendja se motivi është bazuar në cilësinë e mësimdhënies apo më gjerësisht te puna akademike e pedagogut. Ndonjë tjetri mund t’i arratiset imagjinata deri edhe në probleme etike që aq kollaj e tërheqin vëmendjen në raste akademike. Më vjen keq ta lë në baltë kureshtjen e skrupulozëve të dijes dhe ndjekësve të telenovelave. Motivacioni formal është i rëndomtë – sa i rëndomtë aq edhe i rëndë për pasojat që do të sjellë në jetën universitare: ikje pa leje nga puna për tetë ditë të ndara nga njëra-tjetra, ku dëmi financiar për pagën e marrë gjatë vitit në mungesë të paraqitjes nuk i kalon 20000 lekët. Po e imagjinoj se si i fërkojnë duart fanatikët e rend-disiplinë-përpikmërisë, që edhe punën akademike duan ta matin me oraret e trenave të Musolinit!
Për lexuesin që nuk e njeh punën e p. Ferajt mjafton të përmend pakçka. Bëhet fjalë për themeluesin e degës së shkencave politike në Shqipëri, i shquar për punë me rigorozitet shkencor të mezigjendshëm këtejpari, sidomos në studimin e nacionalizmit dhe ligjërimit politik shqiptar (shih: Skicë e mendimit politik shqiptar dheE pafilozofuara) apo në epistemologjiken Hyrje në shkencat politike; për një pedagog me përvojë thuajse tridekadëshe, respekti i kolegëve dhe studentëve për të cilin nuk lë vend për dyshime. Madje për të mësipërmet deklarativisht nuk shfaqin rezerva as shkarkuesit e tij.
Sidoqoftë këto rreshta nuk kanë për qëllim t’i qajnë hallin p. Ferajt – të cilit s’i mungojnë as mprehtësia e penës, as njohuritë ligjore për ta marrë të drejtën e vet publikisht dhe institucionalisht. Shqetësuese mbarëpublikisht, e posaçërisht për jetën universitare, është precedenti që krijon një shkarkim i tillë. Së pari, në lidhje me motivacionin real, lexuesve të vëmendshëm nuk do t’i kenë shpëtuar kritikat (deri në akuza) të p. Ferajt ndaj rektorit të UT dhe dekanit të FSHS. Pa dashur të hyj në përmbajtjen e tyre – që do ta zgjaste dhe melodramatizonte shkrimin – duhet të nxitoj në përfundimin se kemi të bëjmë me një akt persekutues, të ndërmarrë nga funksionarë publikë të zgjedhur për të garantuar lirinë akademike dhe qytetare, të cilat në këtë rast i kanë shkelur demonstrativisht. Për paralelizëm, ky rast është edhe më problematik se ai i një qeverie të kritikuar për qindëshin, e që nuk pyet për to: i ngjan atij të një qeverie që në fund fare çon policët për t’u treguar vendin atyre që nuk i zë vendi. Pra po të mori koka erë dhe ngrite zërin kundër shefave, ata do ta “shofin” punën tënde, dhe për të të hequr qafe nuk do të mbështeten vetëm në gjurmimin policesk të sistemit TIMS, por mund të përdorin për motivacion edhe vonesën pesë minuta në klasë apo lëshimin e stërkalës jashtë pështymores së lejuar në trotuar. Ose së paku ky akt do të perceptohet si persekutiv përderisa rektori dhe dekani nuk do ta përgjithësojnë si praktikë, duke kontrolluar kafkiançe çdo vajtje-ardhje pa leje pedagogësh, e do të heqin prej pune gjithkënd që ka guxuar t’i bishtnojë rregullit burokratik të të paraqiturit në zyrë – për të matur me sy metrat katrore të mureve – pavarësisht të pasurit ose jo mësim apo aktivitet konkret shkencor. Mirëpo karakteristikë e sundimit nuk është rreptësia (edhe e marrë) e rregullave, por përjashtimi nga rregulli; ose, siç do të thoshin autorë prej Schmitt-it tek Agamben-i, karakteristikë e sovranitetit nuk është vetëm vendosja e rregullave, por përjashtimi nga rregulli i gjithkujt që i leverdis sovranit.
Precedenti i dytë shkatërrimtar për jetën universitare ka të bëjë me kriteret e vlerësimit të punës. Kush pyet më tani për cilësinë e kërkimit shkencor, universalitetin kritik të qasjeve studimore, cilësinë e mësimdhënies dhe pedagogjinë emancipuese në marrëdhënie me studentët?! Puna shkencore dhe pedagogjike e ka shumë të vështirë të matet me kritere sasiore. Madje edhe nëse disa syresh janë të pashmangshme – si zhvillimi i një numri të caktuar orësh mësimi, pjesëmarrja në një numër aktivitetesh shkencore dhe botimi i punimeve shkencore -, vetëm dorëzimi përpara marrëzisë burokratike do t’i çonte ato deri në gjurmimin e lëvizjeve fizike të pedagogëve. Këta të fundit mjet pune kanë mendjen, lëndë të parë librat, metodë qasjen shkencore dhe vend pune botën mbarë. E përparësi në vlerësimin e tyre ka cilësia studimore dhe pedagogjike e bërë publike për gjithkënd dhe e gjykueshme nga trupa e universitarëve.
Mirëpo në Universitetin e Tiranës këto punë janë të tjetërbotshme, dhe rasti në fjalë shërben si simptomë e një problemi shumëpërmasor. Kam shkruar gjetiu se universitetet publike – ndryshe nga diplomoret private ku edhe ligjërisht sundon pronarprincipi – karakterizohen nga logjika dhe praktika ndërshtytëse ku forcave sunduese burokratike i kundërvihen forca kritike me efekte emancipuese. Indinjimi minimal ndaj persekutimit të p. Ferajt më shtrëngon të pranoj se megjithëse marrëdhënia ndërshtytëse ekziston, kundërpesha ndaj burokratizimit dhe privatizimit faktik të jetës universitare është edhe më e dobët nga ç’mendoja. Afërmendsh kjo nuk duhet të shërbejë si moralizim i përciptë që kërkon të ndajë heronjtë romantikë nga masa kokulur që bën llogaritë e mbijetesës. Pyetjet që duhen shtruar është se pse jemi katandisur kështu – në fakirë socialë siç do të na quante Sebastiano Timpanaro, cilat janë strukturat pushtetore dhe shoqërore që i prodhojnë këto efekte dhe me ç’forca shoqërore duhet të kërkojmë bashkëpunim për ta rithemeluar universitetin si vatër mendimi kritik e hulumtimi shkencor të shkëputur nga kolonizimi i tregut dhe i shtetit. Një pjesë e përgjigjeve gjenden në faktin se forma e organizimit të jetës universitare publike respekton parimet e demokracisë përfaqësuese dhe drejtpeshimit pushtetor, ndërsa përmbajtja e saj është një përzierje interesash sektare që disiplinohen herë pas here nga kryeinteresi i drejtuesve. Këtë situatë e prodhon në instancë të fundit çorganizimi i trupës pedagogjike deri në atomizim ku mimetizimi është kushti kryesor i mbijetesës. “Secili për vete se zoti s’të fal as edhe një pjatë supe asistenciale!” është motoja e këtij gjallimi.
Pikërisht mbizotërimi i kësaj praktike ka krijuar terrenin e favorshëm për privatizimin konceptual dhe praktik që qeveria po ndërmerr në jetën universitare publike. Sillni ndër mend se sa të paktë kanë qenë pedagogët që i janë kundërvënë publikisht reformës qeveritare që do ta kthejë universitetin publik në qendër tregtare kualifikimesh profesionale, duke zhdukur çfarëdo dimensioni reflektimi kritik! Po e njëjta situatë problematike e ndihmon ideologjikisht qeverinë që në emër të emergjencës të shtyjë përpara shkatërrime edhe më të mëdha. (Një ndërtese gjysmë të rrënuar mund t’ia vësh fadromën më lehtë. Për analogji – të ekzagjeruar qëllimisht -, nazistët s’mund t’i fitonin zgjedhjet e 1933-shit pa krizën ekonomike të 1929 dhe përçarjen e të majtës gjermane, e në emër të ripërtëritjes radikale të shkatërronin botën dhe në fund fare edhe Gjermaninë.) Reforma në fjalë, përveçse do ta kthejë trupën pedagogjike në sintetizuese të mësimdhënies dhe marketingut për të nxjerrë kostot që qeveria ka zgjedhur të mos i mbulojë duke iu përgjigjur kërkesave të diplomoreve private për fonde shtetërore, do t’i shtojë autoritarizmit të shefave (mbi të cilët nuk do të jetë më trupa universitare, por një këshill administrativ me shumicë kryeshefash qeveritarë) despotizmin e kërkesave të tregut i cili nuk pyet as për larmi fushash studimi, as për kohëzgjatje reflektimi kritik e studime jashtëtregtare: “Performo tregtarisht, ose zhduku!” pritet të jetë motoja e dytë e gjallimit.
Ç’të bëjmë në këtë derexhe ku goditjet vijnë nga brenda e jashtë, nga burokratë e qeveritarë, nga lobistë privatë dhe propagandistë të tyre? Ta varësh shpresën te intelektuali me “I” të madhe është iluzion që buron nga ideologjia e shoqërisë civile dhe vetëkënaqësia e përrallave që intelektualët i tregojnë njëri-tjetrit për të fituar kapital moral. (Historikisht intelektualët kanë qenë në masë shërbyes të qendrave të forta politike dhe ekonomike, e shembujt e Sokratit, Brunos, Spinozës, Marksit e Zolasë janë shkëlqimet që fshehin meskinitetin e ushtrisë së profesionistëve oportunistë, madje edhe të figurave të mëdha kolaboracioniste si Heidegger-i që s’e kishte gjë të pajtonte Qenien dhe kohën me denoncimin e kolegëve përpara autoriteteve naziste.) Po përpara se të jetë tradhti e intelektualëve empirikë ndaj idesë së intelektualitetit, kjo situatë është efekt i privatizimit, copëzimit dhe atomizimit të jetës universitare. Sidoqoftë universitarët janë më të shumtë sesa trupa pedagogjike, dhe së paku në universitetet publike po rritet një lëvizje mbresëlënëse studentore Për Universitetin – që e ka vënë në vështirësi qeverinë në përpjekjet për privatizim të jetës universitare dhe ka thyer hegjemoninë e saj ligjërimore – dhe nga e cila duhet marrë mësim dhe jo të shitet mend. Organizimi është ndërmjetësi i pazhdukshëm i kalimit nga izolimi individual kah kolektiviteti i hapur. Po që ndërmjetësi të funksionojë ekziston nevoja e një gjesti traumatik të kapërcimit të frikës themeltare. Na duhet t’i japim një grusht të fortë vetes si personazhi i Fight Club-it përpara shefit, duke tronditur kësisoj rrjetëzimin pushtetor dhe koordinatat e nënshtrimit. Një grusht i mirë vetes është zanafilla e një procesi të gjatë emancipues, ku vetëm shfaqja e kolektivit universitar do të mjaftonte për t’i nxjerrë tigrat politiko-shoqërorë ashtu siç janë – prej letre.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.