/Edith Hall/
Heroi i romanit tragjik të Tomas Hardit, Juda i Ngrysur (1895), është një gurgdhendës që jeton në një fshat të epokës viktoriane, i cili është i dëshpëruar sepse dëshiron të studiojë latinishten dhe greqishten në universitet. Nga maja e shkallares së mbështetur ndanë një mejhaneje rurale, ai sodit çatitë konike të Universitetit të Christminster-it (një sajesë që përfaqëson Oksfordin). Çatitë, tarracat dhe kupolat “shkëlqenin si topazi” nga distanca. Topazi shkëlqyes ka të njëjtën ngjyrë të artë me gurin e përdorur për ndërtimin e godinave të Oksbrixh (Oksford dhe Kembrixh – shën. përkth.), por është njëkohësisht edhe një nga mineralet më rezistentë që takohen në natyrë. Psikika dhe shëndeti i brishtë i Judës do të sillnin pashmangshmërisht rrënimit e tij kur të zbulonte sa të pathyeshme ishin barrierat sociale që e përjashtonin atë nga kultura e elitës dhe ripërtërinin pozitën e tij klasore, sado të dashura të dukeshin ndërtesat që e përfaqësonin, të shndritshme në horizont.
Në kohën e Hardit, tematika e përjashtimit të klasës punëtore nga rrethi i kulturës klasike (kulturës antike greke dhe romake – shën. përkth.), sidomos nga gjuhët antike, ishte kthyer në një lajtmotiv standard të romanit britanik. Çarls Dikensi e gdhend sistemin klasor me një daltë tragjikomike te David Koperfildi (1850). Ziliqari Uriah e sheh Davidin si një riosh snob të privilegjuar, por ia refuzon ofertën për të marrë prej tij leksione në latinisht pasi ai është “tejet modest. Ka plot njerëz që zgjedhin të kalojnë kohën me mua të paditurin, pa qenë nevoja që unë t’ua ngre nervat duke zotëruar njohuri.”
Ka një arsye të fortë pse të mësuarit e kulturës klasike ka qenë dhe vazhdon të ndërlidhet në mendjen britanike me klasat e ngritura. Që prej fundit të shek. XVII, kur lindi disiplina e “klasikëve” siç e njohim sot, vetëm prindër me të ardhura të konsiderueshme ishin në gjendje të blinin për fëmijët e tyre adoleshentë (dhe deri nga fundi i shek. XIX vetëm për djemtë) mësimdhënien e gjatë dhe njohuritë e thelluara që nevojiteshin për latinishten dhe greqishten. Klasikët lindën si një mënyrë për të ofruar një certifikatë që e lartësonte mbajtësin e saj me një koncept të pranuar të xhentëlmenit në rendin e ri sundues pas Revolucionit të Lavdishëm (të vitit 1688 – shën. përkth.). Ky përbëhej nga një aleancë mes trashëgimtarëve aristokratë Tory dhe borgjezisë merkanteliste Whigg. Edukimi i lakmuar mbi “klasikët” tani mund të blihej jo vetëm nga grupimet shumë të ngushta të shkollave të pasanikëve ku pranoheshin vetëm djem, por edhe në ndonjërën prej shkollave të reja private të cilat patën një rritje eksponenciale gjatë shek. XVIII. Shumica prej tyre drejtoheshin nga priftërinj anglikanë dhe ofronin një kurrikulë të klasikëve që shërbente jo vetëm si dëftesë xhentëlmenërie, por edhe si fletëhyrje për në Oksford dhe Kembrixh.
Edhe vetë gjuha e përdorur për të përvijuar dallimin klasor rridhte nga gjuhët antike. “Klasikët” dhe “klasa” ndajnë të njëjtën rrënjë që lidhet me fashat e taksimit në Romën antike. Snobët e klasës së ngritur i quajnë ata që i perceptojnë si inferiorë hoi polloi (‘të shumtët’, një term klasik nga Greqia që përdoret për shumësinë që ushtron pushtetin në demokraci) ose plebenj (qytetarët romakë që nuk ishin patricë). Por ka një tjetër dimension të kronikës që ka të bëjë me qasjen në materialet klasike në Britani nga individë dhe grupime që nuk ishin pjesë e elitës gjatë të njëjtës periudhë kohore, të cilët këmbëngulnin – me shkallë të ndryshme suksesi – të edukonin vetveten mbi civilizimin dhe gjuhët greko-romake. Për çdo Judë Folei dhe Uriah Hip kishte gjithmonë një autodidakt nga klasa punëtore, si heroi çartist i Çarls Kingslit te Alton Lok (1850), një rrobaqepës i varfër i cili ia del mbanë të përmirësojë gjendjen e tij socio-ekonomike. Ai përfton një botëkuptim më të gjerë të momentit të tij historik duke mësuar vetë gjuhët dhe letërsinë klasike me ndihmën e një intelektuali skocez nga klasa punëtore, që është një portret i Tomas Karlailit (historian, filozof, shkrimtar dhe matematikan britanik i shek. XIX – shën. përkth.).
Materialet klasike kanë bërë pjesë në ndërtimin e identitetit dhe të eksperiencës psikologjike të grupimeve të shumta të klasës punëtore britanike. Akademikë disidentë, shkolla kishtare jokonformiste dhe iniciativa nga predikues të Kishës Metodiste i kanë nxitur dëgjuesit të lexojnë sa më shumë idetë, historinë dhe librat e antikitetit. Tematika të epokës klasike u përfshinë në kurrikulat e Shoqërive të Përmirësimit të Përbashkët, Institutet e Mekanikës, në Shoqatat e Edukimit të Punëtorëve, nëpër sindikata dhe në Kolegjet e Punës. Këto tentativa shtynë përpara përgjigjen ligjore ndaj kërkesës për edukimin e punëtorëve: vetëm me Ligjin e Arsimit Fillor të 1870 dhe 1880 instruksionet rudimentare mbi leximin dhe aritmetikën – lere më pastaj kulturën klasike – u bënë të qasshme nga të gjithë fëmijët nën 13 vjeç.
Megjithatë kanë ekzistuar mënyra të tjera, që kohë më parë, për të mësuar mbi grekët dhe romakët. Muzetë në Britani vizitoheshin nga ndërthurje klasore shumë herë më heterogjene sesa në muzetë e kontinentit, ku hyrja e vizitorëve nëpër galeritë princërore monitorohej rreptësisht. Ekzistonte një frymë që artin dhe arkeologjinë e konsideronte se i përkiste kombit dhe jo ekskluzivisht individëve pasanikë; hyrja e hapur për këdo ishte kthyer në normë. Një udhëtar nga Prusia në Londër u shqetësua kur zbuloi në vitin 1782 se vizitorët e muzeve britanikë ishin “të ndryshëm… disa prej të cilëve besoj se vinin nga klasat më të ulëta të popullit, nga të dyja gjinitë, pasi kjo është prona e të gjithë kombit, të gjithë kanë të njëjtat të drejta… për të parë”. Skulpturat klasike si dekorimi i Panteonit apo Venusi i Milosit u riprodhuan pafundësisht në forma që mund të mbërrinin deri te britaniku më i skamur: riprodhime gipsi në muzetë e komunave në të gjithë vendin, printime nëpër revista të lira të vetedukimit dhe vëllimet që gjendeshin në Institutet e Mekanikës. Kujtimet e vizitorëve nga klasat më të ulëta shpesh lënë të kuptohet se ato çka panë nëpër muze e ushqyen dhe nxitën shtysën drejt vetedukimit.
Teksa historia e eksperiencës britanike me materialet klasike, përveçse me ato artistike dhe arkeologjike, është zgjeruar që të përfshijë edhe perspektivën e klasës punëtore, del në pah fakti se historia antike, letërsia dhe filozofia u përvetësuan edhe nga shumë individë që nuk vinin nga elitat. Demokratët revolucionarë të viteve 1790, gazetarët radikalë të krizës në fundin e Luftërave Napoleonike dhe pasojave të Peterloo-së, çartistët, sindikalistët e parë dhe themeluesit e Partisë Laburiste – të gjithë kishin historianët e tyre që rishkruan historitë e Greqisë dhe Romës antike nga perspektiva e skllevërve dhe të varfërve. Autorët antikë që ishin në qendër të këtij versioni alternativ të historisë greke dhe romake përfshinin Livin, sidomos tregimet e tij për heronjtë e Republikës së hershme, dhe Plutarkun. Brutusi: ose Rënia e Tarkuinit, një tragjedi e popullarizuar nga John Howard Payne-i u shfaq si premierë në Drury Lane në dhjetor të vitit 1818, në një kohë kur monarkia britanike kishte popullaritetin më të ulët prej shekujsh. I ringjallur herë pas here, Brutusi bënte xhiron e teatrove popullore të provincave dhe teksti i tij qarkullonte mes shoqërive punëtore të leximeve në grup.
Soloni i Plutarkut u admirua si udhëheqësi i urtë që fshiu borxhet që fshatarësia i kishte pronarëve të mëdhenj të tokave; Spartaku, siç përshkruhej nga Plutarku te Jeta e Krasit, u përqafua si heroi i proletariatit, si edhe i abolicionizmit në vitet 1830; Republikanët irlandezë, çartistët dhe sindikalistët lexonin versionet e ndryshme mbi jetën e vëllezërve Grakë që u përpoqën të rishpërndanin tokën mes të varfërve italianë. Grakët ishin pjesë edhe e një koleksioni biografish mbi Plutarkun të rishkruara nga mendimtari socialist Frederick Gould, Fëmijët e Plutarkut (1906), me ilustrime nga Walter Crane-i. Gould-i kish dhënë mësim në shkollat fillore për fëmijët e nënprivilegjuar nëpër lagjet e Londrës, duke zhvilluar një program për të mësuar etikën shekullare me letërsi klasike në vend të asaj të krishterë: në punimin e tij të mëvonshëm Faqe për Socialistët e Rinj (1913), Gould-i përdor burime klasike për të frymëzuar publikun e tij, përfshi këtu Herodotin mbi betejën e Termopileve, martesën e idealizuar të Ksenofonit me Oeconomicus-in e tij, si dhe karikaturën e plutokratit Trimalkio në Satyricon-in e Petroniusit.
Kur demokracia klasike e Athinës u kthye në një ideal të pranueshëm kushtetimor nga fundi i viteve 1820, tregimi i Tuqididit mbi Luftën e Peloponezit u vendos në qendrën e kurrikulumit autodidaktik të klasës punëtore: një minator i ri që ishte anëtar i Shoqërisë së Debatit dhe Përmirësimit Letrar në Ashington, dhe që u vra ngaqë e zuri poshtë masa e qymyrit më 1899, vdiq me një kopje të përkthimit të Tuqididit në xhepin e tij, me faqen e palosur te fjalimi i varrimit të Perikliut.
Thelbi i kontradiktës në lidhje me arsimimin klasik ka qenë gjithmonë nëse ‘ia vlente’ të lexoje tekstet klasike në përkthimet në gjuhët moderne. Nga viti 1720 vijat e betejës ishin shënuar. Britanikët që e kishin të pamundur ose nuk dëshironin të paguanin për arsimimin klasik të bijve të tyre reaguan. Qasja ndaj grekëve dhe romakëve mund të bëhej përmes monopatesh që nuk kishin pse të kërkonin vite të tëra mbi gramatika dhe fjalorë. Ata mund të lexoheshin në përkthime në gjuhën amtare, nga poetë të mëdhenj si John Dryden-i dhe Alexander Pope-i, edhe pse kjo qasje përqeshej si një mënyrë vulgare e leximit të Klasikëve nga ata që e kishin blerë edukimin në linguistikë. Materiali i trajtuar nga autorët antikë mund të shijohej edhe nga ata që ishin tërësisht analfabetë përmes formave të argëtimit si teatrot shëtitës dhe shfaqjet nëpër këndet e lojërave.
Përkthimi i Pope-it e kishte sjellë Homerin te një publik shumë herë më i gjerë, përfshi këtu punëtorët dhe gratë, nga ç’do të kishte qenë e mundur të mësonin greqisht. Për shembull Esther Easton-i, gruaja e një kopshtari në Jedburgh, u vizitua nga poeti Robert Burns-i në vitin 1787. Ai vuri re se ajo ishte ‘një grua shumë e veçantë sepse reciton poezi të të gjitha llojeve… ajo mund të mësojë përmendësh thuajse gjithçka që ka lexuar, sidomos Homerin e Pope-it nga fillimi në fund.’ Homeri i Pope-it ngërtheu imagjinatën e një skocezi tjetër, Hugh Miller-it, një gurgdhendës dhe autodidakt i shkëlqyer, i cili u bë një gjeolog me famë botërore. Që fëmijë, ai e shihte Iliadën si një letërsi të pakrahasueshme. Ai shkroi te Shkolla ime dhe drejtuesit e shkollës (1854) se e mësoi herët në jetë se ‘asnjë shkrimtar tjetër nuk mund ta hidhte shtizën as sa gjysma e Homerit.’ Versioni i Pope-it ishte esencial për të hapur rrugën leximeve të klasave punëtore sepse ishte një sukses komercial i tillë që filtroi shumë shpejt në tregun e librave të përdorur që frekuentoheshin nga lexues të rangjeve më të ulëta sociale.
Përkthimet relativisht të lira u kthyen në mënyrën kryesore të të varfërve për t’u afruar me autorët klasikë. Dhomat e leximit dhe bibliotekat e punëtorëve u mundësuan shumë njerëzve të lexojnë të njëjtat publikime: më 1829 llogaritej se një revistë mund të lexohej deri nga 25 persona. Që prej 1730, filozofi francez Monteskje u habit teksa vuri re se në Angli edhe një punëtor çatie do të kërkonte gazetën që ta lexonte nga maja e shtëpive. Dhe ai punëtor mund të lexonte pasazhe me zë të lartë për shokët e tij analfabetë; Arsyeja e përbashkët (1776) e Thomas Paine-it u përla si nga të arsimuarit ashtu edhe nga analfabetët, në formë të shkruar ose orale; ajo lexohej nga persona publikë, por brendia e saj përsëritej kudo – në klube e shkolla dhe nga altarët e kishave.
Një person me emrin Tam Fleck i mahniste banorët e fshatit Peebles në fillimet e shek. XIX me tregimet nga rënia e Jerusalemit. Ai zotëronte një kopje nga shek. XVIII të librit Luftërat e hebrenjve nga Roger L’Estrange-i, që ishte një thjeshtëzim i librit të Josephus-it, dhe me të vërdallosej nëpër të gjitha shtëpitë e fshatit duke i lexuar tregimet si ‘ngjarjet e ditës’. Kudo ku ishte e mundur, e shkëpuste leximin në një pikë kritike, duke u kujdesur që ndërprerjen ta bënte te i njëjti moment në çdo shtëpi, në mënyrë që të gjithë dëgjuesit e tij të ngeleshin tek e njëjta pikë kërshërie. Kjo pati efektin e kthimit të Josephus-it në një lloj telenovele.
Në tregjet me shumicë kishte plot ‘klasikë për masat’ në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe edukatorë të organizuar të klasës punëtore i përdornin ato përsosmërisht. Në Londër, Kolegji i Punëtorëve mori famë kombëtare nën drejtimin e Sir John Lubbock-ut, drejtorit të tij prej 1883 deri në 1899. Lubbock-u hartoi një listë me 100 librat më të rëndësishëm që duhej të lexonte një punëtor. Pjesa që zënë autorët klasikë është mbresëlënëse: Homeri, Hesiodi, Mark Aureli, Epikteti, Jetët nga Plutarku, Etika dhe Politika e Aristotelit, Rrëfimet e Augustinit, Apologjia, Kritoni dhe Fedoni të Platonit, De Corona e Demostenit, Memorabilia dhe Anabasis e Ksenofonit, Mbi detyrat, Mbi miqësinë dhe Mbi moshën e vjetër nga Ciceroni, Virgjili, dramat e tragjedianëve, Mbretërit dhe Retë e Aristofanit, Herodoti, Tuqididi, Germania e Tacitit dhe Livi. Për më tepër, dy punime me famë mbi historinë antike, Zvetënimi dhe rënia e Perandorisë Romake (1776-89) nga Edward Gibbon-i dhe Një histori e Greqisë (1846-56) nga George Grote-ja ishin gjithashtu të përfshira në listën e leximeve të nevojshme për çdo person të arsimuar, si edhe romani më popullor i asaj kohe, ngjarja e të cilit zhvillohej në antikitet: Ditët e fundit të Pompeit (1834) nga Edward Bulwer-Lytton-i. Pas vitit 1887 pasuritë klasike në raftin e librave të çdo autodidakti të klasës punëtore mund t’i atribuohen në një masë të madhe kurrikulës së Lubbock-ut.
[…] Eksperienca me klasikët e antikitetit e historianëve të klasës punëtore britanike ka qenë e rrëmujshme, e trazuar dhe e larmishme. Ata kanë qenë njëkohësisht frymëzues dhe dëshpërues. Por më në fund, ata mund të na bëjnë të mendojmë mbi vendin që kanë antikët grekë dhe romakë në kurrikulat moderne. Arsimimi mbi klasikët nuk ka pse të jetë detyrimisht elitist apo reaksionar; ai ka bërë pjesë në kurrikulat e perandorisë, por mund të kthehet në kurrikulën e çlirimit. ‘Trashëgimia’ e Greqisë dhe e Romës ka luajtur një rol kyç në kauzat progresiste dhe iluministe, në nivel personal dhe politik. Kuptimi i botës antike mund të pasurojë jo vetëm imagjinatën dhe edukimin socio-kulturor, por edhe aftësitë qytetare dhe fuqinë e të argumentuarit dhe shprehisë foljore. Rikthimi te klasicistët e klasës punëtore të së shkuarës mund të shërbejë edhe si një thirrje ndaj Britanisë moderne për të mbështetur kauzën e disponueshmërisë universale nëpër shkolla të civilizimit klasik dhe historisë antike, si dhe për ringjalljen e traditës krenare të universiteteve falas apo me kosto të përballueshme në të gjithë vendin.
E përktheu Redi Muçi
Imazhi: George Clausen