Energjia në pronësi komunitare

Si arriti Nebraska të ofrojë energji elektrike për të gjithë me anë të një rrjeti publik

/Thomas M. Hanna/

Në Shtetet e Bashkuara është një shtet ku banorëve dhe bizneseve u sigurohet energjia elektrike nga ndërmarrje në pronësi komunitare dhe jo nga një kompani private. Nuk bëhet fjalë për një shtet liberal si Vermonti apo Masaçusetsi. Në fakt bëhet fjalë për një shtet konservator si Nebraska me dy senatorë republikanë dhe dy (nga tre) kongresmenë republikanë. Ky shtet ka përqafuar idenë e pronësisë publike për shpërndarjen e energjisë.

Në Nebraska 121 ndërmarrje publike, 10 kooperativa dhe 30 distrikte publike të energjisë sigurojnë energjinë elektrike për një popullsi prej rreth 1.7 milionë banorësh. Pronësia publike dhe kooperativat i mbajnë kostot e ulëta për përdoruesit. Banorët e Nebraskës paguajnë nga tarifat më të ulëta të elektricitetit në rang kombëtar dhe të ardhurat investohen sërish në infrastrukturë për të siguruar shërbim të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për të ardhmen.

“Nuk ka aksionerë, kështu që nuk ka as një motiv fitimi”, deklaron me krenari

Shoqata e Energjisë së Nebraskës. “Çmimet tona nuk përfshijnë marzh fitimi. Kjo do të thotë se ndërmarrjet e Nebraskës janë të fokusuara vetëm në mbajtjen e tarifave të ulëta dhe nivelin e shërbimit të lartë. Konsumatorët tanë dhe jo investitorët e fuqishëm zotërojnë ndërmarrjet e Nebraskës.”

Taksat që paguajnë ndërmarrjet publike tejkalojnë 30 milionë dollarë në vit dhe nga këto taksa mbështeten një seri shërbimesh sociale në gjithë shtetin, duke përfshirë dhe sistemin publik të arsimimit.

Si ndodhi ky kalim në pronësi publike

Nebraska ka një histori të gjatë të ndërmarrjeve publike që sigurojnë energji elektrike duke nisur nga fillimet e elektrifikimit më 1800. Në fillim këto bashkëjetonin me ndërmarrje të vogla private. Gjithsesi në periudhën pas Luftës se Parë Botërore korporata të mëdha të energjisë elektrike të mbështetura nga bankat e Wall Street-it u futën në treg dhe filluan të blinin firmat e vogla private dhe ndërmarrjet bashkiake apo komunale.

Duke përdorur pushtetin financiar dhe politik ato konsoliduan ndjeshëm në duart e tyre industrinë e energjisë elektrike dhe tentuan të ndalonin formimin e kooperativave dhe ndërmarrjeve publike të reja. Gjatë kësaj kohe më shumë se një e treta e ndërmarrjeve bashkiake iu shitën korporatave private.

Të lodhur nga praktikat abuzive të korporatave, banorët dhe mbështetësit e ndërmarrjeve publike çuan direkt te votuesit një propozim financimi duke anashkaluar legjislaturën e atëhershme të mbështetur nga korporatat, e cila me parë kishte dështuar ta çonte përpara këtë iniciativë. Ky propozim u mbështet gjerësisht duke treguar një mbështetje popullore për ndërmarrjet publike dhe fillimin e rishfaqjes se tyre

Të udhëhequr nga senatori i fuqishëm i Nebraskës George W. Norris kaluan një sërë ligjesh federale dhe lokale. Një nga këta Enabling Act-i (1933), i cili u mundësonte 15% të votuesve në zonë që me anë të një peticioni të kërkonin vendimmarrje për një ndërmarrje publike. Ligji tjetër ishte Public Utility Holding Company Act-i (1935), i cili detyroi ndarjen dhe ristrukturimin e monopoleve të korporatave të energjisë elektrike. Ligji tjetër Rural Electrification Act-i (1936) i cili siguroi financimin për projekte elektrike rurale. Më 1949 Nebraska kishte konsoliduar pozitën si shteti i parë dhe i vetëm me energjinë plotësisht në duar publike.

Çdo banor i Nebraskës mund të ndihmojë në vendimmarrje  

Kontrolli lokal dhe mundësia për pjesëmarrje demokratike janë tipare përkufizuese të sistemit elektrik në pronësi publike të Nebraskës. Në nivelin organizativ të brendshëm këto ndërmarrje publike menaxhohen nga borde të zgjedhur, nga bordet e kooperativave ose nga këshillat bashkiakë. Këto trupa organizimi vendosin buxhetet, caktojnë standardet e shërbimit dhe vendosin tarifat. Takimet e rregullta të këtyre bordeve dhe këshillave janë të hapura ndaj përfshirjes dhe komenteve të publikut. Pra nëse dëshirojnë, banorët e Nebraskës kanë mundësi të bëhen pjesë e vendimmarrjes së ndërmarrjes lokale të elektricitetit.

Një shembull i tillë lidhet me përdorimin në rritje të ndërmarrjeve të energjisë së rinovueshme. Ndërkohë që shteti ka varësi të madhe nga burimet bërthamore dhe nga ato të qymyrit për të siguruar energjinë, interesi në energjinë e rinovueshme e sidomos të energjisë së erës është rritur vitet e fundit. Në vitin 2003 konsumatorët e energjisë udhëtuan më shumë se 100 milje për të marrë pjesë në një studim/anketë që zgjati tetë orë për Distriktin Publik të Energjisë së Nebraskës (NPDD) – një korporatë publike në pronësi të shtetit të Nebraskës e cila furnizon me energji elektrike rreth 600.000 banorë me anë të ndërmarrjeve publike dhe kooperativave.

Tema e anketës ishte mundësia potenciale për të shtuar më shumë se 200MW energji eolike deri në vitin 2010. 96% e mbështetën projektin e energjisë diellore, nga ku 50% ranë dakord që ishte kapaciteti i duhur dhe 36% dëshironin rritjen e këtij kapaciteti (krahasuar me 3% të atyre që e donin të reduktuar).

Përveç infrastrukturës ekzistuese të energjisë diellore, në vitin 2005 NPDD vuri në punë Impiantin e Energjisë Eolike Ainsworth, e dyta për nga madhësia në gjithë vendin me 36 turbina të cilat gjeneronin deri në 59.5MW. Më 2011 plani i energjisë së shtetit deklaroi se gjenerimi i energjisë nga era ishte dyfishuar çdo dy vjet nga viti 2006 dhe që duke shfrytëzuar thjesht 1% të energjisë së mundshme eolike do të mund të përmbusheshin nevojat maksimale të shtetit për energji. Veç kësaj, pronësia publike e gjenerimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike plotësohet dhe nga një ide tjetër socialiste: planifikimi.  

Bordi i Mbikëqyrjes së Energjisë së Nebraskës është një agjenci shtetërore që mbikëqyr sistemin elektrik në pronësi publike. Përveç funksioneve rregulluese, si monitorimi i rritjes së përdorimit dhe zgjidhja e konflikteve, bordi i mbikëqyrjes i  përbërë nga 5 persona (të caktuar nga Guvernatori dhe të konfirmuar nga legjislatura me kufizimet përkatëse partiake, funksionale dhe të limitit të mandatit) “mbikëqyr përgatitjen dhe përpilimin e një plani afatgjatë të furnizimit me energji si dhe ndërtimin e impianteve të reja gjeneruese.  

Drejt një të ardhmeje me kontroll lokal

Një shqetësim i vjetër për sa i përket ndërmarrjeve të mëdha kur ato rriten ndjeshëm është që diçka e tillë do të sjellë mungesë eficience, mungesë përgjegjshmërie dhe rritje të burokracisë. Në fakt eksperienca gati 100-vjeçare e Nebraskës me një sistem energjie elektrike plotësisht publik tregon krejt të kundërtën.

Parimet e decentralizimit dhe kontrollit lokal mund të ruhen në një rrjet të përbërë nga ndërmarrje publike të shkallëve të ndryshme pa humbur në eficiencë dhe në cilësi shërbimi. Sigurisht, pronësia publike nuk është zgjidhje për të gjitha problemet, por gjithsesi i  jep mundësinë një komuniteti, qyteti apo shteti që të përfshihet në vendimmarrje ekonomike për sa i përket çështjeve të rëndësishme të cilat ndikojnë jetën, mjedisin dhe të ardhmen tonë.

E përktheu Edvin Thomollari

Marrë nga Yes Magazine

Imazhi: Wikimedia Commons

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.