Rekuiem* për studentët

/Giorgio Agamben/

Një përkthim i një ndërhyrjeje të shkurtër nga Agamben-i në blogun “Ditari i krizës” në faqen e internetit të Institutit Italian për Studime Filozofike (23 maj 2020). Si në shumicën e blogjeve të fundit, Agamben-i u referohet specifikisht zhvillimeve në Itali.

Siç e parashikuam, mësimet në universitet vitin tjetër do të mbahen online. Çfarë ishte e dukshme për vëzhguesit e kujdesshëm – që e ashtuquajtura pandemi do të përdorej si pretekst për përhapjen gjithnjë e më të shumtë të teknologjive digjitale – po realizohet plotësisht.

Ne nuk jemi edhe aq të interesuar për transformimin e radhës të mësimdhënies, në të cilin elementi i prezencës fizike (gjithmonë shumë i rëndësishëm në marrëdhënien midis mësuesve dhe studentëve) zhduket plotësisht, sesa për zhdukjen e diskutimeve në grupet e seminareve, të cilat ishin pjesët më të gjalla të procesit mësimor. Pjesë e barbarizmit teknologjik në të cilin jemi duke jetuar aktualisht është përjashtimi nga jeta e çdo përvoje të shqisave, si edhe humbja e shikimit, të burgosur përgjithmonë në një ekran spektral.

Një gjë akoma më vendimtare në atë çka po ndodh, për të cilën nuk është folur shumë, ka të bëjë me të qenit student si një formë e jetës. Universitetet e kanë fillesën e tyre në Evropë nga shoqata studentësh – universitares – prej të cilëve morën emrin. Të qenit student përfshin pikësëpari një formë jete në të cilën të studiuarit dhe të dëgjuarit e leksioneve ishin padyshim tiparet kryesore, por jo më pak të rëndësishme ishin takimet dhe shkëmbimet e vazhdueshme me shkollarë të tjerë, të cilët shpeshherë vinin nga vende të largëta dhe mblidheshin së bashku sipas vendit të origjinës. Kjo formë jete ka evoluar në mënyra të ndryshme përgjatë shekujve, por që nga clerici vacantes**të Mesjetës te lëvizjet studentore të shekullit XX dimensioni social i fenomenit mbetet i njëjtë. Gjithkush që ka dhënë mësim në një klasë universiteti e di shumë mirë se si aty përpara syve të tij krijohen miqësitë dhe, në bazë të interesave kulturore e politike, formohen grupe të vogla kërkimi dhe studimi të cilat e vazhdojnë punën e tyre edhe kur mbaron mësimi.

E gjithë kjo, e cila ka zgjatur për më se dhjetë shekuj, tani mbaron përgjithmonë. Studentët nuk do të jetojnë më në qytetet ku ndodhen universitetet e tyre. Përkundrazi, do t’i ndjekin leksionet të mbyllur në dhomat e tyre dhe shpeshherë të ndarë nga qindra kilometra nga ata që do të ishin shokët e tyre të klasës. Qytetet e vogla, që dikur ishin qytete prestigjoze universitare, do të vënë re se grupet e studentëve, që shpeshherë u jepnin gjallëri, do të zhduken nga rrugët e tyre.

Për çdo fenomen shoqëror që vdes mund të thuhet, në një kuptim të caktuar, se e meritonte fundin e tij; është e sigurt se universitetet tona arritën në një shkallë të tillë korrupsioni dhe injorance të specializuar, saqë është e pamundur të vajtosh për to; po ashtu është varfëruar forma e jetës së studentëve. Sidoqoftë duhen sqaruar dy pika:

1. Profesorët që bien dakord – siç janë duke bërë masivisht – t’i nënshtrohen diktaturës së re telematike dhe t’i mbajnë kurset vetëm online janë barasvlera e përsosur e profesorëve të universiteteve të cilët në vitin 1931 u betuan për besnikëri ndaj regjimit fashist. Si atëherë, ka të ngjarë që vetëm pesëmbëdhjetë nga miliona profesorë të refuzojnë, por emrat e tyre me siguri do të kujtohen përkrah atyre të pesëmbëdhjetëve që nuk bënë betimin.

2. Studentëve që vërtet duan të studiojnë do t’u duhet të refuzojnë të regjistrohen në universitetet e transformuara në të tillë mënyrë dhe, ashtu si në fillesat e tyre, të vetëthemelohen në universitete të reja, vetëm brenda të cilave, në këtë përballje me barbarizmin teknologjik, fjala e së shkuarës mund të mbetet gjallë dhe të lindë një kulturë e re, po ia doli.

Shënime:

*Requiem në latinisht i referohet të gjitha formave vajtuese, si elegji, këngë vajtuese etj, me anë të së cilave dikush vajtonte për dikë të vdekur.

**Clerici vagantes quheshin në Mesjetë klerikët endacakë të cilët nuk e kryenin më veprimtarinë e tyre në kishë.

E përktheu Anxhela Nasto

Imazhi: Andrius Kviliunas

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.