40 vjet nga Revolucioni i Karafilave në Portugali: dështim a fitore?
/Fitim Salihu/
Më 25 prill të këtij viti u shënua 40 vjetori i revolucionit portugez që njihet si “Revolucioni i Karafilave” (portugalisht: Revolução dos Cravos). Ndonëse ishte një prej përpjekjeve më serioze që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropën perëndimore për një transformim të thellë shoqëror, shumë pak vëmendje i është kushtuar analizimit të kësaj ngjarjeje. Në gjuhën shqipe gjenden edhe më pak ose aspak materiale studimore mbi këtë ngjarje. Prandaj do të mundohem që nga materialet e shumta (libra, dokumentarë, dokumente, kujtime, dëshmi të kohës, artikuj revistash, etj.) të studiuara mbi këtë ngjarje ta elaboroj “Revolucionin e karafilave” përmbledhtazi në aspektin historik-materialist e filozofik-dialektik, duke shpresuar që njëherazi do të nxjerrim konkluzione edhe për gjendjen ku ne jemi sot, formacionin tonë ekonomiko-shoqëror dhe marrëdhëniet shoqërore materiale.
Kur studion ngjarjet që pasuan 18 muajt e ethshëm të pas 25 prillit 1974, tejsheh zhvillime dialektike të jashtëzakonshme brenda kaq pak muajsh. Sulme-kundërsulme; goditje-tërheqje; puçe-kundërpuçe; greva, marshime e organizime dhe më pas thyerje, sprapsje e dështime.
Pasqyra e gjendjes para revolucionit
Portugalia ishte një nga vendet më të prapambetura në Evropë. Ndonëse kishte borgjezi të pasur, nuk pati asnjë revolucion borgjez. Kishte vetëm një periudhë të shkurtër të demokracisë borgjeze, prej proklamimit të Republikës më 1910 e gjer në grusht-shtetin e Salazarit & Co. më 1926. Megjithkëtë, kjo qe një periudhë destabiliteti total: për këto 16 vjet u ndërruan 26 qeveri dhe pati 4 tentativa grushtesh shteti.
Më 1974, Portugalia sundohej prej një diktature ushtarake, më e vjetra në Evropë, e themeluar që më 1926 nga Oliveira Salazari (1889-1970) e që zyrtarisht quhej “Estado Novo” (Shteti i Ri). Estado Novo ishte udhëhequr prej Salazarit – direkt a indirekt – që prej grushtit të shtetit të vitit 1926 deri më 1968, kur ai ia kaloi pushtetin dorës së tij të djathtë, një prej njerëzve më besnikë të tij, Marcelo Caetano-s (1906-1980), pasiqë u kuptua se vetë diktatori Salazar ishte i sëmurë dhe nuk do të jetonte edhe shumë gjatë. Estado Novo ishte një regjim surrogat me atribute të djathta, autoritare, fashistoide, konservatore dhe katolikofile. Deviza e Estado Novo-s ishte “Deus, Pátria e Familia” (Zoti, Atdheu dhe Familja).
Për shkak të natyrës antikomuniste (e që ishte vetë raison d’être e këtij regjimi), Estado Novo-ja antidemokratike u tolerua nga ShBA-ja dhe shtetet evroperëndimore, madje u anëtarësua në OKB më 1955 dhe ishte anëtare themeluese e NATO-s më 1949. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, sikurse Frankoja i Spanjës, Salazari dhe politikat e tij integraliste (lexo: fashizëm pa ekspansionizëm ndërkombëtar) mbante krahun e Boshtit Tripalësh, por zyrtarisht e ruajti neutralitetin, ashtu siç pati vepruar edhe përgjatë Luftës Civile Spanjolle.
Në dallim prej regjimeve tjera fashiste në Evropë, Salazarit i mungonte karizma e një lideri apo struktura partiake, por mbante në frena çdo tentativë opozitare e disidente përmes FIDE-s, policisë sekrete. Ai përvetësoi prej Musolinit idenë e korporatizmit dhe krijoi edhe njësitë e tij të “këmishëzinjve” à la fashistë: “Legião Nacional”. Nga nazistët përdytësoi idenë e “Hitlerjugend” dhe e krijoi “Mocidade Portuguesa” (Rinia portugeze).
Në vitet e fundit të regjimit, grevat e punëtorëve, protestat e studentëve dhe luftërat koloniale në Afrikë (të cilat kishin marrë flakë që më 1961 në Angola, Mozambik dhe Guinea Bisau) paralajmëruan kolapsin e tij, përkundër përçapjeve të elitave retrograde për ta parandaluar atë.
Kapitalizmi portugez ishte më i prapambeturi në Evropë. Bujqësia punësonte 40% të popullsisë aktive, luftërat koloniale po shternin burimet shtetërore dhe industria ishte në buzë të fiaskos pas krizës ekonomike të naftës të 1973-shit. ‘GDP per capita’ e Portugalisë në raport me atë të Komunitetit Evropian varionte në 30%-50%. Politikat ekonomike korporatiste cytën formësimin e konglomerateve gjigante në duart e disa familjeve të mëdha kapitaliste portugeze. Anaprapthi, 1.5-2 milionë portugezë, nga 8 milionë sa ishin gjithunji, kishin marrë udhët e emigracionit (kryesisht në ShBA e Francë) duke kërkuar një jetë më të mirë.
1000 latifundiario posedonin 30% të tokës, aq sa 600.000 pronarë të tjerë të vegjël fshatarë. 7 familjet më të fuqishme oligarke kontrollonin shumicën e industrisë dhe të ekonomisë së vendit. 7 grupet më të mëdha bankare kontrollonin 83% të të gjitha depozitave bankare. 0.4% të kompanive industriale kontrollonin 53% të kapitalit dhe 16% e industrisë kontrollonte 75% të prodhimit. Fenomen tjetër ishte edhe migrimi masiv fshat-qytet: vetëm në kryeqytetin e vendit, në Lisbonë, 150 mijë njerëz të shkarëzyer jetonin në favela – nëpër baraka, pa minimumin e kushteve elementare për jetesë. 400 mijë portugezë ishin të papunë, kurse në vende pune ishin të ndaluara me ligj sindikatat dhe organizimet punëtore-sindikale.
Masakrat ndaj civilëve në kolonitë afrikane, vdekja e shumë portugezëve të rinj në luftë kundër gueriljeve nacionalçlirimtare të Afrikës, shpenzimet marramendëse të ushtrisë dhe të të gjithë aparatit shtetëror kolonial (këto shpenzime përthithnin 48% të buxhetit vjetor të shtetit), izolimi ndërkombëtar, standardi i ulët jetësor dhe krizat ekonomike, e kështu me radhë, ndikuan në rritjen e pakënaqësisë në Portugali.
Edhe konteksti i konstelacionit ndërkombëtar nuk ishte në anën e regjimit. Vendet perëndimore po i bënin vazhdimisht presion Caetanos që të zbuste kursin, kurse luftërat antikolonialiste matanë oqeanit po mbështeteshin gjithherë e më shumë prej Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij të Paktit të Varshavës.
Në radhët e ushtrisë po nuhateshin turbullira, kurse lufta koloniale po bëhej prore më jopopullore në sytë e masave. Ushtarët dhe nënoficerët e thjeshtë që luftonin në Afrikë ishin demoralizuar dhe e urrenin luftën për një kauzë të huaj, i urrenin eprorët e tyre të korruptuar e arkaikë që po i çonin drejt vdekjes së sigurt dhe drejt vrasjes së civilëve të pafajshëm në Afrikë. Shumë prej tyre ishin marrë prej auditorëve universitarë e bankave të shkollës dhe në kontakt me të pakënaqurit brenda ushtrisë dhe me luftën revolucionare antikolonialiste të popujve të shtypur afrikanë, zunë të anojnë gjithnjë e më shumë nga idetë majtiste dhe filluan të organizojnë qarqe e grupe klandestine për diskutime politike e teorike.
Ngjarja
Qysh në shkurt 1974 zunë fill planet për rrëzimin e diktaturës nëpërmjet një grushti shteti dhe organizimet ilegale të “Lëvizjes së Forcave të Armatosura”, të cilës tutje do i referohem vetëm si MFA (Movimento das Forças Armadas). MFA-së i prinin majorët Vitor Alves e Otelo Saraiva de Carvalho dhe kapitenët Vasco Lourenço dhe Salgueiro Maia.
Sulmi i “kapitenëve të prillit” – MFA-së, u planifikua të niste mbrëmjen e 24 prillit dhe në ag të 25 prillit. Si sinjal u caktua transmetimi i dy këngëve. Më 24 prill, në ora 22:55 do të transmetohej në “Eurovision” kënga “E Depois do Adeus” e këngëtarit Paulo de Carvalho. Ky do të ishte sinjali i parë që kapitenët duhet ta nisnin grushtin e shtetit. Sinjali i dytë do transmetohej nga “Radio Renescença” pas mesnatës, në orën 00:20 të 25 prillit. Radiostacioni u mor nga disa anëtarë të MFA-së dhe u lëshua sinjali për pjesën tjetër që të niseshin në drejtim të Lisbonës. Kënga që u transmetua si sinjal i dytë ishte “Grândola, Vila Morena” e Zeco Afonsos, një këngëtari disident, këngët e të cilit ishin ndaluar nga censura e diktaturës, pasiqë dyshoheshin se tekstet e tij kishin nënkuptime me mesazhe komuniste.
Me ta marrë mesazhin përmes radios, rebelët e MFA-së zaptuan një garnizon dhe u nisën orëve të para të mëngjesit të 25 prillit drejt kryeqytetit dhe dalëngadalë zaptuan të gjitha institucionet e shtetit, një nga një. Në rrugë doli populli që mirëpriti e përshëndeti këta kapitenë të rinj revolucionarë. Plaka, të reja e fëmijë, në tyta pushkësh po iu varnin karafila të kuq ushtarëve. Këtu edhe e fitoi emrin “Revolucioni i Karafilave”.
Kryeministri Caetano u struk në një stacion policor dhe nga pasditja pranoi të dorëzohej me kusht që t’i garantohej fluturimi drejt Brazilit dhe që pushtetin të mos ia dorëzonte asnjë oficeri nën gradën e gjeneralit. Kushtet e tij u plotësuan! Caetanoja iku në Brazil ku edhe vdiq më 1980. Pushtetin e kaloi në udhëheqjen provizore të gjeneralit António de Spínola. Revolucioni i MFA-së kishte triumfuar! Populli portugez e fitoi lirinë pas pesë dekadash diktaturë. Ndonëse Spínola tërë jetën e tij i kishte shërbyer Salazarit e Caetanos, ai në nëntor 1973 kishte refuzuar poste të larta në qeveri dhe nga janari-shkurti 1974 kishte dalë haptazi kundër vijimësisë së luftërave koloniale dhe ishte tërhequr nga jeta publike dhe ushtarake. Ky ishte koncesioni që bënë kapitenët e rinj. Por ata qëllim nuk e kishin pushtetin, por vetëm rrëzimin e Estado Novo-s dhe atë me pak ose aspak viktima.
Në muzgun e 25 prillit u krijua “Junta e Shpëtimit Kombëtar” që do t’i printe Portugalisë gjer në kthimin e status quo-së. Kjo periudhë zgjati gjer më 25 nëntor 1975 dhe u quajt “Procesi revolucionar i vazhdueshëm”. Ndërmjet këtyre dy datave patëm edhe disa qeveri të përkohshme. Zgjedhjet e para të lira u mbajtën një vit më pas, më 25 prill 1975.
Meritë e MFA-së është edhe se pas revolucionit ia njohën të drejtën për vetëvendosje e shkëputje të gjitha kolonive portugeze në Afrikë e gjetiu.
MFA-ja u lind si një besëlidhje se revolucionin do e bënin ashtu që të mos kishte më nevojë të derdhej as edhe një pikë gjaku i as edhe një portugezi në luftërat koloniale në Afrikë. Ashtu edhe u bë! Revolucioni njëzetekatërorësh u krye me vetëm 4 viktima. Edhe ata u vranë nga PIDE (policia sekrete e Caetanos) e cila qëlloi me armë në masën e qytetarëve që kishin rrethuar zyrat e saj pasditen e 25 prillit.
Më 5 maj 1974, “The Oserver” e quante Portugalinë “një shtet me kokë, por pa trup”; saktësisht siç shprehej Lenini përgjatë kthimit të tij në Rusi në prill 1917 kur e quante Rusinë si “vendin më të lirë në botë”; jo për shkak që i besonte parimeve të Qeverisë së përkohshme, por sepse po e shihte impotente makinën e shtetit të vjetër për t’i dalë në mbrojtje klasave sunduese. E, njëjtë po ndodhte edhe në Portugalinë e kohës. Shteti i vjetër ishte shvalë!
Por si mbijeton edhe sot 25 prilli? Kjo datë është kthyer në festë kombëtare zyrtare në Portugali dhe njihet si “Dita e Lirisë”. Shumë aveny, sheshe, rrugë, ura e shkolla në Portugali bartin emrin “25 prilli”. “Grândola, Vila Morena” u shndërrua në himnin e këtij revolucioni. Kjo këngë që flet për në qytezë fiktive ku mbizotëron vëllazëria, barazia, bashkëjetesa; ku udhëheq populli, etj., etj., këndohet me plot ngashërim në secilin përvjetor të 25 prillit (https://www.youtube.com/watch?v=_KFZwGy1eJ4). Për më tepër, kjo këngë është kthyer në himn edhe të çdo përpjekjeje emancipuese të mëpastajme të rinisë e popullit portugez. Kjo këngë-simbol këndohet si në protestat popullore kundër masave shkurtuese të propozuara nga Trojka “BE-BQE-FMN” (gati një milionë qytetarë në demonstratë: https://www.youtube.com/watch?v=BwXkqHRkUpk), ashtu edhe në aksionet simbolike demonstrative duke ndërprerë fjalimin e kryministrit neoliberal mu në mes të Parlamentit (https://www.youtube.com/watch?v=M53-cxC8B1E), e madje është tejçuar tejendanë globit, kudo ku ka protesta kundër sistemit (si p.sh., tek los indignados në Spanjë: https://www.youtube.com/watch?v=rIZiTQIj9JY). Në anën skenike, filmi “Capitães de Abril” (“Kapitenët e Prillit” – vegëza online e 1 nga 12 pjesëve, me titra anglisht: https://www.youtube.com/watch?v=XLdfxN-hqO0) është pasqyrimi më real kinematografik i 24-orëshit revolucionar portugez të 24 e 25 prillit 1974.
Skena komike flasin për origjinalitetin e përshkrimit të ngjarjes (si p.sh., kur ushtarët që nisen me kolonë autoblindash për ta ‘zaptuar’ kryeqytetin aq janë të papërvojë e naivë, saqë ndalen edhe në semaforë, ndërkohë që janë nisur për grusht shteti), sikurse në skena tjera shohim edhe këmbëngulësinë dhe trimërinë e pashoqe të “kapitenëve të prillit” (ndër të tjera, kur prijësi i grushtit të shtetit, kapiten Maia, del, – pa iu trembur syri – para tankut të një oficeri të regjimit që po e kërcënonte se do ta vriste në vend).
Impakti imediat i “Revolucionit të Karafilave” në Portugali
“Revolucioni i Karafilave” nuk pati vetëm jehonë politike, por ndryshoi shumëçka (ndonëse jo gjithçka) edhe në marrëdhëniet ekonomiko-shoqërore të Portugalisë. Kësodore, në mes të prillit e dhjetorit 1974, në emër të reformës u ‘okupuan’ rreth 900.000 hektarë tokë nga fshatarët e patokë. Në vitet 1974-75 u realizua reforma agrare, që u pasua me “shpronësime të shpronësuesve” (siç do të shprehej Marksi) dhe me krijimin e fermave kolektive. Gushti i 1975-s e gjeti vendin me 400 kooperativa bujqësore. Njashtu, kushtetuta e miratuar rishtas më 1976, njihte lirinë e ushtrimit të fesë e besimit.
Periudha pas revolucionit u shoqërua me shumë (ri)shtetëzime, investime publike, politika sociale, etj. U shtetëzuan mbi 300 ndërmarrje të mesme. Shtetëzimet prekën bankat, kompanitë e sigurimeve, industrinë petrokimike, industrinë e duhanit, ushqimoren, të çimentos, përpunimin e hekurit dhe çelikut, linjat ajrore dhe detare, transportin urban e nacional, radiot, televizionin, minierat, shëndetësinë, etj., etj. Kësisoj, mbi 80% e ekonomisë u prek nga politikat shtetëzuese të pasrevolucionit. Ndërkohë, të pastrehët po uzurponin banesat e lira, kryesisht të borgjezisë. Të lebetitur, vendin po e lëshonin manjatët financiarë, derisa në atdhe po ktheheshin gjysmë milioni retornados, ish-kolonët portugezë të kolonive tashmë të mëvetësuara afrikane.
Edhe pse pati shumë rrekje revolucionare nga radikalët revolucionarë të MFA-së për ta bërë atë që Žižeku në këso situata e quan “mohim i mohimit”, pra për ta bërë një revolucion (radikal marksist) brenda revolucionit, për ta tejçuar e thelluar atë. Por, kjo nuk u arrit asnjëherë! Álvaro Cunhal i PCP-së (Partisë Komuniste të Portugalisë) fillimisht tentoi pa sukses ta rrëzonte juntën e ta kthente Portugalinë në një shtet komunist, i ndihmuar edhe nga disa elemente marksiste e prokastroiste të MFA-së, si Carvalho, Gonçalves, Maia, etj. Prapëseprapë, me kushtetutën e 1976-s ia dolën që ta sanksiononin se Portugalia ndërton socializmin përmes mjeteve paqësore e rrugës institucionale. Kjo kushtetutë i referohej vazhdimisht prerogativave dhe të drejtave të punëtorëve, ndalonte investimet private në sektorë kyç, artikulonte shoqërizimin e mjeteve të prodhimit, ndalonte shfrytëzimin e njeriut nga njeriu, i siguronte komiteteve të punëtorëve të drejtën e mbikëqyrjes së menaxhmentit të ndërmarrjes, etj. Por, me revidimet e amendamentet e vitit 1982 dhe 1989, kushtetutës iu hoq karakteri i saj ideologjik.
Implikimet shoqëroro-politike post-festum
Kur tanket e oficerëve të rinj të MFA-së hynë triumfalisht në Lisbonë në mëngjesin e 25 prillit, ata nuk rrëzuan vetëm diktaturën më të moçme të Evropës, por njëherazi hapën kutinë e Pandorës të të gjitha kontradiktave që ishin akumuluar në shoqërinë portugeze për 48 vjet. Gjashtë ditë pas kësaj ngjarje historike, 1.5 milionë marshues kishin mbushur rrugët e Lisbonës dhe 4 milionë të tjerë në qytetet e tjera të vendit (5.5 nga 8 milionë banorët e vendit) kishin dalë për ta festuar 1 majin e parë në liri.
Rrëzimi i diktaturës i dha një impuls gjallërues lëvizjes punëtore në Portugali. Vendi ishte kredhur në greva e marshe punëtorësh, ndërkohë që Organizata Sindikale Kombëtare kishte përfshirë në gjirin e saj 80% të fuqisë punëtore të vendit, e prirë ideologjikisht në fillim nga Partia Komuniste.
Revolucioni i karafilave na ka vërtetuar një ligj historik të lëvizjes punëtore: kur punëtorët e ndjejnë se ka ardhur vakti për t’u shprehur e imponuar politikisht, ata nuk e bëjnë këtë nëpërmjet organizimeve tradicionale. Nuk ndërron vetëm ëndrra, por edhe mënyra e të ëndërruarit. Kur sipari revolucionar kaloi prej kazermave të ushtarëve e nënoficerëve të rinj tek fabrikat e klasës punëtore, klasat sunduese në lemeri zunë të ndjenin panik, në Portugali dhe jo vetëm.
Ndërmjet qershorit dhe shtatorit 1974 pati shumë rrengje kundërrevolucionare nga krahu i djathë dhe borgjezia portugeze për të frajuar frytet e fitores së Revolucionit. Por, vetëm falë mobilizimit të klasës punëtore në rang vendi, kjo u pamundësua.
Në fillim të shtatorit 1974, si rrjedhojë e presionit të punëtorëve, krahu i qendrës së djathtë i Juntës me në krye gjeneral Spinolën po mbrunte një puç kundërrevolucionar. Si përgjigje, oficerët e rinj radikalë krijuan “CopCoN”-in (Komitetin Politik të Koordinimit Kombëtar), kurse punëtorët më 10 shtator pushtuan afër 500 fabrika. Në shkurt 1975 u përhap paniku se CIA – e interferuar përmes bazës ajrore të NATO-s në Portugali – po tentonte të organizonte një grusht shteti, sikurse në Kili pak kohë më parë. Rrugët e Lisbonës u stërmbushën me mijëra punëtorë e ushtarë të armatosur që paralajmëronin se do e mbronin revolucionin me çdo kusht nën motto-n “Portugalia s’do të bëhet Kili i Evropës!”
Më 11 mars 1975, ndjekësit e gjeneral Spinolës (ish-kreut të juntës) në Ushtri tentuan sërish që me puç ta rrëzonin MFA-në. Kjo aventurë dështoi brenda pak orësh. Punëtorët u armatosën dhe bashkë me ushtarët e rinj revolucionarë dolën në rrugë për ta mbrojtur revolucionin gjer në vdekje. Në periudhën prill 1974-nëntor 1975 e zakonshme ishte të shihje demonstrata popullore me 100 mijë deri 500 mijë marshues në secilin qytet luzitan, pavarësisht madhësisë.
Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 1975, Partia Socialiste fitoi 38% të votave (parti socialdemokrate, por që nën ndikimin e rrymës ultramajtiste të pasrevolucionit mbahej për marksiste: bëri sloganin “Partia Socialiste, parti marksiste!” dhe në numrat e parë të organit të saj botoi disa shkrime të Trockit) e Partia Komuniste fitoi 20%. Ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm i së majtës portugeze. P.sh. vetëm në Lisbonë, partitë e majta fituan së bashku 80% të votave.
Tejefund Portugalisë pas revolucionit u krijuan komitete e organizata bazë të punëtorëve dhe ushtarëve (me 150.000 qytetarë të përfshirë në vendimmarrje të drejtpërdrejt), organe këto demokratike vetëqeverisëse në fabrika, kazerma e lagje. Më 1 maj 1975, punonjësit e bankave okupuan bankat dhe hapën flamuj tek portat ku shkruante “Këto banka i takojnë popullit!” Ngado ndihej euforia dhe fryma revolucionare. Ato ditë, organi kryesor mediatik i kapitalit britanik “The Times” shkruante se “kapitalizmi ka vdekur në Portugali”.
Fatkeqësisht, nuk ishte i njëjti entuziazëm në radhët e udhëheqjes. Partia komuniste mbajti qëndrim reformist antimarksist me iluzione në demokraci e transformime paqësore. Çuditërisht, partia socialdemokratike ‘PS’ shpeshherë kishte qëndrime më radikale (së paku në diskursin e saj) sesa PCP-ja e vetëdeklaruar marksiste. Por, me kalimin e muajve edhe brenda saj po fitonte terren krahu oportunist i Mário Soaresit, që më vonë do bëhej kryeministër e president i shtetit. Ato ditë, Henry Kissingeri lëshonte direktiva se e vetmja mënyrë për ta ndalur vërtikun revolucionar të proletariatit portugez ishte përmes përpunimit të Soaresit dhe yshtjes së tij për ta tradhtuar kauzën e klasës punëtore. Siç tregojnë ngjarjet e pastajme, kjo direktivë e Kissingerit u ngjiz në përpikmëri absolute.
Në tetor 1975, 800.000 punëtorë portugezë rrethuan e bllokuan Kongresin duke e detyruar qeverinë të premtonte rritje të pagave prej 45%. Në këtë atmosferë përcëlluese, krahu radikal i Ushtrisë, më 25 nëntor kapërtheu kazermat dhe pikat kyç të kryeqytetit. Por, klasa punëtore u zu në befasi dhe nuk ia doli t’i dalë në krah oficerëve të rinj revolucionarë (me përjashtim të punëtorëve të kantierit detar). Si pasojë, kjo kryengritje e çiltër u shtyp dhe u izolua. Bile, po si një bumerang, kjo ngjarje prodhoi kundërefekte për lëvizjen përparimtare në vend. Klasat sunduese e përdorën këtë grusht shteti të dështuar si shkarki për të kaluar në kundërsulm. Mungesa e një tendence të qartë marksiste brenda udhëheqjes së partive të majta dhe sindikatave, bënë që këshillat e komitetet e punëtorëve dita-ditës të humbisnin fuqinë reale, derisa ushtria po spastronte radhët e veta prej ushtarëve, nënoficerëve e oficerëve radikalë dhe revolucionarë.
Përfundim
Dështimi i 25 nëntorit 1975 ishte një pikë kthese në zgjimin e forcave kundërrevolucionare. Vitet ’70 më pas ishin vite përplot vrunduj me kriza ekonomike e kriza qeveritare që prodhuan një president autoritar si gjenerali António Ramalho Eanes, një ish-komandant i Ushtrisë koloniale në Angola që më pas iu bashkëngjit MFA-së, por urdhëroi më 25 nëntor shtypjen e kryengritjes majtiste të oficerëve rebelë. Ironikisht, ai u zgjodh president më 1976 me votën e PS-së, e cila pak muaj më parë mbante veten si parti marksiste. Kjo u pasua nga një prapakthim bonapartesk i klasave sunduese që vazhduan t’i rrënonin të arriturat (sado të pamjaftueshme) të “Revolucionit të karafilave”. Në mes të viteve ’80 erdhi në pushtet PSD-ja (parti e qendrës së djathtë, por që nën presionin e valës dhe hovit revolucionar të pas 24 prillit ’74 morri emrin “Partia Socialdemokrate”) e Cavaco Silvas. Më 1986 Portugalia u pranua në Komunitetin Evropian, pararendësen e BE-së. Në fillim të viteve ’90, falës votës së PS-së u ndryshua kushtetuta, që në vend të garancive për trasimin e rrugës drejt socializmit, tani mbudhte drejt privatizimit, derregullimit, liberalizimit, masave shkurtuese, etj.
Në dallim nga Lenini i “Tezave të Prillit” që kushtronte të mos i besohej asndonjëherë Qeverisë së Përkohshme, partitë e majta portugeze tradhtuan proletariatin dhe popullin duke u futur vetë në qeverinë e përkohshme të 16 majit 1974, e cila e pasoi “Juntën e Shpëtimit Kombëtar”. Ironikisht, Partia komuniste mori Ministrinë e Punës dhe bënte thirrje që punëtorët të mos vazhdonin me greva, madje edhe e miratuan një ligj antigrevë (!).
Siç shihet qartë, në Portugali mungonte udhëheqja pararojë për të thelluar transformimet revolucionare, përkundër përpjekjeve të kapitenëve radikalë të MFA-së, me në krye Otelo Saraiva de Carvalhon. Kështu, avangarda ishte ajo që më së shumti i mungoi “Revolucionit të Karafilave”. Partia komuniste (PCP) po e ndjente se revolucioni i mëtejmë po lëshonte farë, por masat nuk po e ndiqnin pikërisht atë që mbahej si parti pararojë (apo që duhej të ishte e atillë), njëjtë sikurse në Rusinë e korrikut 1917 ose Barcelonën e majit 1937. Revolucioni portugez e pati shansin më të mirë dhe të gjitha parakushtet më të favorshme sesa Rusia e 1917-s. Posaçërisht pati një klasë punëtore më të fuqishme dhe një ushtri me shumë seksione të saj që po e mbështetnin idenë e një revolucioni socialist. Me tërë ato gabime të Cunhal-it, udhëheqësit historik të PCP-së, suksesit më të thellë të revolucionit i mungoi ekzistenca e një udhëheqësie pararojë. Prandaj, situata merrte kthesa të tilla: sa shkonte ekstrem në të majtë e sa kundërrevolucionarizohej e tëra. Krejt kjo na mëson mbi domosdonë e një udhëheqjeje prijatare revolucionare. Por ama, një e tillë që duhet të përgatitet paraprakisht dhe jo vetëm të dalë në skenë në pikun e shpërthimit. Edhe këtë na e mësuan analet e historisë së revolucionit portugez.
Teoricieni trockist argjentinas Nahuel Moreno e krahasonte MFA-në me Kerenskin: asnjëri nuk siguroi besimin e plotë të mikroborgjezisë (ndonëse që të dytë vinin nga kjo shtresë) dhe që të dyja ishin regjime me kriza permanente.
Në ato momente drithëruese të valës revolucionare, asnjë forcë shtypëse s’kishte fuqi ta përballonte uraganin e punëtorëve. Por atyre i mungoi partia pararojë. Ndoshta, e tërë pamja e botës do të ndryshonte dhe sot do të ishte krejt tjetër. Nën ndikimin e majit 1968 dhe një revolucioni socialist në Portugali më 1974, me gjasë Franca, Spanja, Italia a Greqia – e më vonë edhe pjesët tjera të Evropës – do të ngriheshin në këmbë duke ndjekur shembullin e portugezëve. Njëjtë do të mund të vazhdonte ‘efekti domino’ edhe në Brazilin portugalishtfolës e paskëtaj edhe në Argjentinë dhe gjithë Amerikën Latine. Kjo mbase do të kishte për të qenë një infuzion edhe për kampin socialist e mbase nuk do të kishim 1989-n dhe 1990-n fatale për këtë kamp. Por, tërë këto ngelin pandehma hipotetike që nuk ia gjejmë përgjigjet e sakta kurrënjëherë. E, kjo nuk u realizua sepse proletariati portugez nuk e pati udhëheqjen me eksperiencë e largpamësi revolucionare. PS-ja morri krahun e tradhtisë së klasës punëtore, kurse PCP-ja në vend që të merrte pozicion konsekuent bolshevik, ra në pozita menshevike revizioniste.
40 vjet më pas duket sikur rrethi po ngushtohet sërish. Krizat plandosëse të kapitalizmit evropian e kanë goditur Portugalinë si pothuajse asnjë tjetër vend anëtar të BE-së. Në vitin 2011 pati borxh të jashtëm me vlerë prej 109 miliardë eurosh ose 126.3% e GDP-së së saj. “Eurostat”-i paralajmëron se 24% e portugezëve sot jetojnë nën kufijtë e varfërisë. Politika e shtrëngimit të rripit shkaktoi në vetëm dy vjet – 2011 dhe 2012 – humbjen e 626 mijë vendeve të punës, duke çuar nivelin e papunësisë në 17% në përgjithësi dhe 36% tek të rinjtë, në veçanti. Për rrjedhim, më 2012 e 2013 vendi u bë dëshmitar i mobilizimeve shoqërore më masive që prej 1974-s e 1975-s. Vihet re një zhgënjim i madh tek rinia dhe një kalim nga e majta, sërish. Ky brez i portugezëve ka një armë më të fortë se ai i 1974-s: i ka leksionet nga druajtjet, lëshimet e gabimet e 1974-s dhe 1975-s. Vënia e atyre mësimeve në praktikë do të ishte përdorimi më i duhur i asaj “arme” dhe detyra elementare e kryesore e shtresave më progresive të shoqërisë në këtë fazë ku është Portugalia sot.
Po e përmbyll këtë syzim analitik mbi “Revolucionin e karafilave” me disa pasazhe të një interviste që dha më 1999 shkrimtari i madh portugez, nobelisti José Saramago:
“Si sistem, personalisht besoj se vetëm socializmi mundet tё sigurojë njёfarё ekuilibri, mundet ta bёjё jetën më kuptimplote…
Thellё-thellё një revolucion ёshtё njё “JO” qё i kundёrvihet njё “po”-je. Një refuzim i asaj rutine qё pёrbёn njё status quo; mospranim i asaj “po”-je qё nё tё vёrtetё mbetet vendnumёro. Tё gjitha kёto udhёheqin nё njё revolucion i cili ulërin: “Jo, kjo duhet ndryshuar!” . Por, hap pas hapi, njё “Jo” rrezik të shndёrrohet nё njё “po” tё re. Revolucioni ynё, edhe pse i pёrmasave tё vogla, arriti tё rrёzonte njё sistem tё degjeneruar, diktaturën portugeze, e cila zgjati pothuajse 50 vite. Besoj se nё ato çaste, nё ato ditё, ato javё, ato muaj, nuk ekzistonte popull mё i revoltuar se ai portugez. Populli ishte derdhur rrugёve dhe bёri gjithçka qё duhej tё bёnte qё revolucioni tё kishte rezultat. Çfarё ka mbetur sot nga gjitha kёto? Politika ushtrohet si profesion. Njerëzit kanё rreshtur sё interesuari. Secili shikon veten e tij. Gjendja ka ndryshuar kaq shumё sa tё bёn tё pyesёsh veten: “Mos ndoshta bёhet fjalё pёr njё popull tjetёr?” Jo, biologjikisht dhe gjenetikisht populli ёshtё i njёjtё. Por çfarё ёshtё populli? Dikur njerёzit dёshironin tё bёnin gjёra – sot e vetmja gjё qё u intereson ёshtё Europa e Bashkuar. Dikur ekzistonte njё gabim, nuk ishte e mundur qё askush tё mos besonte diku – sot e vetmja gjё qё na intereson ёshtё e sotmja… Po, e besoj se gjendja e tanishme na udhёheq drejt njё revolucioni tё ri, edhe pse bёhet propagandё pёr tё na bindur pёr tё kundёrtёn. Por kot pёrpiqen. Sepse nё shpirtin njerёzor nuk do rreshtё sё ekzistuari ajo qё ju thashё mё parё, dёshira pёr ndryshim. Njeriu nuk fillon tё mendojё, veçse nё momentin qё pёrballet me problemin. Por nё çastin qё njeriu fillon tё mendojё ka filluar dhe procesi i ndryshimit. E vёrteta ёshtё se po futemi nё njё shekull ndryshimesh tё mёdha.”
Literatura e preferuar për ta thelluar studimin e “Revolucionit të Karafilave”
– Avilla, Ferreira, Orsini dhe Reeve, “Portugalia: lufta tjetër”. 1975
– Ditari i Maurice Brinton-it. 2004
– James Seprun, “Lufta shoqërore në Portugali”. 1975
– Letërkëmbimi mes Guy Debord-it dhe Eduardo Rothe-s.
– Nahuel Moreno, “Revolucioni dhe kundërrevolucioni në Portugali”. 1977
– Nicos Poulantzas, “Krizat e diktaturave: Portugalia, Greqia, Spanja”. 1976
– Phil Mailer, “Portugali – Veri e Jug”. 1975
– Phil Mailer, “Portugalia: Revolucioni i pamundshëm?”. 1977.
– Tony Cliff, “Letër e hapur Revolucionit portugez”. 1975
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.