Shtatë teza feministe mbi COVID-19 dhe riprodhimin social

/Kolektivi Marksist Feminist/

TEZA 1  

Kapitalizmi i jep përparësi fitimit në vend të jetës: Ne duam ta përmbysim këtë logjikë

Kjo pandemi dhe reagimi i klasës sunduese ndaj saj japin një tablo të qartë dhe tragjike të idesë që qëndron në zemër të teorisë së riprodhimit shoqëror: prodhimi i jetës i nënshtrohet kërkesave të fitimit.

Aftësia e kapitalizmit për të prodhuar gjakun e vet – fitimin – varet plotësisht nga “prodhimi” i përditshëm i punëtorëve. Kjo do të thotë se varet nga proceset e jetës, të cilat nuk i kontrollon apo i mbisundon dot plotësisht dhe menjëherë. Në të njëjtën kohë, logjika e akumulimit kërkon që të mbahen sa më të ulëta pagat dhe taksat që mbështesin prodhimin dhe mbarëvajtjen e jetës. Kjo është kontradikta kryesore që qëndron në zemër të kapitalizmit. Kapitalizmi degradon dhe nënvlerëson pikërisht ata që kontribuojnë në pasurinë e vërtetë shoqërore: infermierët/et dhe punonjësit/et e spitaleve dhe kujdesit shëndetësor, bujqit, punëtorët/et në fabrikat e ushqimit, në supermarkete dhe përcjellësit/et e dërgesave[1], grumbulluesit/et e mbetjeve, mësuesit/et, kujdestarët/et e fëmijëve dhe të moshuarve. Këta janë punëtorët e diskriminuar për nga raca dhe gjinia, që kapitalizmi i poshtëron dhe i stigmatizon me paga të ulëta dhe shpesh në kushte të rrezikshme pune. Për më tepër, pandemia e tanishme nxjerr në pah se shoqëria jonë thjesht nuk mbijeton dot pa ta. Shoqëri po ashtu nuk mund të mbijetojë me kompani farmaceutike që konkurrojnë për fitime duke përdorur të drejtën tonë për të gjalluar. Gjithashtu është e qartë se “dora e padukshme e tregut” nuk do të krijojë dhe drejtojë një infrastrukturë shëndetësore mbarëplanetare, e cila i nevojitet njerëzimit, siç vuri në dukje edhe pandemia aktuale.

Kështu kriza shëndetësore po e detyron kapitalin të përqendrohet në punët që kanë të bëjnë me veprimtarinë jetësore dhe prodhimin e jetës, siç janë kujdesi shëndetësor, kujdesi shoqëror, prodhimi dhe shpërndarja e ushqimit. Ne kërkojmë që ky raport të vazhdojë edhe kur të kalojë pandemia, në mënyrë që shëndeti, arsimi dhe aktivitetet e tjera jetësore të shkomodifikohen dhe të bëhen të qasshme për të gjithë.

TEZA 2  

Punëtorët/et e riprodhimit social janë punëtorë/e themelorë/e: Ne kërkojmë që ata/ato të njihen si të tillë në vazhdimësi        

Ndërsa shumica e ndërmarrjeve të prodhimit të mallrave kanë mungesë punëtorësh/esh dhe kanë përjetuar rënie të jashtëzakonshme të fitimeve dhe vlerave të aksioneve të tyre, ata po mbështeten tek organizatat, komunitetet, familjet dhe individët që prodhojnë jetën njerëzore. Por duke pasur parasysh nevojën e kapitalizmit për t’i dhënë përparësi fitimit përkundrejt jetës, këto organizata, komunitete, familjet dhe individë zor se janë të përgatitur për t’u përballur me këtë sfidë. Nuk është fjala vetëm që për Covid-19 kanë dhënë kontribut një pjesë e punëtorëve të sistemit shëndetësor, të ushqimoreve dhe të transportit publik, si dhe vullnetarë të ndryshëm. Çmontimi i shërbimeve sociale themelore për vite me radhë, në emër të masave shtrënguese, do të thotë se forcat e punës riprodhuese janë më të pakta se dikur, si dhe ka më pak organizata komunitare e burime për to.               

“Ne kërkojmë që të gjitha burimet dhe paketat stimuluese financiare të investohen në punën jetësore dhe jo në mirëmbajtjen e kompanive kapitaliste.”       

Për të kompensuar neglizhencën e krizës për dekada të tëra, shumë shtete kapitaliste dhe korporata po i ndryshojnë vetëm pjesërisht dhe përkohësisht përparësitë e tyre. Ata po dërgojnë pagesa për familjet, po i zgjerojnë sigurimet e papunësisë për punëtorët në kushte prekariati, po urdhërojnë prodhuesit e automjeteve të kalojnë nga prodhimi i makinave në prodhimin e maskave ​​dhe ventilatorëve. Në Spanjë shteti mori nën kontroll përkohësisht spitalet fitimprurëse; në SHBA kompanitë e sigurimeve nuk po i llogarisin pagesat e sigurimit shëndetësor për testimin e COVID-19. Ndër të tjera kjo tregon se kur ekziston vullneti politik ka burime të gatshme dhe të bollshme për të përmbushur realisht nevojat e njerëzve.             

Ne kërkojmë që punëtorët/et në sektorët e riprodhimit social — infermierët/et, sanitarë/et e spitaleve, mësuesit/et, stafet e mirëmbajtjes së mjedisit, prodhuesit e ushqimit dhe punëtorët/et e supermarketeve – të njihen në mënyrë të përhershme për shërbimet thelbësore që kryejnë, ndërsa pagat, përfitimet dhe gjendja e tyre sociale duhet të përmirësohen që të pasqyrojnë rëndësinë e tyre në mirëmbajtjen e shoqërisë në tërësi.

TEZA 3  

Shpëtoni njerëzit jo bankat       

Sunduesit tanë po vënë në dispozicion shumë më tepër burime për të shpëtuar bizneset, me shpresën për të eliminuar mundësinë e një kolapsi total të vleftës kapitaliste. Të mos harrojmë se fitimet e prodhuara nga fuqia punëtore janë mundësuar nga puna e riprodhimit shoqëror. Shefat ekzekutivë (CEO) të zinxhirëve të hoteleve dhe restoranteve, ndërmarrjeve teknologjike dhe linjave ajrore, apo më gjerë, po heqin miliona punëtorë/e nga listat e pagave të tyre, teksa në anën tjetër ruajnë përfitimet dhe rrogat e tyre të ekzagjeruara. Kjo vjen për shkak se sistemi kapitalist kërkon që kontradikta midis jetës dhe pagës së punëtorëve të zgjidhet gjithnjë në favor të kapitalit dhe jo në dobi të jetës së njerëzve.            

Ne kërkojmë që të gjitha burimet dhe paketat stimuluese financiare të investohen në punën jetësore dhe jo në mirëmbajtjen e kompanive kapitaliste  

TEZA 4  

Hapni kufijtë, mbyllni burgjet  

Kjo pandemi po i godet shumë fort emigrantët dhe të burgosurit: ata/ato që kanë ngecur nëpër burgje apo qeli paraburgimi me kushte të këqija higjienike dhe pa burime shëndetësore, ata/ato që janë pa dokumente dhe vuajnë në heshtje nga frika se po të kërkojnë ndihmë do të dëbohen, ata/ato që punojnë në aktivitetet jetësore (shëndetësia dhe kujdesi shoqëror, bujqësia etj.) dhe janë më të rrezikuar të infektohen sepse nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të shkojnë në punë (duke u përballur me mungesën e pajisjeve mbrojtëse dhe veshjeve të përshtatshme), ata/ato që janë në vende tranzit duke u përpjekur të shkojnë pranë familjeve të tyre dhe ata/ato që nuk mund të largohen nga vendet e tyre për shkak të ndalimit të udhëtimeve dhe sanksioneve të vendosura.             

Pavarësisht pandemisë, Trump-i ka vendosur t’i mbajë sanksionet kundër Iranit (ku normat e infeksionit dhe vdekjet janë rritur në mënyrë stratosferike). Dhe as Trump-i, as Bashkimi Evropian nuk do t’i bëjnë presion Izraelit për të hequr sanksionet që zhvasin nga furnizimet mjekësore aq të nevojshme për 2 milionë njerëzit e burgosur në Gaza. Kjo përgjigje e diferencuar ndaj pandemisë varet dhe përforcon shtypjen raciste dhe kolonialiste, që është njëkohësisht pika e dobët kapitalizmit.       

Kërkojmë që nevojat e kujdesit shëndetësor të kenë përparësi ndaj çdo rregulloreje të imigracionit, që shumica e të burgosurve për krime të lirohen menjëherë dhe të gjenden sanksione alternative më të mëshirshme për ata/ato që janë të sëmurë, si dhe të mbyllen qendrat e paraburgimit dhe institucionet e tjera disiplinore që synojnë disiplinimin në vend të vazhdimësisë së jetës. 

TEZA 5  

Solidariteti është arma jonë: Ta përdorim atë kundër kapitalit 

Pandemia ka nxjerrë faqe botës mënyrën se si gjatë krizës punëtorët ia dalin mbanë përmes një  rrjeti të gjerë dhe krijues strategjish mbijetuese. Për shumicën, kjo do të thotë të mbështetesh te miqtë e afërt dhe familja. Megjithatë disa janë duke ia dalë përmes nismave të ndihmës reciproke. Për të pastrehët dhe kategori të tjera që shoqëritë kapitaliste i kanë refuzuar si barrë mbi veten, mbështetja ka ardhur nga nismat heroike të vullnetarëve të riprodhimit shoqëror, të cilët u ofrojnë të tjerëve as më pak e as më shumë se të drejtën e jetës. Në Mbretërinë e Bashkuar familjet që janë fqinje po krijojnë grupe WhatsApp-i për të qëndruar në kontakt me më të prekurit dhe për t’i ndihmuar në marrjen e ushqimeve dhe ilaçeve. Shkollat ​​po dërgojnë kuponë ushqimi për familjet e varfra me fëmijë, që përfitonin vakte falas. Bankat e ushqimit dhe fondacionet bamirëse dëshmojnë se numri i vullnetarëve po shkon në rritje. Komunitetet e riprodhimit shoqëror po shfaqen si një nevojë urgjente. Por, gjithashtu, ne kemi nxjerrë mësime nga e shkuara: nuk do të lejojmë që qeveritë kapitaliste t’i përdorin programet e riprodhimit shoqëror si justifikim për tërheqjen e shtetit nga përgjegjësia.

Si feministe socialiste, ne duhet ta shtyjmë përpara këtë, të punojmë së bashku duke bërë thirrje për sigurimin publik të gjithçkaje që nevojitet që jeta e njerëzve të lulëzojë. Kjo nënkupton ndërtimin e solidaritetit ndërmjet komuniteteve të ndryshme, të cilat preken dhe mbulohen njësoj. Pra të mbështesim më të margjinalizuarit, duke u përpjekur që ata që kanë disa burime sociale – sindikatat, OJQ-të, organizatat komunitare – t’i bashkëndajnë burimet në mbështetje të atyre që nuk kanë. Domethënë të kërkojmë që shteti të njohë punën e riprodhimit shoqëror si gurthemeli i ekzistencës shoqërore.

Ne kërkojmë që qeveritë të mësojnë nga populli dhe të kopjojnë në terma politikë çka po bëjnë njerëzit e zakonshëm për të ndihmuar dhe mbështetur njëri-tjetrin.

TEZA 6  

Solidariteti feminist kundër dhunës në familje

Masat e frenuese të miratuara nga shumica e vendeve për të parandaluar përhapjen e COVID-19, ndonëse absolutisht të domosdoshme, sjellin pasoja të rënda për miliona njerëz që jetojnë në marrëdhënie abuzive. Raportet e dhunës ndaj grave në familje dhe pjesëtarëve LGBTQ janë shumëfishuar gjatë pandemisë pasi viktimat detyrohen të qëndrojnë në mjedise të mbyllura me partnerë ose familjarë të dhunshëm. Fushatat për qëndrimin në shtëpi, që nuk marrin parasysh vështirësitë specifike të abuzimit në familje, janë veçanërisht shqetësuese në një kontekst ku vitet e neoliberalizmit frenetik kanë sjellë me vete edhe tërheqjen e fondeve nga strehët dhe shërbimet kundër dhunës.      

Ne kërkojmë që qeveritë të prapësojnë menjëherë logjikën shumëvjeçare të nënfinancimit të shërbimeve kundër dhunës, si dhe t’u sigurojnë agjencive burimet e nevojshme për të operuar dhe për të shpërndarë publikisht informacionin për numrat telefonikë të ndihmës ndaj dhunës.              
 
TEZA 7  

Punëtorët e riprodhimit shoqëror kanë fuqi sociale: Ne mund ta përdorim atë në riorganizimin shoqëror          

Kjo pandemi mund dhe duhet të jetë momenti që e majta të parashtrojë një agjendë konkrete se si duhet mbështetur jeta kundrejt fitimit, në të atillë mënyrë që do të na ndihmonte të tejkalojmë kapitalizmin. Kjo pandemi tashmë na ka treguar se sa shumë i nevojiten kapitalizmit punëtorët/et e riprodhimit social – të paguar dhe të papaguar, në spitale dhe punë infrastrukturore, në familje dhe në komunitete. Le t’i kujtojmë vetes këtë dhe fuqinë shoqërore që mbart një fuqi punëtore e tillë. Ky është momenti kur ne, si punëtorë/e të riprodhimit shoqëror, duhet të zhvillojmë vetëdijen për fuqinë shoqërore që kemi si në kontekstet tona kombëtare, në kufijtë që na ndajnë dhe në të gjithë globin.   

Nëse ne ndalemi, e gjithë bota ndalet. Kjo ide mund të jetë baza e politikave që respektojnë punën tonë, siç mund të jetë edhe baza e veprimit politik që ndërton infrastrukturën për një agjendë të përtërirë antikapitaliste, në të cilën theksi nuk vihet te fitimi, por te veprimtaria jetësore që udhëheq shoqëritë tona.

Kolektivi Marksist Feminist përbëhet nga Tithi Bhattacharya, Svenja Bromberg-u, Angela Dimitrakaki, Sara Farris-i dhe Susan Ferguson-i. Ato janë organizatorët e “Marxist Feminist Stream” në Konferencën e Materializmit Historik.

E përktheu Liri Kuçi

Marrë nga revista Spectre


[1]Mund t’i quajmë edhe postierë, por në këtë rast është term më i gjerë që u referohet atyre që çojnë dërgesa të ndryshme nëpër destinacione, nga blerjet shtëpiake tek ushqimet e porositura online. – Shën. përkth.

Imazhi: Spectre

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.