Vendi i punës në shoqërinë kapitaliste dhe atë komuniste

/Karl Marks/

Grundrisse, vepra e rëndësishme ekonomiko-politike e Marksit që i ka paraprirë botimit të Kapitalit, nuk është botuar ndonjëherë në shqip. Më poshtë po sjellim një prej pjesëve më të cituara nga filozofët dhe kritikët e sotëm të ekonomisë politike, prej Antonio Negrit te Slavoj Žižeku, posaçërisht atë ku flitet për një nocion përndryshe të harruar e të pamarrë më pas seriozisht nga vetë Marksi, atë të raportit midis punës, vlerës dhe intelektit të përgjithshëm apo nivelit të njohurive shoqërore. Duket sikur Marksi me këtë nocion i ka paraprirë jo vetëm vetes, por edhe fazës së kapitalizmit industrial të cilën e përjetonte dhe mbi të cilën ngjizet teoria e tij kritike. Ky nocion, i shpluhurosur sidomos nga filozofët bashkëkohorë, mëton të jetë një element kyç i kuptimit dhe kritikës së kapitalizmit bashkëkohor, ku prerjet industriale përshkohen nga ato postindustriale, sidomos ekonomia e njohurive etj. Afërmendsh Marksi ishte ende entuziast se zhvillimi teknologjik i forcave të prodhimit do të përgatiste përmbysjen e marrëdhënieve të prodhimit, çka ia pamundësonte parashikimin se në kapitalizmin e vonë, intelekti dhe njohuritë e përgjithshme do të mund të rikolonizoheshin prej kapitalit, duke e shndërruar një pjesë të kapitalistëve bashkëkohorë në rentierë, çka paradoksalisht bën të bashkëjetojnë format moderne me ato rifeudale postmoderne. – Arlind Qori

Këmbimi i punës së gjallë me punën e objektëzuar, d.m.th. vendosja e punës shoqërore në formën antagoniste të kapitalit dhe punës me mëditje, është faza përfundimtare e zhvillimit të marrëdhënieve të prodhimit të bazuar mbi vlerën. Parakushti i kësaj marrëdhënieje është sasia e kohës së punës së drejtpërdrejtë, sasia e punës së përdorur, që përbën faktorin vendimtar në prodhimin e pasurisë. Mirëpo, ndërsa zhvillohet industria e rëndë, krijimi i pasurisë së vërtetë varet gjithnjë e më pak nga koha dhe sasia e punës së përdorur, e gjithnjë e më shumë nga fuqia e faktorëve mekanikë që vihen në lëvizje gjatë kohës së punës. Efektiviteti i madh i këtyre faktorëve, nga ana e vet, nuk ka lidhje me kohën e drejtpërdrejtë të punës që duhet (kushton) për prodhimin e tyre. Ai varet nga gjendja e përgjithshme e shkencës dhe nga progresi teknologjik, ose aplikimi i kësaj shkence në prodhim. (Zhvillimi i shkencës – veçanërisht i shkencave të natyrës, e bashkë me to edhe i shkencave të tjera – varet edhe vetë nga zhvillimi i prodhimit material.) Bujqësia, për shembull, përbën një aplikim të kulluar të shkencës së metabolizmit material, dhe mënyrën më fitimprurëse të përdorimit të saj për të mirën e shoqërisë.

Pasuria e vërtetë zhvillohet (siç vihet re në industrinë e rëndë) në shpërpjesëtim të madh midis kohës së punës së përdorur dhe produktit të saj, e po ashtu në shpërpjesëtim cilësor midis punës që është reduktuar në abstraksion të mirëfilltë dhe fuqisë së procesit të prodhimit që ajo mbikëqyr. Puna nuk duket të përbëjë më një faktor thelbësor të procesit të prodhimit. Faktori njerëzor kufizohet në ruajtjen dhe mbikëqyrjen e procesit të prodhimit. (Kjo nuk gjen zbatim vetëm te makineritë, por edhe në kombinimin e veprimtarive njerëzore dhe zhvillimin e ndërveprimit njerëzor.)

Punëtori nuk fut më objekte natyrore të transformuara si ndërmjetëse midis materialit dhe vetes; ai tani fut procesin natyror, që vetë e ka transformuar në proces industrial, midis vetes dhe natyrës inorganike, të cilën e sundon. Ai nuk është më agjenti parësor i procesit të prodhimit: ai ekziston ndanë tij. Në këtë transformim, shtylla e prodhimit dhe pasurisë nuk është as puna e drejtpërdrejtë e punëtorit, as koha e punës së tij – por pronësimi nga njeriu i forcës së tij të përgjithshme prodhuese, kuptimi i natyrës dhe sundimi i saj; me një fjalë, zhvillimi i njeriut shoqëror. Vjedhja e kohës së punës së të tjerëve, mbi të cilën varet pasuria sot e kësaj dite, është një bazë mjerane krahasuar me këtë themel të sapozhvilluar që ka krijuar vetë industria e rëndë. Me të reshtur së qeni puna, në formën e saj të drejtpërdrejtë, burimi kryesor i pasurisë, atëherë koha e punës rresht, dhe duhet të reshtë, së qeni standardi i matjes së saj, e kësisoj vlera e këmbimit duhet të reshtë së qeni masa e vlerës së përdorimit. Mbipuna e masave ka reshtur së qeni kusht i zhvillimit të pasurisë në përgjithësi; ashtu sikurse të mospunuarit e të paktëve ka reshtur së qeni kusht i zhvillimit të fuqive të përgjithshme të mendjes njerëzore. Prodhimi i bazuar mbi vlerën e këmbimit shpërbëhet, dhe procesi i drejtpërdrejtë i prodhimit material zhvishet nga forma e vet varfëruese dhe antagoniste. Kështu individët janë në gjendje të zhvillohen lirisht. Nuk bëhet më fjalë për reduktimin e kohës së domosdoshme të punës që të krijohet mbipunë, por për reduktimin e punës së domosdoshme të shoqërisë në minimum. Për rrjedhojë të gjithë anëtarët e shoqërisë mund të merren me edukimin e tyre në arte, shkencë etj, falë kohës së lirë dhe mjeteve në duart e të gjithëve.

Kapitali është në vetvete kontradiktë në veprim, pasi përpiqet të reduktojë në minimum kohën e punës, ndërkohë që e vendos kohën e punës si matësin dhe burimin e vetëm të pasurisë. Kësisoj ai e pakëson kohën e punës në aspektin e vet të domosdoshëm për ta rritur atë në aspektin e vet të panevojshëm; rrjedhimisht ai e vendos në mënyrë të vazhdueshme punën e panevojshme si kusht (çështje për jetë a vdekje) të kohës së domosdoshme të punës. Nga njëra anë ai sjell në jetë të gjitha forcat e shkencës dhe natyrës, si edhe ato të bashkëveprimit shoqëror, për të krijuar pasuri e cila është relativisht e pavarur nga koha e punës së përdorur. Nga ana tjetër ai synon t’i masë, në terma kohe pune, forcat e mëdha shoqërore të krijuara kësisoj dhe t’i burgosë ato brenda kufijve të ngushtë që kërkohen për ta mbajtur vlerën e krijuar tanimë si vlerë. Forcat prodhuese dhe marrëdhëniet shoqërore – dy anët e ndryshme të zhvillimit të individit shoqëror – duket se janë, dhe në fakt janë, vetëm një mjet për kapitalin, për t’i mundësuar atij të prodhojë prej bazës së vet të atrofizuar. Mirëpo në fakt ato janë kushtet materiale që do ta shkatërrojnë këtë bazë.

Natyra nuk ndërton makina, lokomotiva, hekurudha, telegrafë elektrikë, makina tjerrëse automatike etj. Këto janë produkte të veprimtarisë njerëzore; materiale natyrore të shndërruara në organe të vullnetit njerëzor për të sunduar natyrën dhe për t’u vetërealizuar. Ato janë organe të trurit njerëzor, të krijuara nga duart njerëzore; fuqia e dijes së shndërruar në objekt.

Zhvillimi i kapitalit konstant tregon se në çfarë mase njohuria e përgjithshme shoqërore është shndërruar në një forcë të drejtpërdrejtë prodhuese, e kësisoj se deri në çfarë pike kushtet për proceset jetësore shoqërore i nënshtrohen kontrollit të intelektit të përgjithshëm dhe rimodelohen për t’iu përshtatur atij, dhe në çfarë mase forcat prodhuese shoqërore prodhohen jo vetëm në formën e njohurive, por edhe si organe të drejtpërdrejta të praktikës shoqërore; të procesit jetësor real.

Marrë nga: Karl Marx – The Grundrisse

Përkthyer nga: Arlind Qori

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.