Një draftreformë antirepublikane
/Alfred Bushi/
“Shqipëria është Republikë parlamentare.”
Një nga rreziqet më të mëdha që na kanoset prej kësaj draftreforme të arsimit të lartë është se në një periudhë afatgjatë mund të formësojë një subjekt të ri antishoqëror; një individ partizan të interesit privat, një skllav të bindur të arsye instrumentale dhe llogarizuese, një qenie borxhlie të përjashtuar përgjithnjë nga përfitimet e të mirës së përbashkët prejse i shpërfytyruar prej fajit porsi një mëkatar apo kriminel. Kushtetuese e një edukatë fondamentaliste përkah privates, kjo draftreformë i jep goditjen e fundit mundësisë që kjo shoqëri një ditë të bënte kthesën e madhe për nga e mira e përbashkët, bazuar në parimet republikane të sendërtimit social-politik. Shfaqja e kësaj fryme moniste, përjashtuese në vendimmarrje shkatërron çdo përpjekje që pjesë të veçanta të shoqërisë kanë bërë dhe bëjnë për të ndërtuar një ndërgjegje etike të re që krijon, kujdeset dhe mbron të mirën e përbashkët.
E bash në krye të kushtetutës, ligjit më të lartë të vendit tonë, aty ku flitet për parimet themelore që qëndrojnë si themel i sendërtimit dhe organizimit tonë shoqërore, neni numër një thotë: “Shqipëria është Republike parlamentare”, ku koncepti republikë është përcaktuese e gjithë rendit politik, ndërsa parlamentare është një prej mënyrave të kësaj formë republikane.
Organizimi politik republikan i shoqërisë do të thotë organizim si mënyrë e përbashkët e formësimit të gjësë publike bazuar në gjithëpërfshirjen e pluralitetit të vlerave që e përbejnë trupin politik. Res publica – është gjëja publike – produkti i dalë prej diskutimit dhe dakordësisë së pjesëve të ndryshme të shoqërisë. E mira e përbashkët, si esenca e gjësë publike, nuk është as një e dhënë natyrore, as hyjnore dhe as një e dhënë që ndërtohet me urdhër të një të vetëquajturi i gjithëpushtetshëm, por krijim ex novo i frymës së përbashkësisë që banon në pjesët e ndryshme të trupit politik. Pra kur themi gjë publike e kemi fjalën për diçka që është fryt i bashkërendimit të kontributit të së tërës. Ndaj gjëja publike është një e mirë që vazhdimisht duhet ndërtuar e për të cilën duhet gjithnjë të kujdesemi.
Çezari dhe Bruti
Çezari : – Edhe ti, Brut, biri im!
Bruti : – Kështu gjithmonë tiranëve!
Te vargu i parë janë fjalët që Cezari i drejton Brutit teksa ky i fundit, bashkë me disa senatorë të tjerë, kryen një nga aktet më domethënëse në mbrojtje të vlerave të traditës republikane. Metafora e vrasjes së diktatorit sillet si vikama çliruese e shumësisë së vlerave përkundrejt diktatit të një njeriu të vetëm. Tirania e njëshit vjen në forma të ndryshme, vjen edhe nën petkun e çlirimtarit, ashtu si djalli te Fausti i Gëtes që veprimet e tij i justifikon me një ndjenjë keqardhje për njerëzimin teksa e shikon si vuan. Çezarët, tanimë të shumtë në numër, shpesh mimetizohen aq mjeshtërisht sa bëhen të padallueshëm, e herë të tjera dalin hapur thjesht për ta bërë të pakuptimtë dhe të panevojshme përballjen.
Por nuk ka akt republikan më të jashtëzakonshëm se kundërshtia ndaj diktatit të një njeriu të vetëm, apo të një oligarkie diktatoriale, si atëherë kur kjo duket ashiqare si atëherë kur heziton të shfaqet. Le të lindin sa më shumë Brutë!
Sovraniteti i i përket popullit dhe ky i fundit e shpreh sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Parimi i dytë kushtetues parashikon se nëse “gjëja publike” nuk vjen si produkt i diskutimit të përfaqësuesve tanë, nëse këta të fundit dështojnë apo dhe institucionet e tjera përfaqësuese dështojnë, atëherë për rrjedhojë sovraniteti dhe detyra kalon tek populli si sendërtues i gjësë publike, e kjo sigurisht mund të shprehet vetëm në mënyrë direkte.
Në këtë mënyrë ndërtimi i gjësë publike nuk ndahet nga hapësira ku ndodh ngjarja dhe mënyra si ndodh, pra nga Kuvendi. Meqë përfaqësuesit tanë në Kuvend nuk e kryejnë funksionin e tyre kushtetues, atëherë e vetmja mënyre është ndërtimi i gjësë nga një tjetër perspektivë. Kur themi Kuvend, jemi duke folur për hapësirën ku ngjizet një ide e re mbi gjënë publike, ku ngjizet vetë gjëja. Kuvendi është e vetmja mënyrë dhe i vetmi vend ku merr formë gjëja publike si krijim i kuvenduar.
E mira publike e lindur prej kuvendit të universitareve ( studentë, pedagogë dhe shoqëri civile) është shprehje e legjitimitetit të ekzistencës sonë si qenie të përgjegjshme për gjënë publike, atëherë kur e gjithë antipolitika tërhiqet zvarrë prej interesave private. Kuvendi i universitareve ne këtë mënyrë vetëvendos dhe ndërton subjektin e tij, duke u kthyer në vetë gjënë publike. Universitari bëhet njëkohësisht kushtetuta e vetës dhe e vendit të tij.
Kuvendimi, si manifestim i fjalës dhe shenjim i vendit (si ai përpara Kryeministrisë) nuk ka ngjashëm në sojin e tij. Është e pakapshme nga fryma e protestave politike të këtyre 23 viteve të fundit, ashtu edhe nga protesta mbarëpopullore që buroi prej frikës ndaj shuarjes së ekzistencës sonë si qenie të gjalla, si njerëz që instinktivisht thjesht gjallojmë. Autenticiteti i kësaj ngjarjeje është të mbledhurit së bashku në një kuvend (si vend dhe kuvendim) për të manifestuar kundërshtinë ndaj rrezikut që i kanoset ekzistencës së universitarit si pararojë dhe edukues i arsyes publike, po ashtu dhe rrezikut që vjen nga edukimi drejt një mendësie private.
Tjetër gjë që nga ky draft e shqetëson universitarin është perspektiva e mohimit të vazhdueshëm të një të drejte themelore që ka çdo individ i këtij vendi, të drejtën për t’u edukuar pavarësisht kushteve social-ekonomike, si e vetmja mënyrë për të formësuar, kujdesur për gjënë publike . Kjo e drejtë e mundësisë nuk duhet të jetë thjesht e dhënë dhe hedhur aty që kush ka mundësi ta përdorë, por kjo e drejtë lipset të jetë një e drejtë e garantuar nga shteti. Një shtet moskokëçarës jep të drejta, kurse një shtet që kujdeset për qytetaret i garanton ato, ndërton mekanizma që bëjnë të mundur themelimin dhe ndërtimin e tyre në mënyrë të përbashkët. Kështu, të bësh të mundura këto të drejta, duhen formësuar qytetarë të përgjegjshëm, qytetarë të edukuar, e kjo ndodh me anë të mundësisë për edukim/arsimim për të gjithë, në mënyrë të pakushtëzuar .
Dija, por jo vetëm, na bën të lirë dhe të përgjegjshëm, formëson të rinj dhe të reja që kujdesen për të mirën publike, që marrin pjesë aktivisht në ndërtimin dhe mbrojtjen e kësaj të mire. Kjo do të thotë shtetndërtim mbi bazën e parimeve republikane.
Si ndërtohen mekanizmat garantues dhe qytetarë që kujdesen për gjënë publike?
Sigurisht nuk behet me një reformë që shfaqet si kushtetutë që themelon (që shkon kundër parimeve të kushtetutës) dhe edukon për nga privatja, tregu dhe konkurrenca. E mira publike nuk vjen nga konkurrenca dhe as nga përfitimi në terma tregtarë, e për më tepër nuk vjen nga një subjekt borxhli i cili gjendet gjithnjë i përjashtuar nga e mira publike, prejse vazhdimisht fajtor në pamundësinë për të qenë përfaqësues i integritetit të tij si qenie njerëzore. Ndaj në vend të konkurrencës mund të ishte dakordësia mes pjesëve. E në vend të eficencës (në termat e tregut, si cilësi e objekteve, e matshme) që na kthen në objekte që ndihmojnë zhvillimin duhet të kishte diskutim ndërnjerëzor dhe krijim të përbashkët në termat e progresit të gjithanshëm. Rritja e cilësisë me rritje tarife dhe nëpërmjet borxhit mund të zëvendësohej me financimin e pakushtëzuar të financave publike, ashtu siç bën një shtet social dhe i së drejtës.
Te “Paqja e përhershme” Kanti shprehet se për ndërtimin e një shteti republikan të së drejtës dhe një shteti që kujdeset për të tërën ne mënyrë të pakushtëzuar duhet të ketë një institucion të pavarur i cili kujdeset që shteti të mos degjenerojë në autoritarizëm e ta përmirësojë atë me anë të këshillimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të dijes. E ky institucion është universiteti dhe universitarët.
Që të ndërtojmë një shoqëri sa më të drejtë pra, një shoqëri republikane, lipset që se pari universiteti të jetë i pavarur, si në ndërtimin e parimeve të vetorganizimit (kushtetutë), ashtu dhe në ngjizjen e parimeve të organizimit shoqëror. Kjo hapësirë duhet të jetë ngjarja që ngjiz një dije që përmirëson politikën, qeverisjen e shoqërinë në tërësi.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.