/Anna-Maria Taraj/
Zakonisht në familje ardhja e fëmijës së parë konsiderohet një mrekulli. Fëmija i parë që do të ndryshojë gjithë aktivitetin e përditshëm. Të gjithë mezi presin të shohin gjininë, të dëgjojnë rrahjen e parë të zemrës dhe të ndiejnë herën e parë që lëviz në bark embrioni. Çdo pjesëtar i familjes ka pritshmëri të ndryshme. Jo vetëm familjarët, por edhe fisi, fqinjët, shitësja e bukës dhe plaku që sjell qumështin në mëngjes. Disa luten për një djalë, disa shpresojnë për një vajzë. Në kontekstin shqiptar, por jo vetëm, e vërteta është që shumë familje i luten Zotit të tyre, Zotave të feve të tjera, priftit, hoxhës, madje edhe fallxhoreve të rastësishme që i ndesh rruga (mjafton që subjekti të ketë veshur një pelerinë të mbinatyrshme) që t’i bekojë me një djalë, me shtyllën e shtëpisë, azganin, më të fortin.
Tre muaj kalojnë me një nervozizëm të madh. Momenti i zbulimit të gjinisë mbërrin. Të gjithë shtangin kur dëgjojnë fjalinë: “Gruaja është duke mbajtur në bark një vajzë të shëndetshme”. Nisin reagime nga më të shumëllojshmet. “Sikur të ishte djalë! Po të ishte djalë, do t’i bëhej krahë babait”. Disa fajësojnë babanë, që nuk ishte i aftë mjaftueshëm për të sjellë në jetë një djalë, ndërsa të tjerë nënën, sikur ajo e ka në dorë të kontrollojë gjininë dhe zgjodhi pikërisht të kundërtën për inat të tyre. Dhe vajza e vogël, me situatën tashmë të bërë gati e të imponuar vjen në jetë. Fëmijëria kalon relativisht mirë sepse ajo është ende e vogël dhe nuk ka akoma kapacitetin për të kuptuar paragjykimin dhe diskriminimin që e pret. Por dalëngadalë zërat i vijnë në vesh, zëra që i propagandojnë pa ndalim: “Nuk e ndihmon dot babanë në punë fizike se nuk është djalë, nuk ka fuqi”, “Nuk e mbron dot familjen në rast rreziku se është vajzë, nuk ka guxim” etj. Sado që vajza e vogël bën të pamundurën dhe i përmbush gjithë detyrat që i përcakton mjedisi, del gjithmonë dikush për t’i kujtuar se mund të bënte edhe më mirë, edhe më shumë, nëse organi i saj gjenital do të kishte qenë jo ky që është, por ai tjetri. Si mund ta mbrojë ajo veten e saj nga këto thika që i ngulen në përditshmëri?! Ato nuk janë aq të forta, por duke qenë shumë dhe të vazhdueshme krijojnë një plagë të madhe, shenja e të cilës është e vështirë të shërohet. Si mund ta përballojë një fëmijë i vogël, një vajzë e mbushur me shpresë këtë presion shpresëvrasës dhe demotivues?!
Kalojmë në një skenar tjetër. Imagjino: Burri këtë herë nuk gabon, qëllon në shenjë dhe gruaja sjell në jetë një djalë të shëndetshëm. Djalin e shumëpritur. Fëmijëria e tij gjithashtu kalon rrjedhshëm, fëmijët janë tepër të shpenguar dhe të mbushur me dashuri për jetën, për të kuptuar shumë. Ai rritet. Familja ka nevojë për të ardhura. Prindërit dita-ditës plaken dhe shoqëria varfërohet. Nuk është momenti për të vegjetuar. Pesha bie mbi supet e tij sepse nuk ka ku tjetër. Atij i është deleguar roli i shtyllës së familjes që në momentin që u mor vesh çfarë organi gjenital do të kishte. Kjo është një aksiomë që nuk lë vend për ndryshim e diskutim. Ai është adoleshent. Ka nevojë dhe dëshirë të lexojë, të eksplorojë, te harbojë, te jetojë. Ai ka nevojë të qeshë, të qajë dhe të provojë gjithë emocionet që qeniet njerëzore janë të bekuara nga natyra të përjetojnë. Por fjalët e familjes i ka vathë në vesh: mos shpreh asnjë emocion sepse burrat nuk duhet te pasqyrojnë çka ndiejnë. Burrat nuk qajnë sepse nuk duhet të tregojnë ndjeshmëri. Burrat nuk kërkojnë ndihmë sepse nuk duhet të tregojnë dobësi. Burrat nuk qeshin shumë sepse nuk duhet të duken tepër të afrueshëm. Burrat nuk tregohen te sjellshëm sepse duhet të duken autoritarë. Etj, etj, etj, etj.
Broçkullat janë si retë dhe si shushunjat. Ato kanë aftësi të ta errësojnë qiellin dhe të ta thithin shpresën. Broçkullat të manipulojnë dhe ti harron veten duke i lejuar të të gdhendin në formën që ato dëshirojnë. Prandaj mjaft me broçkulla!
Burrat dhe gratë kanë kapacitete shumë të fuqishme me të cilat mund të bëjnë shumë e më shumë nga sa i përkufizon shoqëria. Mjaft i dhamë gjinisë një rëndësi të cilën në fakt nuk e ka! Roli ynë në shoqëri nuk përcaktohet nga gjinia, por nga ndikimi që ne kemi në të. Mjaft me presionet ndaj vetes dhe njëri-tjetrit për të zgjidhur situata problemore inekzistente, ndërkohë që ka problematika reale si varfëria dhe pabarazia, që kërkojnë në mënyrë të ngutshme energjinë dhe angazhimin tonë! Problemi nuk duhet te jetë më gjinor. Është diçka e mrekullueshme që bota është e gërshetuar kaq bukur dhe me një përmbajtje kaq diverse. Lufta nuk duhet të jetë më me njeri-tjetrin, por krahë njeri-tjetrit, për probleme që në fund të ditës nuk pyesin nëse je burrë apo grua, por na bashkojnë të gjithëve, siç janë: puna e shfrytëzuar, oraret e zgjatura, pagat e pamjaftueshme, pasiguria, mosekzistenca e sindikatave që sjell pamundësi për të kërkuar të drejtën tënde etj. Është momenti të luftojmë për të drejtat tona duke prishur barrierat dhe muret imagjinare qe na janë imponuar nga ideologjia dhe sistemet shtypëse. Është momenti të tregojmë të gjithë solidaritet dhe të bashkëpunojmë. Prandaj në datën 8 Mars marshojmë për barazi, edhe gjinore.
Le te jetë kjo një ditë ku nuk festohet, por ku bërtitet dhe ai zë ushton në çdo cep të Tiranës.
Imazhi: Organizata Politike
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).