/Redi Muçi/
Askush nuk e priste një reagim të tillë. Pushimi i kryetarit Elton Debreshi, vetëm tre ditë pas shpalljes së sindikatës, ishte vërtet i papritur. Manovrat që kompania AlbChrome kishte ndërmarrë ndaj minatorëve nismëtarë të themelimit të sindikatës pas muajit prill – si ndryshimet e pozicioneve të punës, vajtje-ardhjet në Tiranë – dëshmonin për parehatinë e saj ndaj këtij fakti. Por askush nuk e priste këtë veprim në shkelje kaq flagrante të ligjit në mënyrën më shpërfillëse.
Aq i papritur ishte si veprim saqë fillimisht menduam se mos Samir Manja nuk ishte vetë në dijeni të ngjarjeve, por se ndoshta kjo ishte një kuturisje e menaxherëve lokalë të minierës. Jo për hir të ndonjë konsiderate ndaj oligarkut si zbatues i ligjit, por më tepër duke pasur parasysh se Manja është kurator i përpiktë i imazhit të tij – që nga daljet e tij nëpër emisione televizive ku shfaqet si biznesmen babaxhan deri te fushatat e bamirësisë për të prekurit nga tërmeti. U desh një qark i shkurtër – një person afër tij që e kontaktoi personalisht – për të mësuar se jo vetëm që Samiri ishte në dijeni të plotë të iniciativës për ngritjen e sindikatës, por se ishte urdhër i drejtpërdrejt prej tij shkarkimi nga puna i Eltonit.
Bllokimi i prodhimit për një javë nga minatorët dhe fushata e ndërmarrë nga Organizata Politike për bojkotimin e produkteve të tij e përshkallëzuan situatën deri në pushimin nga puna e tre sindikalistëve të tjerë, si dhe burgosjen dhe hapjen e proceseve gjyqësore për aktivistët që guxuan të përhapnin lajmin me mënyra jo fort konvencionale, në kontekstin e heshtjes së varrit që Manja ka imponuar mbi masmedian dhe partitë politike. Intimidimet personale pastaj nuk i llogarisim fare.
Pyetja që lind është: pse ka frikë nga ngritja e një sindikate biznesmeni më i fuqishëm në vend, pronari i monopoleve të kromit, i tregtisë së mallrave të shumëllojshme, i tregut imobilar, i vilave të ambasadorëve dhe të vipave, i cili ka në xhepin e tij gjithë politikën dhe median? Po të flasësh me tregtarët e vegjël nëpër lagje të thonë se mallrat e tyre nuk zhdoganohen derisa të shitet malli në supermarketet e SPAR-it. Atëherë pse një person me kaq influencë reagon kaq dhunshëm ndaj një sindikate minatorësh?
A thua të jetë rehatuar me bashibozukët pijedashës së sindikatës së vjetër dhe të mos ketë më nerva të korruptojë edhe këta të rinjtë? A thua të ketë përnjëmend frikë nga themelimi i një sindikate të vërtetë që do të kërkojë rritje rrogash për minatorët dhe kjo do t’i rrisë koston e prodhimit? Po edhe sikur kjo gjë të ndodhë, fitimi nga monopoli i kromit as që mund të vihet në dyshim. A do të rëndonte kjo kosto mbi oligarkun më të pasur të Shqipërisë? Apo është thjesht çështje egoje personale? Por një biznesmen i nivelit të Manes, që ka përparësi imazhin e tij, nuk do të ngulte këmbë si mushka për një kapriço personale. Atëherë pse?
Sepse Samiri nuk ka vetëm 600 minatorët e minierës së kromit. Samiri ka rreth 10.000 punëtorë në sektorë të ndryshëm që menaxhohen nga Balfin Group. Sepse po u lejua hapja e një sindikate, atëherë kjo do të rezonojë te punonjësit e SPAR-it, të Neptunit, të Jumbos, te punëtorët e pasiguruar të ndërtimit që ndërtojnë vilat në Palasë dhe në Rolling Hills. Me pak fjalë, po u lejuan minatorët të ngrenë sindikatë, hapet loja. Por edhe sikur Manja të mos e vriste mendjen për këtë, atë nuk e lënë të qetë partnerët e tij biznesmenë, sepse sindikata e minatorëve do të merret shembull nga gjithë punëtorët e tjerë tejendanë sektorëve të tregut të punës. Nuk e lë Kastrati nga frika e punëtorëve të karburantit; nuk e lë Salillari që i mban fadromistët në punë nga 18 orë; nuk e lënë oligarkët e fasonerive që i paguajnë nga 15.000 lekë gratë punëtore; nuk e lënë as Frangaj e as Hoxha që gazetarët e tyre i trajtojnë si kuaj mulliri. Kjo punë nuk i intereson as Ilir Metës, as Shkëlzen Berishës, as Edi Ramës e as Erion Veliajt, sepse secili prej tyre ose ka bizneset e veta, ose ka partnerë biznesmenë.
Kur Edi Rama, me një ngërdheshje të fytyrës prej shejtan-budallai, i tha Mateo Renzi-t “bujrum në Shqipëri sepse këtu s’ka sindikata!”, ky i fundit uli sytë në tokë gjithë siklet. Mateoja e kuptoi se pafytyrësia prej të marri që kryeministri shqiptar po tregonte në ato momente, nuk do të kalonte pa u vënë re. Praktikisht, bariu i kopesë po i thoshte ujkut që të afrohej sepse Baloja kishte kohë që kishte ngordhur. Nuk kishte se si një dele e zezë të mos e kuptonte se në çfarë situate po ndodhej kopeja.
Pyetjes “pse Samir Manja ka frikë nga sindikata?” duhet t’i përgjigjemi me: sepse sot janë punëtorët ata që kanë frikë nga sindikata. Janë punëtorët e çdo profesioni apo zanati në vend ata të cilët nuk duan të dëgjojnë për sindikata, pasi për ta çdo iniciativë organizimi sindikal është njësoj si ta kenë nënshkruar vetë shkarkimin nga puna. E Samir Manja ka frikë nga thyerja e kësaj frike. Nëse do të jenë minatorët e Bulqizës të parët në thyerjen e frikës, ata do ta kenë thyer këtë frikë për gjithë punëtorët e tjerë anembanë vendit. Po fitoi Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, sindikatat e tjera do të mbijnë si kërpudhat pas shiut.
Kësaj i tutet jo vetëm Samir Manja, por mbarë klasa e oligarkëve.
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).
Oligarkët kurvica me servilët e tyre gazetarucët që japin çdo gjë shefave të tyre për të kapur pasuri hajdutëçe!
Ermal mamaqi me shokë laperët e Tiranës lavire që mbajnë në këmbë oligarkët si Frangaj etj.