/Claudio Bisio/
Fëmijët janë të majtë. Po, të majtë, padyshim. Dhe jo thjesht për hir të grushteve të ngritura si shenjë e parakohshme proteste.
Fëmijët janë të majtë sepse duan pa paragjykime, pa dallime.
Fëmijët janë të majtë sepse pothuajse gjithmonë e hanë. Të shohin, ti thua gomarërira të turpshme e ata i hanë. Të qeshin, të besojnë…
Fëmijët janë të majtë sepse rrinë bashkë, bëjnë gjëra bashkë, zihen bashkë. Gjithmonë bashkë.
Fëmijët janë të majtë sepse po t’u shpjegosh se ç’është e djathta, qajnë.
Fëmijët janë të majtë sepse po t’u shpjegosh se ç’është e majta, prapë qajnë. Ama një çikë më pak.
Fëmijët janë të majtë sepse nuk iu hyjnë në punë gjërat e panevojshme.
Janë të majtë sepse këpucët janë thjesht këpucë, ç’u duhet logoja?!
Fëmijët janë të majtë pavarësisht orës së mësimit të detyrueshëm fetar.
Fëmijët janë të majtë falë orës së mësimit të detyrueshëm fetar.
Fëmijët janë të majtë sepse po u the diçka që duket sadopak si urdhër, bëjnë rezistencë.
Fëmijët janë të majtë sepse zaptojnë të gjitha hapësirat e jetës sonë.
Fëmijët janë të majtë sepse shkojnë në kopsht me fëmijë afrikanë, kinezë, bolivianë, dhe kur baballarët iu thonë “shiko, ai atje është afrikan”, ata e shikojnë siç i hidhen sytë një lajmi pa rëndësi.
Fëmijët janë të majtë sepse kur i kritikojmë ofendohen.
Fëmijët janë të majtë sepse krijojnë një ide rreth botës që nuk ka të bëjë fare me rregullat e botës.
Fëmijët janë të majtë sepse nëse u vë përpara një bluzë të kuqe e një të zezë, zgjedhin të kuqen.
Fëmijët janë të majtë sepse babagjyshi i Vitit të Ri i ngjan Karl Marksit. Sepse Hirushja është e majtë, sepse Pokahontasi është e majtë. Sepse Robin Hudi është i Pararojës Punëtore dhe bën shpronësime proletare.
Fëmijët janë të majtë sepse i tmerron tmerri. Sepse përballë varfërisë, dhunës, dhimbjes, vuajnë.
Fëmijët janë të majtë sepse rriten, ndryshojnë, bëjnë autokritikë po qe nevoja.
Fëmijët janë të majtë sepse midis Piter Panit dhe Çe Gevarës herët a vonë do ta gjejnë lidhjen.
Fëmijët janë të majtë sepse, po ia dolën mbanë, ruajnë diçka për më vonë. Për atëherë kur bëhet gjithnjë e më e vështirë, shumë më e vështirë, të kujtohesh se ke qenë fëmijë, lëre më i majtë.
Përkthyer nga: Arlind Qori