/Nebih Bushaj/
Romakët kishin një shprehje që vazhdon të jetë aktuale: “Populli do bukë dhe cirk.” Politikanët e dinë shumë mirë këtë dhe gjithmonë e kanë përdorur. Interesant te ne është fakti se politikanët kanë arritur t’i japin këtij populli vetëm cirkun, pa bukë (edhe ajo pak bukë ka qenë më shumë thërrime). Se si ia kanë dalë është diskutim i gjerë, që kërkon ndoshta edhe studime sociologjike. Ama ai që bie në sy nga krejt këta edepsëzë është kryetari aktual i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Ai jo vetëm që cirqet i servir pa bukë, por shkon edhe më tej duke i servirur edhe pa ujë.
Ka nja tre muaj të mirë që qyteti nuk ka furnizim me ujë në pjesën më të madhe të tij. Edhe në lagjen ku banoj, që nuk i ka më shumë se tetëqind metra nga qendra, uji ka ardhur me kufizime të skajshme, aq sa as për të larë sytë në mëngjes nuk dilte. Ndërkohë kryetari i bashkisë ka nja tre muaj të mirë që trumpeton me të madhe Maratonën e Tiranës.
Evente sportive si maratona kanë rëndësinë e tyre për një qytet. Po çfarë përfitimi u sjell qytetarëve të kryeqytetit maratona (dhe shumë evente të tjera që organizon bashkia, ndërkohë që qyteti ka një mijë e një halle tjera)?! Mos u shtua gjë turizmi, rrjedhimisht prurjet te bizneset vendase?! Apo mos ndoshta përmirësoi trafikun e rënduar, transportin publik, furnizimin me ujë, hapësirat publike e të gjelbra?! Mos siguroi gjë strehimin për të pastrehët?!
Kujt i shërben atëherë kjo maratonë? Ajo dhe çdo event tjetër i organizuar nga bashkia i shërben vetëm kryetarit – që lufton lypësit e gjyshet që shesin ca gjëra në trotuar, që u shemb shtëpitë qytetarëve për biznesmenët pranë tij, që i ndalon romët të mbledhin dy kanoçe, që vjedh hapësira publike për të ndërtuar kulla (rasti i Teatrit dhe Kopshtit Botanik) e që vret fëmijët nëpër landfille – për të kuruar imazhin e tij. Në një kohë që sillet si fashist me të varfrit e të shtypurit, mban evenimente pompoze për të krijuar idenë se këtu gjërat shkojnë për së mbari. Ai madje nuk heziton as të marrë pjesë vetë në maratonë, mjafton të duket ai kryetari cool, djalë i ri e sportiv, që po bën diçka për qytetin.
Në fakt Veliaj nuk ka bërë gjë për qytetarët. Qytetin e betonizoi më shumë se paraardhësit. Konviktet nuk i përmirësoi. Hapësirat publike e parqet nuk u shtuan, vetëm sa u pakësuan. Strehimin për të pastrehët as që e mori parasysh, le më për ata që i gjeti të pastrehë kur mori pushtetin, por nxori në rrugë dhjetëra familje për t’i bërë vend bulevardit të oligarkëve. Çmimin e transportit urban e rriti me mbi 30%, por cilësia dhe problemet mbetën njëlloj. Çmimin e ujit e rriti me mbi 40% me justifikimin se do të jetë i pijshëm, por edhe këtu cilësia nuk u përmirësua. Siç u pa, mbetëm jo vetëm pa ujë të pijshëm, por edhe pa ujë të papijshëm për tre muaj rresht. Madje pati edhe helmime në masë nga salmonelë.
Por edhe pse shpenzon kaq shumë, kohë dhe para, për cirqe si ky i maratonës, diellin nuk e mbulon dot me shoshë. Ja p.sh. maratona nxori në shesh problemet me trafikun dhe transportin publik, fiks një ditë para fillimit të vitit të ri akademik kur në Tiranë kthehen me mijëra studentë. Qyteti sot ishte në kaos total. Po njëlloj, cirqe të tjera kanë për t’i nxjerrë në shesh probleme të tjera që ai po i shkakton qytetit në të ardhmen.
Historia na mëson për cirkun dhe bukën, por na mëson gjithashtu se cirku dhe buka një ditë u kthehet si bumerang të gjithë pushtetarëve. E cirku pa bukë, shto këtu edhe pa ujë, do i kthehet një ditë si bumerang edhe palaços së kryeqytetit. Atë ditë qytetarët do të marrin edhe bukën, edhe ujin, edhe dinjitetin që u takon.
Imazhi: Organizata Politike
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).