/Enriko Peçuli/
E para herë që në Shqipëri u dëgjua për protesta studentore, qysh prej vitit 1991, ishte qershori i vitit 2014. Asokohe qeveria me në krye Edi Ramën kishte gati draftin me projektligjin e ri për arsimin e lartë – draft i ideuar me kohë nga qeveria paraardhëse e Sali Berishës. Pas shumë tentativave për ta kaluar ligjin nën rrogoz, lajmi ra në vesh të universitarëve. Studentë dhe pedagogë filluan të artikulonin rreziqet që vinin nga kjo reformë, duke vënë kryesisht theksin te komercializimi i universiteteve publike dhe kufizimi i aksesit në dije për një shumicë të konsiderueshme të atyre që tashmë ishin studentë dhe atyre që e projektonin veten aty në të ardhmen. Në organizimet e atypëratyshme u pa nevoja për krijimin e një organizimi serioz, që do të bashkonte universitarë dhe jo vetëm, tanimë për të ndalur kalimin e reformës së re, por edhe për të krijuar një kulturë të organizimit studentor. “Lëvizja për Universitetin”, kësisoj, u bë e para e llojit të saj në vendin tonë. Aty filloi një rrugëtim i gjatë me protesta, aksione simbolike dhe një pasuri të gjerë me artikuj, shkrime kritike dhe një manifest* që përmblidhte parimet dhe shtyllat e një Universiteti të ri, më demokratik dhe gjithëpërfshirës. Lëvizja kulmoi në vitin 2015, ndërkohë që reforma shtrohej për diskutim, me organizime protestash prej mijëra vetësh. Parulla ishte “Për Universitetin, Për Shoqërinë!” dhe nënkuptonte që një shoqëri e lirë dhe barazimtare do të filtronte pikësëpari nga një universitet i tillë. Asokohe Lëvizja arriti që diskursin mbi Arsimin Publik Falas dhe universitetin demokratik ta bënte hegjemonik në sferën publike, me qeveritarët që filluan të djersinin dhe ish-qeveritarët që vrapuan për ta përvetësuar artikulimin për universitetin, pa ia arritur dot, për shkak të cektësisë konceptuale dhe ligjërimore në politikë.
Po pastaj? E vërteta është se qysh prej vitit 2016, kohë kur u organizuan protestat e fundit studentore, në diskursin publik thuajse nuk u fol më për universitetin dhe përsëri diskursin e dominuan denoncimet bajate mbi pazaret, drogën dhe ndarjen e tepsisë së pushtetit.
Ç’ndodhi në dhjetorin e 2018-s?
Mëngjesin e 4 dhjetorit të vitit të shkuar, studentët e Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës organizuan në mënyrë spontane një peticion pasi ishin njoftuar papritmas nga administrata se tanimë do t’u duhej të paguanin tarifë shtesë për çdo provim të mbartur. VKM-ja që e parashikonte këtë tarifë kishte kaluar skuthërisht disa muaj më parë. Ajo konsistonte në tarifimin e çdo krediti që mbart secili provim i mbartur me 670 lekë. Çdo provim ka një minimum prej 4 kreditesh dhe një tavan prej 12 kreditesh, që do të thotë se çmimi për të pasur një sezon vjeshte e tejkalonte vetë tarifën vjetore të universitetit publik. Aty për aty studentët e të gjitha universiteteve publike mësuan se kjo tarifë nuk prekte vetëm Universitetin Politeknik. Lajmi u përhap në mënyrë të rrufeshme, dhe mëngjesin e 5 dhjetorit mijëra studentë pushtuan Rrugën e Durrësit për të protestuar para Ministrisë së Arsimit.
Vetëm për një VKM?
Jeta universitare kishte kohë që po çalonte. Studentët në kryeqytet e kanë të pamundur për të përballuar jetesën pa një punë. Qiratë për shtëpi janë më të shtrenjtat në Evropë në raport me rrogën minimale (26 mijë lekë) dhe infrastruktura e konvikteve është në kushte të mjerueshme. Ligji për arsimin e lartë ka bërë që burokracia brenda universitetit të fitojë pushtet të pakrahasueshëm me peshën e votës studentore, e cila ishte ulur në 10%, dhe tarifat vjetore parashikoheshin të kapnin majat, për shkak të konkurrencës së papërballueshme me ato që u thonë universitete private, pronarët e të cilave e shohin si mënyre për të pastruar paratë dhe për të fituar shpejt dhe “pastër” duke shitur…diploma.
Kështu, që në ditën e parë të vërshimit drejt Ministrisë së Arsimit studentët hartuan aty për aty një listë me kërkesa që shkonin përtej shfuqizimit të VKM-së për provimet e mbartura. U hap një mundësi e artë për të kërkuar ndryshime radikale në jetën universitare. Në nxitim e sipër, një grup studentësh hartuan një dokument me 8 pika*, që në thelb kërkonin përmirësimin e jetës studentore dhe rrëzimin e Ligjit për Arsimin e Lartë. Hapi i parë i qeverisë ishte thirrja për të negociuar kërkesat e parashtruara. Po në mënyrë spontane u dëgjua thirrja e parë dominuese mes shumësisë studentore: “Jo negociata, jo përfaqësi!”. Shembujt e mëparshëm na kishin mësuar se përfaqësitë ishin të korruptueshme dhe se askush nuk mund të merrte tagrin të negocionte në emër të një mase aq të madhe dhe të shumëllojshme studentësh. Kërkesat ishin aty, të panegociueshme aq sa dinjiteti njerëzor. Duke e parë se mundësia e negociatave ishte thuajse e pamundur, qeveria e shfuqizoi VKM-në në mënyrë bujare, duke pritur që tanimë studentët të tërhiqeshin nga rruga e të vazhdonin mësimin normalisht.
Pasi u mor lajmi për shfuqizimin e VKM-së, studentët panë njëri-tjetrin në sy dhe dalluan aty një mundësi për të kërkuar më shumë. Një nga gjërat që nuk ishte parë në Shqipëri ishte që protestat të shtoheshin numerikisht ditë pas dite. Pikërisht kjo ndodh, aq sa më 11 dhjetor Rruga e Durrësit pa rreth 30 mijë vetë në të. Studentë dhe pedagogë nga Tirana dhe qytetet universitare tanimë kishin bllokuar jetën universitare, Rrugën e Durrësit dhe pallavrat mediatike 28-vjeçare. Përpara datës 5 dhjetor, të gjithë kishin përbrendësuar idenë se studentët ishin tejet apatikë, rrinin në kafe, kapaciteti nuk i çonte më larg se të punuarit në call center dhe, për t’i rënë shkurt, se në universitete po rritej një batalion i tërë idiotësh të pavlerë për shoqërinë.
Prej aty filluan të na ftonin në studio televizive, ku vendin kryesor e zinin militantët e partive ose analistët që i shihnim në televizor prej 20 e kusur vitesh tashmë, dhe studentët qëndronin në këmbë, në tokë ose në ndonjë cep të improvizuar. Drejtuesit e emisionit drejtonin pyetje mediokre, pa pritur përgjigje më të zgjuar se aq, dhe analistët shtrëngonin kollaret duke menduar se ata e kishin në xhep tagrin për të folur rreth gjithçkaje. Të gjithë e harruan se skena jone ishte në rrugë. Aty e ngritëm ligjërimin për një universitet përmbajtësisht cilësor dhe, kësisoj, edhe për një shoqëri demokratike përnjëmend.
Po Lëvizja Për Universitetin?
Nëse shumicën e aktorëve që e plotësonin protestën kjo situatë i gjeti disi të papërgatitur, mund ta them me plot siguri se nuk ndodhi gjë e ngjashme me aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin. Lëvizja kishte 5 vite që fliste dhe luftonte për universitetin, për të drejtat e studentëve dhe arsim publik falas. Edhe pse kurrë nuk kishte pasur protestë kaq masive në numër dhe kaq radikale në kërkesa, ne kishim punuar sistematikisht për 5 vjet me aksione, protesta dhe artikulimin e problematikave bashkë me parashtrimin e një manifesti*. Për ditë me radhë parullat dhe këngët e Lëvizjes u përhapën në mënyrë rrufeshme, duke dominuar arenën ligjërimore të protestës dhe sferës publike që filloi të shqetësohej për pniversitetin.
Vetëm për universitetin?
Një nga elementët më interesantë të kësaj proteste ishte fakti se studentët guxuan të dilnin përtej universitetit, duke shkundur fort themelet e një sistemi të dominuar nga oligarkia në rritje dhe të ndërtuar në kurriz të të papërfaqësuarve, përfshirë këtu edhe studentët, të cilët çdo ditë e më shumë po kthehen në prekariat – të mbikualifikuar, të papunësueshëm dhe të hedhur në një vrimë të errët që e quajnë treg pune, i cili çon drejt papunësie apo punës me mëditje. Kërkesat dhe artikulimi i protestës ishin sistemore sepse cenonin në thelb interesat e pronarëve të universiteteve private, të cilat e kishin hartuar reformën në bashkëpunim me pushtetin. Ishin sistemore sepse gjendeshim në pikën ku veç mund të talleshim keqas me qeveritarët, çka u duk në parullat goditëse dhe refuzimin për të negociuar apo trajtuar ndonjë kërkesë me ta. Ishin sistemore sepse studentët po hidhnin në plehra gjithë “ekspertizën” e intelektualëve rozë dhe kollarexhinjve – që kanë bërë reforma dhe analiza gjithë këto 28 vite, për llogari të pushtetit – për të thënë: “Universitetin tanimë do ta bëjmë vetë. Edhe shoqërinë do ta bëjmë vetë”.
Kush i vuri shkopinjtë nën rrota?
Nëse flet për sistemin në tërësi, këtu në Shqipëri, nuk do të të hidhen në fyt vetëm
qeveritarët aktualë, por e gjithë kasta politike. Pikërisht këtë u përpoq të bënte
opozita parlamentare, duke hedhur në protestë militantët e vetë partiakë për ta
mbajtur atë nën frerë, e për te mos dalë përtej, në kërkesa sistemore; gjithashtu
për t’i rënë vetëm Ramës, ndërkohë që studentët e thanë qartë se ishin të zhgënjyer
e të zemëruar me gjithë kastën politike. Nëse protesta dukej paqësore së
jashtmi,meqë nuk pati asnjë përplasje me ata që mbronin institucionin, përbrenda
saj vlonte një konflikt më i thekshëm. Nuk ishte – siç do mendonin shumë – konflikti
mes aktivistëve të Lëvizjes Për Universitetin dhe militantëve partiake, por
ishte kontradikta mes një ligjërimi që ishte revolucionar në thelbin e vet dhe
një artikulimi bosh, që nuk shkonte përtej frazave: “të rrëzojmë Ramën!”,“duam vetting
për pedagogët!”, “nuk e kemi problemin me Ligjin!”, të cilat në një farë mënyre
kërkonin të bënin gati terrenin që Basha dhe pjesa tjetër e opozitës të fitonin
ca pikë në luftën për ndarjen e tepsisë. Kështu, në vend që kontradikta të përqendrohej
e gjitha mes studentëve që u kishte ardhur në majë të hundës me mënyrën si po
trajtoheshin, ajo u zhvillua në masë më të vogël brenda protestës, me militantët
e partive që tentuan ta shtrinin hegjemoninë e tyre pushtetore edhe më dhunë
fizike ndaj të tjerëve. Hierarkia pushtetore që tentuam ta zhdukim brenda
ambientit universitar na u rishfaq në formën e një gërthitjeje boshe
etnofokloriko-nacionalisto-idiote nga bashkëmoshatarët tanë partiakë.
A e shoi kjo protestën?
Kishim ardhur në janar të vitit 2019 dhe
kishin kaluar pak ditë nga koha kur Rama shkarkoi 8 ministra nga kabineti i tij,
për t’i zëvendësuar me kukulla të komanduara. Kështu, ai tentoi të merrte
barrën e luftës i vetëm dhe, pasi kishte prezantuar atë që ai e quante “Pakti
për Universitetin” duke mos plotësuar as gjysmën e kërkesave të dhjetorit, kërkonte
tashmë ta hidhte topin te vetë universiteti, duke e orientuar inatin studentor
aty. Studentët sapo ishin kthyer në fakultete për t’i zaptuar ato. Në disa prej
fakulteteve pati edhe ndërhyrje të dhunshme policore, por edhe mobilizime nga anëtarët
e forumit rinor të PS për të krijuar idenë se studentët donin të ktheheshin në
mësim. Dy kartat që hodhi Rama për t’i frikësuar dhe njëkohësisht për t’u lënë
ndonjë kocke atyre ishte kërcënimi se do të humbisnin vitin akademik dhe
propozimi “serioz” për zgjedhje brenda universitetit. Po si do të bëhej kjo,
kur pesha e votës së një pedagogu ishte përsëri e barazvlefshme me atë të rreth
225 studentëve?!
Fundi i janarit i gjeti shumicën e
Fakulteteve në mësim, përveç Fakultetit të Shkencave Sociale, që mbeti
“Mohikani i fundit” në luftën për një universitet të ri. Pas tërheqjes së
pjesës më të madhe të studentëve prej lodhjes dhe presioneve të qeverisë, edhe
studentët e Shkencave Sociale vendosën të ktheheshin në mësim.
Kaq ishte?
Pas shumë pak kohësh, bordet e administrimit të universiteteve publike pranuan
kandidaturat e të vetëpropozuarve. Aty kishte ndonjë pedagog që nuk i ishte dëgjuar
zëri gjatë protestës, ndonjë gazetar që nuk kishte kurrfarë lidhjeje me
universitetin e deri te humoristë televizioni. Zgjedhjet u zhvilluan dhe në
fund, përveçse pjesëmarrja në çdo universitet ishte më pak se 30% e numrit
total të studentëve, në fund ishte ministria
që zgjidhte se cili nga kandidatët do të zgjidhej në borde. E gjitha kjo
argumentohej me frazën: “Ne do u mundësojmë studentëve që hallet e tyre të dëgjohen
lart e më lart.” Po kërkesat tona ishin të ngrira prej dy muajve dhe kishim qëndruar
për dy muaj në rrugë dhe në fakultet duke artikuluar e duke bërtitur për atë që
kërkonim.
Arritëm gjë?
Sot, nëntë muaj pas vrullit të
protestave studentore që mbajtën një vend të tërë në këmbë me shpresën se
studentët do të ndryshonin diçka në realitetin e këtij vendi të ngërthyer nga
pabarazitë dhe mungesa e thellë shpresës, në universitet janë përgjysmuar
tarifat vetëm për vitin akademik që po lemë pas. Këtu nuk përfshihen studentët
e programeve master. Heqja e tarifave është e vlefshme vetëm për studentet në
nevojë dhe për ata që kanë mesataren mbi 9, gjithmonë nëse nuk kanë asnjë
provim të mbartur për vitin që vjen. Na është mundësuar një kartë studentore që
ofron shumë pak shërbime. Ndër to mund të përmendim uljet e çmimeve për bizhuteri
apo aksesi falas në hapësirat publike. Megjithatë, përtej rezultateve të menjëhershme,
studentët arritën të krijonin një kulturë të shëndoshë organizimi dhe
solidariteti midis tyre. Përveçse i treguam njëri-tjetrit se mundësia e
organizimit është aty, sot kemi një sindikatë të pedagogëve në Universitetin e
Tiranës dhe në Fakultetin e Gjeologji-Minierave. Në fakultete po tentohet
krijimi i unioneve studentore demokratike dhe ky vit akademik që po troket do të
jetë një pranverë e re në universitete.
E ndjejmë se lufta për arsim publik falas, dije kritike dhe universitet demokratik është e gjatë dhe nuk e gënjyem veten për asnjë moment se do ia arrinim për dy muaj. Organizimi studentor do të vlojë sërish në universitet për t’u treguar të gjithë impotentëve politikë që qarkullojnë në pushtet dhe opozitë se koha e tyre ka mbaruar me kohë.
Po, universiteti do t’u përkasë edhe një herë universitarëve!
Imazhi: Lëvizja Për Universitetin
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).