Fjalimi në Algjer

/Ernesto Che Guevara/ 

Kuba merr pjesë në këtë Konferencë pikësëpari për shkak që në të të dëgjohet zëri i popujve të Amerikës, por edhe në cilësinë e vendit të pazhvilluar, i cili në të njëjtën kohë po ndërton socializmin.

Nuk i është dhënë rastësisht rasti delegacionit tonë që para popujve të Azisë dhe të Afrikës të paraqesë mendimin e vet. Në rrugën tonë në ardhmëri na lidh synimi i njëjtë: disfata e imperializmit. E kaluara e njëjtë e luftës kundër të njëjtit armik na ka lidhur në gjithë rrugën.

*

Kjo konferencë është tubim i popujve të cilët bëjnë luftë. Kjo luftë po zhvillohet në dy fronte njësoj të rëndësishme dhe kërkon prej nesh përpjekjet më të mëdha. Lufta kundër imperializmit për zhdukjen e marrëdhënieve koloniale dhe neokoloniale, qoftë të bëhet me armë politike apo të vërteta, apo edhe me njërën edhe me tjetrën, është e lidhur me luftën kundër prapambeturisë dhe mjerimit. Edhe njëra edhe tjetra luftë janë etapa në të njëjtën rrugë të krijimit të së resë, të shoqërisë njëkohësisht të pasur dhe të drejtë.

Marrja e pushtetit politik dhe likuidimi i klasave shtypëse është domosdoshmëri, por pastaj duhet luftuar me ngulm me etapën e dytë të cilën e karakterizojnë, ndoshta, vështirësi edhe më të mëdha.
Qysh kur kapitali monopolist pushtoi botën, ata mbajnë në mjerim pjesën më të madhe të njerëzimit e të gjitha profitet i ndajnë brenda grupit të vendeve më të forta. Standardi jetësor në këto vende është i bazuar në mjerimin e vendeve tona. Për t’u ngritur, pra, standardi jetësor i popujve të pazhvilluar, duhet zhvilluar luftën kundër imperializmit. Kurdo që një vend ndahet nga tregu imperialist kjo s’është vetëm fitore e pjesërishme mbi armikun themelor, ky është edhe kontribut i dobësimit të tij të vërtetë dhe hap i ri kah fitorja përfundimtare.

Kjo luftë për jetë ose vdekje s’ka kufi. Nuk mund të jemi indiferentë ndaj saj se çfarë po ngjet tjetërkund në botë, sepse çdo fitore e ndonjë vendi mbi imperializmin është fitore e jona; poashtu çdo disfatë e ndonjë kombi është disfatë e jona. Internacionalizmi s’është vetëm detyrë e popujve që luftojnë për ardhmëri më të mirë, por kjo është edhe nevojë e pashmangshme. Nëse armiku imperialist, amerikan apo ndonjë tjetër, tërbohet kundër popujve të pazhvilluar dhe vendeve socialiste, atëbotë logjika e thjeshtë cakton domosdoshmërinë e lidhjes në mes të popujve të pazhvilluar dhe vendeve socialiste. Nëse edhe s’ka faktor tjetër të bashkimit, ky do të jetë armik i përbashkët.

Këto lidhje, natyrisht, s’mund të realizohen spontanisht dhe pa diskutim, por ato duhet të dalin nga kushtet, nganjëherë të dhembshme.

*

Siç kemi thënë, kur do që ndonjë vend të çlirohet, kjo është disfatë për sistemin botëror imperialist, por duhet të pranojmë se një ndërprerje e tillë nuk bëhet thjeshtë me proklamimin e pavarësisë ose me fitoren e armatosur në revolucion. Liria vjen kur pushon dominimi ekonomik i imperializmit mbi një popull.

Për vendet socialiste është, pra, çështje jetike që ndërprerjet e tilla vërtetë të bëhen. E detyrë e jona ndërkombëtare të cilën na e ngarkon ideologjia që na udhëheq, është që me përpjekjet tona t’i kontribuojmë çlirimit sa më të shpejtë dhe sa më të thellë.

Nga gjithë kjo duhet të nxjerrim këtë përfundim: zhvillimin e vendeve të cilat janë nisur rrugës së çlirimit duhet ta paguajnë vendet socialiste. Ne e themi këtë pa kurrfarë qëllimi që të bëjmë shantazh apo për hir të ndonjë përshtypje spektakulare, e as që në mënyrë të lehtë t’iu afrohemi të gjithë popujve afro-aziatikë, por sepse kjo është bindje e thellë e jona. Socializmi mund të ekzistojë vetëm nëse ndryshimi në vetëdijen e njerëzve sjell qëndrimin e ri vëllazëror ndaj njerëzimit, si në planin individual në shoqërinë e cila ndërton ose ka ndërtuar socializmin, ashtu edhe në planin botëror, ndaj të gjithë popujve të cilët i shtrohen shtypjes imperialiste.

Konsiderojmë se në këtë frymë duhet kuptuar detyrën që t’u ndihmohet vendeve të varura dhe se nuk mund të bëhet më fjalë mbi zhvillimin e tregtisë së dobishme reciproke me çmime mashtruese në dëm të vendeve të pazhvilluara, të cilat bazohen në ligjin e vlerës dhe në marrëdhëniet e pabarabarta ndërkombëtare në shkëmbim të cilat dalin nga ai ligj.

Si mund të quhet “dobi reciproke” shitja me çmime botërore e lëndëve të para, të cilat vendeve të pazhvilluara u kushtojnë mundime dhe vuajtje të pafundshme, e nga ana tjetër blerja po me ato çmime të njëjta botërore të maqinave të prodhuara në fabrikat e sotme të mëdha, të automatizuara? Nëse vejmë marrëdhënie të tilla në mes të këtyre dy grupeve të kombeve, atëherë duhet të pranojmë se vendet socialiste në masë të konsiderueshme janë pjesëmarrëse të eksploatimit imperialist. Dikush mund të thotë se vëllimi fizik i shkëmbimit me vendet e pazhvilluara paraqet vetëm një përqindje të parëndësishme të tregtisë së jashtme të vendeve socialiste. Kjo është krejtësisht e saktë, por fare s’e ndryshon karakterin jomoral të atij shkëmbimi.

Vendet socialiste kanë obligim t’i japin fund bashkëfajësisë së vet të heshtur me vendet eksploatuese të Perëndimit. Fakti se sot kjo tregti është zvogëluar, s’do të thotë asgjë. Në vitin 1956 Kuba prej rasti në rast shiste sheqerin një vendi nga blloku socialist nëpërmjet të ndërmjetësuesve anglezë apo disa të tjerëve.

Sot, 80% të tregtisë së saj bëhet me kampin socialist; të gjitha prodhimet themelore i vijnë nga kampi socialist të cilit, në të vërtetë, ajo tash edhe i takon. Nuk mund të themi se këto të ardhura rrjedhin nga shtimi i thjeshtë i tregtisë, e as që tregtia është rritur për shkak të shkatërrimit të strukturave të vjetra dhe për shkak të përcaktimit për zhvillimin socialist; këto dy skaje puqen dhe në mes veti janë të lidhura. Ne s’jemi nisur rrugës së komunizmit duke parashikuar të gjitha etapat si prodhim logjik të një zhvillimi ideologjik i cili do të sillet kah qëllimi i caktuar. Të vërtetat socialiste, të përcjella me të vërteta të vrazhda të imperializmit, e kanë kalitur popullin tonë dhe i kanë treguar rrugën të cilën ne, pastaj, plotësisht e pranuam. Duke shkuar kah çlirimi i vet definitive, popujt e Afrikës dhe të Azisë do të jenë të detyruar të shkojnë të njëjtës rrugë. Ata do të shkojnë nëpër të herëdo-kurdo edhe pse socializmi i tyre sot është i përcjellë me epitete të ndryshme.

*

Për ne nuk ekziston definicion tjetër i socializmit përpos heqjes së eksploatimit të njeriut nga ana e njeriut. Derisa kjo të mos realizohet, ne do të gjendemi në shkallën e ndërtimit të shoqërisë socialiste, e nëse, në vend se kjo të realizohet, ndodh ngecja ose madje prapavajtja në realizimin e kësaj detyre, atëherë më s’mund të flitet as për ndërtimin e socializmit.

Ne duhet të përgatisim kushtet të cilat vëllezërve tanë do t’u bëjnë të mundshme që në mënyrë direkte dhe të vetëdijshme të nisen rrugës së heqjes definitive të eksploatimit, por s’mund të kërkojmë nga ata të nisen asaj rruge nëse edhe vetë jemi pjesëmarrës në atë eksploatim. Sikurse të na pyeste dikush cilat metoda duhet përdorur për t’u vendosur çmimet e drejta nuk do të mund të përgjigjeshim, sepse nuk disponojmë me shënime praktike mbi këtë çështje. Por, s’mund të themi se, pas diskutimeve publike, Bashkimi Sovjetik dhe Kuba nënshkruan kontrata të volitshme për ne dhe në sajë të tyre ne do të shesim pesë milion tonelata sheqer me çmim më të lartë nga ai në të ashtuquajturin tregun e lirë botëror të sheqerit. Republika Popullore e Kinës në paguan të njëjtin çmim.

Në këtë çështje duhet punuar: detyra kryesore qëndron në atë që të konstatohen çmimet të cilat do të bëjnë të mundshëm zhvillimin. Koncepsioni krejtësisht i ri do të qëndrojë në ndryshimin e rendit të marrëdhënieve ndërkombëtare; tregtia e jashtme nuk guxon të caktojë politikën por anasjelltas, t’i jetë e nënshtruar politikës së vëllazërimit ndaj popujve. Të analizojmë shkurtas problemin e kredive afatgjatë të dedikuara zhvillimit të industrisë bazike. Shpesh shohim se vendet shfrytëzuese dëshirojnë të ngrisin baza industriale të cilat janë disproporcionale me mundësitë e tyre të tashme, prodhimet e të cilave nuk do të shpenzohen në vend, kurse rezervat e këtyre vendeve do të sillen në pyetje me atë përpjekje. Gjykimi ynë është si vijon: investimet që vendet socialiste i bëjnë në territorin e vet në mënyrë direkte ngarkojnë në buxhetin shtetëror dhe amortizohen vetëm me shfrytëzimin e prodhimeve të gatshme. Ne propozojmë të shqyrtohet mundësia e realizimit të këtyre investimeve në vende të pazhvilluara.

Në këtë mënyrë energjia kolosale latente e kontinenteve tona të eksploatuara në mënyrë të mjerueshme dhe në zhvillimin e tyre të pandihmuara do të mund të aktivizohej dhe do të ishte e mundur të fillojë etapa e re e ndarjes së vërtetë ndërkombëtare e punës e cila do të bazohej në historinë e asaj që është bërë deri tash, por në historinë e ardhshme të asaj që mund të bëhet.

Shtetet në territoret e të cilave do të deponohej do të kishin mbi këto investime të gjitha të drejtat të cilat dalin nga prona sovrane pa kurrfarë obligimi të pagesës ose të kredisë. Shfrytëzuesit do të ishin të obliguar vetëm që vendeve investuese t’u japin një sasi të caktuar të prodhimeve gjatë disa vjetësh dhe me çmim të caktuar.

Financimi i pjesës së vendit në shpenzimet të cilat duhet t’i paguajë vendi shfrytëzues i investimeve të tilla, poashtu meriton të studiohet. Një formë e ndihmës, e cila nuk nënkupton ndarjen e devizave konvertibile, do të mund të qëndronte në furnizimin e vendeve të pazhvilluara me mall, i cili mund të shitet lehtë, e pagesa e të cilit do të ishte afatgjate. Problemi i dytë që zgjidhet vështirë është përdorimi i teknikës. Të gjithë e kanë të ditur se vendet e pazhvilluara vuajnë ngase s’kanë mjaft ekspertë. Atyre u mungojnë shkollat dhe kuadrot. Ne nganjëherë s’kemi as pasqyrën reale mbi nevojat tona, e s’dimë gjithnjë të vendosim që, në radhë të parë, të zbatojmë politikën e zhvillimit teknik, kultural dhe ideologjik.

Vendete socialiste duhet të ofrojnë ndihmën e nevojshme për themelimin e institucioneve për shkollimin e ekspertëve, të insistojnë në rëndësinë qenësore të këtij problem dhe të japin kuadro të cilat mungojnë sot.

*

Duhet të insistohet më shumë në këtë çështjen e fundit: ekspertët të cilët vijnë në vendet tona duhet të jenë shembullorë. Këta janë shokë që do të ballafaqohen me mjedis të panjohur, shpesh të disponuar armiqësisht ndaj teknikës e cila nuk flet me gjuhën e tyre dhe zakonet e së cilës janë krejtësisht tjetërfare. Ekspertët që pranojnë këtë detyrë të rëndë do të duhej, para së gjithash, të jenë komunistë në kuptimin më të thellë dhe më të lartë të fjalës. Vetë kjo cilësi, me sado pak shkathtësi dhe prirje për organizim, do të bëjë të mundshme të krijojë mrekulli.

Dimë së kjo është e mundshme, sepse disa vende vëllazërore na kanë dërguar një numër të konsiderueshëm ekspertësh, të cilët për zhvillimin e vendeve tona kanë bërë më shumë se që do të bënin dhjetë institute, më me sukses i kanë kontribuar miqësisë së popujve tanë se dhjetë ambasadorë ose qindra pritje diplomatike.

Sikur vërtetë të zbatonin këtë që theksuam dhe sikur, përveç kësaj, t’u venim vendeve të pazhvilluara në dispozicion tërë teknologjinë e vendeve të zhvilluara, duke mos shfrytëzuar metodën e tashme të patentave, të cilat mbrojnë novacionet e çdo vendi, ne do të arrinim përparim jashtëzakonisht të madh në realizimin e detyrës sonë të përbashkët.

Imperializmi është mundur në shumë beteja të pjesërishme. Por ai akoma është forcë e rëndësishme në botë dhe ne mund të shpresojmë në disfatën definitive të tij vetëm në sajë të përpjekjeve dhe të viktimave të të gjithë ne.

*

Mirëpo, grumbullimi i masave të cilat i propozojmë nuk do të mund të ndërmirrej njëanshëm. Është e qartë se vendet socialiste duhet të paguajnë zhvillimin e vendeve të pazhvilluara. Por, duhet edhe forcat e atyre vendeve të përpiqen dhe, pa marrë parasysh pengesat, të nisen fuqishëm rrugës së ndërtimit të shoqërisë së re në të cilën maqina si mjet për punë nuk do të jetë për njeriun instrument i eksploatimit. S’do të mundemi gjithashtu të llogarisim në besimin e vendeve socialiste nëse luajmë lojën e drejtpeshimit në mes të kapitalizmit dhe të socializmit dhe nëse përpiqemi të shfrytëzojmë të dy palët rivale për të nxjerrë dobi të caktuar. Në marrëdhëniet në mes të këtyre dy grupeve të sistemeve shoqërore duhet të sundojë politika e re dhe serioziteti absolut. Na duhet edhe të nënvizojmë se është e dëshirueshme që mjetet e prodhimit të jenë në duart e shtetit me qëllim që karakteristikat e eksploatimit të shuhen gradualisht.

Nga ana tjetër, zhvillimi nuk mund t’i lihet improvizimit të plotë: ndërtimin e shoqërisë së re duhet planifikuar. Planifikimi është një nga ligjet e socializmit pa të cilin ai nuk do të ekzistonte. Në mungesë të planifikimit adapt, është e pamundshme të sigurohet që të gjitha degët ekonomike të një vendi të inkuadrohen dhe të bëjnë të mundshme harmonikisht kërcimet përpara të cilat i kërkon koha në të cilën jetojmë.

Planifikimi s’është problem i ndarë për secilin nga vendet tona të vogla, zhvillimi i të cilave është i shtrembëruar, që disponojnë me lëndë të para ose prodhojnë disa prodhime të gatshme ose gjysmë të gatshme, por iu mungojnë të gjitha të tjerat. Që nga fillimi planifikimi duhet të synojë njëfarë ndarje regjionale, ashtu që të harmonizohen ekonomitë e vendeve dhe të arrihet integrimi i bazuar në dobinë e vërtetë reciproke.

Ne konsiderojmë që rruga e tashme është plot rreziqe; jo farë rreziqesh të cilat i ka trilluar ose paraparë në mënyrë afatgjate ndonjë mendje e lartë, por rreziqe të cilat në mënyrë të prekshme dalin na realiteti i vrazhdë. Lufta kundër kolonializmit ka hyrë në fazën përfundimtare, por në kohën tonë statusi kolonial është vetëm pasojë e dominimit imperialist. Derisa të ekzistojë imperializmi, ai, për nga esenca e vet, do të zbatojë dominimin mbi vendet e tjera. Ky dominim sot thirret neokolonializëm.

*

Neokolonializmi u zhvillua së pari në Amerikën Jugore, në tërë kontinentin. Sot ai po manifestohet gjithnjë e më fuqishëm në Afrikë dhe në Azi. Format e zhvillimit dhe të depërtimit të tij janë të llojllojshme. Një nga format më të vrazhda është ai që pamë në Kongo. Arma e tij e fundit është dhuna e pastër dhe e thjeshtë, e vrazhdë dhe e pafshehur. Ekziston edhe forma tjetër, më e rafinuar: depërtimi në vende të cilat çlirohen politikisht, lidhja e aleancës me borgjezinë e re të vendit, zhvillimi i borgjezisë parazite të lidhur ngushtë me interesat e metropolit, e të cilën e nxit njëfarë mirëqenie ose përmirësim kalimtar i standardit jetësor të popullit. Realisht, në vendet mjaft të prapambetura, vetë kalimi nga marrëdhëniet feudale në ato kapitaliste paraqet përparim të madh, pa marrë parasysh pasojat e rrezikshme që i sjellin ata punëtorëve.

Neokolonializmi tregoi kthetrat e veta në Kongo. Kjo s’është shenjë e forcës, por pikërisht e dobësisë. Ai si argument ekonomik i detyrua të përdorë forcën, armën e vet të fundit, gjë që i shkaktoi kundërshtime të ashpra. Ku depërtim po zbatohet edhe në vendet e tjera të Afrikës dhe të Azisë në formë shumë më subtile, që shkakton të ashtuquajturin “jugo-amerikanizim” të shpejtë të këtyre kontinenteve, d.m.th. zhvillimin e borgjezisë parazite e cila me asgjë nuk i kontribuon begatisë nacionale, por përkundrazi, jashtë vendit, në bankat kapitaliste grumbullon fitimet e veta të pandershme, shumë të mëdha dhe, me përbuzje të plotë ndaj nevojave jetike të popullit të vet, bashkëpunon me botën e jashtme për të arritur fitime edhe më të mëdha.

Ekzistojnë edhe rreziqe të tjera: për shembull rivaliteti në mes të dy vendeve motra, politikisht miqësore dhe nganjëherë bile fqinje, të cilat përpiqen të zhvillojnë investime të njëjta, në të njëjtën kohë, e për tregje të cilat shpesh këto nuk i pranojnë. Ana e keqe e kësaj konkurrence është sa derdhet energji kot e cila do të mund të shërbente për bashkëpunim shumë më të gjerë ekonomik, e nga ana tjetër kjo u shkon për shtati monopoleve imperialiste.

Në raste të caktuara, kur është absolutisht e pamundshme të zbatohen investime të caktuara me ndihmën e kampit socialist, kjo arrihet nëpërmjet marrëveshjes me kapitalistët. E meta e pashmangshme e këtyre investimeve kapitaliste qëndron në mënyrën e ndarjes së kredisë, por ka edhe defekte të tjera shumë të rëndësishme, siç është krijimi i shoqërive të përziera në të cilat bashkohen fqinjët e rrezikshëm. Meqë investimet shkojnë kryesisht paralelisht me investimet e shteteve të tjera, ekziston rreziku që vendet miqësore të grinden për shkak të kontesteve ekonomike. Nga ana tjetër, rrezik serioz paraqet edhe korrupsioni i cili rrjedh nga prania e përhershme e kapitalizmit i cili në mënyrë të shkathtë di të paraqesë në ngjyra të bukura zhvillimin e vet dhe prosperitetin që kështu të luhasë shumë njerëz.

Shpejt pastaj, ngjashmëria me prodhime të ngjashme shkakton rënien e çmimeve në tregje. Vendet e goditura janë të detyruara qoftë të kërkojnë hua të reja, qoftë të lejojnë investime plotësuese për të ngelur konkurrente në treg. Rezultati i fundi i kësaj politike është që ekonomia bie në duar të monopoleve, që do të thotë kthim i ngadalshëm, por i sigurt i së kaluarës. Sipas mendimit tonë, për të realizuar pa rrezik investime me pjesëmarrje të forcave imperialiste, është e nevojshme që shteti drejtpërdrejtë të marrë pjesë si i vetmi blerës i pasurisë, duke kufizuar veprimin e imperialistëve në lidhjen e kontratave mbi dërgesat dhe duke mos u lejuar të kalojnë pragun tonë. Në këtë rast, është e arsyeshme të shfrytëzosh kundërthëniet e imperializmit për të arritur kushte sa më të volitshme.
Poashtu s’duhet harruar të ashtuquajturën ndihmë “e painteresuar” ekonomike, kulturale e të tjera, të cilën imperializmi e ofron në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet shteteve marionete dhe e cila në disa pjese të botës është pritur mirë.

*

Nëse nuk zbulohen me kohë të gjitha këto rreziqe, ngel e hapur rruga e neokolonializmit në ato vende të cilat me plot besim dhe entuziazëm filluan çlirimin e vet nacional: dominimi i monopoleve vihet aq shkathtas dhe gradualisht, saqë vështirë është të shquash pasojat e tij gjithnjë deri sat ë mos shfaqen befasisht dhe ashpër.

Para nesh qëndron punë e madhe. Probleme shumë të mëdha qëndrojnë para dy botëve tona: para botës së vendeve socialiste dhe para kësaj, të quajtur Botë e tretë. Këto janë probleme drejtpërdrejtë të lidhura me njeriun dhe me mirëqenien e tij, si dhe për luftën kundër fajtorit kryesor për prapambeturinë tonë. Të ballafaquara me këto probleme, të gjitha vendet dhe të gjithë popujt të vetëdijshëm për detyrën e vet, rreziqet që dalin nga situata jonë dhe viktimat që kërkon zhvillimi, duhet të ndërmarrin masa konkrete që të vendosen lidhjet në të dy planet: në atë ekonomik dhe politik, të cilat kurrë nuk mund të ndahen dhe kështu të krijohet blloku i madh dhe i fortë i cili nga ana e vet do të ishte në gjendje të ndihmojë vendet e tjera të çlirohen njëkohësisht nga pushteti politik dhe ekonomik i imperializmit.

Çlirimin e armatosur nga ndonjë forcë politike shtypëse duhet shikuar në pajtim me rregullat e internacionalizmit proletar: nëse është e pakuptimtë që një drejtor i ndërmarrjes në ndonjë vend socialist të mund të luhatet që të dërgojë tanksat të cilat ai i prodhon në front i cili nuk mund të ofrojë garanci për pagesë, atëherë është poashtu e pakuptimtë të kontrollosh aftësinë e pagesës së një populli i cili lufton për çlirimin e vet ose të cilit i nevojiten armë për mbrojtjen e lirisë së vet.

Në botën tonë, armët nuk do të guxonin të ishin mall. Ato duhet dorëzuar plotësisht pa pagesë, në sasi të nevojshme dhe të mundshme, popujve të cilët i kërkojnë për t’i përdorur kundër armikut të përbashkët. Në këtë frymë Bashkimi Sovjetik dhe Republike Popullore e Kinës na demonstruan ndihmën e vet ushtarake. Ne jemi socialistë, ne garantojmë mënyrën e përdorimit të këtyre armëve, por ne s’jemi të vetmit dhe ndaj të gjithëve duhet sjellë në të njëjtën mënyrë.

Për t’iu përgjigjur agresionit të ndytë të imperializmit amerikan në Vietnam dhe në Kongo, këtyre vendeve vëllazërore duhet ofruar të gjitha mjetet e nevojshme për mbrojtje duke u ofruar solidaritet të pakushtëzuar.

*

Në planin ekonomik, na është e nevojshme që vështirësitë e zhvillimit t’i mposhtim me ndihmën e teknikës më të zhvilluar. Ne nuk mund të ndjekim rrugën e gjatë të ngritjes të cilën e ka kaluar njerëzimi nga feudalizmi gjer te epoka e atomit dhe automatizimit. Kjo do të ishte rrugë e viktimave shumë të mëdha dhe pjesërisht e padobishme. Teknikën duhet marrë atje ku është dhe të bësh kërcim të madh teknik, të domosdoshëm për të zvogëluar gradualisht diferencat në mes të zhvilluarve dhe vendeve tona. Kjo teknikë duhet të përdoret ne fabrika të mëdha si edhe në bujqësinë e organizuar drejt. Është veçanërisht e rëndësishme që teknika, në esencë, të ketë mjaft të fortë kulturën teknike dhe ideologjike të rrënjosur në masa, në mënyrë që organizatat dhe entet për hulumtim të mund të punojnë pa ndërprerë, të cilat duhet themeluar në çdo vend, e poashtu të aftësosh njerëzit që, duke njohur teknikën bashkëkohore, të kenë mundësi t’u përshtaten sukseseve të reja teknike.

Këto kuadro duhet të kenë vetëdijen e qartë mbi detyrën e vet ndaj shoqërisë në të cilën jetojmë. Nuk mund të ketë kulturë të drejtë teknike nëse nuk përcillet kultura ideologjike. E ne pjesën më të madhe të vendeve tona s’do të kemi bazën e mjaftueshme për zhvillim industrial nga e cila varet zhvillimi i shoqërisë bashkëkohore, nëse popullit, së pari, nuk i sigurojmë ushqimin e nevojshëm, mallrat më të domosdoshme konsumuese dhe arsimin e drejtë.

Një pjesë të madhe të të ardhurave nacionale duhet ndarë për të ashtuquajturin investime joprodhuese në mësim, e veçanërisht duhet pasur kujdes mbi zhvillimin e prodhimtarisë bujqësore. Ajo në shumë vende kapitaliste ka arritur shkallë të pabesueshme dhe ka nxitur kriza absurde të superproduksionit, invadim të drithërave dhe prodhimeve të tjera ushqimore nga vendet e zhvilluara, gjersa në të njëjtën kohë një botë e tërë vuan nga uria edhe përkundër asaj se ka mjaft tokë e njerëz që të mund të prodhonte shumëfish më shumë ushqim se sa i nevojitet botës.

Bujqësinë duhet konsideruar shtyllë të zhvillimit, prandaj është me rëndësi esenciale që të ndërrohet struktura e saj dhe t’u përshtatet mundësive të reja të teknikës si dhe obligimeve të reja në zhdukjen e eksploatimit të njeriut.

Para se të merren vendime të shtrenjta të cilat mund të shkaktojnë dëme të papërmirësueshme, duhet hulumtuar me kujdes truallin nacional. Kjo është një nga etapat të cilat u prijnë hulumtimeve ekonomike dhe nevojave themelore për planifikim të drejtë.

*

Ne përkrahim ngrohtësisht propozimin e Algjerisë mbi institucionalizimin e marrëdhënieve tona. Dëshirojmë vetëm të propozojmë disa vrojtime plotësuese:

  1. Që aleanca të jetë mjet për luftë kundër imperializmit, është e domosdoshme pjesëmarrja e popujve të Amerikës Latine dhe aleanca e tyre me vendet socialiste.
  2. Duhet vigjiluar mbi karakterin revolucionar të aleancës duke ndaluar hyrjen qeverive dhe të lëvizjeve të cilat nuk identifikohen me synimet e përgjithshme të popullit dhe duke krijuar mekanizma të cilët do të bënin të mundshëm largimin e secilit që devijon nga rruga e drejtë, qoftë kjo qeveri apo lëvizje popullore.
  3. Duhet arritur vendosjen e marrëdhënieve të reja të barabarta në mes vendeve tona dhe kapitalistëve duke themeluar një sistem revolucionar juridik i cili do të na mbronte në rast të konfliktit dhe i cili do t’u jipte përmbajtje të reja marrëdhënieve tona me botën tjetër.

Ne flasim me gjuhën revolucionare dhe në mënyrë të ndershme luftojmë për fitoren e çështjes revolucionare, por shpesh ngatërrohemi në rrjetat e së drejtës ndërkombëtare e cila është prodhim i përleshjeve të forcave imperialiste e jo i luftës së popujve.

Popujt tanë janë të shtrënguar për shembull nga synimi që në territoret e tyre mos të vendosen bazat e huaja ose janë të detyruar të bartin barrën tepër të rëndë të borxheve të jashtme jashtëzakonisht të mëdha.

Secilit i është e njohur historia e këtyre defekteve: qeveritë marionete, qeveritë e dobësuara me luftën e gjatë çlirimtare ose me zhvillimin e ligjeve kapitaliste të tregut, kanë lejuar lidhjen e marrëveshjeve të cilat rrezikojnë stabilitetin tonë të brendshëm dhe sjellin në pyetje ardhmërinë tonë.

Erdhi çasti që të flaket zgjedha, të imponohet revidimi i borxheve të jashtme të cilat na shtrëngojnë dhe të detyrohen imperialistët të lëshojnë bazat e veta për agresion.

Nuk do të dëshiroja ta kryej këtë fjalim, këtë pasqyrë të parimeve të njohura të të gjithë juve, e të mos i tregoj sheshit këtij tubimi faktin se Kuba s’është i vetmi vend i Amerikës Latine. Kuba thjesht e ka fatin që sot të flasë para jush. Dëshiroj të theksoj se edhe popujt e tjerë po derdhin gjak për të fituar të drejtën të cilën ne sot e kemi. Nga ky vend, si dhe nga të gjitha konferencat kudo që ato mbahen, ne i përshëndesim popujt heroikë të Vietnamit, të Laosit, të ashtuquajturës Guine Portugeze, të Amerikës Latine dhe të Palestinës. Të gjitha vendet e eksploatuara të cilat luftojnë për pavarësinë e vet duhet të dëgjojnë zërin tonë miqësor. Ne duhet t’u shtrijmë dorën dhe t’u japim zemër popujve vëllezër të Venezuelës, të Guatemalës dhe të Kolumbisë, të cilët sot, me armë në dorë, vendosmërisht, i thonë “jo” armikut imperialist.

Janë të rralla skenat e tilla simbolike për deklaratë të këtillë siç është qyteti Algjer, njëra nga metropolet më heroike të lirisë. Le të na frymëzojë populli i mrekullueshëm algjerian, i kalitur si pak kush gjatë vuajtjeve për pavarësi nën udhëheqjen e partisë së vet, në këtë luftë unike kundër jenki-imperializmit.

* Fjalim i mbajtur në Konferencën e dytë ekonomike afroaziatike, në shkurt të vitit 1965 ne Algjer, e i botuar pak më vonë me titull: “Kubën për Afrikën dhe Azinë e lidh synimi i njëjtë – të rrëzohet imperializmi”

Përkthyer nga: Ismail Berisha

Marrë nga: Ernesto Çe Guevara – Socializmi e njeriu. Prishtinë: Rilindja 1978

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.