Legalize it?!
/Klodi Leka/
*Fjala hapëse në mbrëmjen eksperimentale për kabanisin dhe me raki n’Log t’Shkendijës.
Sipas statistikave të fundit (Guardia di Finanza) prodhimi, tregtimi dhe konsumi i kanabis sativës kap vlerën e 4.5 miliard euro në vit (vetëm Lazarati), pothuajse gjysma e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto të shtetit shqiptar. Megjithatë, edhe pse kjo shifër e perifrazon deri diku situatën aktuale, llogaritja e saktë e prodhimit tregtimit dhe konsumit të kanabisit është e pamundur në kushtet e qarkullimit informal të tij. Përveç Lazaratit që proklamohet haptazi si fshat kultivues rebel, realisht kultivimi është shtrirë gjatë një hapësire të konsiderueshme të territorit shqiptar, që nga malësitë verilindore në malësitë kodrinore të Shqipërisë së Mesme, dhe më tej, në pjesën lindore të Shqipërisë së Jugut. Kjo për shkak të terrenit të favorshëm me zonë shkurrore, burime ujore dhe klimës së ngrohtë mesdhetare. Tri kushte nevojiten për kultivimin e kanabisit: shumë ujë, shumë diell dhe hiç policë.
Por cili është raporti i prodhimit tregtimit dhe konsumit të bimëve narkotike me shoqërinë dhe shtetin?
Ekonomikisht, gjithë ky bereqet shkon në pak xhepa. Procesi i prodhimit dhe tregtimit kalon në tri faza para se të përfundojë për konsum. Faza e parë mishërohet nga prodhuesi që kujdeset për mbjelljen rritjen dhe korrjen e bimës, i cili zotëron tokën dhe të gjitha mjetet e duhura bujqësore. Në fazën e dytë, blerësi, i lidhur me kultivuesin, e siguron jonxhën me çmimin e tregut të brendshëm duke e ndarë atë në dy pjesë. Një pjesë të vogël dhe jo shumë cilësore për tregun e brendshëm, që ua shpërndanë tregtarëve të vegjël me një çmim dy-tri-fish më të lartë dhe pjesën dërmuese për tregun e jashtëm, që i siguron fitime njëzet-fish më të larta. Në fazën e tretë, transportuesi merr një pjesë të vogël të fitimeve. Pra nga mbjellja deri tek shpërndarja e produktit kemi një proces pune dhe vlere marramendëse, por që për shkak të informalitetit, shkon në shumë pak xhepa dhe pastrohet përmes ndërtimeve dhe veprave publike të eksponentëve biznesorë (politikanë dhe biznesmenë që kanë nën zotërim tregun dhe qarkullimin).
Juridikisht, kultivimi dhe shpërndarja e bimëve narkotike sanksionohet me masa të rrepta ndëshkimi, por që në kushtet e moszbatimit të ligjit dhe kapjes së institucioneve nga interesa të ngushta privatë, zbatimi i këtij legjislacioni është i kushtueshëm jo vetëm ekonomikisht për shtetin, politikën ndërkombëtare të tij, por edhe shoqërisht pasi shfaq tendenca serioze diskriminimi, kriminalizon dhe përjashton në masë të rinjtë dhe periferitë e papuna. Ligji për bimët narkotike ka probleme të mëdha që janë anashkaluar jo nga mungesa e vëmendjes apo alternativës rregullatore, por për të krijuar një aparat represiv dhe njollosës ndaj kontingjentit potencialisht revolucionar, të rinjve dhe periferive të papuna, të cilave u devijohet rruga nga rebelim politik në dhunë kriminale lehtësisht të shtypshme. Ligji për narkotikët nuk është i specifikuar dhe ka karakter të përgjithshëm. Nuk bëhet dallim ndërmjet tregtarit dhe përdoruesit. Pra si Zefi nga Lezha me pesë gramë për përdorim vetjak, si shoferi i maunes me pesë kilogramë për tregti të jashtme dënohen njësoj, me pesë vite burg. Madje, shoferi mund të bëjë vetëm një vit, për shkak të lidhjeve korruptive dhe politike, ndërsa Zefi pesë vite të plota, pasi nuk ka as para dhe as mik, por që me shpenzimet shtetërore për burgosjen e tij do të mund të edukohej e punësohej (shteti shpenzon për një të burgosur rreth 8 milion lekë të vjetra në vit).
Në aspektin shoqëror, qarkullimi informal i kanabisit dhe aparati represiv ligjor kanë shkaktuar dhe vazhdojnë te shkaktojnë plagë të rënda sociale. Qarkullimi informal e dëmton rëndë ekonominë vendore, hedh në treg sasi të mëdha kapitali të parregjistruar dhe u siguron fuqi politike e financiare eksponentëve kriminalë. Në aspektin shoqëror prodhon kriminalizim të të rinjve, toksifikim, burgje, dhunë, zona të kontrolluara nga krimi jashtë autoritetit shtetëror dhe individë të njollosur që përjashtohen nga një sërë të drejtash publike dhe morale.
Meqë gjer më tani e pasqyruam situatën, çështja është të mendojmë si mund ta ndryshojmë atë?
Para dy ditëve, në mediat tona u publikuan me zhurmë dy lajme. Njëri nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Tiranë dhe tjetri nga një prononcim i Ban Ki Munit në OKB. Të parët thoshin, duke mos harruar të vënë në pah edhe përkatësinë e tyre konservatore (që mesa duket gjetka pajtim dhe përligjje) se legalizimi i kanabisit është i duhur dhe i domosdoshëm pasi sjell të ardhura antikrizë. Të dytët, se përdoruesit e hashashit qenkan të sëmurë dhe kështu, me logjikën tipike “humanitare”, duhet shpërndarë medikamenti për sëmundjen. Por të dyja qasjet janë të gabuara, dhe bash duke thënë përsenë hidhemi tek alternativat që propozojmë.
Së pari ngaqë legalizimi i rabit, përkundër sugjerimit të vlefshëm të tregtarëve amerikanë, nuk duhet realizuar për të sjellë të ardhurat për buxhetin, për biznesin, se kështu për hir të parave le të legalizojmë tregun fitimprurës të vrasjeve me pagesë dhe vendosjes së tritolit e do të mbledhim mjaft plaçkë; por sepse legalizimi duhet të përftojë fillimisht kapital njerëzor, sipërmarrje dhe kooperim shoqëror. Kooperim do të thotë dalje nga errësira statistikore dhe krijim i programeve sociale që do të ndihmonin në luftimin e varësisë prej drogave; ndërmarrja e një fushate sensibilizuese masive që të njeh me efektet dhe pasojat e trifletshit, duke i dhënë kështu të rinjve dhe qytetarëve mundësinë e njohjes dhe të zgjedhurit të alternativave, që në kushtet aktuale mungojnë dhe mvishen nga paragjykime të rënda. Pra ky kapital njerëzor kaq i rëndësishëm është parësor dhe mbështetet tek kapitali financiar që përftohet nga legalizimi dhe tatimi i marias.
Së dyti, ndryshe nga OKB-ja dhe shumica dërrmuese e politikanëve dhe shoqërisë sonë, përdorimi i kanabisit nuk nënkupton medoemos varësi, rrezik apo degjenerim moral e fizik, por stimulus natyral kënaqësie në një shekull kaq të mërzitshëm sa ky i yni.
Ndaj alternativat që na mbesin për mendimin tim janë dy:
E para, të specifikohet ligji për përdoruesit e kanabisit dhe tregtuesit e vegjël të tij, duke pasur parasysh tolerancën dhe mirëkuptimin për periudhën e brishtë moshore dhe gjendjen ekonomike. Por situata nuk do ndryshojë në prodhimin e bimës, madje do të përshkallëzohet më tej për shkak të krizës ekonomike. Kjo masë ka për qëllim thjesht liberalizim në aspektin legjislativ.
E dyta, legalizimi, formalizimi dhe ndërtimi i një rrjeti të ligjshëm prodhimi tregtimi dhe konsumi do ta kontrollonte qarkullimin e jonxhës dhe do të sillte të ardhura shoqërore dhe ekonomike.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.