/Bislim Lakna/
“Fit For Future” (Përshtatu Për të Ardhmen) ishte emri i aktivitetit të zhvilluar brenda Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës1 që më shtyu të mendoj mbi disa ide, për mua shqetësuese, që dominojnë mendësinë e brezit tonë. Gjatë kërkimit mbi ngjarjen kuptova që FAU paska qenë vetëm njëri nga fakultetet ku është mbajtur ky lloj aktiviteti. Më parë ka ndodhur në FSHS dhe në disa biznese.
Që nga emri dhe përshkrimi i aktivitetit, me një vështrim të thjeshtë kritik, mund të kuptosh thelbin e gjithë maskaradës pasuese.
Thirrja për t’u përshtatur – “Fit” (Përshtatu) – te titulli na shtyn që në momentin e parë drejt heqjes dorë nga shpresa për të ndryshuar diçka në botën jashtë dhe rreth nesh. Na fton ta pranojmë realitetin dhe të kthehemi me krejt forcën nga vetja për ta ndryshuar atë, se ajo jashtë është e paracaktuar dhe e pandryshueshme tashmë. Individi ama, me gjithë vështirësitë, mund t’ia dalë ta pranojë atë botën e vështirë dhe shpesh të padrejtë. Madje me gjithë ato vështirësi, njeriu edhe mund të ketë sukses në përshtatje. Por çelësi është lufta e pakompromistë me veten, me problemin e vërtetë, për të arritur përshtatjen e kënaqshme.
Edhe pjesa e dytë e titullit – “For Future” (Për të Ardhmen) – thotë mjaftueshëm. Pra nuk bëhet fjalë për sot. Mos u shqetësoni, sot nuk duhet të bëni asgjë! Sepse si fillim duhet të mësoni nga më të mirët, nga më të përshtaturit. Ama në të ardhmen, nëse jeni dëgjues të mirë të më të mirëve, edhe mund t’ia dilni.
Nejse, titulli edhe mund të na mashtrojë, por përmbajtja assesi.
Videoja nis me fjalë të mëdha, si qëllimi i jetës, nga të rinj të sinqertë e të padjallëzuar, e vazhdon me margaritarë nga e Përshtatura. “Çdo gjë që e keni menduar dhe një zë i brendshëm ju ka thënë që ‘duhet ta bëj’, duhet ta bëni!” – na porosit ajo. Kur e dëgjon, në mendje të zien një mendim i shpejtë dhe një dëshirë kundërshtuese. Këtij margaritari do duhej t’i përgjigjeshim me disa pyetje domethënëse si:
A nuk supozohet se qëllimet në jetë të jenë rezultat i reflektimeve dhe përgjigje ndaj nevojave reale, më shumë sesa pjellë e një fantazie abstrakte të një individi tejet konkret, që mendon dhe vepron në kushte jashtëzakonisht të rrepta të realitetit?!
Fundja, a nuk është njeriu produkt i dijeve dhe përvojave të grumbulluar gjatë jetës?!
A nuk supozohet që, si rrjedhojë e kësaj, ne të priremi drejt gjykimit të dijeve dhe përvojave tona, para se të sulemi si të tërbuar me vetëbesimin dhe guximin prej budallai drejt vendimeve të rëndësishme?!
Mirëpo nuk është ky rasti për të bërë pyetje domethënëse. Mendimi kritik nuk zë vend në ansamble të tilla mediokriteti.
“Çdo gjë ikën, njeriu mbetet. Njeriu dhe fuqia mendore e tij.” – vazhdon predikimin e Përshtatura. Postulate filozofike të padëgjuara më parë. “Gjithmonë lart, lart, lart, shkoni lart! Do ta bëj, do ta arrij!” – këshillon ajo. Fuqia e mendimit pozitiv.
E Përshtatura fut në mes dhe disa këshilla e parime universale, krejt të vetëkuptueshme e të thjeshta. Po ajo që të shastis është delli patetik me të cilin performon.
Në fund porosia përmbyllëse, më e rëndësishmja dhe patjetër më domethënësja: “Jam unë. Uni është i pari. Jam unë! Jam unë! Jam unë!” – e përsërit disa herë e Përshtatura, – “e pastaj…(këtu mund të ketë thënë gjithçka)” – duket të thotë në vazhdimin e këtij deklarimi glorifikues. Jo zonjë, – do doja të ulërinte dikush nga mesi i asaj salle – unë nuk jam asgjë pa të tjerët rreth meje!
Do të doja gjithashtu që diku të përmendej të paktën një libër a një referencë serioze, për t’ia justifikuar disi prezencën në auditorët e universitetit të Përshtaturës. Por më kot. Fetishizimit të individit, dijes dhe vërtetësisë së përvojës së tij i duhej shkuar deri në fund, pa asnjë referencë.
Të mos harrojmë se ngjarja ndodh në kushtet e një dominimi të pakontestueshëm, në mendësinë e një pjese të madhe të rinjsh, të një retorike mediokre mbi suksesin, individin, mendimin pozitiv e të tjera si këto. Në kushtet e një mungese të frikshme të stimulimit të mendimit kritik. Kjo reflektohet edhe në idetë dominuese të të rinjve, jo vetëm atyre pjesëmarrës në salla të tilla. Dikush do të bëhet dikushi në jetë, një tjetër do të bëhet kryetar bashkie, një tjetër atje jashtë do të bëhet biznesmen i suksesshëm etj. Të gjithë i përbashkon tendenca thellësisht individualiste e suksesit. Kolektivja reduktohet vetëm në bashkëpunimin dhe komunikimin (e qytetëruar) me të tjerët. Me të tjerët bashkëpunohet, nuk bashkëveprohet – thotë legjenda e çelësit të suksesit.
Djemtë dhe vajzat e reja pjesëmarrëse më shumë ngjajnë si pacientë të një seance psikologjike mbi vetëbesimin sesa si studentë të pajisur me dije, lere më me mendim kritik. Fakulteti i Arkitekturës, po aq sa ai i Shkencave Sociale, nuk do të duhej asnjëherë të shërbenin si skena të tilla performimi të personazheve mediokër për mbushjen e CV-ve të tyre.
Kjo nuk ka të bëjë aspak me cenimin e lirisë së fjalës, por me dhunimin e botëkuptimit akademik. Kjo nuk shërben aspak për motivimin e të rinjve, por për trushpëlarjen e brezave të tërë. Nuk ka të bëjë me të qenit i suksesshëm, por me të qenit idiot funksional. Nuk e nxit aspak mendimin pozitiv, por veçse e vret barbarisht mendimin kritik. Kjo në asnjë mënyrë nuk duhet të ndodhë në universitet. Madje, kjo maskaradë do të ishte e dëmshme edhe në tregun e perimeve.
Imazhi: Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, UPT / Facebook
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).