Parimet e parimeve të reformës universitare

/Hysamedin Feraj/ Përflitet se “rilindja” socialiste do ta lindë sërish arsimin e lartë shqiptar, por tani si anglosakson. Që tani mund të vëmë bast se universitetet shqiptare mund të bëhen anglosaksone aq sa mund të bëhet Edi Rama mbretëreshë e Shqipërisë. Siguri për fitimin e bastit është logjika e sistemeve. Më tej është logjika e “parimeve”. Dhe më tej, logjika e parimeve të “parimeve”. Për fatin e reformës dhe atyre që preken prej saj, domethënë gjithë kombit shqiptar, më të rëndësishmit në këtë vargan janë parimet e “parimeve”. Këta merren të mirëqenë sepse ka pajtim të gjerë se qëndrojnë pa diskutim, dhe prandaj mbeten“transhedentalë” (Alain Badou), domethënë jashtë e tej çdo diskutimi. Mirëpo pikërisht këta “transhedentalë” vënë në lëvizje vetë “parimet” e shpallur, siç vënë fijet në lëvizje kukullat e teatrit, i drejtojnë vetë diskutimet e pafund që bëhen gazetave e televizioneve, por pa u bërë vetë asnjëherë objekt i shqyrtimit kritik. Prandaj për fatin e reformës së arsimit të lartë, dhe të ardhmes së kombit shqiptar, është e rëndësishme që këto parime të nxirren nga fshehtësia prapa perdes ku rrinë të pashqetësuar, e të sillen këtej në skenë, në këtë botë, për t’iu nënshtruar shqyrtimit kritik. Lodhja që shkakton të menduarit (filozofia), është ndër këto parime të “parimeve” , i cili shfaqet në formën e maskuar se na mungon koha, ndërkohë që çështja e reformës është urgjente; dhe në formën e hapur të imitimit, teksa kërkohet shkurt: të gjenden modelet e gatshme të suksesit dhe të imitohen. Ky parim, me konsensus të gjerë popullor, shmang si “filozofime pa fryt” diskutimin e pohimeve të para, domethënë të parimeve, dhe shpesh me arsyetimin se ato i kanë menduar të tjerët para nesh, duke lënë për ne vetëm përdorimin e gatshëm të tyre. Në kontekstin e këtij parimi çka merret e mirëqenë është, për shembull, vetë ekzistenca e universiteteve në shoqëri (edhe në tonën). Prandaj pyetja “ç’kuptim ka qenia e universiteteve në shoqëri”, “pse të mos jemi shoqëri pa universitete”, do të dukej shumë hutuese dhe absurde. Mirëpo përgjigjet në këso pyetjesh primitive, domethënë të para e themelore do të na bënin të ndajmë mendjen të ndërtojmë ose jo universitet shqiptar. Qartësia për pse-në e universitetit, e bën të lehtë paskëtaj dizajnimin dhe ngritjen tekniko-ligjore të tij, ashtu si vëzhgimin (dhe vlerësimin) nëse është ose jo në përputhje me pse-në themelore të tij. Përdorimi i përgjigjeve të gatshme, pa i shteruar pyetjet nëpër mendim, është ndër këto parime të “parimeve” që rrjedh nga i pari dhe drejtojnë konkretësinë e diskutimeve për reformën. Përgjigjet për “pse-në” e universiteteve në shoqëri rrëshqasin shpejt nëpër përgjigje të gatshme: “të transmetojë dije”, “të përgatisë brezin e ardhshëm”, dhe të tjera të këtij soji. Mirëpo pikërisht këso përgjigjesh të gatshme na çojnë tek pyetësimi i modeleve të zgjedhur për imitim, na çojnë të mendojmë për “krizën e universiteteve” në vetë shoqëritë perëndimore, dhe pikërisht në masën që edhe atje universitetet thjesht po “përçojnë dije”: dije të gatshme për përdorim dhe përgatitjen e brezit të ardhshëm për punësim… në tregun e punës! Ndërkaq, përshtatja e universiteteve ndaj tregut menjëherë bën dy gjëra: Nga njëra anë, e kthen universitetin në ndërmarrje ekonomike, prodhuese të një malli specifik: të studentëve si mall i ardhshëm tregu. Vendim ky që e bën vetiu të parëndësi diskutimin dihotomik “privat-publik”, sepse tregu gjithsesi është shtëpia e privates. Nga ana tjetër, e përmbysë idenë liberale të ekzistencës së vetë tregut sepse e bën tregun masë të njeriut e të përshtatjes së njeriut (studentit) ndaj tregut, ndërsa në filozofinë liberale tregu dhe ekonomia e tregut legjitimohen e mbahen në ekzistencë me të vetmin argument: çon në mirëqenien e njeriut. Prandaj gjithë aktivitetin dhe mendimin modern liberal e përshkon ky tension ndërmjet njeriut dhe instrumenteve të tij, domethënë tregut, industrisë, teknologjisë, shkencës, etj. Dhe është e lehtë e nuk do asnjë ndihmë ose përgatitje (universitare) njerëzore që “tregu i lirë” të gllabërojë e të mbysë gjithçka dhe çdo vlerë tjetër: madje edhe veten e vetë (nëpërmjet trusteve, monopolizimit, etj.). As nuk është habi që ndër njerëzit më të suksesshëm në ekonominë e tregut (dhe të universiteteve privatë) të kenë qenë individë pa ndonjë arsimim ose diplomim universitar, sepse i tillë, siç na mësojnë Hobbes-i e këtej, njeriu është i lindur nga natyra e vetë biologjike-shtazore. Ndërsa universiteti i duhet shoqërisë më shumë pikërisht për përgatitjen e njeriut të aftë të mbrojë e zhvillojë njerëzoren e vetë, përfshirë edhe mbrojtjen e tregut të lirë nga prirja e natyrshme vetëvrasëse e tregut. Importimi dhe imitimi i një krize për të zgjidhur krizën tonë është tjetri parim i “parimeve”, i cili teksa rrjedh nga dy të parët, luan fijet e “diskutimit publik” për reformën e arsimit të lartë në Shqipëri. Me fjalë të tjera “kriza e arsimit të lartë shqiptar” quhet e zgjidhur me importimin në Shqipëri të “krizës së universiteteve perëndimorë”, ndonëse është e njëjta krizë të cilën tashmë e kemi, dhe të cilën “reforma” e tillë vetëm e përforcon. Mirëpo kjo zbulon, nga njëra anë, vetëkonceptimin tonë “transhedental” se kemi një pasuri kohe të madhe sa për t’ia lënë të ardhmes reformimin e menduar të arsimimit të lartë, për të cilin kur të vijë koha prapë do të themi se nuk kemi kohë; dhe nga ana tjetër, se jemi pikërisht “produkt i universiteteve perëndimore” të sotme: tashmë prej tyre na janë përçuar dije (të gatshme), të cilat ne i zbatojmë në vendin tonë (treg pune) si të tilla, pa asnjë reflektim themelues. Nuk është çudi pse simptomatik për këtë “krizë të universiteteve perëndimore” janë më të njohurit e tyre si Harvardit, Oksfordi, Kembrixhi, etj., deri në atë shkallë sa as nuk e kanë vetëdijen për të. Efiçentë në kulm për “përçimin e dijeve” dhe zbatimin e tyre mekanik për treg, nuk dihet që në këta shekuj të kenë themeluar ndonjë mendim shoqëror (veç pragmatizmit), ndërkohë që përçojnë dhe komentojnë teknikisht përkryer mendimin e krijuar jashtë tyre, qoftë ai ekzistencialist, strukturalist, poststrukturalist, postmodern, antihumanist, psikanalitik, skizanalitik, pozitivist, etj. [Një shenjë që mund të merret për të dalluar universitetin nga shkollat e larta që prodhojë profesione për treg]. As renditja e listës së personaliteteve politike të dalë prej tyre, ose nobelistëve në fusha të ndryshme nuk e ndryshon gjendjen, sepse të parët nuk kanë lidhje me krijimin e mendimit por me zbatimin e tij duke e marrë të gatshëm, ndërsa të dytët, kur nuk janë “blerë” të formuar tashmë në universitete të tjera, e vënë në vështrësi vetë dhënësin e çmimit Nobel kur vetëdijesohen se teoria për të cilën e kanë marrë atë ka qenë e gabuar (si Milton Friedman-i nën pleqërinë e tij, etj.). Inferioriteti ndaj perëndimit, përkthyer si ksenomani, është parimi tjetër i “parimeve” që rrjedhë nga tre të parët. Në kontekstin e këtyre parimeve duket politikisht armiqësore dhe faktikisht absurde të flitet për “krizë të universiteteve perëndimore”, e sidomos të tillë si i Harvardit apo Oksfordit. Mbyllur brenda krahasimit me universitetet tona, “universitetet perëndimore” duken një mrekulli e “paarritshme” dhe fat sikur të kishim “krizën” e tyre, ndërsa megalomani të “vajtosh kalorësin se i varen këmbët”. Mirëpo jashtë kësaj mbylljeje, duke u hapur ndaj universales njerëzore, nuk ka asnjë arsye të ndjehem inferior ndaj asnjë universitari perëndimor, qoftë ai edhe më i shquari i Harvardit, Kembrixhit apo Oksfordit, sepse, (veç parave) gjithë ç’ka në dispozicion ai e kemi edhe ne, domethënë faktet dhe universalët logjikë, si të dhëna natyrore njeriut si njeri. E për arritjen e tyre mjafton me qenë i tillë dhe i përgjegjshëm për këtë. Prandaj arsimi i lartë shqiptar do të ndërtohej shëndetshëm pikërisht nëse pikënisje bëhen këto të dhëna. Plagjiarizmi ligjor, i cili rrjedh natyrshëm nga irritimi ndaj mendimit kritik, importimi dhe imitimi, inferioriteti dhe ksenomania, është parimi tjetër që drejton “parimet” e reformës së përfolur. Derisa plagjiarizmi mbahet si ves i dënueshëm në gjithë fushat e tjera, mbahet si virtyt për ligjbërësit. Mirëpo këtu hyn logjika e sistemit, e cila garanton dështimin e reformës së ngritur mbi parime të tilla “të parimeve” të saj, përfshirë plagjiarizmin ligjor. Në termat e sistemit sistemi ligjor është një nënsistem i shoqërisë. Nëse një ligj nuk është koherent brenda një sistemi ligjor (p.sh të financave) dhe me nënsistemet e tjera shoqërore, përfshirë sistemin e vlerave, sistemin kulturor, sistemin e administratës ose burokracinë etj., ai ligj dështon sado i mirë në vetvete, sepse sistemi, me përkufizim, është tërësi pjesësh të lidhura funksionalisht, ku secila ndihmon e bën të mundshëm funksionimin e tjetrës. Përndryshe sado të efiçentë në vetvete, një motor i aeroplanit reaktiv po t’i vihet biçikletës, asnjëri as nuk e kryen funksionin e vetë as nuk e ndihmon tjetrin ta kryej atë. Prandaj njëlloj, kopjimi apo imitimi i modelit anglo-sakson “pa mbretëreshën” e Anglisë, garanton se ligji i tillë do të jetë funksional aq sa është e mundshme që Edi Ramës të bëhet mbretëreshë e Shqipërisë. Ndërkaq, është e vërtetë se shqyrtimi e hulumtimi i parimeve, i pohimeve themelues të universitetit, ashtu si i fushave të tjera, më shumë sesa detyrë e politikanëve është para së gjithash detyrë (e pakryer) e intelektualëve, të cilët, ndër të tjera e kanë luksin e gjithë kohës së nevojshme dhe të mjeteve që ta bëjnë këtë. Sigurisht që tashmë është vonë të bëhet diçka e menduar për këtë reformë, por reforma pasardhëse do të jetë shumë e shpejtë. Së paku deri atëherë le të jenë çtranshedentuar parimet që na vënë në lëvizje e t’i jenë nënshtruar shqyrtimit kritik.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.