Vdekja e Salvador Allende-s

/Gabriel Garcia Márquez/

Nga fundi i vitit 1969 tre gjeneralë të Pentagonit dhe pesë oficerë kilianë darkuan në një lagje rezidenciale të Uashingtonit. Bujtës ishte kolonel lejtnanti Gerardo Lopez Angulo, asistent atashe i forcave ajrore të Misionit Ushtarak Kilian në SHBA, kurse miqtë kilianë ishin kolegë të tij nga të tjera degë të ushtrisë. Darka shtrohej për nder të drejtorit të ri të Akademisë së Forcave Ajrore të Kilit, gjeneralit Carlos Toro Mazote, i cili kishte mbërritur një ditë më parë për një vizitë studimore. Tetë oficerët hëngrën sallatë frutash, mish qengji të pjekur e bizele dhe pinë prej verërave të mira të atdheut të tyre të largët në jug, aty ku zogjtë ndrisnin plazheve, ndërkohë që Uashingtoni ishte i mbushur me dëborë. Aty biseduan më së shumti në anglisht rreth të vetmes çështje që u interesonte kilianëve asokohe: zgjedhjet e afërta presidenciale të shtatorit të vitit tjetër. Ndërsa hanin ëmbëlsira, njëri prej gjeneralëve të Pengatonit pyeti se ç’kishte ndër mend të bënte ushtria kiliane nëse fitonte kandidati i të majtës Salvador Allende. Gjeneral Toro Mazote-ja iu gjegj: “Do ta pushtojmë pallatin Moneda[1] për gjysmë ore, edhe në na u dashtë ta bëjmë shkrumb e hi.”

Njëri prej miqve ishte gjeneral Ernesto Baeza, sot drejtor i sigurisë kombëtare në Kili, personi që udhëhoqi sulmin ndaj pallatit presidencial gjatë grushtit të shtetit të shtatorit të shkuar dhe dha urdhrin që të digjej. Dy prej vartësve të tij të atyre ditëve të hershme do të bëheshin të famshëm në të njëjtin operacion: gjeneral Augusto Pinochet-i, kryetari i juntës ushtarake, dhe gjeneral Javier Palacios-i. Në tryezë ishin të pranishëm gjithashtu edhe gjeneral brigade i Forcave Ajrore Sergio Figueroa Gutiérrez-i, sot ministër i punëve publike dhe shok i ngushtë i një tjetër anëtari të juntës ushtarake, gjeneralit të Forcave Ajrore Gustavo Leigh, i cili dha urdhrin e bombardimit me raketa të pallatit presidencial. I fundit ishte admiral Arturo Troncoso-ja, që sot është guvernator marine i Valparaisos dhe që udhëhoqi spastrimin e përgjakshëm të oficerëve përparimtarë të marinës, si dhe kontribuoi në organizimin e grushtit të shtetit të 11 shtatorit.

Darka në fjalë u kthye në një takim historik midis Pentagonit dhe oficerëve të lartë të ushtrisë së Kilit. Në takimet e mëpasshme, në Uashington dhe Santiago, u hartua një plan emergjence, sipas të cilit oficerët kilianë që ishin të lidhur kokë e këmbë pas interesave amerikane do të merrnin pushtetin në rast se zgjedhjet i fitonte partia Uniteti Popullor i Salvador Allende-s.

Plani u hartua gjakftohtësisht, thjesht si operacion ushtarak dhe jo për shkak të trysnisë së ushtruar nga korporata International Telephone and Telegraph[2]. Ai lindi nga arsye më të thella politike. Nga ana amerikano-veriore, organizimi u vu në lëvizje nga Agjencia Informative e Mbrojtjes, mirëpo për ta vënë në zbatim ishte ngarkuar Agjencia Informative Detare, nën drejtimin politik të CIA-s dhe të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Në krye të projektit duhej vënë marina dhe jo ushtria pasi grushti i shtetit në Kili duhej të përkonte me operacionin Unitas, që konsistonte në manovrat e përbashkëta të njësive detare amerikane dhe kiliane në oqeanin Paqësor. Këto manovra mbaheshin në fund të çdo shtatori, duke përkuar me muajin e zgjedhjeve, çka e bënte krejt normale shfaqjen në tokën dhe qiellin e Kilit të lloj-lloj mjeti lufte apo të trupave të stërvitura në artin dhe shkencën e vdekjes.

Gjatë asaj periudhe Henry Kissinger-i pati thënë në një bisedë private me një grup kilianësh: “As di dhe as që dua t’ia di për ç’ndodh në pjesën jugore të botës nga Pirenejtë e poshtë.” Në atë kohë plani i emergjencës ishte përpiluar deri në detaje dhe është e pamundur të mendohet se Kissinger-i apo presidenti Nixon nuk ishin në dijeni të tij.

Kili është një vend i ngushtë, i gjatë rreth 2660 milje dhe mesatarisht 119 milje i gjerë, me dhjetë milionë banorë plot energji, tre milionë prej të cilëve banojnë në kryeqytetin Santiago. Madhështia e vendit nuk vjen nga virtytet që ka, por nga sa e sa veçantitë e tij. E vetmja gjë serioze që prodhon është xeherori i bakrit, më i miri në botë. Në vëllim ia kalon vetëm SHBA dhe Bashkimi Sovjetik. Kili prodhon gjithashtu edhe verë po aq të mirë sa varietetet evropiane, por nuk para eksporton shumë. Të ardhurat për frymë janë 650 dollarë, të cilat janë nga më të lartat në Amerikën Latine, pavarësisht se tradicionalisht thuajse gjysma e PPB i atribuohet më pak se 300,000 vetëve. Më 1932 Kili u bë republika e parë socialiste në kontinentin amerikan dhe, me mbështetjen entuziaste të punëtorëve, qeveria u përpoq të shtetëzonte bakrin dhe qymyrin. Eksperimenti zgjati vetëm trembëdhjetë ditë. Në Kili bie mesatarisht nga një tërmet në dy ditë dhe nga një tërmet shkatërrimtar në çdo mandat presidencial. Edhe gjeologu më pak apokaliptik mendon se Kili nuk është pjesë e kontinentit, por kreshtë e Andeve në det të mjegullt dhe beson se territori i tij kombëtar është i dënuar të zhduket në ndonjë kataklizëm të ardhshëm.

Kilianët i ngjajnë pak a shumë vendit të tyre. Janë nga popujt më të këndshëm në kontinent, u pëlqen të jenë të gjallëruar dhe dinë si të jetojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, madje edhe ca më mirë akoma: mirëpo kanë një prirje të rrezikshme kah skepticizmi dhe spekulimi intelektual. Një kilian më pat than dikur se të hënën “asnjë kilian nuk beson se nesër është e martë” dhe as ai vetë nuk e besonte diçka të tillë. Megjithatë, pavarësisht këtij mosbesimi të thellë, ose ndoshta falë tij, kilianët kanë arritur një shkallë civilizimi natyror, pjekuri politike dhe një nivel kulturor që i dallon nga pjesa tjetër e rajonit. Nga tri çmimet Nobel në letërsi, dy janë fituar nga shkrimtarë kilianë, njëri prej të cilëve, Pablo Neruda, ka qenë poeti më i madh i këtij shekulli.

Këtë duhet ta ketë ditur edhe Henry Kissinger-i kur tha se nuk dinte asgjë rreth pjesës jugore të botës. Sidoqoftë, agjencitë informative amerikane dinin goxha më shumë. Më 1965, pa lejen e Kilit, vendi u bë qendra e grumbullimit të forcave dhe vendndodhja rekrutuese e një operacioni spiunazhi politik dhe shoqëror fantastik: projekti Kamelot. Bëhej fjalë për një hulumtim sekret me pyetësorë të përpiktë që u drejtoheshin njerëzve të të gjitha niveleve shoqërore, të gjitha profesioneve dhe punëve, edhe në skajet më të largëta të disa vendeve të Amerikës Latine, me qëllim përcaktimin në mënyrë shkencore të shkallës së zhvillimit politik dhe prirjeve shoqërore të grupeve të ndryshme. Pyetësori për ushtarakët përmbante të njëjtën pyetje që oficerët kilianë do ta dëgjonin sërish gjatë darkës në Uashington: “Çfarë qëndrimi do të mbanit nëse komunistët marrin pushtetin?” Pyetje dinake!

Kili kishte qenë prej kohësh një zonë e preferuar kërkimi për shkencëtarët shoqërorë amerikano-veriorë. Mosha dhe fuqia e lëvizjes së tij popullore, këmbëngulja dhe inteligjenca e udhëheqësve të tij dhe kushtet ekonomike dhe shoqërore të jepnin një ide rreth fatit të vendit. Nuk kishte nevojë për zbulimet e projektit Kamelot për të kuptuar se Kili ishte kandidati numër një për t’u bërë republika e dytë socialiste e Amerikës Latine, pas Kubës. Kësisoj, qëllimi i SHBA nuk ishte thjesht të parandalonte ardhjen në pushtet të qeverisë së Salvador Allende-s për të mbrojtur investimet amerikane. Qëllimi më i gjerë ishte përsëritja e operacionit më të frytshëm që ka kryer ndonjëherë imperializmi në Amerikën Latine: rasti i Brazilit.

Grushti i shtetit shtyhet për më vonë

Siç parashikohej, më 4 shtator 1970 fizikani socialist dhe frimason Salvador Allende u zgjodh President i Republikës. Sidoqoftë, plani i emergjencës nuk hyri në fuqi. Shpjegimi më i përhapur është gjithashtu edhe më qesharaku: dikush nga Pentagoni bëri një gabim dhe kërkoi 200 viza një me demek kor të marinës, i cili në të vërtetë përbëhej nga specialistë të përmbysjes së qeverive; sidoqoftë, kishte midis tyre disa admiralë që nuk mund të këndonin një notë të vetme. Pretendohet se kjo gafë përcaktoi shtyrjen e aventurës. E vërteta është se projekti nuk ishte vlerësuar në thellësi: të tjera agjenci amerikane, sidomos CIA, dhe ambasadori amerikan në Kili mendonin se plani i emergjencës kishte karakter ushtarak më shumë se ç’duhet dhe nuk merrte në konsideratë kushtet politike dhe shoqërore në Kili.

Në të vërtetë, fitorja e Unitetit Popullor nuk solli panikun shoqëror që kishin pritur agjencitë informative amerikane. Përkundrazi, pavarësia e qeverisë së re në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe vendosmëria e saj në çështjet ekonomike krijuan menjëherë një atmosferë feste shoqërore. Gjatë vitit të parë u shtetëzuan dyzet e shtatë firma industriale, së bashku me pjesën më të madhe të sektorit bankar. Reforma agrare solli shpronësimin dhe kthimin në pronësi të përbashkët të një sipërfaqeje toke bujqësore prej gjashtë milionë akrave, e cila më parë ishte në pronësi të latifondistëve. Inflacioni u ul, u arrit punësimi i plotë dhe pagat u rritën me 30%.

Qeveria e mëparshme e drejtuar nga kristian-demokrati Eduardo Frei kishte hedhur hapat e parë drejt shtetëzimit të bakrit, ndonëse ai e quante kilizim. Çka arriti plani në fjalë ishte thjesht blerja e 51% të aksioneve të minierave në pronësi amerikane, kurse vetëm për minierën El Teniente u pagua një çmim më i lartë se vlera e të gjitha aseteve që kompania pretendonte se kishte. Me një akt të vetëm të mbështetur në Kongres nga të gjitha partitë politike, Uniteti Popullor i ktheu vendit të gjitha depozitat e kromit që kishin firmat vartëse të kompanive amerikane Anaconda dhe Kennecott. Pa paguar asgjë: qeveria kishte llogaritur se dy kompanitë në fjalë kishin fituar për pesëmbëdhjetë vjet 800 milionë dollarë.

Mikroborgjezia dhe klasa e mesme, dy forcat e mëdha shoqërore që mund ta mbështesnin grushtin e shtetit atë moment, po fillonin të gëzonin avantazhe të paparashikueshme. Jo më në kurriz të proletariatit, siç kishte ndodhur ngaherë, por në raport me oligarkinë financiare dhe kapitalin e huaj. Forcat e armatosura, si grup shoqëror, kanë të njëjtën origjinë dhe ambicie si klasa e mesme, kështu që nuk kishin asnjë motiv, as alibi madje, që të mbështesnin grupin e vogël të oficerëve me mendje te puçi. Të ndërgjegjshëm për atë realitet, asokohe kristian-demokratët jo vetëm që nuk e mbështetën komplotin e kazermave, por iu kundërvunë atij pasi i druheshin humbjes së mbështetjes në radhët e mbështetësve të tyre.

Qëllimi i tyre ishte i tjetërllojtë: të përdornin çdo mjet të mundshëm që t’ia vështirësonin punën qeverisë në mënyrë që të fitonin tre të katërtat e vendeve në Kongres në zgjedhjet e marsit të 1973. Me një shumicë të tillë do të mund ta shkarkonin Presidentin e Republikës brenda rregullave kushtetuese.

Kristian-demokratët janë një organizatë gjigande që shkon tejpërtej kufijve klasorë dhe që e ka bazën e vet popullore autentike te proletariati industrial modern, pronarët e vegjël dhe të mesëm të tokës bujqësore dhe mikroborgjezia e klasa e mesme e qyteteve. Ndonëse edhe Uniteti Popullor kishte karakter ndërklasor, ai ishte produkt i proletariatit më të poshtëm, punëtorëve bujqësorë dhe shtresës së mesme të ulët të qyteteve. Në aleancë me Partinë Kombëtare të ekstremit të djathtë, kristian-demokratët kontrollonin Kongresin dhe gjykatat; Uniteti Popullor kontrollonte ekzekutivin. Polarizimi ndërmjet këtyre dy partive shprehte polarizimin e shoqërisë. Për çudi, katoliku Eduardo Frei, që nuk besonte në marksizëm, përfitoi më shumë nga lufta e klasave, e nxiti atë dhe e çoi në fazën kritike, me qëllimin e destabilizimit të qeverisë dhe zhytjes së vendit në një abis demoralizimi dhe katastrofe ekonomike.

Pjesën tjetër e luajti bllokada e SHBA që erdhi si rezultat i shpronësimeve pa shpërblim. Kili prodhon një shumëllojshmëri mallrash, nga veturat te pasta e dhëmbëve, porse kjo bazë industriale ka identitet të rremë: në 160 firmat më të rëndësishme 60% i përkisnin kapitalit të huaj dhe 80% e materialeve bazë vinin nga jashtë. Nga ana tjetër, vendit i duheshin 300 milionë dollarë në vit për të importuar të mira konsumi dhe 150 milionë për të paguar interesat e borxhit të jashtëm. Kreditë e dhëna nga vendet socialiste nuk mund ta plotësonin mungesën thelbësore për pjesë këmbimi pasi pjesa më e madhe e industrisë, bujqësisë dhe sistemit të transportit të Kilit bazohet te pajisjet amerikane. Bashkimit Sovjetik i duhej të blinte grurë në Australi që t’i dërgonte Kilit pasi nuk kishte për vete dhe nëpërmjet Bankës Tregatare të Evropës Veriore në Paris i dha Kilit hua të mëdha në para të thata dhe dollarë. Mirëpo nevojat e Kilit ishin të jashtëzakonshme dhe shkonin shumë më thellë. Me pretekstin se po protestonin kundër racionimit, inflacionit galopant dhe kërkesave të të varfërve, zonjat e hareshme të borgjezisë dolën në rrugë duke u rënë tenxhereve e tiganëve. Nuk ndodhi rastësisht, përkundrazi: ishte shumë domethënës fakti se spektakli në rrugë i grave flokargjenda dhe me kapele me lule ndodhi në të njëjtën pasdite që Fidel Castro-ja po përmbyllte vizitën tridhjetë ditore, çka kishte shkaktuar një tërmet mobilizimi shoqëror të mbështetësve të qeverisë.

Asokohe presidenti Allede kuptoi, çka edhe e shprehu, se populli kishte në dorë qeverinë, por jo pushtetin. Fraza ishte edhe më e hidhur nga ç’dukej dhe po ashtu më alarmuese, pasi brenda vetes Allende-ja kishte një embrion legalist që përmbante farën e shkatërrimit të tij: një njeri që luftoi deri në vdekje për mbrojtjen e ligjshmërisë do të kishte dalë nga pallati Moneda me kokën lart sikur Kongresi ta shkarkonte brenda rregullave kushtetuese.

Gazetares dhe politikanes italiane Rossana Rossanda, e cila e vizitoi gjatë asaj periudhe, Allende-ja iu duk i plakur, i tensionuar dhe plot me parandjenja të zymta, ndërsa ai i fliste nga kolltuku basmë i verdhë ku, shtatë muaj më vonë, do të shtrihej trupi i tij i bërë shoshë nga plumbat dhe me fytyrë të bërë copë nga një kondak pushke. Atëbotë, në vigjilje të zgjedhjeve të marsit 1973, në të cilat varej fati i tij, ai do të ishte i kënaqur edhe me 36% të votave për Unitetin Popullor. Prapëseprapë, pavarësisht inflacionit në rritje të shpejtë, racionimit të ashpër dhe koncertit me tenxhere e tiganë të zonjave të hareshme të lagjeve të klasës së lartë, ai fitoi 44% të votave. Kaq spektakolare dhe vendimtare ishte fitorja, saqë kur mbeti vetëm në zyrë me shokun dhe të besuarin e tij, gazetarin Augusto Olivares, Allende-ja mbylli derën dhe nisi të kërcente vetëm cueca-n[3].

Për kristian-demokratët kjo ishte prova se procesi i drejtësisë shoqërore që kishte zënë fill me ardhjen në pushtet të Unitetit Popullor nuk mund të zmbrapsej me mjete ligjore, por atyre iu mungonte vizioni i marrjes parasysh të pasojave që do të sillnin veprimet që ndërmorën në atë kohë. Për SHBA zgjedhjet përbënin një paralajmërim mjaft më serioz, që shkonte përtej interesave të thjeshta të firmave të shpronësuara. Bëhej fjalë për një precedent të papranueshëm të përparimit dhe ndryshimit shoqëror paqësor për popujt e botës, sidomos për ata të Francës dhe Italisë, ku kushtet aktuale e bëjnë të mundur ndërmarrjen e një eksperimenti të ngjashëm me atë të Kilit. U bashkuan në bllok kompakt të gjitha forcat e reaksionit të brendshëm e të jashtëm.

Nga ana tjetër, partitë që përbënin Unitetin Popullor, të përçara edhe më thellë nga ç’pranohej, ishin të paafta për rënë në një mendje për domethënien e votimit të marsit. Qeveria u gjend përballë kërkesave të dyanshme: njëri skaj kërkonte që të shfrytëzohej radikalizimi i masave që doli në pah gjatë zgjedhjeve dhe të hidhej hapi vendimtar drejt ndryshimit shoqëror, kurse krahu më i moderuar, i cili i druhej fantazmës së luftës civile, ushtronte trysni për të arritur një marrëveshje regresive me kristian-demokratët. Tanimë ishte krejt e qartë se këto sondime nga ana e opozitës ishin thjesht hutim për të fituar kohë.

Goditjen përfundimtare e dha greva e pronarëve të kamionëve. Për shkak të terrenit të vështirë, ekonomia e Kilit është në dorë të transportit. Paralizimi i transportit me kamionë nënkupton paralizim të ekonomisë. Opozita e kishte të lehtë koordinimin e grevës, pasi esnafi i kamionistëve ishte një nga grupet më të prekura nga mungesa e pjesëve të këmbimit dhe, për më tepër, ndihej i kërcënuar nga programi i vogël pilot i qeverisë për të siguruar një shërbim shtetëror të përshtatshëm kamionësh në jugun e skajshëm të vendit. Ndalimi i punës zgjati deri në fund, pa u ndalur një moment, pasi financohej nga jashtë. “CIA e përmbyti vendin me dollarë për të mbështetur grevën e bosëve, ndërsa kapitali i huaj ia doli të krijonte një treg të zi.” – i shkruante Pablo Neruda një shoku në Evropë. Një ditë përpara grushtit të shtetit kishin mbaruar vaji, qumështi dhe buka.

Gjatë ditëve të fundit të qeverisjes së Unitetit Popullor, me ekonominë në turbullim e sipër, manovrat e qeverisë dhe opozitës u përqendruan te shpresa e ndërrimit të balancës së forcës brenda forcave të armatosura. Lëvizja e fundit ishte e përsosur në mënyrë haluçinante: dyzet e tetë orë përpara grushtit të shtetit opozita ia doli të shkarkonte të gjithë oficerët e lartë që mbështesnin Salvador Allende-n dhe të vendoste në vend të tyre, një më një, në një seri lëvizjesh të papërfytyrueshme, të gjithë oficerët që kishin qenë të pranishëm në darkën e Uashingtonit.

Sidoqoftë, në atë moment shahu politik u kishte dalë nga duart lojtarëve. Të marrë përpara nga një dialektikë e pakthyeshme, ata përfunduan si figura të një loje shumë më të madhe shahu, që ishte mjaft më komplekse dhe e rëndësishme politikisht se çdo skemë e thjeshtë e hartuar në bashkëpunim me imperializmin dhe forcat reaksionare kundër qeverisë së popullit. Po zhvillohej një përballje klasore e llahtarshme që po u rrëshqiste nga duart pikërisht atyre që e kishin provokuar atë, një përleshje mizore dhe e fortë interesash kundërthënëse, që si rezultat final do të kishte një kataklizëm shoqëror të paprecedent në historinë e kontinentit amerikan.

Baza e brutalitetit

Në ato kushte grushti i shtetit nuk mund të shkonte pa gjak. Allende-ja e dinte mirë. “Nuk luhet me zjarrin” – i pati thënë Rossana Rossanda-s. “Nëse ndokush mendon se grushti i shtetit në Kili do të shkojë si në vendet e tjera të Amerikës, duke sjellë vetëm ndryshim të personelit në pallatin Moneda, e ka tërësisht gabim. Nëse ushtria del nga rruga e ligjshmërisë, do të ketë gjakderdhje. Do të përsëritet rasti i Indonezisë.[4]” Etja për gjak e ushtrisë kiliane duket si e tipar i lindur, që vjen prej shkollës së tmerrshme të luftimeve trup më trup kundër indianëve aurakanianë, luftë e cila ka zgjatur 300 vjet. Një prej pararendësve të saj krenohej më 1620 se kishte vrarë me duart e tij më shumë se 2000 vetë gjatë një aksioni të vetëm. Joaquin Edwards Bello-ja tregon në kronikat e tij se gjatë një epidemie tifoje eksantematike ushtria nxori zvarrë nga shtëpia gjashtë njerëz të sëmurë dhe i vrau në një vaskë të helmatisur, që t’i jepte fund murtajës. Gjatë luftës civile shtatëmujore më 1891, rreth 10’000 vetë gjetën vdekjen në një seri përleshjesh të përgjakshme. Peruanët pohojnë se gjatë pushtimit të Limës në Luftën e Paqësorit ushtarët kilianë plaçkitën librarinë e Don Racardo Palmës dhe i morën librat jo për t’i lexuar, por për të fshirë prapanicën.

Lëvizjet popullore janë shtypur me të njëjtën egërsi. Pas tërmetit të Valparaisos më 1906, forcat detare zhdukën organizatën e dokerëve me 8000 punëtorë. Në fillim të shekullit, në Ikuike grevistët që po demonstronin kërkuan të iknin nga sulmi i trupave ushtarake që po i qëllonin me mitraloza: për dhjetë minuta u vranë 2000 vetë. Më 2 prill 1957 ushtria shpërbëri një trazirë civile në qendrën tregtare të Santiagos, mirëpo numri i viktimave nuk u mor vesh asnjëherë pasi qeveria i tërhoqi në fshehtësi trupat e të vrarëve. Gjatë një greve në minierën e El Salvadorit, kur qeveriste Eduardo Frei, një patrullë ushtarake hapi zjarr mbi demonstruesit dhe vrau gjashtë vetë, midis të cilëve disa fëmijë dhe një grua me barrë. Postëkomandanti ishte një gjeneral i panjohur pesëdhjetedy-vjeçar, babai i pesë fëmijëve, mësues gjeografie dhe autori i disa librave mbi çështjet ushtarake, i quajtur Augusto Pinochet.

Miti i ligjshmërisë dhe butësisë së asaj ushtrie brutale u shpik nga borgjezia kiliane për interesin e vet. Uniteti Popullor e mbajti gjallë me shpresën e ndryshimit në favor të tij të përbërjes klasore të kuadrove të saj të lartë. Po Salvador Allende-ja ndihej më i sigurt midis carabineros-ve, një forcë e armatosur me origjinë popullore dhe fshatare dhe që ishte nën komandën e drejtpërdrejtë të Presidentit të Republikës. Në fakt juntës iu desh të zbriste gjashtë shkallë në listën e gradave të kësaj force për të gjetur një oficer mbështetës të grushtit të shtetit. Oficerët e rinj zunë pozicione në shkollën ushtarake në Santiago dhe i rezistuan sulmit për katër ditë, derisa u shfarosën gjatë një bombardimi ajror.

Kjo ishte beteja më e njohur e luftës sekrete që shpërtheu brenda ushtrisë në vigjilje të grushtit të shtetit. Oficerët që refuzuan të mbështesnin grushtin e shtetit dhe ata që nuk zbatuan urdhrat për represion u vranë pa mëshirë nga grushtetasit. Regjimente të tëra u rebeluan në Santiago dhe në provinca, por rezistenca e tyre u shtyp pa mëshirë dhe drejtuesit u masakruan si mësim për trupat. Komandanti i trupave të blinduara në Vinja del Mar, koloneli Cantuarias, u pushkatua nga vartësit e tij. Do të kalojë shumë kohë përpara se të njihet numri i viktimave të kësaj kasaphane të brendshme, pasi kufomat u larguan nga vendndodhjet ushtarake me makina plehrash dhe janë varrosur në fshehtësi. Në tërësi, vetëm rreth pesëdhjetë oficerëve të rëndësishëm mund t’u besohej drejtimi i trupave që ishin spastruar paraprakisht.

Historia e intrigës mund të thuret nga disa burime, ca të besueshme dhe ca jo. Në grushtin e shtetit duket se kanë marrë pjesë shumë agjentë të huaj. Burime klandestine në Kili tregojnë se bombardimi i pallatit Moneda – përpikmëria teknike e të cilit i ka lënë pa gojë ekspertët – në të vërtetë është kryer nga një skuadër akrobatësh amerikanë të cilët kishin hyrë paraprakisht në Kili nën petkun e operacionit Unitas për të performuar gjatë një shfaqjeje cirku më 18 shtator, Ditën e Pavarësisë së Kilit. Ka fakte edhe për forca të shumta policie sekrete të vendeve fqinje të infiltruara nëpërmjet kufirit me Bolivinë dhe që kanë qëndruar në fshehtësi deri ditën e grushtit të shtetit, kur u lëshuan egërsisht kundër refugjatëve politikë nga vendet e tjera të Amerikës Latine.

Brazili, atdheu i “gorillave[5]”, u vu në krye të këtyre punëve. Dy vjet më parë kishin realizuar me sukses grushtshtetin reaksionar në Bolivi, çka donte të thoshte humbje të një ndihme të madhe për Kilin dhe lehtësim të infiltrimeve subversive të çfarëdollojshme. Një pjesë e huave që SHBA i jepte Brazilit u transferua fshehtas në Bolivi për të financuar subversionin  në Kili. Më 1972 një grup këshilltarësh ushtarakë amerikanë vizitoi La Pazin, ndonëse qëllimi i vizitës nuk është bërë asnjëherë i ditur. Ndoshta ka qenë thjesht koincidencë që pak kohë pas vizitës nisi lëvizja e trupave dhe mjeteve në kufirin me Kilin, duke u dhënë ushtarakëve kilianë një tjetër mundësi për të përforcuar pozicionin e tyre të brendshëm dhe për të realizuar transferimin e personalit dhe ngritjet në detyrë në zinxhirin e komandës që i shkonin për shtat grushtit të shtetit. Në fund, më 11 shtator, ndërsa operacioni Unitas ishte në zhvillim e sipër, po realizohej plani origjinal i hartuar në darkën e Uashingtonit – tri vjet me vonesë, por tamam ashtu siç ishte menduar: jo si grusht shteti konvencional që lind nga kazermat, por si një operacion shkatërrimtar lufte.

Kështu duhet të ndodhte pasi nuk bëhej fjalë thjesht për përmbysjen e një regjimi, por për mbjelljen e farave djallëzore të sjella nga Brazili – me të gjithë makinerinë e terrorit, torturës dhe vdekjes – derisa në Kili të mos mbeste asnjë gjurmë e strukturave politike dhe shoqërore që mundësuan ngritjen e Unitetit Popullor. Fatkeqësisht, faza më e ashpër vetëm sa ka filluar.

Në atë betejë finale, ku vendi ishte në mëshirë të forcave të pakontrollueshme dhe të paparashikueshme të subversionit, Salvador Allende-ja ende besonte te ligjshmëria. Kontradikta më dramatike e jetës së tij ishte të qenit në të njëjtën kohë armik i lindur i dhunës dhe revolucionar i pasionuar. Ai besonte se mund ta zgjidhte kontradiktën me hipotezën se Kili do ta lejonte një kalim paqësor drejt socializmit brenda ligjshmërisë borgjeze. Përvoja i mësoi shumë vonë se sistemi nuk mund të ndryshohet nga një qeveri pa pushtet.

Zhgënjimi i vonuar duhet të ketë qenë forca që e detyroi të rezistonte deri në vdekje, duke mbrojtur rrënojat në flakë të një shtëpie që nuk ishte e tija, pallat i errët që kishte ndërtuar një arkitekt italian për të qenë bankë, por që përfundoi të ishte streha e një presidenti pa pushtet. Ai rezistoi për gjashtë orë me automatikun që i kishte dhënë Fidel Castro-ja. Ishte e para armë që përdori Salvador Allende-ja. Rreth orës 4 të pasdites, gjeneral-major Javier Palacios-i ia doli të ngjitej në katin e dytë, së bashku me adjutantin e tij, kapiten Gallardo-n, dhe një grup oficerësh. Aty, në mes të kolltukëve të imituar të llojit të Luigjit XV, vazove kineze me dragonj dhe pikturave të Rugendas-it të një salloni të kuq, po i priste Salvador Allende-ja. Pa xhaketë, me helmetë minatori në kokë dhe pa kollare, i kishte rrobat me njolla gjaku. Në dorë mbante automatikun, të cilit po i mbaronin fishekët.

Allende-ja e njihte mirë gjeneralin Palacios. Pak ditë më parë i kishte treguar Augusto Olivares-it se bëhej fjalë për një njeri të rrezikshëm që kishte lidhje të ngushta me ambasadën amerikane. Me ta parë te shkallët, Allende-ja i bërtiti: “Tradhtar!” dhe e qëlloi në dorë.

Sipas tregimit të një dëshmitari që më kërkoi të mos i përmend emrin, presidenti vdiq gjatë këmbimit të zjarrit me atë bandë. Paskëtaj, të gjithë oficerët, sipas një rituali të shoqërive me kasta, qëlluan mbi trupin e tij. Në fund, një nënoficer ia copëtoi fytyrën duke e goditur me kondak pushke. Ekziston një fotografi: e ka bërë Juan Enrique Lira, fotograf i gazetës El Mercurio. Kur ia treguan trupin në arkivol zonjës Hortensia Allende, gruas së tij, fytyra e tij ishte aq e dërmuar saqë nuk ia lejuan ta zbulonte.[6]

Korrikun e kaluar kishte mbushur 64 vjeç dhe ishte një luan i vërtetë: këmbëngulës, i vendosur dhe i paparashikueshëm. “Vetëm Allende-ja e di se ç’mendon Allende-ja” – më pati thënë një ministër i kabinetit të tij. E donte jetën, i donte lulet, i donte qentë dhe ishte zotni i shkollës së vjetër, i mirëparfumosur dhe me takime të fshehta. Virtyti i tij më i madh ishte shkuarja deri në fund, porse fati i fali vetëm atë të rrallë dhe tragjike madhështi të vdekjes duke mbrojtur me armë në dorë anakronizmin idiot të së drejtës borgjeze; duke mbrojtur një Gjykatë Supreme që nuk e pranonte Allende-n, por do të legjitimonte vrasësit e tij; duke mbrojtur një Kongres mjeran që e kishte shpallur atë jolegjitim, por ishte përulur përpara vullnetit të uzurpatorëve; duke mbrojtur lirinë e partive të opozitës që ia kishin shitur shpirtin fashizmit; duke mbrojtur një sistem të dhjerë e të dalë boje në të gjitha aspektet e tij, të cilin kishte menduar ta shkatërronte, por pa përdorur armët. Drama u luajt në Kili, në sytë e kilianëve fatkeqë, por do të futet në histori si diçka që na ka ndodhur të gjithëve ne, fëmijëve të kësaj epoke, gjurmët e të cilës do të shënojnë jetët tona përgjithmonë.

Shënime të përkthyesit:

[1] Selia e presidentit në Santiago të Kilit.

[2] Korporatë gjigande amerikane që vepronte asokohe në Kili dhe që nga publikimi i mëvonshëm i dokumenteve sekrete është zbuluar se ka mbështetur financiarisht grushtin e shtetit.

[3] Kërcim karakteristik në Kili, Argjentinë dhe Bolivi.

[4] Bëhet fjalë për Indonezinë e viteve 1965-1966 kur, pas një grusht shteti të dështuar ndaj presidentit Sukarno, pushtetin e morën dalëngadalë forcat ushtarake ultradjathtiste të gjeneralit Suharto, të cilat, në bashkëpunim me grupe të ndryshme paramilitare, mendohet se kanë ekzekutuar nga 500’000 mijë deri në 1 ose 2 milionë veprimtarë komunistë, majtistë dhe anëtarë të minoritetit kinez.

[5] Kjo ishte nofka e gjeneralëve që udhëhoqën diktaturën ushtarake në Brazil në vitet 1964-1985.

[6] Deri vonë, sidomos përpara rënies së diktaturës ushtarake në Kili, shumëkush ka besuar se Salvador Allende-ja është vrarë me armë në dorë. Ky version është popullarizuar më së shumti nga Fidel Castro-ja, i cili pretendonte se Allende-ja kishte rënë theror me automatikun që i kishte dhuruar ai. Mirëpo një autopsi e dytë, pas zhvarrimit, e realizuar në vitin 2011 ka vërtetuar se Allende-ja është vetëvrarë në pallatin Moneda për të mos rënë i gjallë në duart e gjeneralëve puçistë.

E përktheu nga anglishtja Arlind Qori

Marrë prej librit të edituar nga Hamza Alavi dhe Teodor Shanin-i Introduction to the Sociology of “Developing Societies”, Londër: Macmillan Press, 1983.

Imazhi: Time 100 photos

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.