Një sallë sa një shoqëri

/Arlind Qori/

Ndërhyrja e një grupi aktivistësh të Lëvizjes Për Universitetin në takimin e djeshëm të kryeministrit Rama me studentë tërhoqi aq shumë vëmendje dhe reagime, saqë i kaloi përmasat e një salle hoteli luksoz. Ajo preku nervat e një shoqërie e cila nuk përtoi të ndahet në disa figura përfaqësuese të kontradiktave dhe diferencave të së tërës. Cilat janë këto figura?

 

  1. I keqi me shokë shumë

Është e lehtë ta konsiderosh Ramën simbolin e të keqes aktuale të Shqipërisë. Me protagonizmin e sëmurë, arrogancën e pashoqe dhe mediokritetin intelektual ta bën të lehtë ta marrësh për personazh negativ filmash të vjetër. T’i shohësh pastaj se si poshtë kësaj cipe shtrihet lumi i koncesioneve korruptive, tjetërsimeve egërshane të pasurisë publike dhe privatizimit të ligjit dhe sensit të shtetit, mendja të mbushet top.

Mirëpo Rama nuk është vetëm. Askush nuk qeveris, as përfiton vetëm. Ai është thjesht figura përfaqësuese e një blloku shoqëror të pakët në numër, por të fortë në fuqi ekonomike, pushtet politik dhe ndikim ideologjik. Rama është përfaqësuesi i biznesmenëve të mëdhenj, sidomos i atyre që ia kanë gjetur hilenë kapitalizmit të fitimit pa rrezikuar dhe prodhuar asgjë: i spekulantëve që nisin nga sistemi bankar dhe përfundojnë në atë të ndërtimit, i përfituesve të koncesioneve shtetërore, uzurpuesve të pasurive natyrore, pronarëve mediatikë etj. Është gjithashtu përfaqësues i një nëntoke kriminale në fuqizim e sipër, një lloj borgjezie në bërje që hë për hë vetëm akumulon kapital, të cilin akoma nuk ka vendosur ta derdhë seriozisht jashtë sferës kriminale ku e ka origjinën. Siç është edhe kreu i një ushtrie të tërë burokratësh që nis me ministrat, deputetët dhe kryetarët e bashkive dhe përfundon me drejtorët e mëdhenj. Të gjithë këta janë të shtrirë në territor dhe në sektorë ekonomiko-shoqërorë, prej ku përfitojnë dhe shpërndajnë favore, forcojnë lidhjet me botën e biznesit dhe të krimit, si dhe shërbejnë si makineri korrëse votash kur afrojnë zgjedhjet.

Në jetën universitare ky bllok kryesohet nga pronarët e diplomoreve private, kush me më shumë zë e kush me më shumë plaçkë. Janë ata porositësit e ligjit të arsimit të lartë, që ende i varin shpresat te financimi shtetëror i diplomoreve të tyre, si dhe te rritja e tarifave si pjesë e komercializimit më të gjerë të universiteteve publike. Po ata nuk janë të vetmit. Me interesa ku më pak e ku më shumë të përputhshme vjen trupa e sklerozuar, por ende e pushtetshme brenda universiteteve publike, e atyre dhjetëra çifligarëve që ndërrojnë vendet e rektorëve e dekanëve me njëri-tjetrin, luftojnë bashkë dhe kundër njëri-tjetrit për tendera e punësime dhe, në përgjithësi, presin që në një të ardhme të afërt të shndërrohen në pronarë të mirëfilltë të atyre që oruelliançe janë quajtur universitete publike të pavarura. Janë ata që në ngjarjen e djeshme spikatën me heshtjen dhe futjen e kokës ndër shalë, ndërkohë që kryeministri thërriste “kapini, qefësht!” për studentët e tyre.

 

  1. Na ishte një herë pararoja

Dikur thuhej se nuk ka shpëtimtarë pasi vetëm populli mund ta shpëtojë vetveten. Pastaj historia ndryshoi duke thënë se populli ka nevojë për një pararojë që e zgjon nga gjumi. Historia ndryshoi sërish pasi pararojësit u kthyen në tiranë. Sot nuk prodhojmë dot histori sepse nuk dimë nga t’ia mbajmë.

Sidoqoftë, populli lëviz në dhe me kohë të ndryshme. Gjithmonë disa lëvizin më parë. Në të shumtën e rasteve shkaqet se kush lëviz i pari janë aq rastësore, madje kapricioze, saqë zor se mund të shërbejnë për vetëmburrje. Ama disa lëvizin dhe me lëvizjen e tyre u tregojnë të ngjashmëve të shumtë se guximi nuk është virtyt filmash, sidomos kur nuk je vetëm; se mendimi pasurohet politikisht kur çështjet rrihen së bashku; se mes një mijë e një gabim-korrigjimeve strategjitë bëhen më të efektshme etj.

Nëse sot këta njerëz gjenden në universitete, kjo është një arsye më shumë për t’i mbrojtur ato pasi, pavarësisht kalbëzimit të vazhdueshëm, ende ruajnë hapësira prej ku shpërthen jeta. Ashtu siç rrahja me shfrytëzimin e hershëm në punë dhe mungesa e perspektivës profesionale i bëjnë studentët të heqin shpejt nga mendja iluzionet e të qenit elitë që e sheh masën e gjerë shoqërore nga maja e thanës.

Ata nuk gjenden vetëm brenda Lëvizjes Për Universitetin, ndonëse nuk janë si askund tjetër më të organizuar dhe formuar si në Lëvizje.

 

  1. Pritësit e Mesisë

Dëshpërimi social është si një dhomë e errët ku njeriu veç sa dëgjon dihatjen e tij. Mjafton një shkrepëse për të ndriçuar gjithçka dhe mbushur me shpresë të rrufeshme. Shpresë e cila aq shpejt sa ndizet, edhe shuhet.

Entuziazmi masiv në rrjetet sociale për aksionin e aktivistëve tregon se sa pak mjafton që shumëkush të gjejë një shtrat të përbashkët të derdhjes së mllefit dhe shpresës. Aty shahet qeveria, kryeministri, sistemi politik dhe ai ekonomiko-shoqëror në tërësi. Dikush i kundërvihet qeverisë “komuniste”, një tjetër ka shpresë tek e majta e re, një i tretë sjell shembuj vendesh më të përparuara, një i katërt, i pestë, i njëqindepestë kërkon që përpjekja të vazhdojë, të forcohet, të na shpëtojë, t’u tregojë vendin maskarenjve e sa e sa dëshira të mira e pak gjë më shumë.

Asgjë më shumë sepse ky mllef dhe shpresë e gjithanshme kërkon artikulim koherent, bashkërendim nevojash shoqërore dhe, mbi të gjitha, organizim. E derisa aktivistët nuk do të bëhen me qindra dhe të shpërndahen në pikat nevralgjike të jetës shoqërore, edhe kujtimi i flakës do të bjerret.

Gjithsesi midis këtyre mijërave që trazohen, ëndërrojnë dhe mendojnë për një moment se erdhi koha e të kërcyerit jashtë kufijve të ngushtë të vetes, do të dalin aktivistët e rinj.

 

  1. Ata që s’dinë se ç’presin

Ishin me dhjetëra studentët dhe pedagogët që kishin mbushur sallën kryeministrore të cilët thjesht heshtën. Nuk u zgërdhinë me batutën e dalë boje të Ramës, por as guxuan të nxjerrin një fjalë nga goja. Pritën të mëdyshur midis turpit të të qenit bashkëpunëtorë pasivë dhe frikës se mos nga një fjalë apo gjest mosmiratues do të mërzisnin sulltanin. Mbase këta janë figura më e përhapur në shoqëri. Ata që nuk duan të përlyhen, por nuk guxojnë as të teshtijnë; që nuk u pëlqen mënyra si shkojnë punët, por nuk kanë asnjë alternativë; që thellë-thellë e duan ndryshimin, por në sipërfaqe duan që ai të zbresë nga qielli; që presin që gjithkush tjetër të lëvizë, kurse ata thjesht të hidhen të fundit në trenin e historisë një sekondë përpara se të arrijë në stacion.

Janë ata që vetëm kataklizmat historike i lëvizin nga vendi, duke i hedhur, sipas kontekstit, nga njëri skaj në tjetrin, nga përkrahja e lëvizjeve emancipuese te shndërrimi në shtyllën kurrizore të regjimeve më reaksionare. Janë njerëzit e mirë të lojës me porta të vogla, që nis nga dera e shtëpisë dhe shkon deri te komshiu ngjitur. Që sapo t’u lindë dëshira për diçka mendojnë menjëherë pasojat katastrofike të saj. Që duan, por as vetë nuk e dinë çfarë duan.

 

  1. Aradhet e krimbave

Pasi ia ngecën fjalën në fyt, me gurmaz të bërë shollë nga vendosmëria për të mos pirë ujë si shenjë dobësie, Rama iu drejtua masës laramane të dëgjuesve: “Do jetë ndonjë ngelëse.” – duke iu referuar aktivistes që u shpëtoi nga duart gorillave të tij. Në sallë u dëgjuan disa të qeshura. Qeshi edhe kryeministri, me shpresën se e hodhi lumin.

Po ç’janë këta njerëz, studentë mbi të gjitha, që zgërdhihen kur kryeministri fyen dhe shpif për një vajzë të re, studente si ata, që në ato pak sekonda që e lanë të fliste po shpjegonte se studentët shqiptarë e paguajnë shkollimin sa frëngu pulën, që durojnë në kurriz një barrë me padrejtësi që nisin nga qeveria dhe mbarojnë me pedagogun kopuk? Janë ajo pjesë studentësh shumë të mirë që e kanë përbrendësuar taktikën qeveritare gënje dhe përça dhe u duket vetja “ekselentë” apo “soj i zgjedhur” vetëm se kanë notë mesatare 0.1 shkallë më të lartë se shumë shokë e shoqe të tyre? Apo thjesht detashmente kryefreshistësh që universitetin e konsiderojnë vetëm si vend certifikimi, pas të cilit partia do t’u gjejë një punë të pamerituar?

Një prej miteve që ka ngritur dekadat e fundit Partia Socialiste, por që është theksuar me ardhjen e Ramës në krye të saj, ka qenë se krahasimisht me pjesën tjetër të shoqërisë, lere më me kundërshtarët politikë, ata dallohen në përgatitje profesionale. Bëhet fjalë për një lloj elite vetëreferuese dhe të vetushqyer, që tund dekorata e mburret me përrallat familjare. Madje aq krenarë janë për këtë punë, saqë kur krahasohen me kundërshtarët e tyre të drejtpërdrejtë nuk ngurojnë të thonë me gjysmë zëri: “Ne vjedhim, por e bëjmë me stil!” Çfarëdo elementi të vërtetë që mund të ketë pasur ky mit në origjinën e tij, sot është kryekëput i rremë. Batërdia klienteliste që mbush partinë me oportunistë dhe zyrat e shtetit me dallkaukë ka bërë të vetën.

Por, ç’është më e rënda, ka krijuar një shkallare perverse rekrutimi dhe tjetërsimi rinor që mbiprodhon servilë, të cilët për një vend drejtori janë gati për çdo gjë. Është kjo frymë oportunizmi, përçmimi për tjetrin, lufte për jetë a vdekje, përuljeje ndaj të fortit, imitimi deri në majmunëri e suksesit që sot, fatkeqësisht, nuk nis vetëm nga zyrat e forumeve rinore, por që në familje. Aty ku prindërit i mësojnë fëmijët si vetja, madje edhe më të paskrupullt se vetja. Ose, në mënyrë dramatike, aty ku babai i papunë, nëna e robtuar dhe gjyshërit me gjysmë pensioni e kanë humbur respektin prej kohësh – qëkurse mezi u dalin paratë edhe për energjinë elektrike. Dhe ku pinjolli i shkathët, që ndryshe nga shokët e vet nuk është bërë delinkuent, ka çarë në parti dhe sot, njëzetecavjeçar, është bërë figura udhëheqëse e gjithë fisit.

E pyetën krimbin se si, aq i vogël, ia kishte dalë të ngjitej aq lart. “Duke u zvarritur” – tha dhe vazhdoi rrugën.

Imazhi: Lëvizja Për Universitetin

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.