Bashkëqëndrimi i 21 Janarit
/Organizata Politike/
Sot, më 21 Janar, sipas njoftimit të shpërndarë më parë në forma traktesh dhe shumëfishimesh virtuale, veprimtarë të Organizatës Politike u mblodhën në parkun publik përpara Piramidës. Në duar mbanin një banderolë thirrëse për mbledhje qytetarësh: Kokëpalarë të t’gjitha rrethinave, bashkohuni! Simbolika e 21 Janarit, si vrasje jo vetëm qeveritare, por edhe sistemore, na bënte ta sillnim diskutimin rreth kushteve shoqërore që çuan në vrasjen e katër të varfërve më 21 Janar. Enkas përdorëm termin denigrues të lëshuar asokohe nga kryetari i sotëm i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, për të treguar se kokëpalarë jemi të gjithë ne që pësojmë padrejtësitë e shumanshme të të gjitha qeverive shqiptare të këtyre dekadave. Për ne, ngjarja e 21 Janarit është shpërfaqje e mjerimit dhe dhunimit të të përjashtuarve në emër të abstraksioneve të ligjit, rregulloreve të bulevardit etj, por në thelb për hir të mbrojtjes së interesave dhe sundimit oligarkik.
Me të hapur atë pankartë, përpara se kryeministri dhe shoqëruesit e tij të nisnin procesionin përkujtimor depolitizues e shkuptimësues të 21 Janarit, një grup policësh dy-tre herë më i madh e shumë herë më agresiv nga ne, na u afrua për të na shpërndarë forcërisht. Kërkesave tona të vazhdueshme për shpjegime se pse qenka e ndaluar që një grup qytetarësh të ftojë për diskutim bashkëqytetarë në një shesh publik rreth një banderolë, policët, mes tyre edhe ndonjë harbut me uniformë, iu përgjigjën me citate të pakuptimta: keni shkelur ligjin!, pa cituar në asnjë rast se cilin ligj e cilin nen paskëshim shkelur. Mes të shtyrave dhe tërheqjes zvarrë, të denja për polici barsoletash, por jo për polici që mëton të përfaqësojë një republikë demokratike, u shoqëruan për një komisariatin e policisë numër 1 katër prej aktivistëve tanë: Pavjo Gjini, Jani Marka, Arlind Qori dhe Redi Muçi. Pas disa orëve të procedimeve kafkiane, mes mjediseve e kushteve mjerane të punës së zyrtarëve të policisë e diskutimeve të jashtëbotshme mbi kushtet e punës, sigurinë e punës, të drejtat sindikale etj. të punonjësve të thjeshtë të policisë, aktivistët tanë u liruan. Sigurisht me “kërcënimin” se çështja e tyre do të vazhdonte në prokurori.
Organizata Politike dënon rëndë jo vetëm sjelljen e policëve të papërgjegjshëm e të tjerëve të pafuqishëm mes tyre, por mbi të gjitha dënon pakthyeshëm urdhëruesit e një poshtërsie të tillë ndaj kujtimit politik dhe interpretimit emancipues të 21 Janarit, si edhe ndaj të drejtës së qytetarëve për të shprehur lirisht pikëpamjet e tyre, për t’u mbledhur e për t’u ndërgjegjësuar.
Ne nuk kthehemi pas! Nuk jemi kthyer as në 21 Janar të 2011 kur ajrit fluturonte vdekja, e s’kemi ndër mend të kthehemi as sot kur mbretëron farsa.
Mendjet bashkë, zemrat bashkë! E ardhmja është e të gjithëve!
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.