/Vivek Chibber/
“Punëtorët janë në zemër të sistemit kapitalist. Kjo është arsyeja se përse ndodhen në qendër të politikës socialiste.”
Shumëkush e di se socialistët e vendosin klasën punëtore në qendër të vizionit të tyre politik. Po pse tamam? Kur ua shtroj këtë pyetje studentëve, madje edhe aktivistëve, marr një sërë përgjigjesh, por më e zakonshmja ka karakter moral: Socialistët mendojnë se punëtorët vuajnë më tepër në kapitalizëm, duke e bërë gjendjen e tyre të vështirë çështjen më të rëndësishme për t’u fokusuar.
Afërmendsh që kjo është e vërtetë. Punëtorët përballen me të gjitha llojet e nëpërkëmbjeve dhe privimit material, për pasojë çdo lëvizje për drejtësi shoqërore duhet ta trajtojë këtë si çështje themelore. Por nëse kjo është e gjitha, nëse kjo është e vetmja arsye se përse duhet të fokusohemi te klasa punëtore, atëherë ky argument bie poshtë lehtësisht.
Tekefundit, ka mjaft grupe të tjera që vuajnë prej nëpërkëmbjes dhe padrejtësive – pakicat racore, gratë, njerëzit me aftësi të kufizuara. Atëherë, përse të veçohen punëtorët? Përse të mos thuhet se çdo grup i margjinalizuar dhe i shtypur duhet të jetë në zemër të strategjisë socialiste?
Prapëseprapë, ka shumë më tepër arsye për t’u fokusuar te klasa punëtore sesa thjesht argumenti moral. Arsyeja se përse socialistët besojnë se organizimi klasor duhet të jetë një qendër të një strategjie politike të suksesshme ka të bëjë me dy faktorë të tjerë konkretë: përcaktimi i saktë i shkaqeve të padrejtësive në shoqëritë moderne dhe parashikimi se cilat janë mekanizmat më të fuqishëm për të ndryshuar në drejtim më progresist.
Kapitalizmi nuk sjell të mira
Duhen shumë gjëra që njerëzit të jetojnë një jetë të dinjitetshme. Por dy prej tyre janë tërësisht thelbësora. Së pari, duhet njëfarë garancie për sigurinë materiale – p.sh. si pasja e një të ardhure, strehë dhe kujdes shëndetësor bazik. Së dyti, është çlirimi prej sundimit shoqëror – nëse je në kontrollin e dikujt tjetër apo nëse ata marrin vendimet kryesore për ty, atëherë gjendesh përherë në një situatë ku mund të abuzohesh me lehtësi.
Thënë këto, në një shoqëri ku shumica e njerëzve nuk e kanë sigurinë e punës, ose kanë punë por nuk mund të shlyejnë detyrimet , ku duhet t’i nënshtrohen kontrollit të të tjerëve, ku nuk kanë zë në bërjen e ligjeve dhe rregullave – është e pamundur të arrihet drejtësia shoqërore.
Kapitalizmi është një sistem ekonomik që varet prej privimit të pjesës më të madhe te njerëzve nga këto parakushte për një jetë të dinjitetshme. Punëtorët paraqiten çdo ditë në punë duke e ditur se kanë pak siguri pune; paguhen aq sa punëdhënësit e ndjejnë se është në përputhje me qëllimin e tyre kryesor, që është nxjerrja e fitimeve dhe jo mirëqenia e punëmarrësve; ata punojnë me një ritëm e kohëzgjatje që caktohet prej pronarëve; dhe iu nënshtrohen këtyre kushteve jo sepse duan, por se për shumicën syresh, alternativa ndaj këtyre kushteve do të ishte papunësia. Kjo nuk është diçka e rastësishme apo aspekt anësor i kapitalizmit. Ky është tipari kryesor i sistemit.
Fuqia ekonomike dhe politike gjendet në duart e kapitalistëve, qëllimi i vetëm i të cilëve është të maksimizojnë fitimet, që do të thotë se merakun për kushtet e punëtorëve, në rastin më të mirë, e kanë dytësor. Çka do të thotë se ky sistem, mu në zemër të tij, është i padrejtë.
Zotërimi i mekanizmit
Si rrjedhojë logjike duket se hapi i parë për ta bërë shoqërinë më njerëzore e të drejtë është zvogëlimi i pasigurive dhe privimeve materiale në jetën e njerëzve, si dhe rritja e mundësive të tyre për vetëvendosje. Po menjëherë ndeshemi me një problem: rezistencën politike të elitave.
Në kapitalizëm pushteti nuk shpërndahet barazisht. Janë kapitalistët, jo punëtorët, ata që vendosin kë do të marrin apo heqin nga puna dhe sa do të punojë gjithsecili. Kapitalistët kanë gjithashtu një pushtet më të madh politik për shkak të lobimit, financimit të fushatave elektorale dhe mbështetjes së partive politike.
E qyshse ata janë të parët që përfitojnë prej sistemit, përse duhet të inkurajojnë ndryshime në sistem, ndryshime që në mënyrë të pashmangshme çojnë në zvogëlim të fuqisë dhe bilanceve të tyre?! Përgjigjja është se ata nuk i marrin me sy të mirë sfidat, dhe bëjnë ç’është e mundur që të ruajnë status quo-në.
Lëvizjet për reforma progesiste kanë dëshmuar më shumë se një herë se, kurdo që janë përpjekur të ushtrojnë trysni për ndryshime kah drejtësia, kanë hasur përballë fuqinë e kapitalit.
Është e zakonshme që çdo reformë që kërkon shpërndarjen e të ardhurave apo që vjen prej qeverisë si shërbim social – pavarësisht nëse bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor, rregullat mjedisore, pagat minimale ose programet e punësimit —të kundërshtohet nga të pasurit sepse masa të tilla automatikisht nënkuptojnë ulje të të ardhurave të tyre (si taksa) apo fitimeve.
Ajo që duhet të kihet parasysh është se përpjekjet për reformat progresiste duhet të gjejnë një mekanizëm, burimin e fuqisë që do t’u mundësojnë të kapërcejnë rezistencën e klasës kapitaliste dhe shërbyesve të tyre në politikë.
Klasa punëtore e ka këtë fuqi për një fakt të thjeshtë: Kapitalistët mund të nxjerrin fitime vetëm nëse punëtorët paraqiten çdo ditë në punë. Nëse ata refuzojnë të bashkëpunojnë, fitimet zhduken brenda ditës. Dhe nëse ka diçka që e kap vëmendjen e punëdhënësit është kur paraja ndalon së qarkulluari.
Veprime si grevat nuk kanë vetëm potencialin të gjunjëzojnë një kapitalist të veçantë. Ato mund të kenë një ndikim shumë më të gjerë, pak e nga pak e deri te institucione që direkt apo indirekt varen prej tyre – përfshi këtu edhe qeverinë.
Kjo aftësi për të rrëzuar mbarë sistemin, vetëm prej refuzimit të punës, u jep punëtorëve atë lloj mekanizmi fuqie që nuk e ka asnjë grup tjetër shoqëror, përveç vetë kapitalistëve.
Prandaj nëse ndryshimet sociale progresiste kërkojnë kapërcimin e kundërvënies kapitaliste – dhe gjatë tri shekujve të fundit kemi mësuar se duhet kapërcyer – atëherë është e një rëndësie të jashtëzakonshme organizimi i punëtorëve që ata ta përdorin fuqinë e tyre.
Punëtorët në këtë mënyrë nuk janë vetëm një grup shoqëror që është sistematikisht i shtypur dhe shfrytëzuar në shoqëritë moderne. Në të njëjtën kohë ata janë edhe grupi i pozicionuar më mirë për të sjellë ndryshime të vërteta dhe për të fituar lëshime nga qendra kryesore e pushtetit: bankierët dhe industrialistët që drejtojnë sistemin.
Punëtorët janë grupi që është në kontakt të përditshëm me kapitalistët dhe konfliktin e përditshëm me ta e kanë pjesë të vetë ekzistencës së tyre. Ata janë i vetmi grup që duhet të përplaset me kapitalin nëse duan të përmirësojnë jetët e tyre. Nuk ka arsye logjike më të fortë rreth organizimit të një lëvizjeje politike.
Sa më sipër nuk është vetëm teori. Nëse kthejmë kokën pas për të parë kushtet në të cilat kanë kaluar reformat gjatë njëqind viteve të fundit – reforma që kanë përmirësuar kushtet materiale të të varfërve apo që u njohën atyre më shumë të drejta karshi tregut – do të kuptojmë se ato u mbështetën pashmangshmërisht te mobilizimi i klasës punëtore. Kjo është e vërtetë jo vetëm për masat kundër diskriminimit racor të shtetit të mirëqenies sociale, por edhe për ngjarje të tilla si të drejtat civile dhe lufta për të drejtën e votës.
Çdo lëvizje që ka zgjeruar të drejtat e të varfërve, pavarësisht nëse ata ishin më ngjyrë apo të bardhë, burra apo gra, duhej ta gjente bazën e mbështetjes së saj në mobilizimin e klasës punëtore. Kjo ka qenë e vërtetë si në Evropë dhe në Hemisferën Jugore, po aq edhe në Shtetet e Bashkuara.
Fuqia për të marrë lëshime prej kapitalit e bën klasën punëtore tejet të rëndësishme për një strategji politike. Sigurisht fakti se punëtorët gjithashtu formojnë shumicën në çdo shoqëri dhe se ata shfrytëzohen sistematikisht e bën gjendjen e tyre të vështirë edhe më urgjente. Kjo ndërthurje e emergjencës morale dhe forcës strategjike është ajo që e vendos klasën punëtore në qendër të politikës socialiste.
E përktheu Jani Marka
Marrë nga revista Jacobin
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).