/Klodi Leka/
“Ëndrra e artë”, në spanjisht “Kafazi i artë”, është një dramë meksikane me regji të Diego Quemata Diez-it dhe me skenar të ripunuar prej një filmi të ngjashëm me po të njëjtin titull të vitit 1987. I vlerësuar lart nga kritika kinematografike dhe fitues çmimesh në festivalet ndërkombëtare të filmit si Festivali i Kanës, për regjinë dhe kastin më të mirë, “Ëndrra e artë” është një film i jashtëzakonshëm që nuk duhet humbur.
Filmi flet për katër të rinj guatemalas të cilët varfëria në vendin e tyre i shtyn të ndërmarrin një rrugëtim të gjatë e kokëçarës përmes Meksikës për të mbërritur në Amerikë. Rrugëtim që nuk do të jetë aq i lehtë. Si të gjithë refugjatët e këtyre vendeve, edhe këta të rinj ndjekin linjën hekurudhore që çan përmes viseve tropikale, ku temperaturat e larta dhe pasiguria e kaosit i shoqërojnë në çdo hap. Sarës, Samuelit dhe Juanit i bashkohet rrugës edhe një indian që nuk di spanjisht, i quajtur Çauk.
Me të mbërritur në Meksikë, në qytetin e Çapias, katër të rinjtë nisin të japin shfaqje në rrugë për të fituar disa qindarka me të cilat sigurojnë ujë dhe ushqim, por gëzimi i tyre ndërpritet nga bastisja e policisë kufitare, e policisë së një populli po ashtu refugjat, që përmes dhunës arrin t’i përvetësojë këpucët Juanit, të shantazhojë me pisqollën në kokë indianin e krisur dhe t’i kthejë të rinjtë përsëri në Guatemalë. Samueli, njëri nga djemtë, i kthyer në atdhe, refuzon përmes lotësh ta ndërmarrë edhe njëherë këtë rrugëtim dhe këtu ëndrra e tij e artë pritet në mes.
Rruga e dytë për në Meksikë merr rrjedha edhe më dramatike. Policia meksikane e ndërpret sërish rrugëtimin e të rinjve, por ata arrijnë të arratisen nga treni i ndaluar dhe të gjejnë punë përkohësisht në një plantacion bananesh. Përveç lodhjes, ata duhet të punojnë për vazhdimin e rrugës. Më tej, rrugëtimi i tyre ndërpritet nga gangsterët të cilët ndalojnë trenat e refugjatëve për të grabitur udhëtarët dhe rrëmbyer gratë. Këtij fati të keq nuk i shpëton as Sara e cila, paçka se e maskuar si djalë, zbulohet dhe rraset dhunshëm në fuoristradën e shefit të pistolerove. Mirëpo, ndryshe nga gratë e tjera, ajo reziston. Djemtë po ashtu nuk qëndrojnë duarkryq, por përleshen dëshpërueshëm me gangsterët e armatosur, të cilët therin Juanin dhe rrahin Çaukun.
Drama nuk mbaron këtu. Djemtë e vazhdojnë rrugëtimin, kësaj radhe pa Sarën, humbja e së cilës lë shenja të thella në shpirtin e tyre. Një djalosh guatemalas, që e takojnë në trenin e refugjatëve, i shtie në kurth duke i dorëzuar te një grup gangsterësh të cilët, nën shantazhin e armëve, u kërkojnë numrat telefonikë të njerëzve që i prisnin në Amerikë, për të dërguar kështu shumat e parave për lirimin e tyre. Juani, përkundër të tjerëve, lirohet për shkak se ai dhe kapoja i bandës janë nga e njëjta zonë, por Çauku mbetet aty. Çauku lirohet më vonë dhe ata mbërrijnë në kufi me Amerikën, kufi që e kalojnë me ndihmën e kontrabandistëve që i shfrytëzojnë si mushka për transportin e drogës. Sapo vënë këmbë në tokën amerikane, ata braktisen nga kontrabandistët dhe Çauku vritet me snajper nga një gjuetar refugjatësh.
Ajo që e bën interesant dhe të vërtetë filmin është fryma që e përshkon, realizmi i thellë dhe brutal. Ai nuk është vetëm romantik apo vetëm dramatik. Ka dhunë dhe solidaritet. Njerëzit e varfër nuk janë të shenjtë. Juani, për shembull, nuk e honeps praninë e Çaukut në grupin e tyre. Ai është xheloz për Sarën dhe tregohet mjaft i ashpër me të. Por pavarësisht shpullave, Çauku vijon t’i ndjekë pas. Në trenat ku hipin ka njerëz të droguar dhe të rrezikshëm. Ata që u vënë revolen në kokë vijnë prej të njëjtave lagje. Kudo në film përshkruhet peizazhi i qytezave në të cilat kalojnë: favela prej teneqesh, rrugët tërë baltë, plantacione me njerëz të eshtërt e të pjekur në diell, vapë, etje, pisllëk. Në çastin kur Juani dhe Çauku rrihen, refugjatët e grabitur si ata i lënë pa ndjenja në mes të askundit.
Aq sa ka dhunë, ka edhe solidaritet. Që të mbijetojnë, njerëzit janë të detyruar të funksionojnë si grup, qoftë edhe pa vetëdije. Solidariteti këtu është instiktiv. Proletariati në instinkt është solidar, ai vetëm sa duhet edukuar. Punëtorët e plantacioneve fluturojnë portokaj drejt refugjatëve që të shuajnë etjen kur treni kalon fare pranë tyre. Djemtë rrezikojnë kokën nën tytat e armëve për të shpëtuar Sarën. Është Çauku ai që e shpëton Juanin e plagosur rëndë duke e ngarkuar në shpinë dhe duke i ndenjur te koka, ndërsa Juani e shpëton Çaukun kur bashkëqytetari i tij grabitës refuzon ta lirojë, duke dëshmuar se është gati të vdesë për lirimin e tij.
Filmi është i arrirë në të gjitha përmasat si në narrativë, edhe në realizim teknik. Ndryshe nga varianti i vitit 1987, ku subjekti arrin një fund të lumtur, kësaj radhe historia është tragjike deri në fund. Ky film nuk ka mbyllje të kënaqshme, ku spektatori do të mund të shfryjë i lehtësuar ankthin e mbledhur në gjoks. Përkundrazi, ai i lë mbresa të thella jo vetëm te personazhi i Juanit, të cilit jeta i merr një tjetër kuptim kur ëndrra e tij e artë shkon deri te të qenit punëtor ilegal në një fabrikë mishi me traumën e rrugëtimit të ngulur në tru, por edhe për shikuesin e një vendi periferik si i yni, që arrin të identifikohet me historinë, personazhet dhe ëndrrat e tyre të arta.
Mbyllja e filmit është fantastike. Juani shikon me habinë e një hispaniku flokët e borës tek bien në hapësirën e ndriçuar nga një neon rruge. Pikërisht këtë ëndërr shikonte Çauku i hipur mbi tren në piskun e vapës, imazh që shpreh edhe paradoksin ekzistencial të refugjatit: ai vjen nga vende të ngrohta, por jeta e tij është e errët dhe e akullt. Po kështu, ky film shfaq edhe fytyrën e vërtetë të globalizmit si realitet i vendeve të pasura të botës perëndimore, ndërsa të pagëzuarat si “vende në zhvillim e sipër” vijojnë të mbeten geto të Botës së Tretë. Perëndimi, përtej luksit të shfrenuar dhe parullave humaniste, nuk është i hapur ndaj refugjatëve.
Mirëpo, kjo pabarazi midis këtyre vendeve dhe dëshira e refugjatëve të Botës së Tretë për të mbërritur Perëndimin nuk duhet lënë pa shpjeguar. Shkrimtari Migel Asturias ka disa libra të famshëm për këtë çështje si “Fundjavë në Guatemalë” apo “Zoti President” ku pasqyron ndërhyrjet koloniale dhe korporative të Perëndimit mbi këto vende, pasojat e së cilave vijojnë të trashëgohen edhe sot, me prapambetjen dhe shtetet e lodhura. Është pikërisht kjo trashëgimi që po ia çon miliona refugjatë perëndimit në shtëpi të cilët, sipas Alen Filkenkraut-së te “Disfata e mendimit”, nuk kanë përse të tregohen falënderues. Por rruga është e gjatë për këta trupa ilegalë që zbulojnë një botë krejt ndryshe nga retorika liberale dhe vetëm një në katër mundet të arrijë ëndrrat e tij të arta.
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).