/Arlind Qori/
Thotë Wilhelm Reich-u: “Çudi nuk është që ndonjëherë ca vjedhin e ca dalin në grevë. Çudi është që të uriturit nuk vjedhin përditë e të shfrytëzuarit nuk dalin gjithnjë në grevë.” Çudia politiko-shoqërore e punëtorit shqiptar nuk nënkupton absurditetin e pashpjegueshëm të situatës pësuese, por kokëposhtjen e strukturës që përcakton marrëdhëniet ekonomike e politike e që e redukton punëtorin në të mjerë ekonomikisht e të pafuqishëm politikisht. Pranimi i kësaj situate kërkon mirëkuptim e keqkuptim, sa kohë kushti i mirëkuptimit e dorëzimit përpara asaj çka ndodh është keqkuptimi i problematikës shoqërore e mbi të gjitha i mundësive të saj për t’u ndryshuar përmes organizimit politik. Ndërkohë që kuptimi, i cili dialektikisht nuk mbart vetëm spekulimin teorik, por edhe çarjen politike-praktike të situatës, rreket të ripërmbysë atë çka tashmë është e përmbysur e të sjellë në këmbë atë çka ecën kokëposhtë.
Ligjërimi partiak shqiptar e redukton çështjen e mjerimit në shifrat e papunësisë. A thua se pasja e një pune nënkupton mirëqenie e jo sikundër ndodh rëndom kalimin nga niveli i mjerimit të skajshëm në atë të thjesht mjerimit. (Kureshtarëve u rekomandohet takimi i punëtoreve të një fabrike peshku në Lezhë ku puna nënkupton rrënim fizik të papërmbajtshëm e pagesë 10’000 lekëshe në muaj). Kjo është pasojë e reduktimit të politikës në retorikën e gjetjes të së keqes më të vogël, asaj të pranimit cinik-konservator të nuancave të së njëjtës alternativë dhe jo e të shpërthyerit-krijuarit të mundësive të pafundme që si pikë referimi kanë të mirën.
Eppur non si muove! Megjithatë…punëtori nuk lëviz, nuk hidhet në grevë, i urituri nuk vjedh përditë bukë, i papuni nuk klith përjashtimin…të gjithë këta bashkë nuk organizohen politikisht. Kalendari politik shqiptar kalon prej 30 Prillit në 2 Maj. Midis tyre qëndron zero maji. Për ta kuptuar-ndryshuar situatën mbase vjen në ndihmë plaku Hegel. Ai e veçon njeriun prej qenieve të tjera pasi këto të fundit ekzistojnë vetëm fizikisht ose më saktë janë qenie në vete, ndërkohë që njeriu ka veçorinë e të qenit për vete, pra të pasurit ndërgjegje, të kuptuarit të vetes e të ushtruarit të vullnetit lirisht. Punëtori shqiptar është i reduktuar në dimensionin e tij sendor-kafshëror. Ai pëson përditë haraçin e sundimit e përjashtimit prej të mirave të prodhuara shoqërisht. Sigurisht që ka vetëdije, por kjo e fundit gjendet në nivelin minimal të reflektimit pasiv të situatës ekonomike. Ai e di që është i varfër, por nuk di si të mos jetë i tillë; e di që përjashtohet, por nuk di si t’i shpëtojë përjashtimit; e di që sundohet e poshtërohet, por mendon se jeta kështu e ka – ca do sundojnë e ca do sundohen. Ai nuk ka vetëdijen politike se asgjë nuk është e paravendosur, e shkruar apo bekuar ndokund. Ai nuk di se përmes veprimit politik nis emancipimi e kapërcimi i situatës. Ai nuk di se ka vullnet e bashkë me vullnete të tjera të ndrydhura mundet ta bëjë të pamundurën të mundur. Në fjalorin konceptual të filozofisë politike marksiste ekziston hendeku midis klasës punëtore dhe proletariatit. Duket sikur janë e njëjta gjë, por megjithëse si koncepte rrethshkruajnë të njëjtët trupa njerëzorë, politikisht nënkuptojnë dy role të ndryshme të së njëjtës. Nëse klasa punëtore përfshin të gjithë ata që rrojnë përmes punës e shfrytëzohen prej raporteve e kushteve në punë pa pasur vetëdije politike që përpiqet ta shndërrojë kryekëput situatën si të papranueshme, proletariati mishëron grupin shoqëror që përmes vetëdijësimit për fuqinë e vet dhe mekanizmave organizativë-politike të jetësimit të kësaj fuqie, ka besimin se fatin mund ta marrë në dorë. Kështu, nëse klasa punëtore është qenie në vete, pra është e shfrytëzuar, e përjashtuar e mjerë…, por të gjitha këto i pranon si fatalitet, proletariati niset prej situatës së mësipërme për ta kapërcyer duke u ndërtuar si qenie për veten. Në këtë kuptim, në Shqipëri ka klasë punëtore me bollëk, por ende nuk janë shfaqur proletarët e parë.
Sendëzimi i punëtorit shqiptar përbën triumfin e ideologjisë. Kjo e fundit nuk duhet keqkuptuar si vetëdija e rreme që krijohet në mënyrë konspirative prej fshehjes së problematikës së vërtetë. Sundimi i ideologjisë nuk mbështetet në zbukurimin e të shëmtuarës, por në ndërtimin e vetëdijes se e shëmtuara është e pashmangshme, se e bukura është utopike, se situata është e keqe, por megjithëse më keq ka gjithmonë, më mirë zor se mund të gjendet. Regjimi stalinisit shqiptar, megjithë propagandën dhjetëra vjeçare nuk arriti ta fitojë betejën ideologjike pikërisht sepse u përpoq ta maskonte situatën duke pretenduar begatinë shoqërore ndërkohë që shoqëria zhytej përditë në mjerim; pretendonte të mirën më të madhe, shoqërinë komuniste ku te gjithë do të ishin të mirëqenë, të lirë e të barabartë, por duke e ndërtuar atë vetëm në ligjërim e jo në praktikë çelte pa dashje portën e pakënaqësisë individuale fillimisht dhe rezistencës kolektive në fund; synonte sundimin ideologjik, por kishte keqkuptuar funksionin e saj. Ideologjia, përkatësisht ajo e të sotmes shqiptare, i flashk vullnetet kryengritëse jo duke fshehur të vërtetën faktike, por duke e pranuar atë si të pashmangshme. Ajo e redukton të vërtetën në dëftimin sipërfaqësor të asaj çka ndodh, duke tredhur fuqinë rrënjësore e politike të së vërtetës – atë të ndryshimit të asaj çka ndodh. Ajo e pranon se punëtori jeton në varfëri, se paguhet pak, se në mos e vret lartësia e skelës ia shkurton jetën ajri i qelbur i fabrikës apo minierës. Veçse ajo pohon gjithashtu se më keq ka (papunësi, lypje, uri), por më mirë nuk mund të ketë kurrë. Çdo tentativë për ta rishpikur të mirën, mirëqenien, barazinë në liri e lirinë në barazi, organizimin politik autonom që do të papunësonte elitat partiake, solidaritetin… do të sjellë medoemos totalitarizëm gjakatar e rrënim ekonomik. Paradoksi i ndërtimit të botëkuptimit shoqëror prej ideologjisë qëndron pikërisht në mbitheksimin e pafundësisë së më të keqes, megjithëse ajo praktikisht është vetëm një shkallë më poshtë nga e sotmja dhe konsiderimit utopik të çdo hapi përpara. Sikundër Fredric Jameson analizon funksionin ideologjik të filmave hollivudianë, në këta të fundit çdo gjë është e mundshme, prej kolonizimit të Tokës nga alienët te katastrofa ekologjike apo vetë fundi i botës. E vetmja e pamundshme është ndryshimi i sistemit ekonomik ku përfitimet e të paktëve përbëjnë kushtin e varfërimit të së shumtëve. Prandaj, ideologjia funksionon atëherë kur punëtori e brendëson duke ndërtuar kështu botëkuptimin vetëskllavërues.
Ndërtimi i një vetëdijeje pasive i shndërron marrëdhëniet e punëtorit me strukturën ekonomike nga antagoniste në pajtuese. Po ashtu, raportet e tij me punëdhënësin nuk i përgjigjen konfliktit klasor, por kokëuljes e puthadorjes paternaliste. (Ja si funksionon ideologjia: në vend t’i thuash pronar, sikundër përditshmëria pavetëdijshëm e shtyn punëtorin t’i thërrasë, vete dhe e quan punëdhënës sipas formalitetit barazimtar juridik. A thua se raporti mes tyre i përgjigjet marrjes e dhënies së kiles së patateve në pazar e jo hierarkisë pushtetore që punëtorin e shtyn të pranojë çdo ofertë për të mos mbetur pa ngrënë?!) Edhe mjerimi ekonomik e përjashtimi shoqëror duket se i përgjigjen në fajësi anonimatit të fatit të pashmangshëm, ndërkohë që merita e dhënies së mundësisë për të punuar i shkon pronarit babaxhan e zemërmirë që duket se prej dashurisë alla Rapush Xhaferri hap ca vende pune. Hajde ndale pastaj mirënjohjen nëse Rapushi vjen nga jashtë e ka statusin e perëndisë së re me emrin magjiplotë “Investitor i huaj”! Baciamo le mani!, sikundër do t’i thoshte një prej punëtoreve pronarit italian të një fabrike këpucësh në Kamëz po të kishte parë “Padrinon”. Ajo ishte punëtore në vete, por jo për veten. Ajo e dinte se ishte e varfër, e paarsimuar, qeshte me faktin se tashmë i bënte keq për organizmin ajri i pastër jashtë mureve të fabrikës; dinte po ashtu se ishte e keqpaguar, madje paga i dilte sa për të plotësuar trininë e shenjtë të mbijetesës: miell-gaz-biletë furgoni. Megjithatë…non si muove! Të paktën është pronari që na jep mundësinë të punojmë. Po sikur të mos kisha as atë rrogë mjerane?! Ç’do bëja?! Do lypja?! E keqja s’ka fund, megjithëse një shkallë e ndan të keqen e sotme nga më e keqja. E mira? Aha, ajo as mund të mendohet, megjithëse fitimi i pronarit të vetëm është disafishi i pagës së të gjithë punëtoreve. Pas bisedës me dy “qenie për veten” që s’janë “qenie në vete”, të cilët donin të kuptonin pse ajo e të tjerat nuk organizoheshin sindikalisht, ajo me gjysmë zëri në të larguar pyeti shoqen e saj: ça ësht kjo sindikata?
Prandaj kjo do të jetë hera e rradhës që në Shqipëri do të kapërcehet 1 Maji. Kësaj here nuk është as pushim se i bie e diel. Ai që ka pak kujtesë historike do të mendojë se si ka mundësi që kjo datë kamunistash që festohej me parakalime e piknikë nga Liqeni ende shënohet në kalendar me të kuqe. Pesë a gjashtë sindikalistë të majmur nga shitblerja e pronave do të zihen me ca dëshmitarë të sektit fetar “Enver Hoxha” për zënien e sheshit përpara Ushtarit të panjohur për të stisur një gjoja protestë. Intelektuali majtist do të gjejë ngushëllim te përjetimi emocional i lajmeve që vijnë nga e përtejshmja ku punëtorë e të papunë do të bëjnë tentativën rituale të imitimit të kryengritjes përmes demonstratave të zëshme e xhamathyese, duke menduar se ne ky farë populli jemi e kështu e vetmja mënyrë për t’u solidarizuar me lëvizjet punëtore është ajo e tifozllëkut televiziv apo like-ve në faqe revolucionare facebook-u. Kështu edhe revolucioni bëhet i pranueshëm sa kohë nuk ndodh këtu që të na prishë monotoninë, por atje larg; atje ku vdiset për liri e sakrifikohet për emancipim; atje në Kajro, Tunis, Londër, Paris, Romë, Wisconsin, Buenos Aires, Chiapas, Shangai. Ndërsa punëtori shqiptar, i kërrusur nga barra e mundimit në punë e mjerimit jashtë pune do të mendojë se e diela e 1 Majit është dita e përshtatshme për të shpresuar privatisht ndonjë mrekulli fetare ose laike: do çojë ndonjë kanotiere për fat a yshtje në kishë të Laçit e te Dervish Hatixheja apo do ëndërrojë pjesëmarrjen në spektaklet televizivë që mezi presin ta bëjnë milioner e fitimin e skedinës futbollistike. Se 1 Maji është zero Maji. Veçse…zeroja nuk është asgjëja, nuk është pamundësia e ekzistencës. Zeroja shënon mosshënimin në kalendarin politik të përlindjes punëtore. Zeroja është fantazma që pret të bëhet mish, shpirti që pret të bëhet kockë, “në vetja” që pret të bëhet “për vete”. Edhe këtë vit mbeti zero, por për çdo vit rinis përpjekja për të filluar numërimin.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.