Më mirë se Afrika, më keq se Afrika

/Arlind Qori/

Në filmin “Aromë gruaje” të Dino Risi-t (pra jo në atë të gjithëditurin e gjithëdashurin version amerikan), personazhi i luajtur nga Vittorio Gassman,  udhës hekurore për në Napoli e quan këtë të fundit qyteti më verior i …Afrikës, karakteristikë kjo e cinizmit euro-centrik, ku katandisja e vetes përdor si kut vetëvlerësimi  Tjetrin si trupëzim të së keqes absolute.  Në ligjërimin tonë politik herë Afrika e herë Lindja kanë përbërë Tjetrin që me karakteristikat rrënjësisht regresive mishëron fatin tonë më të keq, hapësirën politiko-shoqërore që autentikisht është e huaj e larg nesh (jemi evropianë apo jo!), por ama që prapësia jonë na e afron kohë pas kohe si për të dëshmuar purgatorizmin e të qenurit tonë si shoqëri: pra si të paracaktuar, pasi të kemi vuajtur ca në udhën e mundimshme e vetëfshikulluese të reformave të dhimbshme, për parajsën evropiane, por që njëkohësisht me marrëzitë tona fëminore me ndonjë hop cilësor i afrohemi humnerës Afrikë-Lindje.

A është Shqipëria shteti më verior i Afrikës? Shumëkush do ta quajë çmendarake këtë pyetje, pasi mirë na bën vetëkritika, po të shkojmë deri aty sa ta krahasojmë veten me imazhet e somalezëve të uritur, që mungesa e ushqimit ua ka marrë fuqitë edhe për të ngrënë miza e ua ka dhënë këtyre të fundit mundësinë t’i hanë ata, do të ishte e tepërt. Vetëm se…Afrika nuk është thjesht një nocion gjeografik apo një koncept apolitik i tejreduktuar. Afrika si çdo koncept është një enë bosh që mbushet në varësi të ligjërimit politik mbi të e somalezët e mësipërm nuk janë përmbajtja autentike e Afrikës, por një prej imazheve. Sot Afrika është Tunizia, Egjipti, Libia, Algjeria… qendra emancipuese politike universale që vjen prej bërjes subjekt të shumësisë deri dje të pazë, ku edhe në protestat punëtore në Wisconsin të SHBA-ve mund të lexoje parrulla si “Egypt help us!”

Prandaj pyetja e mësipërme mund të marrë në kuptimin minimalist të gëzimit të lirive private përgjigjen se jemi më mirë se Afrika. Pasi vërtet Afrika rezistuese e të sotmes po shpërthen derën e historisë, por po ashtu asgjë nuk është përcaktuar përfundimisht sa kohë vullneti politik i shumësisë kërcënohet çdo çast me rivendosjen e thuajse-diktaturave ushtarake si në Egjipt, shtypjes që në gjenezë të protestave në Algjeri apo kërcënimit për shfarosje masive në Libi. Nga kjo pikëpamje, organizimi politiko-shoqëror shqiptar nuk i kërcënon seriozisht disa të drejta minimale si psh atë të të mbeturit gjallë (të paktën deri atëherë kur s’të kërcënohet jeta prej ndonjë mikrobi jo edhe aq serioz që shtron në spital sistemin spitalor shqiptar); të jetuarit pa frikë nga represioni policor-ushtarak (megjithëse jo prej varfërisë), të zgjedhurit të herë pas hershëm në zgjedhje në mos të lira, pothuajse të tilla, të fitimit të së drejtës më shumë vonë se herët prej sistemit gjyqësor po të qëlloi halli me ndonjë qyqar si vetja (kuptohet që e drejta nuk vonon, por thjesht harron kur përballë ke dikë që pozita ekonomike i lejon ta blejë vendimin); të lirisë së shprehjes në kuptimin se zor se do të të rrasin brenda po kritikove, por që gjithsesi kjo e fundit në qoftë anti-hegjemonike e ka të vështirë të gjejë hapësirë të barabartë në oligopolin mediatik; të pasurit përvojën e pluralizmit partiak e jo politik sa kohë politikja nënkupton papajtueshmëri radikale e shumërrafshëshe të botëkuptimeve dhe papërcaktueshmërinë si liri të ndërtimit e rindërtimit të së ardhmes (reduktimi i ligjërimit partiak në anti-korrupsion e shënjestrime personale nuk përbën shkakun, por pasojën e varfërisë politike); të pjesëmarrjes jo si organizim politik shumëformësh që vetëburon në shoqëri, por si aktivizëm pjesor e të kastruar në OJF në rastin më të mirë vetëreferenciale e në më të keqin zhvatëse; të kontaktit me botën jo si komunikim i gjithanshëm e bashkëveprues, por si reduktim në mahnitje gojëhapur ndaj zyrtarit diplomatik të rradhës etj.

Po pse i gëzojmë këto pak të drejta? Në historinë e filozofisë politike prej Aristotelit deri te liberalët me gjysmë zemre konservatore si Montesquieu, shpërqëndrimi i pushtetit do të garantonte si rezultat të rivalitetit të paktën një hapësirë të së drejtave private, megjithëse në rrafshin politik elita plurale do të kishte rol hegjemon. Në rastin më të mirë, politizimi i shumësisë reduktohet në zgjim të njëherë të katërvjetshëm për të zgjedhur se cila pjesë e elitës duhet të përkujdeset për çështjet publike-universale, ose në pjesëmarrje të pjesshme e gjysmë-private të shoqërisë së reduktuar vetëm në grupe interesi apo presioni që për zemër kanë vetëm interesin e aty-për-atyshëm vetjak e jo fatet e shoqërisë në tërësi.

Përkundër këtij versioni garantues monteskjean të së drejtave private e përgjumjes së dimensionit politik vetëvendosës të shumësisë, Louis Althusser-i vëren se pluraliteti elitar nuk është gjë tjetër veçse tentativa e fundit për ta rindërtuar feudalisht demokracinë, dmth si demokraci elitare, koncept ky i fundit që prej ideologjizimit hegjemonizues i jep kuptim asaj çka përndryshe përbën oksimoron (dy fjalë me kuptim të kundërt që paradoksalisht ndërtojnë një togfjalësh si psh errësirë e ndritshme). Gjithsesi funksioni ideologjik i pluralitetit elitar është çpolitizimi i shumësisë duke ia garantuar të paktën teorikisht kësaj të fundit një varg të drejtash të rëndësishme private. Ndërkohë që despotizmi përmes shkatërrimit të valvulave të shkarkimit kushtetore, duke e përmbledhur krejt pushtetin në të njëjtën dorë e duke persekutuar krejt qytetarët krijon fatalisht për të hapësirën e zgjimit të këtyre të fundit, të cilët të zhveshur nga gjithçka e me shënjestër faji të trupëzuar te despoti nisin herët a vonë rrugën e mundimshme të rezistencës e krijimit si hop cilësor të hapësirës rrënjësisht demokratike. Privimi nga gjithçka krijon mundësinë për gjithçka sa kohë zbrazëtia përmbajtësore ideologjike e pushtetit të mbajtur kryesisht prej kërcënimit të forcës lejon mbushjen e hapësirës me përmbajtje që pasqyron vullnetin vetëvendosës të shumësisë.

Po kjo e fundit ishte Afrika… e në këtë kuptim jemi më keq se Afrika. Nëse situata politike do të matej prej etikës së mbijetesës të ngjashme me kafshët që si shtyllë ka pozicionin reaksionar të shmangies së të keqes më të madhe, atëherë jemi më mirë se Afrika, ndërkohë që sipas konceptimit politik të së mirës, sikundër thoshte Alain Badiou, si etikë e së vërtetës së situatës, ku nuk synohet e keqja më e vogël por e mira më e madhe, jemi më keq se Afrika. Gjithsesi po të shtrohet pyetja demoniake “Ç’të bëjmë?”, përgjigjja aventuriere “sa më keq, aq më mirë” zor se do të përbënte zgjidhje. Edhe ato pak liri që kemi s’duhen hedhur në zjarrin despotik me shpresën afatgjatë se kushedi ç’ndodh në të ardhmen, pasi çdo situatë ka të vërtetën e saj, çka nënkupton strategjinë imanente të ndryshimit emancipues. Ja p.sh., le të hipotetizojmë se një gjest simbolik si ai i Muhamet Buazizit, vetëdjegja e të cilit ndezi fitilin e revolucionit tunizian do të ndodhte në Shqipëri. Një i ri i shkolluar, që në mos shet zarzavate, punon si kamerier lokali periferie vendos të vetëdigjet në shenjë revolte. Në një regjim despotik ku gjithçka mbahet përmes kërcënimit të forcës, gjesti simbolik i mosbindjes apo edhe më shumë i mposhtjes së frikës nga vdekja përmes vetësakrifikimit do të shkërmoqte kalanë e rërës së pushtetit despotik, sa kohë “populli nuk e pranon mbretin se është mbret, por ai është mbret se apo sa kohë populli e pranon si të tillë”. Ndërkohë që në një pluralizëm elitar apolitik si yni, pseudo-debati brenda fraksioneve të elitës do ta shfuqizonte çdo kumt emancipues e çlirues të një akti të ngjashëm. Jo për gallatë, por po e lejoj pak imagjinatën të kullosë kur besoj se qeveria në mos halabak të paguar nga opozita, do ta konsideronte të vetësakrifikuarin si të marrë që i kishte shpëtuar çmendinës apo si hiper-romantik që s’duroi dot braktisjen nga e dashura; opozita do ta konsideronte si viktimën e një diktature që pas një vargu të gjatë arsyesh kryeshkakun do ta gjente te moshapja e kutive e kryezgjidhjen e problematikës shoqërore do ta reduktonte vetëm te pretendimi i luftës ndaj korrupsionit; presidenti do t’u bënte thirrje palëve të ulnin tonet e sherrit se nga klima e urrejtjes politike shqiptarët ka rrezik të vetëdigjen një e nga një; ambasadorët do të shkonin për vizitë ngushëlluese e pasi të jepnin shembuj didaktikë nga vendet përkatëse do të kërkonin zbatimin e standardeve ndërkombëtare të shitjes së lëndëve djegëse… Prandaj akti individual simbolik që mëkëmb për një çast shumësinë i lë vendin si strategji emancipuese përpjekjes afatgjatë të organizimit e veprimit politik autonom brenda shoqërisë, ku grupe të vogla qytetarësh komunikojnë, mësojnë e veprojnë politikisht të pavarur nga logjika elektoraliste e në formë rizomike shtrihen në shoqëri për të shembur pak e nga pak murin hegjemonik, çka do ta shndërronte demokracinë nga shfaqje elektorale në pjesëmarrje shumëplanëshe e shumëgrupëshe, ku zgjedhjet nuk përbëjnë kulmin e rëndësisë, por kulmin kohor si pikëmbërritje e vullnetit shoqëror të shprehur përmes veprimtarisë të përditshme politike. Në këtë mënyrë, individi që elektoralisht ka një votë që artimetikisht nuk vlen asgjë sa kohë probabiliteti i përcaktimit të fituesit nga një votë është sa ai i rikthimit të njeriut në majmun, shndërrohet në qytetar i cili përmes bashkëveprimit e komunikimit politik të përditshëm vullnetin e vet e shumon e universalizon, çka i shndërron përfaqësuesit partiakë jo në formatues të vullnetit politik shoqëror, por në pasqyrues të tij.

Botuar për herë të parë më 11 mars 2011 në blogun Saktivista.

Imazhi: Wikimedia Commons

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.