21 Janar ka çdo ditë!

/Organizata Politike/

21 Janari ka hyrë në histori si dita kur shteti vret njerëz. 21 Janari është dita kur shteti vret të varfrit që guxojnë të ngrenë krye dhe t’u kërkojnë me forcë llogari qeveritarëve.

21 Janari është dita kur shtetarët guxojnë të vrasin për të mbrojtur interesat e tyre dhe të privilegjuarve që përfaqësojnë.

Kush nuk e di se më 21 Janar vrau Berisha?! Kush nuk e di se përpara 21 Janarit vodhi faqe botës Meta?! Kush nuk e di se 21 Janarin dhe dëshmorët e asaj dite i tradhtoi disafish Rama?! Një herë duke i braktisur në batarenë e plumbave, të dytën duke i qarë për të groposur domethënien e sakrificës së tyre, të tretën duke mos ndryshuar asgjë nga kushtet varfëruese shoqërore që e prodhuan 21 Janarin.

Ajo që dihet më pak është se 21 Janari vazhdon, në forma më pak spektakolare, por po aq tragjike. Çdo ditë kur një i varfër nga dëshpërimi i papunësisë vret veten, ka 21 Janar. Kur debitorët e mbajtur burgjeve si kriminelë i hedhin lakun fytit, ka 21 Janar. Kur rilidhësit e energjisë, të pamundur për të paguar energjinë, vdesin telave me korrent, ka 21 Janar. Kur punëtorët vdesin në kushte pune çnjerëzore ka 21 Janar. Kur minatorët i zë pirgu i dherave, ka 21 Janar. Kur të rinjtë, të papunë e të pashpresë, hidhen në greminën vdekjeprurëse të kriminalitetit, ka 21 Janar. Në të gjithë këta 21 Janarë nuk ka vetëm viktima, por edhe përfitues nga vdekja: shtetarë të korruptuar, bashkëpunëtorë të tyre dhe biznesmenë makutë – zhvatës gjaku dhe djerse.

Organizata Politike është themeluar pas ngjarjes së 21 Janarit 2011. I jemi zotuar njëri-tjetrit t’u japim zë të pazëve e të amplifikojmë shprehjen e vuajtjeve dhe shfrytëzimit të tyre. Kemi marrë përsipër të mpakim kontradiktat brenda të varfërve dhe t’i nxisim ato midis tyre dhe të privilegjuarve – sot të varfrit luftojnë kundër njëri-tjetrit në betejën e dëshpërimit në vend që të luftonin së bashku kundër të privilegjuarve në betejën e shpresës.

Si më 2011, edhe sot jemi në shesh. Kokëpalarë dje, kokëpalarë sot, kokëpalarë nesër derisa t’ua rrëmbejmë sapunët prej duarve atyre që kanë katandisur shumicën e popullit në mjerim. Për të ngritur zërin dhe grushtet kundër vrasjeve, zhvatjeve, privilegjeve dhe të gjitha formave të padrejtësisë. Kundër vrasësve të djeshëm me plumba dhe vrasësve të sotëm me masa qeverisëse varfëruese.

Zemrat bashkë, mendjet bashkë! E ardhmja është e të gjithëve!

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.