Në kërkim të lirisë

/Alfred Bushi/

Një prej pyetjeve të shumta që kemi reshtur së bëri vetes dhe që rrethanat në të cilat jetojmë kanë ndihmuar në heshtimin e saj, është ajo mbi lirinë tonë. Nuk është fjala për konceptin e lirisë në vetvete, por të lirisë si hapësirë mundësish ndërtuar sipas masës dhe rrethanave në të cilat gjendemi. Liria në këtë kuptim është liri për t’u ngritur mbi domosdoshmërinë natyrore ose ekonomike, liri politike si hapësirë mundësish, liri për t’u arsimuar e për të zhvilluar aftësitë pa u kushtëzuar nga pamundësia ekonomike, liri për të zhvilluar prirjet artistike, sportive etj.

Në veprën “Ligjërata mbi dhjetëshen e parë të Tit Livit” Makiaveli, teksa shqyrton tiparet e historisë së qeverisjes së Romës së lashtë, tregon në kapitullin katërt se si një prej shkaqeve të përsosjes, madhështisë e jetëgjatësisë së republikës romake qe vendosja dhe ruajtja e lirisë së saj. Me liri Makiaveli kupton  gjendjen e krijuar nga përballja ose konflikti i herëpashershëm ndërmjet interesave dhe synimeve të kundërta të plebenjve dhe patricëve, çka nuk e lejoi asnjërën prej këtyre palëve të vendoste pushtet absolut mbi republikën, si edhe mundësoi ruajtjen e barazisë dhe drejtësisë. Qysh në krye të herës liria për plebenjtë identifikohej me ngulmimin dhe luftën e vazhdueshme për plotësimin e nevojave themelore jetësore dhe për përfaqësimin e mbrojtjen juridiko-politike[1] me anë të krijimit dhe zgjedhjes së tribunëve e konsujve. Përmbushja e nevojave natyrore  donte të thoshte liri nga e domosdoshmja. Kjo realizohej praktikisht nga i pari ligj agrar i cili, sipas Vico-s, u jepte të drejtën punëtorëve me mëditje të bëheshin zotërues të tokës së etërve të tyre me kushtin e vetëm që të shërbenin në luftë me shpenzimet e tyre, si edhe nga ligji agrar i mëvonshëm që përcaktonte se çdo qytetar kishte të drejtën e disa ditarëve tokë dhe se territoret e fituara në luftë shpërndaheshin mes qytetarëve romakë etj . Në këtë kuptim liria përmbushej përmes vendosjes së drejtësisë dhe barazisë, kurse drejtësia e barazia përmes lirisë. Megjithatë ligji agrar nuk u aplikua kurrë tërësisht për shkak të kundërshtisë së aristokracisë romake, dhe kjo për Makiavelin ishte një prej shkaqeve të shkatërrimit të Romës.

Për sa i përket lirisë së grekëve ajo gjendej vetëm në jetën politike, e cila për ta ishte hapësirë mundësish, e kërkimit të lirisë dhe e të rrezikuarit – siç e quan Arendt-i[2]. Ajo gjendët në përkryerjen, në udhën e pandashme për t’u dalë në krye gjërave nëpërmjet njohjes së natyrës së tyre. Të jetosh politikisht do të thotë të jetosh në kërkim të lirisë dhe sipas përkryerjes, çka do të thotë në instancë të fundit të jetosh sipas diktimeve të arsyes dhe njohjes.

Edukimi, në këtë aspekt, përbën themelin e kësaj jete të lirë dhe të përkryer brenda polisit, të cilin Platoni donte ta zhvishte nga çdo element fantazie duke i përcaktuar masën dhe duke e racionalizuar atë tërësisht. Në udhën drejt lirisë edukimi ka një vend të domosdoshëm edhe për Hegelin, i cili e vendos atë si moment kyç në kapërcimin nga familja në shkallët e tjera të shfaqjes së shpirtit.[3] Bijtë e bijat, nëpërmjet edukimit si çast negativ në procesin dialektik, ngrihen nga bindja ndaj autoritetit atëror dhe pandërmjetësueshmëria e gjendjes natyrore në shkallën e qenies autonome dhe personalitetit të lirë. Edukimi kësisoj është domosdoshmëri.

Por që edukimi të jetë koncept i domosdoshëm lirie duhet kuptuar si hapësirë shëlbuese e dhunës së pastër hyjnore që mundëson kapërcimin dhe mohimin e dhunës mitike. Këtë të fundit W. Benjamin-i e quan pushtet të përgjakshëm mbi jetën e lakuriqtë, dhunë mbi çdo jetë në emër të qenies së gjallë (të papolitizuar).[4] Dhuna edukative është një shfaqje e dhunës shëlbuese hyjnore që pastron çdo dhunë tjetër penguese ndaj lirisë dhe progresit.

Universiteti – si hapësirë edukuese me dije kritike, emancipuese – mund të konsiderohet dhunë spastruese e çliruese që kërkon t’i japë fund çdo dhune tjetër. Në një shoqëri, sidomos si kjo e jona ku dhuna shpërfaqet në të gjitha sferat e jetës, dija kritike përbën një kërcënim të madh për pushtetin i cili kërkon pareshtur të ruajë të drejtën e tij për të skllavëruar. Kjo është edhe një prej arsyeve që universiteti sot po pengohet në arritjen e qëllimeve të tij nëpërmjet barrierave (dhunës) të ndryshme siç janë tarifat e papërballueshme, burokracia e tepruar, korrupsioni, dija e cunguar dhe jokritike etj. Universiteti sot po pengohet mbi të gjitha nga pamundësia ekonomike, e cila e mban shoqërinë peng të nevojave bazike, duke mos i lënë asnjë hapësirë lirie. Një shoqëri e emancipuar nga padija do të nxiste krijimin, zhbërjen e  dhunës ekonomike në vendin e punës, si dhe të dhunës politike, juridike, fetare, artistike, të cilat nuk janë tjetër veçse dhunë që riprodhon të drejtën e më të fortit, nënshtrimin, konformizmin, bindjen dhe estetikën e pagdhendur të së shëmtuarës.

Dhuna krijuese, shëlbuese, është e vetmja rrugë për të fituar lirinë e humbur, lirinë për të dalë mbi domosdoshmëritë natyrore, për t’u arsimuar, për të zhvilluar prirjet dhe aftësitë artistike, për t’u emancipuar nga gjendja e plogështisë, nënshtrimit dhe shfrytëzimit të gjithanshëm ku na mbajnë. Punëtorët, universitarët, shoqëria më tërë elementët e saj progresistë, janë të vetmit aktorë që mund t’ia arrijnë këtij qëllimi. Historia nga antikiteti romak te lëvizjet punëtore e studentore na mëson se liria dhe të drejtat fitohen në përballje të vazhdueshme me pushtetin e klasave sunduese. Dhuna  krijuese e shtresave përparimtare të shoqërisë dhe dhuna edukative janë e vetmja rrugë drejt emancipimit dhe progresit shoqëror e individual.

Shënime:

[1] Betejat e njëpasnjëshme të plebenjve dhe tribunëve të tyre bënë të mundur, ndër të tjera, ligjin Publikola, i cili e kthen Romën, sipas G. Vico-s, nga republikë aristokratike në republikë popullore, duke i njohur Këshillat Popullorë si institucione publike; ligjin Ortensia, që sanksionoi barazinë midis dy klasave (patricëve dhe plebenjve); ligjin Petelia  që hoqi detyrimin për vendosjen e garancisë së vetes nga ana e borxhliut.

[2] “What is freedom”, në “Between Past and Future” – H. Arendt.

[3] “Lineamenti di filosofia del diritto” – G.W. Hegel

[4] “Për kritikën e dhunës” –  W. Benjamin.

Imazhi: Autonomies

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.