/Chris Harman/
Përse duhet përkujtuar viti 1956? Thënë thjesht, sepse të dielën e 4 nëntorit të këtij viti ndodhi një ngjarje e cila shërbeu ideologjikisht si moment kthese për socializmin e shekullit XX. Në të njëjtën ditë kur e majta përgjatë botërore po mobilizonte të gjitha forcat e saj për të kundërshtuar në rrugë sulmin e përbashkët ushtarak të Britanisë, Francës dhe Izraelit kundrejt Egjiptit, tanket ruse ndërhynë për të shtypur dhunshëm këshillat e punëtorëve në Hungari. Kjo rastësi ishte pika kulmore e një procesi fermentimi që vlonte prej më shumë se një viti. Udhëheqësi rus Nikita Hrushov në shkurt të këtij viti tronditi botën duke denoncuar vrasjet e mijëra komunistëve të përkushtuar nga paraardhësi i tij Josif Stalini. Impakti i denoncimit ishte i papërshkrueshëm për miliona militantë që luftonin kundër kapitalizmit dhe imperializmit kudo nëpër botë, të cilët për vite me radhë kishin dëgjuar se Stalini ishte i pagabueshëm.
Tronditja u thellua akoma më shumë në fillim të vjeshtës, kur kriza politike e shkaktuar nga grevat dhe protestat në qytetin Poznan të Polonisë përfundoi me ardhjen në pushtet si kryeministër të Wladyslaw Gomulka-s, i cili vetëm dy vite më parë ishte liruar nga burgjet staliniste. Udhëheqësit stalinistë që kishin përkrahur dhe justifikuar jo vetëm burgosjen e Gomulka-s, por edhe burgosjen e madje ekzekutimin e shumë militantëve komunistë në fund të viteve ‘40 dhe në fillim të viteve ‘50, tani duhet të pranonin që kishin vepruar gabim, ndërkohë që shumë aktivistë kërkonin shpjegime për veprimet e udhëheqësve të tyre. Më pas, më 23 tetor, në Hungari shpërtheu një revolucion i mirëfilltë, i cili përmbante të gjithë elementët klasikë të tij, me greva dhe demonstrata masive, barrikada nëpër rrugë, rreshtimin e policisë dhe ushtrisë në krahun e revolucionit, kolapsin e aparatit të vjetër shtetëror dhe, për ta kurorëzuar të gjithë këtë proces, krijimin spontan të sovjetëve. Pikërisht këtë lëvizje punëtorësh dhe studentësh ushtria ruse e shtypi në mënyrë sistematike. Pas kësaj, shumë nga militantët më të përkushtuar filluan të vinin në pikëpyetje besimin e palëkundur në doktrinën staliniste, e cila e identifikonte socializmin revolucionar me diktaturën nga sipër të partisë-shtet.
Doktrina staliniste ishte lëkundur edhe më parë, veçanërisht në vitin 1939 me nënshkrimin e paktit Stalin-Hitler, i cili tradhtonte linjën antifashiste të ndjekur për vite me radhë nga partitë komuniste. Megjithatë, në raste të tilla, të gjithë ata që zhgënjeheshin nga “zoti që dështoi” përfundonin në ndjekës të politikave parlamentare ose të liberalizmit. Të bëje të njëjtën gjë në fund të viteve ‘40 nënkuptonte të mbështesje pretendimet e imperializmit amerikan se ky i fundit përfaqësonte luftën për “liri” dhe “demokraci”. Viti 1956 ishte ndryshe sepse propaganda e shteteve perëndimore binte ndesh me realitetin e sundimit të tyre kolonial në Azi dhe Afrikë. Qeveria “e majtë” franceze, e ardhur në pushtet në fillim të vitit 1956 me mbështetjen e Partisë Komuniste, dërgonte vazhdimisht trupa ushtarake në Algjeri për të shtypur lëvizjen për pavarësi të popullit algjerian (Front de Libération Nationale). Ndërkohë, qeveria britanike ishte e vendosur të rifitonte pronësinë mbi kanalin e Suezit – nëpërmjet të cilit nafta e Gjirit Persik kalonte në Evropë – pas shtetëzimit të këtij kanali nga Egjipti në korrik të 1956. Për të zhgënjyerit nga stalinizmi, bombardimi i qyteteve të Egjiptit nga avionët britanikë ishte provë e gjallë se sistemi perëndimor nuk ishte alternativë më e mirë.
Ngjarjet në Hungari e shtynë të majtën e mirëfilltë të kërkonte një alternativë përtej dy blloqeve të Luftës së Ftohtë. Historiani Edward Thompson, asokohe lektor i Shoqatës për Edukimin e Punëtorëve në Yorkshire, e shprehu kështu këtë botëkuptimi të ri :”Stalinizmi mbolli farat e kësaj vorbulle ere që sot trondit Hungarinë. Ndërkohë që shkruaj, tymi ende ngrihet përmbi Budapest. Është e vërtetë që edhe dollari ka hedhur farat e tij në këto territore. Por bima e rritur nuk do të jetë ajo që pritet nga Amerika. Pas një kthese të historisë, duket se bima po rritet në trupat e këshillave të studentëve, ushtarëve dhe punëtorëve, si sovjetë antiburokratikë.”
U krijua ndjesia se nga kjo krizë ideologjike u krijua e majta e re dhe bashku me të erdhi ringjallja e marksizmit si një forcë kreative dhe dinamike. Ndërkohë që marksizmi më parë identifikohej me një doktrinë dogmatike, mekanike dhe mbytëse, pas 1956 u ndez debati mes shkollave dhe interpretimeve të ndryshme. Megjithatë impakti i kësaj fryme çliruese në betejën e gjerë klasore nuk ishte i menjëhershëm. Standardi i jetesës së klasës punëtore në vitet ‘50 ishte në rritje si pasojë e një ekonomie të mbajtur në gjendje bumi permament për shkak të shpenzimeve të larta ushtarake. Në të tilla rrethana, masa e gjerë e punëtorëve nuk e shihte si nevojë historike një alternativë përtej kapitalizmit. Punëtorët më të rinj në moshë e shprehën rebelimin e tyre nëpërmjet formave të ndryshme si muzika rock and roll apo zënkave nëpër kinema. Këtij rebelimi i mungonte qasja politike. Do të duhej të kalonte një tjetër dekadë, deri kur performues si Bob Dilan të gjenin audiencë masive për tekstet e tyre politike.
Viti 1956 nuk i dha fund as formave të ndryshme të imperializmit. Pas krizës së viteve 1950, Bashkimi Sovjetik vazhdoi të impononte vullnetin e tij mbi Evropën Lindore, duke shtypur dhunshëm revoltat në të njëjtën mënyrë si në Hungari. Nga ana tjetër imperializmi britanik, në pamundësi për të luajtur një rol të pavarur, u detyrua t’i mbronte interesat e tij duke u shndërruar në partnerin e bindur të Amerikës, gjë që e bëri për vite me radhë edhe në Irak dhe Afganistan.
Megjithatë, asnjë nga këto humbje nuk e zvogëlon rëndësinë e vitit 1956. Siç shkruan David Widgery në hyrjen e librit të tij “E majta në Britani: 1956-68”:
“Në Hungari tanket e Stalinit e copëtuan të majtën në pjesën tjetër të botës. Gjendja e rehatisë u thërrmua, kësisoj parti, ide dhe ngjarje të reja ndikuan në formimin e militantizmit të ri. Gjendja e vlimit zgjati një dekadë dhe shpërtheu në vitin 1968 në Paris dhe në pjesën më të madhe të botës.”
Pikërisht për këto arsye, emocioni dhe perspektivat pozitive të vitit 1956 janë ende bashkëkohore sot e kësaj dite.
E përktheu Frenklin Elini
Marrë nga Arkivi në Internet i Marksistëve
Imazhi: Pinterest