/Branko Marketic, Meagan Day/
Dje, ndërsa amerikanët filluan të merrnin masat e para për shpërthimin e koronavirusit, Joe Biden-i dhe Bernie Sanders-i mbajtën nga një qëndrim për këtë tematikë. Fjalimet e tyre kishin dallim mes njëri-tjetrit: Biden-i mbajti qëndrim duke përmendur problemet që paraqiste pandemia, ndërkohë që Sanders-i bëri një thirrje për të ndërmarrë masa specifike dhe për solidaritet përballë këtij rreziku. Ndryshimi mes dy kandidatëve demokratë shtron pyetjen për të gjithë: a është Biden-i zgjidhja e sigurt dhe Sanders-i rreziku apo është e anasjellta?
Fjalimi i Biden-it pasditen e së enjtes u duk si për të treguar një udhëheqje të qëndrueshme nga ana e tij, përballë administratës së paaftë të Trump-it, për të përballuar krizën shëndetësore dhe ekonomike të vendit. Ai theksoi kontrastin me presidentin Trump, duke mos harruar të përmendte ksenofobinë e Trump-it, rënien e besimit të publikut te qeveria dhe qëndrimin e SHBA në arenën ndërkombëtare.
Megjithatë kur ishte fjala për të treguar si do të përballohej kriza, Biden-i ishte i paqartë. Fjalimi i tij kishte deklarata si: “Ne duhet ta sulmojmë këtë stuhi dhe t’i bëjmë njerëzit dhe ekonominë të kthehen fuqimisht sa më shpejt të jetë e mundur.” Ai i drejtoi amerikanët kah faqja e fushatës së tij nëse donin të dinin planin e detajuar. E vetja masë që përmendi ishte që punëtorët të mos punonin javët e ardhshme për të parandaluar përhapjen e virusit dhe këto pushime të paguheshin. Ai bëri thirrje për teste falas COVID-19, sidomos për të moshuarit dhe theksoi se ishte detyrë e qeverisë të matë dhe raportojë çdo ditë sa persona janë testuar, sa kanë dalë pozitivë etj. Në fund të fundit, fjalimi i Biden-it mbeti në nivelin teknik dhe teknokratik. Thelbësisht, përveç pushimit të paguar, ai nuk arriti të propozojë ndonjë masë konkrete për të mbrojtur klasën punëtore nga rreziqet ekonomike që mund të shkaktojë pandemia.
Shumë milje larg Biden-it, Bernie mbajti një fjalim paralel, por të ndryshëm. Ai e nisi fjalimin e tij duke theksuar se në këtë luftë të gjithë jemi bashkë dhe se do të ishte gabim të mendonim se shëndeti është shqetësim vetëm i yni dhe të tjerët duhet të kujdesen për veten e tyre. Ai theksoi varësinë reciproke dhe përgjegjësisë së gjithë secilit.
“Tani është koha për solidaritet” – tha ai. Ai nuk e imagjinonte solidaritetin si koncept ideal, por si një veprim të vetëruajtjes kolektive. “Ne e konsiderojmë mirëqenien e njëri-tjetrit jo vetëm sepse është gjëja e duhur për të bërë, por sepse sa më shumë njerëz veprojnë në këtë frymë, aq më shumë ka të ngjarë që interesat tona të përmbushen. Ky është një mësim që e kemi marrë para shumë dekadave gjatë luftës së klasës punëtore.” – tha ai.
Sanders-i parashtroi pika konkrete se si mund të kalohet kriza. Në të njëjtën logjikë si Biden-i, ai propozoi që vaksina të ishte falas dhe pushimet e punëtorëve të ishin të paguara. Ndryshe nga Biden-i që i drejtoi shikuesit drejt programit, ai dha disa propozime konkrete:
- Zgjerim të menjëhershëm të qendrave shëndetësore të komunitetit.
- Mobilizim të personelit mjekësor për të mposhtur frikën.
- Informim të publikut.
Ai e shtriu idenë e tij përtej kapërcimit të krizës së virusit, duke përmendur krizën e mundshme ekonomike që do të kalonte SHBA. Masat që mendoi për rikuperimin ekonomik ishin:
- Ndihmë urgjente për këdo që mund të humbte punën gjatë krizës me një kompensim 100% të pagës.
- Krijimin e shtëpive sociale për të pastrehët.
- Huadhënie urgjente për bizneset e vogla dhe të mesme.
Sanders-i theksoi se shpërthimi i virusit ishte një krizë e shkallës së Luftës së Dytë Botërore dhe mund të përfundonte duke marrë më shumë jetë sesa ajo katastrofë globale. Përtej kësaj, e veçanta e Sanders-it ishte shprehja tipike që e ka artikuluar gjatë gjithë fushatës: “Shëndetësi për të gjithë.” Kjo jo vetëm si çështje drejtësie ekonomike, por praktike, duke përmendur se shumë amerikanë shmangin vizitën te mjeku nga mungesa e parave.
Në shumë mënyra, Bernie Sanders është njeriu i duhur për një moment si ky.
Ai i kupton problemet me të cilat përballet klasa punëtore në jetën e përditshme: pasiguri mjekësore, orare pune jofleksibile, mungesë kujdesi ndaj fëmijëve, pasiguri ushqimore, cenim nga dëbimet. Ai flet për realitetin ku ndodhet shumica e popullsisë amerikane dhe beson se kjo mund të rregullohet. Sanders-i argumenton ndërhyrje të shtetit për të parandaluar shkatërrimin që kanë shkaktuar korporatat gjithë këto vite. Kriza që po kalon sot shëndeti publik tregon frakturat e sistemit. Një rast si ky i koronavirusit tregon rëndësinë e reformave social-demokrate të Sanders-it, veçanërisht shëndetësinë për të gjithë. Sado katastrofike të duket, kriza i ka ofruar Sanders-it një mundësi të pashembullt për të ringjallur fushatën e tij. Debati i së dielës, ndeshja e parë dhe mbase e fundit një-për-një midis dy kandidatëve, i jep Sanders-it një shans për t’i treguar Biden-it se ky i fundit është i papërgatitur dhe i papërshtatshëm për të udhëhequr.
E përktheu Ariela Zeneli
Marrë me shkurtime nga revista Jacobin
Imazhi: The Nation