Vërtet jemi të gjithë bashkë?

/Michael J. Sandel/

Mobilizimi për t’u ndeshur me pandeminë dhe rindërtuar ekonominë e bërë copë kërkon jo vetëm ekspertizë mjekësore dhe ekonomike, por edhe përtëritje morale e politike. Duhet të shtrojmë pyetjen bazike, të cilës i jemi shmangur dekadat e fundit: Çfarë i detyrohemi njëri-tjetrit si qytetarë?

Në një pandemi kjo pyetje shtrohet më urgjentisht si një çështje rreth kujdesit shëndetësor: Duhet të jetë kujdes shëndetësor i qasshëm nga të gjithë, pavarësisht kapacitetit për të paguar? Qeveria e Trump-it ka vendosur që shteti të paguajë për trajtimin e të sëmurëve me koronavirus që nuk kanë sigurim shëndetësor. Mbetet për t’u parë nëse do të jetë i mundur pajtimi i logjikës morale të kësaj politike me nocionin se mbulimi shëndetësor në kohë të zakonshme duhet t’i lihet tregut.

Përtej çështjes së kujdesit shëndetësor, duhet të mendojmë më gjerë rreth mënyrës si do të merremi me pabarazinë. Duhet t’i shpërblejmë më mirë kontributet shoqërore dhe ekonomike të punës së shumicës së amerikanëve që nuk kanë diploma universitare, si dhe të marrim në konsideratë aspektet negative dhe gërryese moralisht të meritokracisë.  

Si përgjigje për pabarazinë në rritje, politikanët e zakonshëm të të dyja partive kanë propozuar barazi më të madhe mundësish – që nënkupton përmirësim të qasjes në universitet në mënyrë që çdokush, pavarësisht pikënisjes në jetë, të mund të ngrihet aq sa do ta çonin përpjekja dhe talenti. Në vetvete, ky është një parim i vlefshëm.

Po si përgjigje ndaj pabarazisë, retorika e ngritjes – premtimi se të talentuarit do të mund të ngjisin shkallët e suksesit – ka një anë të errët. Pjesë e këtij problemi është fakti se ne s’para i vëmë në zbatim parimet meritokratike që proklamojmë. Për shembull, shumë studentë të kolegjeve dhe universiteteve tejet përzgjedhëse vijnë nga familje të pasura. Në shumë kolegje elitare – përfshirë këtu Yale-in dhe Pricenton-in, ka më shumë studentë nga 1-përqindëshi më i pasur sesa nga 60-përqindëshi i poshtëm i shoqërisë.

Ka edhe një problem më të thellë: Edhe një meritokraci e përsosur, në të cilën mundësitë e përparimit janë vërtet të barabarta, do ta gërryente solidaritetin. Nëse fokusohemi në ndihmën ndaj të talentuarve për t’u ngjitur në shkallën e suksesit, nuk do të vëmë re se këmbët e shkallës po largohen gjithnjë e më shumë nga njëra-tjetra.

Meritokracitë prodhojnë gjithashtu sjellje të pakëndshme moralisht nga ata që ia dalin të ngjiten në krye. Sa më shumë të besojmë se suksesin e kemi korrur me forcat tona, aq më pak do t’u jemi borxhli dhe, për pasojë, të ndjejmë detyrime ndaj bashkëqytetarëve tanë. Theksimi i fortë i ngjitjes dhe përpjekjeve i bën fituesit që t’u marrë koka erë dhe t’i shohin me nënçmim ata të cilëve u mungojnë kredencialet meritokratike.

Këto qëndrime e kanë shoqëruar globalizimin me bazë tregun të 40 viteve të fundit. Kush korri frytet e nënkontratimit, marrëveshjeve të tregtisë së lirë, teknologjive të reja dhe çrregullimit të financës, nisi të besojë se ia kishte dalë me forcat e veta, kështu që i takonte gjithë ç’kishte fituar.

Arroganca meritokratike dhe inati që provokon janë në thelb të reagimit populist kundër elitave. Ato janë gjithashtu burime të polarizimit shoqëror e politik. Një nga ndarjet më të thella në politikën e sotme është midis atyre që kanë dhe nuk kanë diplomë universitare.

Në dekadat e fundit, elitat qeverisëse kanë bërë pak për të përmirësuar jetën e thuajse dy të tretave të amerikanëve që nuk kanë diplomë universitare. Po ashtu ato kanë dështuar të përballen me një prej pyetjeve qendrore të politikës sonë: Si të bëjmë të mundur që amerikanët që nuk jetojnë në radhët e privilegjuara të klasave profesioniste të gjejnë punë të dinjitetshme, e cila do t’u mundësonte të mbanin familjen, të kontribuonin për bashkësinë e tyre dhe të fitonin vlerësim shoqëror?

Ndërsa aktiviteti ekonomik ka shkuar nga prodhimi i të mirave në menaxhimin e parasë dhe shoqëria u ka dhënë shpërblime të jashtëzakonshme menaxherëve të fondeve të investimit dhe bankierëve të Wall Street-it, vlerësimi ndaj punës tradicionale është bërë i brishtë dhe i pasigurt. Në kohën kur financa ka marrë një pjesë më të madhe të fitimeve të korporatës, shumë prej atyre që punojnë në ekonominë e vërtetë – që prodhojnë të mira dhe shërbime të dobishme – jo vetëm kanë duruar stanjacion në paga dhe perspektiva pune të pasigurt; por edhe kanë ndjerë se shoqëria e respekton më pak punën e tyre.

Pandemia e koronavirusit na ka detyruar papritmas të rimendojmë se cilat role shoqërore dhe ekonomike vlejnë më shumë.

Shumë nga punëtorët thelbësorë gjatë kësaj krize kryejnë detyra që nuk kërkojnë diplomë universitare; ata janë shoferë kamionësh, punëtorë magazinash, punëtorë dërgesash, oficerë policie, zjarrfikës, punëtorë mirëmbajtjeje, punëtorë sanitarë, shitës supermarketesh, kontrollorë mallrash, asistentë infermierë, pastrues spitalesh dhe përkujdesës në kushte shtëpiake. Së bashku me doktorët dhe infermierët që kujdesen për të infektuarit në spitalet e mbipopulluara, ata po rrezikojnë shëndetin që ne të tjerët të shpëtojmë nga infektimi. Përveçse t’i falënderojmë për shërbimin, ne duhet të rikonfigurojmë ekonominë dhe shoqërinë tonë për t’u dhënë këtyre punëtorëve kompensimin dhe mirënjohjen që pasqyron vlerën e vërtetë të kontributeve të tyre – jo vetëm gjatë emergjencës, por edhe në jetën e përditshme.

Ky rikonfigurim përfshin më tepër aspekte sesa debatet e zakonshme mbi bujarinë apo kurnacërinë që duhet të ketë shteti social. Kërkon një diskutim si qytetarë demokratikë rreth asaj se çfarë do të përbënte kontribut për të mirën e përbashkët dhe sa duhen shpërblyer këto kontribute – pa supozuar se këto vendime mund t’i marrin vetëm tregjet.

Për shembull, a duhet të mendojmë për një subvencion federal page që do t’u siguronte punëtorëve të fitonin mjaftueshëm për të mbështetur familje, lagje dhe bashkësi të begata? A do të duhej ta rrisnim dinjitetin e punës duke e zhvendosur barrën e taksimit nga paga te transaksionet financiare, pasuria dhe karboni? A duhet ta rimendojmë politikën aktuale të taksimit të të ardhurave nga puna më shumë se të fitimeve të kapitalit? A duhet të inkurajojmë manifakturimin brenda vendit të disa të mirave – duke nisur me maskat kirurgjikale, pajisjet mjekësore dhe ilaçet – në vend se të promovojmë nënkontraktimin e tyre drejt vendeve me paga më të ulëta?

Edhe kur zmbrapsen, pandemitë dhe të tjera kriza të mëdha zor se e lënë të paprekur strukturën shoqërore dhe ekonomike. Na takon neve të vendosim se cila do të jetë e ardhmja pas këtij episodi të trishtë. Shpresa gjendet te ndjekja e gjurmëve të solidaritetit që gjenden brenda këtij momenti për të rikornizuar shtyllat e ligjërimit publik dhe gjetur rrugën drejt një debati politik me premisa më të forta morale nga mllefqari që kemi bërë deri më sot.

Përtëritja morale e qytetare kërkon t’i shmangemi debatit të ankthshëm, por të pasaktë, që po lind tani mbi numrin e jetëve që duhet të vëmë në rrezik për hir të rinisjes së ekonomisë. Ky debat supozon se ekonomia është si dyqani në rrugën kryesore që i ndez dritat pas një fundjave të gjatë dhe ia nis biznesit nga e para, si të mos kishte ndodhur gjë.

Pyetja e vërtetë nuk është kur, por çfarë: Çfarë ekonomie do të vijë pas krizës? Do të jetë vazhduesja e krijimit të pabarazive që helmojnë politikën tonë dhe shkatërrojnë çdo sens bashkësie kombëtare? Apo do të jetë nderuesja e dinjitetit të punës, që i shpërblen kontributet në ekonominë reale, u jep zë kuptimplotë punëtorëve dhe i ndan rreziqet e sëmundjeve dhe kohëve të vështira?

Duhet të shtrojmë pyetjen nëse rihapje e ekonomisë do të thotë kthim në një sistem që, gjatë katër dekadave të fundit, na ka ndarë si mos më keq apo nëse ne mund të dalim nga kjo krizë me një ekonomi që na mundëson të themi, dhe të besojmë, se vërtet jemi të gjithë bashkë.

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga gazeta The New York Times

Imazhi: Simon Flöter

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.