/Benjamin L. Mckean/
Ndër të tjerash, ngjarja me vaporin ishte edhe komike. Ekonomia globale shfaqet shpesh herë si një subjekt me një kompleksitet çarmatosës; ndërveprimet e saj ngjajnë si të mjegullta edhe pse kanë shumë ndikim në jetët tona. Ja një problem ekonomik që rrodhi nga një shkak i pazakonshëm në thjeshtësinë e tij: një varkë e madhe ngeci në baltë dhe 12% e tregtisë globale u paralizua. Edhe tani që vapori më në fund lëvizi, do të vazhdojnë kostot disa miliarda dollarëshe; disa vaporë po rrisin çmimin e naftës për shkak të devijimit që bënë nga maja më jugore e Afrikës, teksa vaporët që pritën sa të hapej kanali do të shkaktojnë një trafik të rënduar ujor ndërsa arrijnë njëkohësisht nëpër porte.
Një prej arsyeve pse gallata dhe memet morën dhenë është se Ever Given-i shpërfaqi boshllëkun mes retorikës dhe realitetit të tregjeve neoliberale. Neve na shërbehen epope që të lënë pa frymë mbi eficiencën e tregjeve dhe shpejtësinë marramendëse e shkallën globale të zinxhirëve të furnizimit. Opinionistë si Thomas Friedman-i i krahasojnë zinxhirët eficientë të furnizimit me simfonitë dhe menaxherët e tyre me dirigjentë gjenialë. Milton Friedman-i shkoi edhe më tej duke e quajtur neoliberalizmin “një fe e re” dhe duke ia atribuuar prodhimin e një lapsi – jo punës së njerëzve realë – por “magjisë së sistemit të çmimeve.” Mund të jetë përnjëmend mahnitëse të shikosh iPhone-in tënd dhe të mendosh se pjesët përbërëse të tij vijnë nga 43 vende të ndryshme nga çdo kontinent i botës me përjashtim të Antarktidës; kompanitë të cilat i koordinojnë këta zinxhirë globalë të furnizimit mund të shfaqen si magjistarë që mbledhin materiale nga e gjithë bota për të krijuar një produkt të vetëm të përkryer e të kudogjendur.
Megjithatë, ngjarja me Ever Given-in hedh ujë të ftohtë mbi të gjitha këto mistifikime. Ajo e dramatizon realitetin material mondan të zinxhirëve të furnizimit, të cilat kanë shumë më tepër të bëjnë me punën e rëndë dhe shfrytëzimin sesa me magjinë apo simfonitë. Të njëjtat fabrika që në mënyrë “magjike” bëjnë bashkë gjithë ato pjesë përbërëse elektronike për Apple-in, mund të jenë vende të tmerrshme për të punuar. Në një ngjarje që mori dhenë, punëtorët më mirë hidheshin nga çatia e fabrikës sesa të vazhdonin punën; menaxherët e fabrikës u përgjigjën jo duke përmirësuar pagat apo kushtet e punës, por duke instaluar rrjeta pritëse në fasadën anësore të godinës. Teksa opinionistët e lartësojnë ekonominë globale neoliberale si qendra e risive teknologjike, kushtet nëpër fabrika për krahun e lirë të punës janë të njëjta me një shekull më parë; rrobat e eksportit ka shumë më tepër gjasa që të qepen nga gra që punojnë nga shtëpia për paga qesharake, sesa nga robotët.
Zinxhirët globalë të furnizimit janë fitimprurës sepse i ulin kostot në mënyrë të paskrupullt dhe operojnë me një inventar shtesë sa më të vogël. Ky proces prodhimi “i çastit” ka nevojë për nivele mbresëlënëse të manipulimit algoritmik për të bërë të mundur bashkimin e pjesëve pikërisht në momentin e duhur, por në të njëjtën kohë i detyron punëtorët të pranojnë orë pune shtesë dhe orare të paparashikueshme. Ato mund të variojnë me deri 80% nga java në javë teksa shitësit e vegjël përpiqen t’i përshtaten trendeve që ndryshojnë.
Përtej procesit të prodhimit, çdo fazë logjistike ofron mundësi shtesë për shfrytëzim. Punëtorët në vaporët e kontenierëve si Ever Given mund të lundrojnë në det të hapur për muaj të tërë pa ndalim nëse kanë një kapiten abuzues dhe shpesh u mohohen pagat në fund të udhëtimit. Kur këta vaporë mbërrijnë në portet e SHBA, të mirat shpesh transportohen te shitësit nëpër qendrat e shpërndarjes nga shoferë kamionësh që trajtohen ligjërisht si kontraktorë të pavarur – që punojnë njëzet orë në ditë e prapëseprapë çojnë në shtëpi më pak se një dollar në javë sepse u duhet të paguajnë kreditë zhvatëse që mbulojnë kostot përderisa u duhet të përdorin kamionët e tyre.
Shumicën e rasteve, ky sistem është i pashmangshëm. Zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit përbëjnë rreth 80% të tregtisë globale. Po pastaj, një vapor i madh ngec në baltë dhe brishtësia e sistemit bëhet e qartë për këdo. Ai nuk vihet në lëvizje nga besimi apo magjia, por nga puna e njerëzve në botën reale e cila përballet me kufij fizikë dhe mjedisorë. Asnjë algoritëm nuk mund ta nxjerrë vaporin nga balta.
Ne kemi një ndjesi sikur diçka të tillë e kemi ditur prej kohësh. Megjithatë nuk është një fakt i përhapur, për të cilin mund të bëjmë diçka. Punëtorët rreth e rrotull botës janë të lidhur nga këta zinxhirë furnizimi – qoftë në procesin e prodhimit, të transportit apo të konsumit të mallrave – por rrallëherë ndodh që të jemi të organizuar për të bërë të mundur aksione kolektive.
Ajo që ndodh në fakt është që korporatat multinacionale dhe menaxherët e zinxhirëve të tyre të furnizimit i orientojnë këto lidhje sipas interesit të tyre. Përsosmëria e produktit të vetë zinxhirit të furnizimit – aftësia që duket se ka për të na ndërlidhur të gjithëve edhe pse nuk mund të bëhemi bashkë me njëri-tjetrin – ndonjëherë duket më e qenësishme se njohja jonë mbi shfrytëzimin e punëtorëve të cilët nuk i kemi takuar kurrë. Lezeti i vaporit ishte të shihje se si bënte të mundur diçka që rrallëherë kemi qenë në gjendje të bëjmë – të ngremë frenën e dorës për mbarë sistemin. Ndoshta veglat e pronarit nuk janë ato që do të çmontojë shtëpinë e pronarit, por ishte mjaft komike të shihje se si vapori i tij iu kthye kundër për pak ditë.
Korporatat dhe menaxherët e zinxhirëve të furnizimit janë të vetëdijshëm për këtë brishtësi dhe po përpiqen t’i bëjnë zinxhirët globalë të furnizimit më të qëndrueshëm me koston më të ulët të mundshme. Mungesa e maskave në ditët e para të pandemisë ishte një shenjë tjetër – më pak argëtuese – se zinxhirët e furnizimit që varen nga saktësia në furnizim dhe shpërndarje mund të vihen në vështirësi nga të papriturat. Por për menaxherët e zinxhirëve të furnizimit, shkathtësia e tyre mund të rritet duke thelluar pasigurinë neoliberale dhe duke e bërë kapitalin akoma më të lëvizshëm, në mënyrë që hallkat e zinxhirit që këputen – qoftë për shkak të pandemive apo grevave të punëtorëve – të mund të zëvendësohen akoma më lehtë.
E megjithatë, impakti global i Ever Given-it dëshmon se punëtorët mund t’i bllokojnë qëllimisht nyjet nevralgjike si Kanali i Suezit si mënyrë për të arritur kërkesat e tyre. Edhe pse Shoqata për Menaxhimin e Zinxhirit të Furnizimit (ASCM) është duke u dhënë këshilla anëtarëve të vet se si të “rregullojnë” problemet në nyjet nevralgjike, ato gjithmonë do të jenë mjaftueshëm të brishta për aq kohë sa bazohen te punëtorë të shfrytëzuar që janë përgjegjës për funksionimin e zinxhirit.
Për të rritur fuqinë e tyre, punëtorët duhet të gjejnë mënyra organizimi me të tjerë përgjatë zinxhirit – përfshi këtu punëtorë dhe konsumatorë në SHBA. Konsumatorët amerikanë mund të ndjehen të lidhur me zinxhirët globalë të furnizimit vetëm në momentin kur blejnë një bluzë me çmim të lirë në Target apo Wallmart, por në fakt kompanitë dhe shitësit i vëzhgojnë vazhdimisht konsumatorët, online dhe në dyqane; prodhimi “i çastit” bazohet te ky informacion jo vetëm për të parashikuar kërkesën, por edhe për të “stërvitur” blerësit që të bëhen konsumatorë më të besueshëm, të prirë të ndajnë të dhënat personale. Zinxhirët globalë të furnizimit përpiqen që të drejtojnë veprimet e konsumatorëve amerikanë teksa i japin formë perspektivave të tyre si punëtorë, duke ulur gjithnjë e më shumë pagat në një garë drejt batakut.
Punëtorët nuk duhet ta shohin njëri-tjetrin si konkurrentë – ata kanë interes të përbashkët t’i japin fund kontrollit të korporatave mbi zinxhirët e furnizimit nga të cilët përfitojnë në mënyrë shpërpjesëtimore vetëm pak vetë. Por për shkak se lidhjet mes punëtorëve të zinxhirëve të furnizimit diktohen nga vetë korporatat, këto lidhje perceptohen si më pak reale sesa telefoni që mbajmë në dorë. Sipas Karl Marksit, një mall ushtron një fuqi të pashpjegueshme mbi ne edhe pse e dimë se nuk është asgjë më shumë sesa produkt i punës njerëzore, sepse ne nuk mund ta “zhveshim atë nga tisi i tij mistik derisa të trajtohet si produkt i punës së njerëzve që punojnë lirisht.”
Në këtë moment ne nuk jemi të lirë. Nëse duam të çojmë përpara atë që nisi vapori, atëherë nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa të veprojmë në solidaritet me punëtorët e Amazon-it që po organizohen rreth një sindikate në Alabama dhe me punëtorë të ngjashëm me ta përgjatë zinxhirëve të furnizimit. Ever Given-i e shpoi tejetej tisin që mbulon ekonominë globale, por vetëm duke ngritur lidhje sociale të njëmendta mes punëtorësh dhe konsumatorësh në zinxhirët e furnizimit, do të mund të shpërndajmë mjegullën mistike rreth eficiencës së tregjeve që i bën të duken si përtej pushtetit tonë.
Zinxhirët e furnizimit që janë mjaftueshëm të brishtë sa që të ndërpriten nga një vapor i vetëm, janë po aq të brishtë sa të reformohen përmes solidaritetit.
E përktheu Redi Muçi
Marrë nga revistaJacobin
Imazhi: Maxar Technologies