/Gerti Thanasi/
Një nga habitë më fantastike që kam provuar gjatë universitetit është fakti se në shumë fakultete dhe klasa shkollore në të cilat më ka rastisur të kaloj, shumë prej studentëve, sidomos në degët e shkencave shoqërore, janë vajza. Pjesëmarrja e vajzave në jetën shkollore dhe publike gjithnjë ka treguar njëfarë emancipimi ngaqë çlirimi i tyre prej shtrëngimit të mjedisit patriarkal, izolimit social dhe prapambetjes kulturore i ka dhënë hov zhvillimit të mëtejshëm të vendit. Madje, nëse kërkon të kuptosh sa e drejtë dhe demokratike është një shoqëri, shiko vendin që u rezervon vajzave dhe grave. Megjithatë, pavarësisht pjesëmarrjes se tyre në arsim dhe jetë publike, mund të themi se politika dhe ekonomia nuk u përgjigjet perspektivave të tyre. Politika duke bërë ligje të padrejta, ndërsa ekonomia duke i dënuar me diskriminim dhe pafuqi financiare.
Një vajzë mesatare shqiptare është një nxënëse e tetës, që ka lexuar ca letërsi dhe ka mësuar anglishten, gjë që i ka dhënë privilegjin të kridhet në oqeanin e madh të dijes që është gugëllimi dhe rrjeti social, ku ka zbuluar këngë ekzistenciale dhe vargje të Silvia Plath-it, në kushtet e një shkolle të amortizuar në trup dhe provinciale në shpirt. Ardhja e saj në universitet është një kthesë e madhe që i jep shansin t’i ikë një herë e mirë mureve të ngushta të qytezave gjysmë urbane, për të nisur studimet në qytetin e madh, ku e pret mundësia për të shijuar rrugët e lirisë, si dhe kufizimet e pashmangshme të punës si operatore call center-i apo shitëse në dyqane lulesh. Universiteti më tepër se çështje diplome bëhet çështje bote ngaqë studentët, edhe pas universitetit, rrallë kthehen në shtëpi, ku mund të jetonin ndoshta më mirë, thjesht për të mos humbur lirinë personale.
Po shkolla si shkallare dhe shpresë sociale sa vjen e vyshket. Dyert e universitetit bëhen çdo ditë e me të vogla. Prindërit nuk kanë para si më parë për shkak të krizës ekonomike, të pasurit dhe të pushtetshmit rritin çdo ditë e më tepër çmimet dhe gjendja e përgjithshme sa vjen e rëndohet. Nëse nuk ke para, nuk mund të bësh asgjë. Sot paratë kanë zëvendësuar ato që në kushtetutë quhen të drejta. Brenda një dekade, çmimet dhe tarifat universitare janë rritur në qiell, ndërsa puna, paga dhe kushtet mbeten po ato. Universiteti, që ishte e drejtë dhe dritë për popullin, rrezikon jo veç të bëhet privilegj i të pasurve, por edhe më absurde se kaq: studentët e varfër, përmes tarifave që ua mbledh shteti, të mbajnë me para universitetet private. Ky është thelbi i arsimit të lartë. Universitetin publik ta bëjë privat dhe privatin publik, sigurisht, pa lirinë tanimë të zëvendësuar prej burokratëve biznesmenë.
Nga ky ligj për arsimin, i kundërshtuar fort, nuk rrezikohet vetëm e sotmja studentore, por edhe e djeshmja dhe e nesërmja. E djeshmja pasi universiteti, për familjet e thjeshta, është ëndërr e parealizuar e prindërve, që diplomimin e fëmijëve e konsiderojnë si investimin më të shenjtë në jetë. Kështu, fëmijët do të jetojnë më mirë. E nesërmja ngaqë në shtëpi, në lagje, në qytezë kemi vëllezër dhe motra, fqinj dhe kushërinj, gjimnazistë apo nxënës shkollash, për të cilët e drejta e shkollimit, nëse nuk kanë para, do të mbetet ëndërr ashtu si e prindërve. Prandaj ky ligj, kjo reformë, nuk është veç klienteliste, por edhe obskurantiste. Është kthim prapa, kthim në prapambetje. Jo vetëm për djemtë, por edhe për vajzat. Madje vajzat janë më të rrezikuarat nga kjo reformë, që ironikisht mban emrin e një ministreshe grua, me rrënjë rurale, të tradhtuara për luks dhe pushtet.
Beteja për arsim publik si e drejtë dhe dobi publike është betejë, ndër të tjera dhe mbi të gjitha, e vajzave. Një djalë që nuk vazhdon shkollën e lartë e ka më të lehtë të dalë në rrugët e jetës, si punëtor ose refugjat, ndërsa për një vajzë gjërat bëhen të koklavitura. Ajo rrezikon të mbyllet në shtëpi dhe t’i nënshtrohet kufizimeve të komunitetit, të punojë në arë ose fabrikë, por edhe në punë tjera të keqpaguara, kur paradoksalisht ka të gjitha aftësitë dhe dhuntitë për t’u bërë një grua e pavarur. Prandaj, edhe në ballë të lëvizjes studentore, në protesta dhe aktivizëm, kanë qenë dhe do të vazhdojnë të mbeten vajzat si krijesa më të pjekura, më inteligjente dhe pse jo më të guximshme. Për arsim, barazi dhe drejtësi sociale.
Imazhi: Lëvizja Për Universitetin
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).