Kanë nisur tryezat universitare

/Bislim Lakna/

Në Universitetin e Tiranës viti akademik 2017-2018 nisi bashkë me një ngjarje që tronditi disi jetën universitare. Njëfarë Këshilli i Akreditimit, me përbërje prej disa ndërkombëtarëve (gjë që u tentua të theksohej sa më shumë gjatë debatit publik) dhe disa vendasve kishte përfunduar një proces akreditimi të universiteteve shqiptare, publike dhe private. Kjo nuk do përbënte edhe aq lajm sikur ky proces, që duhet theksuar se nuk kishte për synim të bënte matje të cilësisë akademike, nuk do të rendiste si të fundit në listë Universitetin e Tiranës dhe nëse bërja publike e këtij procesi nuk do të ndodhte në një periudhë shumë delikate, siç ishte procesi i regjistrimit të maturantëve në universitete.

Lëvizja për Universitetin reagoi duke u bërë pjesë e debatit publik dhe duke e denoncuar këtë proces si një veprim të mirëmenduar dhe të koordinuar nga aktorë të caktuar qeveritarë e privatë, me qëllime kryekëput klienteliste, që duke vënë në pikëpyetje publikisht kredibilitetin e Universitetit të Tiranës favorizonin hapur interesat e pronarëve të universiteteve private.

Reagimi pasues i LPU-së ishte nisja e organizimit të një cikli tryezash diskutuese nëpër të gjitha fakultetet e UT-së. Temat e shtruara për diskutim në këto tryeza ishin: 1) Ligji për Arsimin e Larte, 2) Procesi i Akreditimit dhe 3) Sfidat e jetës studentore dhe asaj universitare. Tryeza e parë u mbajt në Fakultetin e Shkencave Sociale, e dyta në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, kurse e treta në Fakultetin e Gjeologji-Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës. Ato u karakterizuan nga një pjesëmarrje shumë e lartë të studentësh. Takimet e radhës do të vazhdojnë në Fakultetin Filologjik, Ekonomik, Fakultetin e Shkencave të Natyrës etj.

Në tryezën e datës 17 nëntor, në Fakultetin e Shkencave Sociale pjesëmarrja e lartë e studentëve dhe e pedagogeve ishte frytdhënëse jo vetëm në kuptimin e një diskutimi të gjerë e shumëdimensional, por edhe cilësor e përmbajtësor. Meqenëse formati i tryezave ishte menduar të zhvillohej i hapur, pa panel dhe formalitete të tjera burokratike, dhe i drejtuar nga një moderator, student i fakultetit përkatës, diskutimi që në momentet e para u dha lirinë studentëve që të nisin me parashtrimin e problematikave përkatëse.

Në auditorin e mbushur me mbi 120 pjesëmarrës një student i vitit të parë nisi rrëfimin e odisesë që kaluan maturantët për t’u regjistruar në universitet si rezultat i skemës problematike e klienteliste të Ministrisë së Arsimit; u pasua nga një student i vitit të dytë që tanimë ishte përshtatur me hallet studentore dhe kishte filluar të kërkonte zgjidhjen e problemeve përmes këshillave studentore, të cilat pasi i kishin rezultuar te korruptuara, të forumizuara me gjithfarë ngjyrimesh partiake e aspak serioze. Ai shtroi nevojën e reformimit të këtyre këshillave dhe me tone të forta kërkoi angazhimin e përbashkët të të gjithëve në këtë drejtim; në sallë e mori fjalën edhe një ish-studente  e cila e cilësoi shpresëdhënës faktin që po kthehej në auditorët e fakultetit dhe po shihte në mesin e studentëve një entuziazëm kaq të madh për t’u organizuar në përmirësimin e jetës universitare; një pedagog sqaroi më në detaje lidhjen që ka procesi i akreditimit me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe efektet e tjera të këtij ligji në vështirësimin e jetës studentore e akademike, duke e vënë theksin në domosdoshmërinë për t’u organizuar në kundërshtimin reformës dhe zhbërjen e saj; një pedagoge e këtij fakulteti me tone të forta e kritikoi burokracinë e universitetit për neglizhencën dhe joseriozitetin në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për procesin e akreditimit duke sqaruar në detaje ngecjet, problemet dhe dështimet e këtij institucioni; një tjetër pedagog në mënyrë skematike dhe të ilustruar shpjegoi problemet që krijon ligji i ri në funksionimin e demokracisë së brendshme dhe përqendrimin e fuqisë vendimmarrëse në kompetencë të një grushti njerëzish, pa lidhje me jetën universitare.

Fjalimi i njërit nga aktivistët e LPU-së dhe propozimi i disa pikave konkrete si heqja e tarifave për nxjerrjen e dokumenteve nga sekretaria mësimore, zvogëlimi i procedurave burokratike për marrjen e bursës dhe ulja e tarifës së studimit u mirëprit nga të pranishmit dhe në vazhdim u hodh propozimi i hartimit të një peticioni me kërkesa të sintetizuara nga problematikat më të rëndësishme që do të dalin nga këto takime. Peticioni në formë propozimesh konkrete mbi lehtësimin e barrës studimore për studentët dhe rritjen e cilësisë së jetës universitare do t’u drejtohet institucioneve shtetërore dhe universitare.

Në përfundim të takimit shumë studentë shprehën gatishmërinë për të ndihmuar në organizimin e tryezave nëpër fakultetet e tjera. Kjo gjë padyshim dha një rezultat shumë të mirë në takimin që u zhvillua një javë më pas, me datë 23 nëntor, në Fakultetin e Gjuhëve te huaja ku pjesëmarrja ishte po aq e kënaqshme sa në FSHS.

Pas vështirësive që hasëm në gjetjen e një salle dhe marrjen e lejes për të zhvilluar tryezën në këtë fakultet, për shkak të refuzimit të pakuptimtë të dekanit –me argumentet më cinike, nga çështjet burokratike e deri te mungesa e dëshirës për të lejuar një takim të tillë, tamam si një çifligar që nuk do të japë në shfrytëzim atë që e konsideron paturpësisht si pronë të veten – takimi u realizua në një sallë të gjetur aty për aty në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Shijen e keqe të negociatave të dështuara me një dekan-çifligar na e hoqi entuziazmi i studentëve pjesëmarrës në takim. Me sa duket, dëshmimi i uzurpimit të fakultetit të tyre nga dekani i bindi më shumë të angazhoheshin.

Në këtë takim pjesa dërrmuese e pjesëmarrësve ishin studentë të vitit të parë dhe të dytë. Moderatori, një student i vitit të parë të këtij fakulteti, e filloi takimin duke bërë një prezantim të shkurtër të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe çështjes së akreditimit, i cili u plotësua nga shpjegimi i një pedagogu për të kaluar natyrshëm në problematikat konkrete që hasin studentët në vazhdimësi. Me të marrë vesh se nga takimi në FSHS ishte dalë me një ide konkrete për të finalizuar këtë cikël takimesh me një peticion dhe me gatishmërinë për t’i shkuar deri në fund qëllimit për realizimin e këtyre kërkesave, studentët nxituan të rendisin problemet dhe shqetësimet e tyre, me shpresën se kësaj here organizimi do ta çonte përpara zgjidhjen e tyre.

Po radhis disa nga propozimet që u bënë në këtë takim, të cilat në mënyrë demokratike u votuan një nga një me ngritje dore: pagesa me këste dhe ulja tarifës së shkollimit; reformimi i këshillave studentore; formulimi i një pyetësori për identifikimin e problematikave studentore për secilin fakultet; heqja e pagesës për nxjerrjen e dokumenteve nga sekretaria mësimore; aboneja e studentit; zgjatja e afatit të aplikimit për bursa si dhe heqja e kuotës dhe karta e studentit. Edhe në përfundim të këtij takimi një numër mjaft i madh studentësh shprehën gatishmërinë për të ndihmuar në organizimin e tryezave të radhës në fakultetet tjera, puna për të cilat po vazhdon.

Më 7 dhjetor u mbajt takimi i radhës në Fakultetin e Gjeologji-Minierave. Si në dy takimet e para, salla ishte e mbushur dhe binte në sy gatishmëria e studentëve për t’u përfshirë në debat. Specifikë e takimit në këtë fakultet është kërkesa e studentëve që të angazhohemi, qoftë duke formuar një grup pune qoftë duke shfrytëzuar strukturat e Lëvizjes, për zgjidhjen e disa problemeve konkrete të këtij fakulteti, përveç problemeve të përbashkëta si tarifa e të tjera si këto, siç janë: mungesa e kabineteve për lëndë të caktuara, problemet me kondicionerët, mungesa e ekspeditave shkencore të domosdoshme për shumë nga degët e këtij fakulteti, çështja e pazgjidhur e objektit në të cilin operon fakulteti etj. Kjo dëshmon, mbi të gjitha, gjendjen e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet ky fakultet dhe problemet me të cilat përballen këta studentë. Gatishmëria e pjesës më të madhe të pjesëmarrësve për t’u përfshirë në takimet dhe aktivitetet e ardhshme të rezistencës na bëri të ndaheshim të frymëzuar me ta. Në gjithë historinë e universitetit nuk ka ndodhur që dikush ta ketë ndalur elanin e studentëve të pakënaqur dhe etjen e tyre për një universitet më të mirë.

Mirupafshim në tryezat e ardhshme dhe mirutakofshim në rrugën e gjatë që kemi përpara drejt realizimit të qëllimeve tona!

Botuar në numrin XXV të gazetës “Universitari”

Imazhi: Lëvizja Për Universitetin

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.