/Albert Jacquard/
Edukimi Kombëtar nuk duhet të përgatisë të rinj për të cilët kanë nevojë ekonomia dhe shoqëria. Qëllimi i mbramë i edukimit duhet të jetë shkaktimi i një metamorfoze tek qenia në mënyrë që ajo të tejkalojë veten, të kapërcejë frikën nga e huaja dhe të takojë botën ku jeton përmes dijes.
Unë, Ministër i Arsimit Kombëtar, kam të ngulitur vetëm një ide: që të gjithë nxënësit të shikojnë të tjerët, t’i kuptojnë, t’i dëgjojnë, të shkëmbejnë mendime me ta, të shprehen, të mrekullohen prej tyre dhe prej mjedisit të tyre.
I takon shoqërisë të merret vesh me ata që dalin nga shkolla, u takon ndërmarrjeve të organizojnë vlerësimet dhe kualifikimet për personelin e tyre kur ky personel fillon punën.
Rolet nuk duhet të luhen anasjellas: edukimi kombëtar nuk do të prodhojë më mish për top.
Neni i parë
Duhet të eliminohet fryma e konkurrencës në shkolla. Motori i shoqërisë sonë perëndimore është konkurrimi. Ky motor është vetëvrasës.
Nuk duhet më të mësohet për të qenë i pari.
Neni i dytë
Anulohet vlerësimi me anë të notave. Të vlerësosh një kopje, apo, më keq akoma, inteligjencën me një numër do të thotë t’u japësh një përmasë të vetme aftësive të nxënësve.
Nota do të zëvendësohet nga emulacioni. Ky parim, duke qenë më i shëndetshëm, do të bëjë të mundur të përparohet nëpërmjet krahasimit me shokët e klasës dhe jo për t’ua kaluar atyre.
Do të ishte më me vend të vëmë fjalët në vend të notave.
Neni i tretë
Provimet u qëndrojnë parimeve të tyre, që do të thotë se janë të vlefshme vetëm provimet që nxënësit nuk i kalojnë dot. Ata u hyjnë në punë mësuesve për të vlerësuar të kuptuarit e nxënësve.
Por diplomat ose konkurset si puna e diplomave të shkollës së mesme janë humbje kohe dhe anulohen.
Mbi ballinat e gjimnazeve do të shkruhet shprehja: “Ndalohet hyrja për ata që duan të përgatitin provime.”
Neni i katërt
Grands écoles (Shkolla Politeknike, ENA…) vihen në dyshim lidhur me mënyrën e rekrutimit. Përzgjedhja, pasojë e domosdoshme për konkurrencën që zbatonin këto lloj shkollash, prodhonte vetëm personalitete konformiste, të pazotë për kreativitet dhe imagjinatë.
Për të hyrë në ENA, të rinjtë njëzetepesëvjeçarë duhet t’u pëlqenin pesëdhjetëvjeçarëve. Kjo nuk ishte shenjë e mirë.
Neni i pestë
Mësuesit nuk kanë më të drejtë të informohen për moshën e nxënësve të tyre. Datat e lindjes duhet të shuhen nga të gjitha dokumentet shkollore, përveçse për mjekun e shkollës.
Nuk duhet të vihet më në dukje që një fëmijë është apo nuk është i vonuar, sepse ky është mjet përzgjedhjeje. Gjithkush duhet të përparojë në rrugën e dijes sipas ritmit të tij, dhe pa u ndier fajtor apo krenar përpara shokëve të klasës.
Përkundrazi, mësuesi ka për detyrë të pyesë nxënësin për atë çka ky i fundit di të bëjë, në mënyrë që të përshtatë mësimdhënien, e në rast nevoje të programojë përsëritjen e vitit.
Përsëritja e vitit është realisht e dobishme në rastet kur nuk nënkupton gjykim.
Neni i gjashtë
Çdo mësues do të asistohet nga një mësues filozofie. Sepse duhet, në fakt, të dyfishosh grumbullimin e dijeve nëpërmjet një qasjeje me anë konceptesh. Duhet ta nisim veçanërisht me historinë e shkencave dhe më pas të rimëkëmbim njohuritë në raport me gabimet historike të interpretimit të dijeve. Duhet që nxënësit të jenë të vetëdijshëm rreth sfidave politike që fshihen pas progresit shkencor. Mund të kalojmë disa javë duke u marrë me një koncept sesa të pudrosim çdo orë mësimi me nga pak dije.
Neni i shtatë
Puna e mësuesve sipas lëndëve anulohet dhe zëvendësohet me punën në ekip. Ecuria e punës nëpër klasa nuk duhet të trazohet nga zbatimi në mënyrë strikte i programit.
Neni i tetë
Gjatë jetës së tij, gjithkush do të ketë, në fund të të tridhjetave, katër vite sabatike me qëllim që të bëjë një bilanc të vetes, të riorientohet qartë, apo të mësojë gjëra të tjera. Gjithkush ka të drejtën të ndryshojë zanat apo prirje, sepse nuk është e thënë të marrësh vendime për jetën tënde kur je tetëmbëdhjetë vjeç.
Neni i nëntë
Ministria e Ekonomisë nuk do t’i diktojë më Ministrisë së Arsimit nevojat e saj. Këtej e tutje, Ministri i Ekonomisë do t’i japë të gjitha mjetet e nevojshme arsimit kombëtar për të përmbushur prirjen e tij.
Përkthyer nga: Dilfirus Vrioni
Marrë nga: L’humanité, 22 mars 1999