Trazira në parajsë

/Slavoj Žižek/

Në shkrimet e tij të hershme, Marksi e përshkruante situatën gjermane të tillë që e vetmja përgjigje për problemet partikulare ishte zgjidhja universale: revolucioni global. Kjo është një shprehje e thukët e dallimit midis një periudhe reformiste dhe një periudhe revolucionare: në një periudhë reformiste, revolucioni global mbetet një ëndërr e cila, nëse lëviz ndonjë gjë, thjesht u jep udhë përpjekjeve për t’i ndryshuar punët lokalisht; në një periudhë revolucionare bëhet e qartë se asgjë nuk do të përmirësohet pa ndryshim global radikal. Në këtë kuptim tërësisht formal, viti 1990 ishte një vit revolucionar: ishte e qartë se reformat e pjesshme të shteteve komuniste nuk do të kryenin punë dhe se një thyerje totale ishte e domosdoshme për të zgjidhur edhe të tilla probleme të përditshme si sigurimi i ushqimit të mjaftueshëm për popullin.

Ku jemi sot në lidhje me këtë dallim? A janë problemet dhe protestat e viteve të fundit shenja të një krize globale në afrim, apo thjesht pengesa te vogla të cilat kanë nevojë për ndërhyrje lokale? Tipari më përshtypjelënës i këtyre teptisjeve është se ato po ndodhin jo vetëm, apo kryesisht, në pikat e dobëta të sistemit, por në vende që deri më tash perceptoheshin si histori suksesi. Ne e dimë se pse njerëzit po protestojnë në Greqi apo Spanjë; por pse ka trazira në vende të tilla të begata apo me zhvillim të shpejtë si Turqia, Suedia apo Brazili? Duke kthyer kokën mbrapa mund të vëmë re se ‘trazira origjinare në parajsë’ ishte revolucioni i Komeinit më 1979, duke pasur parasysh se ai ndodhi në një vend që ishte në autostradën e modernizimit properëndimor, dhe aleati më i ngushtë i Perëndimit në rajon. Ndoshta ka diçka që nuk shkon me nocionin që kemi për parajsën.

Përpara valës aktuale të protestave, Turqia ishte ‘hot’: modeli i mirëfilltë i një shteti të aftë për të ndërthurur një ekonomi liberale të lulëzuar me islamizmin e moderuar, që i shkonte për shtat Evropës, dhe në kontrast të mikpritur me Greqinë më ‘evropiane’, të ngecur në një baltovinë ideologjike dhe të kërrusur ndaj vetëshkatërrimit ekonomik. Sigurisht që kishte shenja ogurzeza tek-tuk (mohimi që Turqia i bënte holokaustit armen; arrestimet e gazetarëve; statusi i pazgjidhur i kurdëve; thirrjet për një Turqi më të madhe e cila do të ringjallte traditën e Perandorisë Osmane; imponimi i herëpashershëm i ligjeve fetare), por ato shpërfilleshin si njolla të vogla të cilat nuk duheshin lejuar të llangosnin pikturën e përgjithshme.

Pastaj shpërthyen protestat e sheshit Taksim. Gjithkush e di se transformimi i planifikuar i një parku që fqinjëron me sheshin Taksim, në qendër të Stambollit, në një qendër tregtare nuk përbënte ‘shkakun e vërtetë’ të protestave, dhe një pakënaqësi edhe më e thellë po merrte fuqi. E njëjta gjë vlen edhe për protestat e mesqershorit në Brazil: ajo çka e ndezi eshkën ishte një ngritje e vogël e kostos së transportit publik, por ngjarjet vazhduan edhe pasi masa u tërhoq. Edhe këtu protestat kishin shpërthyer në një vend i cili – të paktën sipas mediave – po gëzonte një bum ekonomik dhe i kishte të gjitha arsyet për të pasur besim te vetja për të ardhmen. Në këtë rast protestat, me ç’duket, u mbështetën nga presidentja Dilma Rousseff, e cila deklaroi se ishte e mahnitur prej tyre.

Është vendimtare që të mos i shohim protestat turke thjesht si një kryengritje e shoqërisë civile shekullare kundër një regjimi islamik autoritar të mbështetur nga një shumicë e heshtur myslimane. Panorama ndërlikohet nga vrulli antikapitalist i protestave: protestuesit kuptojnë intuitivisht se fundamentalizmi i tregut të lirë dhe fundamentalizmi islamik nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Privatizimi i hapësirës publike nga një qeveri islamike tregon se të dyja format e fundamentalizmit mund të ecin dorë për dore: kjo është një shenjë e qartë se martesës ‘së përjetshme’ midis demokracisë dhe kapitalizmit po i afrohet divorci.

Po ashtu ka rëndësi të kuptojmë se protestuesit nuk po ndjekin ndonjë qëllim ‘real’ të identifikueshëm. Protestat nuk janë ‘në të vërtetë’ kundër kapitalizmit global, ‘në të vërtetë’ kundër fundamentalizmit fetar, ‘në të vërtetë’ për liri civile dhe demokraci, apo ‘në të vërtetë’ rreth ndonjë gjëje në veçanti. Ajo për të cilën janë të vetëdijshëm shumica e atyre që kanë marrë pjesë në protesta është një ndjenjë fluide parehatie dhe pakënaqësie që i mbështet dhe i unifikon kërkesat e ndryshme specifike. Përpjekja për t’i kuptuar protestat nuk është thjesht epistemologjike, me gazetarë dhe teoricienë që rreken të shpjegojnë përmbajtjen e tyre të vërtetë; ajo është gjithashtu një përpjekje ontologjike rreth gjësë në vetvete, që po ndodh brenda vetë protestave. A është kjo thjesht një luftë kundër administrimit të korruptuar të qytetit? A është një luftë kundër sundimit autoritarist islamik? A është një luftë kundër privatizimti të hapësirës publike? Pyetja është e hapur, dhe mënyra se si merr përgjigje do të varet nga rezultati i një procesi politik në vazhdim.

Më 2011, kur protestat po teptisnin nëpër Evropë dhe Lindje të Mesme, shumëkush këmbëngulte se ato nuk duheshin trajtuar si instanca të një lëvizjeje të vetme globale. Përkundrazi, – argumentonin, secila prej tyre përbënte një përgjigje për një situatë specifike. Në Egjipt, protestuesit kërkonin atë kundër të cilës po protestohej nga lëvizja Occupy në vende të tjera: ‘lirinë’ dhe ‘demokracinë’. Edhe në vendet myslimane kishte dallime vendimtare: Pranvera Arabe në Egjipt ishte protestë kundër një regjimi të korruptuar dhe autoritarist properëndimor; Revolucioni i Gjelbërt në Iran që nisi më 2009 ishte kundër islamizmit autoritarist. Mund të vihet re fare lehtë se si të tilla partikularizime të protestës u shërbejnë mbrojtësve të status quo-së: nuk ka ndonjë kërcënim kundër rendit global si të tillë, por vetëm një seri problemesh të shkëputura lokale.

Kapitalizmi global është një proces kompleks i cili i ndikon vendet e ndryshme në mënyra të ndryshme. Ajo çka i përbashkon protestat, pavarësisht shumëfarësisë së tyre, qëndron në faktin se ato janë të gjitha reagime ndaj fytyrave të ndryshme të globalizmit kapitalist. Prirja e përgjithshme e kapitalizmit të sotëm global është kah shtrirja e mëtejshme e tregut, gardhimi i ngadaltë i hapësirës publike, reduktimi i shërbimeve publike (shërbim shëndetësor, arsim, kulturë) dhe pushteti politik gjithnjë e më autoritarist. Pikërisht në këtë kontest grekët po protestojnë kundër sundimit të kapitalit financiar ndërkombëtar dhe shtetit të tyre të korruptuar e joefiçent, i cili e ka gjithnjë e më pak të mundur të sigurojë shërbimet shoqërore bazike. Pikërisht në këtë kontekst turqit po protestojnë kundër komercializimit të hapësirës publike dhe kundër autoritarizmit fetar; egjiptianët po protestojnë kundër një regjimi të mbështetur nga fuqitë perëndimore; iranianët po protestojnë kundër korrupsionit dhe fundamentalizmit fetar, etj. Asnjëra nga këto protesta nuk mund të reduktohet në një çështje të vetme. Të gjitha ato merren me një kombinim specifik të të paktën dy çështjeve, njëra ekonomike (prej korrupsionit te joefiçenca e vetë kapitalizmit), tjetra politiko-ideologjike (prej kërkesës për demokraci te kërkesa që demokracia konvencionale shumëpartiake të përmbyset). E njëjta gjë vlen edhe për lëvizjen Occupy. Nën morinë e deklaratave (shpesh konfuze), lëvizja kishte dy tipare bazike: i pari, pakënaqësia me kapitalizmin si sistem, dhe jo thjesht me korruptimin e tij partikular lokal; i dyti, një vetëdije se forma e institucionalizuar e demokracisë përfaqësuese shumëpartiake nuk është e mirëpajisur për të luftuar kundër teprimeve kapitaliste: d.m.th. demokracia duhet të rishpiket.

Fakti se shkaku themelor i protestave është kapitalizmi global nuk do të thotë se e vetmja zgjidhje gjendet në përmbysjen e drejtpërdrejtë të tij. As nuk është e mundshme të vazhdohet me alternativën pragmatike, që nënkupton të merresh me problemet individuale dhe të rrish në pritje të një transformimi radikal. Diçka e tillë injoron faktin se kapitalizmi global është domosdoshmërisht kontradiktor: liria e tregut shkon dorë për dore me mbështetjen amerikane për fermerët e saj; predikimi i demokracisë shkon dorë për dore me mbështetjen e Arabisë Saudite. Kjo kontradiktë çel hapësirën e ndërhyrjes politike: kudo që sistemi kapitalist global është i shtrënguar të shkelë rregullat e veta, ekziston një mundësi për të ngulmuar që ai t’i respektojë ato rregulla. Të kërkosh konsekuencë në pika të përzgjedhura strategjike ku sistemi nuk mund t’ia lejojë vetes të jetë konsekuent nënkupton të vësh nën presion krejt sistemin. Arti i politikës qëndron në ngritjen e kërkesave të veçanta të cilat, megjithëse janë tërësisht realiste, e qëllojnë në zemër ideologjinë hegjemone dhe nënkuptojnë ndryshim mjaft më radikal. Të tilla kërkesa, megjithëse janë të arritshme dhe legjitime, janë de facto të pamundura. Propozimi i Obamës për shërbim shëndetësor universal përbënte një rast të tillë, çka shpjegon se pse reagimet ndaj tij ishin aq të dhunshme.

Një lëvizje politike nis me një ide, me diçka për të cilën orvatemi, por me kalimin e kohës ideja i nënshtrohet një transformimi të thellë – jo thjesht një ujdie taktike, por një ripërkufizimi thelbësor – sepse vetë ideja bëhet pjesë e procesit: ajo bëhet e mbipërcaktuar. Për shembull, një revoltë nis me një kërkesë për drejtësi, ndoshta në formën e një thirrjeje që një ligj i caktuar të abrogohet. Me t’u angazhuar thellësisht në të, njerëzit vetëdijësohen se për të jetësuar drejtësinë e vërtetë kërkohet shumë më tepër sesa plotësimi i kërkesës së tyre fillestare. Problemi qëndron në përkufizimin e asaj në të cilën konsiston fraza ‘shumë më tepër’. Sipas këndvështrimit liberal-pragmatik problemet mund të zgjidhen gradualisht, një e nga një: ‘Njerëzit po vdesin tani në Ruanda. Prandaj harrojeni luftën antiimperialiste dhe thjesht të parandalojmë masakrën!; ose: ‘Duhet ta luftojmë varfërinë dhe racizmin këtu dhe tani, dhe jo të presim deri sa të bjerë në kolaps rendi kapitalist golbal’. John Caputo argumenton në këto vija te After the Death of God (2007):

Do të isha krejt i lumtur sikur politikanët e të majtës ekstreme në SHBA të kishin mundësi ta reformonin sistemin duke siguruar shërbim shëndetësor universal, duke rishpërndarë efektivisht pasurinë në mënyrë më të drejtë sipas një kodi taksor të rishikuar, duke kufizuar efektivisht financimin e fushatave zgjedhore, duke përfshirë juridikisht të gjithë votuesit, duke i trajtuar punëtorët imigrantë njerëzisht, dhe duke ndërmarrë një politikë të jashtme të shumanshme që do ta integronte fuqinë amerikane brenda bashkësisë ndërkombëtare etj, d.m.th. të ndërhynin në kapitalizëm përmes reformave serioze dhe me ndikim të gjerë…Nëse pas të gjitha këtyre Badiou-ja dhe Žižek-u ankohen se ndonjë përbindësh i quajtur Kapitalizëm po na kërcënon, unë do ta përshëndesja këtë përbindësh me një gogësimë.  

Këtu problemi nuk gjendet në përfundimin që nxjerr Caputo: nëse këto mund të arrihen brenda kapitalizmit, atëherë pse të mos e mbajmë atë?! Problemi qëndron në premisën themelore, sipas të cilës është e mundshme që të arrihen të gjitha këto brenda kapitalizmit global në formën e tij aktuale. Po sikur keqfunksionimet e kapitalizmit që liston Caputo të mos jenë thjesht turbullira rastësore, por domosdoshmëri strukturore?! Po sikur ëndrra e Caputo-s të jetë ëndrra e një rendi kapitalist global pa simptomat e tij, pa pikat kritike në të cilat shfaqet ‘e vërteta e tij e shtypur’?!

Protestat dhe revoltat e ditëve të sotme mbështeten nga një ndërthurje kërkesash të mbivendosura, dhe kjo shpjegon fuqinë e tyre: ato luftojnë për demokraci (‘normale’, parlamentare) kundër regjimeve autoritariste; kundër racizmit dhe seksizmit, veçanërisht kur drejtohet kundër imigrantëve dhe refugjatëve; kundër korrupsionit në politikë dhe biznes (ndotjes industriale të mjedisit etj); për shtetin e mirëqenies shoqërore kundër neoliberalizmit; dhe për forma të reja demokracie që shkojnë përtej ritualeve shumëpartiake. Ato gjithashtu vënë në pikëpyetje sistemin kapitalist global si të tillë dhe përpiqen të mbajnë të gjallë idenë e një shoqërie përtej kapitalizmit. Këtu duhen shmangur dy gracka: radikalizmi i rremë (‘ajo që ka rëndësi realisht është përmbysja e kapitalizmit liberal-parlamentar; të gjitha luftërat e tjera janë dytësore’), por edhe gradualizmi i rremë (‘tani për tani duhet të luftojmë kundër diktaturës ushtarake dhe për demokraci bazike; të gjitha ëndrrat tona me socializëm duhen lënë mënjanë për momentin’). Këtu nuk duhet pasur turp për të kujtuar dallimin maoist midis antagonizmave parësore dhe dytësore, midis atyre që kanë më shumë rëndësi në fund dhe atyre që mbizotërojnë tani për tani. Ka situata në të cilat këmbëngulja në antagonizmin parësor nënkupton humbjen e mundësisë për të dhënë një goditje domethënëse në luftë.

Vetëm një politikë që është e vetëdijshme plotësisht për kompleksitetin e mbipërcaktimit meriton të quhet strategji. Kur i bashkohemi një lufte specifike, pyetja kyçe është: si do t’i ndikojë luftërat e tjera angazhimi ose mosangazhimi ynë në këtë luftë? Rregulla e përgjithshme është se kur nis një revoltë kundër një regjimi gjysmëdemokratik shtypës, si në Lindjen e Mesme më 2011, është e lehtë të mobilizohen turma të mëdha me parulla – për demokraci, kundër korrupsionit etj. mirëpo, shpejt përballemi me zgjedhje më të vështira: kur revolta ka sukses në qëllimin e saj fillestar, ne kuptojmë se ajo që po na shqetëson me të vërtetë (mungesa e lirisë, poshtërimi, korrupsioni, ardhmëria e varfër) vijon nën një maskë të re; kësisoj shtrëngohemi të pranojmë se ka pasur një cen te vetë qëllimi. Kjo mund të çojë në kuptimin se demokracia mund të jetë vetë një formë palirie, apo se duhet të kërkojmë më shumë sesa thjesht demokraci politike: jeta ekonomike dhe shoqërore duhet të demokratizohet gjithashtu. Shkurt, ajo të cilën në fillim e morëm për një dështim në aplikimin e plotë të një parimi fisnik (liria demokratike) doli në fakt një dështim i brendshëm i vetë parimit. Ky vetëdijesim – se dështimi mund të jetë brenda parimit për të cilin po luftojmë – përbën një hap të madh në edukimin politik.

Përfaqësuesit e ideologjisë sunduese përdorin të gjithë arsenalin e tyre për të na penguar së arrituri këtë përfundim radikal. Ata na thonë se liria demokratike sjell pas përgjegjësitë e veta, se ajo ka një çmim, se është foshnjarake të kihen pritshmëri mjaft të mëdha nga demokracia. Në një shoqëri të lirë, – thonë ata, ne duhet të sillemi si kapitalistë duke investuar në jetët tona: nëse dështojmë së bëri sakrificat e domosdoshme, ose nëse nuk ia dalim në ndonjë farë mënyre, atëherë nuk kemi kë të fajësojmë pos vetes. Në një kuptim më të drejtpërdrejtë politik, SHBA ka ndjekur në mënyrë të vazhdueshme një strategji të kontrollit të dëmit në politikën e saj të jashtme duke e rikanalizuar kryengritjen popullore në forma të pranueshme kapitalisto-parlamentare: në Afrikën e Jugut pas aparteidit, në Filipine pas rënies së Markosit, në Indonezi pas Suhartos etj. Këtu fillon politika e mirëfilltë: çështja është se si të shtyhet më tutje pasi vala e parë eksituese e ndryshimit merr fund, si të hidhet hapi tjetër pa rënë në tundimin ‘totalitarist’, si të shkohet përtej Mandelës pa u bërë Mugabe.

Çfarë do të thoshte kjo në një rast konkret? Le të krahasojmë dy vende fqinje, Greqinë dhe Turqinë. Në pamje të parë, mund të duken se janë krejt të ndryshme: Greqia është e zënë në kurthin e politikës shkatërrimtare të kursimeve, ndërsa Turqia po gëzon një bum ekonomik dhe po del në pah si një superfuqi e re rajonale. Mirëpo, po sikur çdo Turqi të gjenerojë dhe të përmbajë Greqinë e vet, ishullin e saj të mjerimit? Siç shprehej Brecht-i tek ‘Elegjitë hollivudiane’ të tij;

Fshati i Hollivudit u planifikua sipas nocionit

Që populli i këtyre anëve kishte për parajsën. Në këto anë

Ata kanë arritur në përfundimin se zoti

Të cilit i duhej një parajsë e një ferr, nuk kishte nevojë të

Planifikonte dy vende, por

Thjesht një: parajsën. Ajo

U shërben të pabegatëve, të pasuksesshmëve

Si ferr.

Kjo e përshkruan fare mirë ‘fshatin global’ të sotëm: thjesht aplikojeni në rastin e Katarit apo Dubait, kopshte të pasurish që varen nga kushtet gati-skllavërore të punëtorëve imigrantë. Një shikim më i afërt shpalos ngjashmëritë themelore midis Turqisë dhe Greqisë: privatizim, gardhim i hapësirës publike, çmontim i shërbimeve shoqërore, ngritje e politikës autoritariste. Në një nivel elementar, protestuesit grekë dhe turq po bëjnë të njëjtën luftë. Shtegu i vërtetë do të ishte koordinimi i të dyja luftërave, refuzimi i tundimeve ‘patriotike’, lënia pas e armiqësive historike midis dy vendeve dhe ndërtimi i themeleve të solidaritetit. E ardhmja e protestave mund të varet nga kjo.

Marrë nga: http://www.lrb.co.uk/2013/06/28/slavoj-zizek/trouble-in-paradise

Përktheu: Arlind Qori

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.